KKT: Vendim për harmonizimin e instrumenteve të planifikimit vendor

22 gusht 2014

Sot u mblodh Këshilli Kombëtar i Territorit. I drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, KKT miratoi disa vendime me rëndësi, në funksion të ruajtjes së territorit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të tij.  KKT miratoi vendimin për harmonizimin e instrumenteve të planifikimit vendor si pasojë e ndarjes së re administrativo-territoriale. Gjithashtu, KKT vendosi edhe fillimin e procedurave për të hartuar pesë projekte me natyre strategjike, në kuadrin e planeve të integruara sektoriale për brezin bregdetar dhe zonën ekonomike të Tiranë- Durrës.

Fjala e Kryeministrit Rama:

Në fakt nuk ka qenë dhe nuk është në eksperiencën e kësaj instance që të bëjmë mbledhje me komunikim për publikun, por e konsideruam shumë të rëndësishme këtë mbledhje, për shkak të përmbajtjes së saj. E, po ashtu e konsideruam të nevojshme praninë e mediave, për të komunikuar drejtpërdrejtë me publikun këtë përmbajtje, e cila vjen si një nevojë therëse për të përballuar inercinë e një fenomeni dramatik, që ka shoqëruar Shqipërinë, gjithë këto vite, që është fenomeni i shkatërrimit të burimeve tona strategjike të zhvillimit, që janë territori dhe gjithë pasuritë natyrore.

Në këtë mbledhje, ne do të marrim disa vendime me një rëndësi të posaçme, të ndara, besoj unë, në dy pjesë. Nga njëra anë, pjesa që ka të bëjë me frenimin e inercisë që ka karakterizuar vendimmarrjen e shumë njësive vendore, që janë përgjegjëse për një shkatërrim që askush në rajon dhe në Europë nuk ia ka bërë vendit të vet. Nga ana tjetër, hapjen e disa proceseve të reja brenda procesit të madh të ripërtëritjes, duke ndërhyrë në njësi me rëndësi të veçantë për zhvillimin tonë ekonomik dhe turistik.

Një vendim është ai që cilësohet si vendim për harmonizimin e instrumenteve të planifikimit vendor si pasojë e ndarjes së re administrativo-territoriale. Në fakt, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia e Planifikimit të Territorit i janë adresuar menjëherë Këshillit Kombëtar të Territorit, pas kalimit të ligjit për ndarjen e re administrative, për të adresuar një problem shumë më të vjetër, që është problemi i krijuar nga injoranca, inkompetenca dhe korrupsioni që ka sunduar në shumë territore të vendit, posaçërisht në territore të lidhura drejtpërdrejt me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social, urban dhe turistik. Mjafton të sjellim në vëmendje, me sytë e  parafytyrimit këtu, se çfarë pamje ka vija jonë bregdetare, se çfarë u ka ndodhur të gjitha hapësirave deri dje të gjelbra, apo të kultivuara me ullinj qindravjeçarë, në vend të të cilëve janë ndërtuar mbi kodrina buzë detit, shembujt më të llahtarshëm të barbarisë urbane, për të kuptuar se është koha që ky kapitull të mbyllet me forcë.

Përpjekjet tona kanë qenë të mëdha. Do të jenë edhe më të mëdha, përmes instrumenteve që qeveria ka në dispozicion. I jemi kthyer me intensitet goditjes së ndërtimeve të paligjshme, por një problem i madh mbetet paligjshmëria që prodhohet përmes firmave dhe vulave të papërgjegjshme, që në shumë njësi vendore të vendit autorizojnë leje zhvillimi për shkatërrim. Praktikisht, në këtë vendim, ne marrim përsipër si Këshill Kombëtar i Territorit që në radhë të parë të fillojmë procedurat për rishikimin e instrumenteve të planifikimit vendor, të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, me qëllim harmonizimin e tyre në funksion të ndarjes së re administrativo-territoriale, por edhe përtej ndarjes administrativo-territoriale në funksion të krijimit të një kulture vetëpërmbajtjeje ligjore dhe nënshtrimi përpara gjithë çfarë ligjet kanë paraparë në funksionimin e autoriteteve, për të autorizuar leje ndërtimi.

Kjo sjell domosdoshmërinë për të pezulluar me autoritetin e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe në funksion të interesit tonë kombëtar dhe publik, por dhe të gjithë atyre interesave private që janë sakatuar dhe sakatohen çdo ditë, duke mos u marrë hiç parasysh, për qëllime nga më të errëtat, të zbatimit të të gjitha planeve vendore, të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, deri në konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore, pas zgjedhjeve të vitit 2015.

Nuk dua që të krijohet një ekuivok.

Ky është një vendim që do të merrej edhe pa ndarjen e re administrative, në kushtet kur eksperienca na tregon se inercia e fazës së fundit të një mandati, në shumë territore ka sjellë edhe plagët më të mëdha. Kemi raste flagrante dhëniesh të qindra lejeve brenda 2-3 muajve të fundit, para dhe gjatë fushatës, nga autoritete vendore të papërgjegjshme, që kanë sjellë plagë të panumërta. Mjafton të shikojmë gjithë vijën e bregdetit dhe të bëjmë përputhjen e atyre shëmtirave që shohim me autorizimet e dhëna, për të kuptuar se pjesa më e madhe e shëmtimit ka ardhur si rezultat i dorëlëshimit të periudhës para dhe gjatë zgjedhore.

Së treti, do të pezullohet dhënia e lejeve të reja zhvillimore dhe do të pezullohen planet e detajuara vendore nga të gjitha autoritetet e qeverisjes vendore deri në konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore, në zgjedhjet e vitit 2015.

Sigurisht që ne nuk jemi këtu, për të marrë një vendim të njëanshëm që hedh bazën e ndalimit të rrënimit të mëtejshëm. Rrënim që, vjen jo nga duart e papërgjegjshme të atyre që guxojnë të abuzojnë me ligjin dhe territorin, pa leje, por nga duart e papërgjegjshme të atyre që japin leje në kundërshtim me ligjin dhe i japin fuqi ligjore, me firmën e tyre, ndërhyrjeve krejt të papërgjegjshme dhe me pasoja të pallogaritshme në një territor si ky territori yni. Shqipëria është vetëm 28 mijë kilometra katror, nuk është 28 milionë kilometra katror. Ne kemi detyrimin që të ruajmë dhe të zhvillojmë me përgjegjshmëri, me vizion dhe me këmbëngulje këtë territor, duke kuptuar, besuar dhe funksionuar mbi një të vërtetë të thjeshtë; Pasuria më e madhe e këtij vendi është bukuria.

Por, nga ana tjetër, ne nuk dot ndalojmë me një të rënë të lapsit, forcat e zhvillimit. Ky vendim vjen si pjesë e një zinxhiri vendimesh të marra për të krijuar mundësi që gjatë gjithë kësaj periudhe pezullimi, autoritetet e planifikimit të japin leje zhvillimore për rastet përjashtimore dhe në funksion të interesit publik, shtetëror, kombëtar dhe të interesit për të zhvilluar në këtë vend, veprimtari prodhuese.  Jo për të uzurpuar çfarë ka mbetur nëpër qytetet e bëra copë e cikë, për të ngritur pallate, pallate, pallate, por për t’i hapur rrugë çdo zhvillimi që ka të bëjë drejtpërdrejt me turizmin, që ka të bëjë drejtpërdrejt me bujqësinë dhe blegtorinë, që ka të bëjë drejtpërdrejt me industrinë, që ka të bëjë drejtpërdrejt me krijimin vendeve të punës, jo me rritjen e mëtejshme të një stoku katastrofik apartamentesh të pashitura sot e gjithë ditën.

Praktikisht, punimet e infrastrukturës, strukturat publike, sigurisht ndërhyrjet  me karakter emergjent dhe lejet zhvillimore me interes publik, shtetëror dhe kombëtar apo në funksion të veprimtarisë ekonomike prodhuese, në gjithë sektorët që përmenda, do të vazhdojnë të jepen normalisht. E, në rastin e këtyre të fundit për të ndaluar çdo spekulim dhe për të ndaluar që të vazhdojë historia duke thënë katin e parë do ta bëjmë fason dhe pastaj kemi 17 kate apartamente dhe pastaj gjatë realizimit fasoni kthehet në dyqan dhe parkimi kthehet në nën dyqan. Miratimin në parim do ta japi Këshilli Kombëtar i Territorit siç kemi vepruar me një sërë lejesh gjatë gjithë kësaj periudhe për zhvillime të kësaj natyre.

Pika tjetër është shumë e rëndësishme. Ne do të njoftojmë menjëherë të gjitha autoritet vendore që ta lexojnë me vëmendje këtë vendim. Ajo që ka ndodhur në vijimësi që shkelja e gjithë vendimeve tw marra paraprakisht apo e ligjeve që përcaktojnë kufijtë e veprimeve të autoriteteve vendore,  të mos vazhdojnë më  tutje dhe kur vazhdon të ndëshkohet ligjërisht me forcë.

Pezullimi i zhvillimit nuk zbatohet:

a. Për zhvillime të autorizuara me leje zhvillimore, të dhëna në përputhje me instrumentet e planifikimit, që kanë hyrë në fuqi përpara këtij vendimi

b. Për punime të mirëmbajtjes

Ndërkohë që, lejet e zhvillimit që nuk mbështeten në instrumente të detyrueshme të planifikimit në fuqi, duhet të rishikohen dhe të harmonizohen me instrumentet e planifikimit në përfundim të periudhës së pezullimit, pra sipas pikave 1 dhe 2 të vendimit.

Më tutje çdo leje zhvillimi dhe plan i detajuar vendor, i miratuar pas datës së miratimit të këtij vendimi do të konsiderohet “nul”, i pavlefshëm dhe subjekt për ndjekje të procedurave me natyrë penale.

Vendimi për pezullimin e zhvillimit mund të rishikohet përpara afatit të përcaktuar për të gjithë territorin e përfshirë ose pjesë të caktuara të tij, kur kushtet e kërkuara për miratimin e tij pushojnë së ekzistuari.

Sigurisht, që Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Agjencia e Kombëtare e Planifikimit do të nxjerrin procedurën për zbatimin e këtij vendimi. Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit do të evidentojë të gjitha lejet e zhvillimit të dhëna, sipas pikës 5.  Pra, do të informojë autoritetet e inspektimit për marrjen e masave përkatëse për çdo rast kur nuk është respektuar procedura ligjore. Kjo është njëra anë.

Ana tjetër është ajo çka ne do të bëjmë për t’i hapur rrugë modelit tonë të ri të zhvillimit edhe në disa zona të tjera, siç kemi filluar praktikisht me disa zona dhe kam parasysh këtu fillimin e procedurave për të hartuar pesë projekte me natyrw strategjike në kuadrin e planeve të integruara ndërsektoriale për brezin bregdetar dhe për zonën ekonomike Tiranë- Durrës.

Së pari, hapësira Tiranë-Durrës, si urë e metropolit të ri të Shqipërisë.

Së dyti, kurora e Tiranës si frymëmarrja e metropolit shqiptar.

Së treti, rigjenerimi i vijës  bregdetare nga Uji i Ftohtë në Palasë, pra përfshirë vijën bregdetare të Orikumit dhe të gjithë vijën malore të Llogarasë deri poshtë në Palasë.

Së katërti, Himara dhe gjithë yjësia e vendbanimeve përreth si një model i ri rikualifikimi urban.

Së pesti, hapësira Sarandë-Ksamil si një rrugë e re zhvillimi turistik.

Për të pesë këto projekte, që do të jenë modele të reja zhvillimi që do të fillojnë të investohen drejtpërdrejt në territor, duke filluar nga gjysma e dytë e vitit të ardhshëm, ne do të hapim konkurset ndërkombëtare. Mbi bazën e konkurseve ndërkombëtare duke u nisur dhe nga procesi i suksesshëm i vijës bregdetare të Vlorës, ne do të ecim më tutje. Unë dua t’i siguroj të gjithë që mbi bazën e këtyre modeleve në fund të këtij katër vjeçari, shqiptarët dhe vizitorët e  huaj do të mund të shikojnë Shqipërinë që duam.

Do të mund të shikojnë një Shqipëri krejt tjetër nga ajo e bombarduara, e masakruara, e braktisura, për vite të tëra në vijën tonë bregdetare. Nga ajo që krahas bukurive të natyrës qëndrojnë të gjitha aktet e pashembullta të dorës së injorancës dhe të barbarize. Pa asnjë dyshim me një rëndësi krejt të veçantë në këtë aspekt është edhe mbrojtja njëherë e mirë e gjithë kurorës së Tiranës, e cila ka qenë territori ku është zhvilluar prej vitesh të tëra një masakër konstante, pa asnjë lloj sensi të zhvillimit të qëndrueshëm, një zhvillim krejt i paharmonizuar mes nevojave të sipërmarrjes për të fituar para nga metrat katrorë dhe nevojave të komuniteteve që banojnë në metrat katror të ndërtuar.

Mjafton të shikojmë Kodrat e Liqenit apo të shikojmë të gjithë brezin e poshtëm të Malit të Dajtit për të kuptuar se për çfarë flasim, situata urbane të ngjashme me situatat pa shtet në vendet afrikane.

Duke e mbyllur, unë dëshiroj të ritheksoj që ne jemi të vendosur për t’i hapur rrugën me çdo mjet demokratik një zhvillimi të një natyre tjetër, një modeli të ri ekonomik dhe social. Do të veprojmë me të njëjtën strategji që janë transformuar vende të mbetura në mëshirë të fatit, që nga vende që sot janë modele përrallore të zhvillimit urban si Barcelona, deri tek vende që sot shohin transformime të jashtëzakonshme, qoftë në anën tjetër të Europës, qoftë dhe në zona të tjera të botës, modelin e transformimit të kësaj gjendjeje përmes ndërhyrjeve e të quajtura agropunkturale, ku një model zhvillim krijon bazën për një zinxhir vlerash.

Pa as më të voglin dyshim ne do të ndjekim këmba-këmbës çdo abuzues me territorin, qoftë ky një abuzues individ apo subjekt, që pa leje ndërtimi, operon duke bërë kontributin e tij masakër, qoftë ky abuzues që ka në dorë të japi leje ndërtimi dhe nuk respekton asnjë ligj dhe asnjë normw etike në raport me këtë pasuri të përbashkët.

E nuk ka dyshim që kushdo që mendon se duke vënë më tutje tulla pa leje, do të mund t’i shpëtojw ndëshkimit të drejtpërdrejt dhe shembjes së veprës së tij të shëmtuar penale, do të përballet tanimë jo vetëm me fadromat e inspektoratit, por edhe me përgjegjësinë e tij penale. Do të përballet jo vetëm me inspektorët, por edhe policinë.

Në ligjin e ri të policisë është përfshirë krimi mjedisor, si pjesë zinxhirit të krimeve me të cilat merret policia. Protokolloi i ri i punës që po bëhet gati dhe do të hyjë në funksion në shtator për të gjithë trupat e Policisë së Shtetit, imponon që çdo punonjës me uniformë ka detyrimin të identifikojë dhe të ndjekë dhe në vend çdo krim mjedisor, njësoj  siç identifikon dhe ndjek në vend çdo përpjekje për krime të rënda apo siç shkon pas ndodhisë së një krimi të rëndë. Përgjegjësia penale do të jetë e pashmangshme.

Nuk do të ketë më si më parë, që shkon te Inspektorati për të prishur godinën dhe megjithëse  përgjegjësia është e abuzuesit për të pastruar mbeturinat, ato mbeten aty, do t’i pastrojë shteti dhe abuzuesi pasi shteti pastron, rifillon punën,  por do të ketë vetëm një rrugë, rruga drejtë qelive të burgut për këtë krim të madh që i është bërë Shqipërisë për 20 vjet dhe që duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Nuk mund të hyjmë në Bashkimin Europian si ndërtimtarë pa leje. Nuk mund të sigurojmë Shqipërinë e Gjeneratës tjetër, si Shqipëria  e muratorëve  të palicencuar.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi