Merkel: Kompromis do të thotë që të gjitha palët të jenë njësoj të palumtura.”

DW: Procesi Brdo-Brijun, 15 korrik 2014

“Njerëzit nuk i besojnë një shteti, në të cilin njerëzit nuk marrin drejtësi, kur kanë të drejtë .” Merkel kërkon në samitin e Dubrovnikut angazhim për shtetin e së drejtës dhe premton mbështetje gjermane për integrimin.

Historia e samitit rajonal të Ballkanit Perëndimor nisi në vitin 2013, kur presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë iniciuan procesn e “Brdo-Brijunit”, një mekanizëm politik që synon afrimin më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe NATO-n, zgjidhjen e konflikteve dhe probleme që la pas shpërbërja e Jugosllavisë, por edhe nxitjen e dialogut mes vendeve ballkanike.

Në këtë proces krahas Sllovenisë e Kroacisë bëjnë pjesë edhe Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia. Çdo vit në samit ftohet një politikan i nivelit të lartë nga Europa perëndimore për të diskutuar mbi procesin e integrimit dhe probleme të tjera në rajon. Vitin e kaluar në këtë samit erdhi presidenti francez, Francois Hollande, në një kohë që Merkeli ishte e zënë me fushatën zgjedhore. Këtë vit në samitin rajonal të Ballkanit perëndimor (14-16 Korrik) e ftuara kryesore ishte kancelarja Merkel. Ballkani ka arritur suksese në këto 15 vite

Në Dubrovnik Merkel u premtoi vendeve të BE-së mbështetje të plotë për procesin e integrimit. Gjermania e mbështet perspektivën europiane të këtyre vendeve, tha Merkel. Para 15 vitesh lajmet që vinin nga Balllani ishin të tjera nga ato sot, tha Merkel, duke vlerësuar se në Ballkan janë arritur suksese të mëdha vitet e fundit. Si shembull ajo përmendi afrimin mes Kosovës dhe Serbisë. Liderët e këtyre vendeve kanë treguar guxim me afrimin e tyre dhe kanë forcuar shanset për një të ardhme europiane, tha Merkel.

Ka pasur shumë rezistencë për statusin e Kosovës, por tani ka kaluar kohë dhe “ia kemi dalë të kemi suksese të rëndësishme”. Sipas Merkelit në Ballkan Europa ka një detyre tradicionale – të jetë një fuqi paqëtuese. Ndryshe nga Ukraina, para se të shkallëzohet një konflikt. Pranda ajo i ftoi njëkohësisht të tetë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për një konferencë për Ballkanin të organizuar në zyrën e kancelares më 28 gusht.

Drejtësia si besim i qytetarit tek shteti

Por megjithë mbështetjen, kancelarja gjermane paralajmëron vendet aspirante për në BE të punojnë me angazhim për ngritjen e sistemeve të drejtësisë në vendet e tyre. “Një shtet në të cilin njerëzit nuk marrin drejtësi, kur kanë të drejtë, është një shtet, të cilit njerëzit nuk i besojnë.” Kancelarja Merkel kërkon mirëkuptim për këmbënguljen gjermane për arritjen e suksesit. “Ndoshta nganjëherë ju jeni të pakënaqur me Gjermaninë, sepse ne jemi shumë të rreptë. Por gjithçka që zgjidhet para një anëtarësimi, nuk krijon më pas konflikte.” Me vështrim nga Bosnje-Hercegovina, ajo tha se qeveria gjermane e sheh me shqetësim faktin, që gjendja aty nuk tregon asnjë përmirësim. Mikpritësi i takimit, presidenti kroat, Ivo Josipoviç siguroi se të gjitha vendet janë të gatshme të përmbushin standartet, edhe me qëllim të përmirësimit të gjendjes në vendet e tyre.

“Miss Europe”

Gjermania luan një rol të rëndësishëm si partner tregtar i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Edhe në axhendën e ditës qëndruan pikërisht tema si projekte infrastrukturore dhe çështjet energjitike. Serbët kërkuan në samit mbështetje europiane për një rrugë hekurudhore tranziti mes Mynihut dhe Stambollit, ndërsa kroatët lobuan për ngritjen e një ure që do të lidhet gadishullin Pelsejac, në veri të Dubrovnikut me pjesën tjetër.

Pjesëmarrja e Merkelit në samitin e Dubrovnikut u ndoq me vëmendje nga mediat gjermane. Gazeta “Die Welt” vëren se Merkeli u prit në Dubrovnik si Miss Europe. “Merkeli paraqitet me vetëbesim, si një mik që nuk do të marrë vetëm kërkesa, por që ka sjellë edhe të tijat me vete….Kancelarja guxon madje të bëhet ironike, të paraqitet si arbitër….Gati nuk më bien më ndër mend kombinime emrash, ironizon Merkel. Një kompromis është i nevojshëm. ‘Unë them në Gjermani gjithmonë: Një kompromis është ai ku të gjitha palët janë njësoj të palumtura.”

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi