ABC-ja e lëvizjes kombëtare shqiptare

Nga Enis Sulstarova, botuar në Mapo Online, 1 korrik 2014

Në studimet krahasimore për nacionalizmin është e njohur teoria e historianit çek, Miroslav Hroh [Miroslav Hroch] mbi formimin dhe zgjerimin e lëvizjeve kombëtare te popujt e vegjël nën sundimin e huaj. Sipas tij, lëvizjet nacionaliste që nga formimi dhe deri te përhapja në popull e vetëdijes kombëtare, kalojnë nëpër tri faza. Faza A është “zgjimi” kulturor, gjatë së cilës disa intelektualë fillojnë e mbledhin e studiojnë kulturën popullore, faza B është aktivizimi politik dhe faza C është masivizimi i lëvizjes, ku për pasojë ajo fillon dhe ndahet në grupime ideologjike. Ka pasur përpjekje për ta zbatuar skemën e Hrohut për Rilindjen Kombëtare Shqiptare, midis së cilave më seriozja mendojmë se është ajo e studiueses franceze Natali Klejer [Nathalie Clayer] në librin “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”(2009). Duke marrë shkas nga libri i Klejerit, në artikullin tonë do të përqendrohemi në zbatueshmërinë e skemës ABC për Rilindjen Kombëtare, sidomos për sa i përket periodizimit.

 Skema ABC mbi lëvizjet nacionaliste

 Skema e Hrohut ka të bëjë në radhë të parë me situatën në Evropën Qendrore e Lindore në shek. XIX ku një elita të huaja sundonin mbi grupe etnike në kuadër të perandorive dinastike. Grupet e sunduara etnike kishin një territor kompakt, por nuk kishin klasën e vet sunduese, njësinë politike dhe as traditën e vazhdueshme letrare. Lëvizjet kombëtare synonin që t’i plotësojë këto “mungesa” me anë të zhvillimin të gjuhës kombëtare dhe përdorimin e saj në arsim, administratë dhe në jetën ekonomike; garantimin e të drejtave civile dhe politike me anë të arritjes së autonomisë dhe të pavarësisë së kombit; krijimin e një strukture të plotë shoqërore prej grupit etnik që do të përbëhej nga këto shtresa: elita, nëpunësia, klasa sipërmarrëse, fshatarësia e lirë dhe punëtorët. Aty ku nuk ka ekzistuar një alfabet për gjuhën amtare, fillojnë përpjekjet për ta pasur një të tillë dhe për të hedhur themelet e arsimit. Këtë etapë Hrohu e quan faza A e lëvizjes kombëtare. Kalimi në fazën B ndodh kur në botimet e lëvizjes fillojnë dhe artikulohen kërkesa politike dhe dalin në skenë veprimtarët politikë që kërkojnë krijimin e njësisë politike për grupin në fjalë. Në fazën C të ringjalljes kombëtare kemi një situatë në të cilën vetëdija kombëtare përhapet te masat – jo domosdo te të gjithë anëtarët e kombit që po lind – dhe lëvizja kombëtare është e shtrirë në të gjithë territorin. Kur masivizimi i lëvizjes ndodh në periudhën e stabilizimit të shoqërisë kapitaliste industriale, kemi përvijimin brenda saj të një përplasjeje klasore midis borgjezisë dhe klasës punëtore. Përderisa Hrohu e lidh formimin e kombit me formimin e një shoqërie industriale të karakterizuar nga konflikti klasor, për të arritja e pavarësisë politike dhe formimi i shtetit kombëtar nuk është tregues i formimit të kombit. Në rastet kur shteti kombëtar formohet përpara arritjes së fazës C, komb-formimi vazhdon ende dhe në shërbim të tij vihen institucionet shtetërore. Kjo situatë shkon përtej analizës së Hrohut, sepse tani lëvizja kombëtare dhe kundër-perandorake vepron në institucione që kanë për qëllim ruajtjen e forcimin e shtetit të ri përmes homogjenizimit kulturor e politik. Mbetet e paqartë se cila është masa kritike për kalimin në fazën C. Ajo që kuptojmë nga Hrohu është se lëvizja duhet të ketë depërtuar te fshatarësia, që mbetet akoma pjesa më e madhe e popullit. Mirëpo a kualifikohet një lëvizje si e fazës C nëse në të marrin pjesë disa mijëra fshatarë, apo patjetër shumica e popullit duhet të identifikohet me kombin? Çelësi i përfshirjes së fshatarësisë në lëvizjen kombëtare duket se ka të bëjë jo thjesht me depërtimin e marrëdhënieve të tregut në fshat, por edhe me nivelin e arsimit, që i mundëson atyre që të lidhin propagandën kombëtare me interesat e veta materiale.

 Skema ABC në rastin shqiptar

 Në librin Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, autorja Natali Klejer fillimet e kombit shqiptar i vendos në fillim të shek. XIX, në të njëjtën kohë me lindjen dhe përhapjen e përfytyrimeve kombëtare te popujt e tjerë të Ballkanit, por që fitojnë rëndësi më të madhe në gjysmën e dytë të të njëjtit shekull. Autorja si datë të nisjes së fazës A vendos vitin 1860, kur del periodikuPelasgos në Greqi, në të cilin debatohen origjina, gjuha dhe kultura e shqiptarëve. Kjo është një datë arbitrare, sepse autorja pranon se edhe më përpara kemi atë që ajo e quan “periudhën e mbarsjes”, gjatë të cilës nisin kërkimet kulturore dhe shkencore për shqiptarët dhe ku fillojnë e takohen albanologjia perëndimore, afirmimi identitar i arbëreshëve, misionarizmi protestant dhe fillimi i emancipimit të kombeve rumunë, serbë e grekë. Në këtë kuadër, ajo tregon edhe për botimin nga Naum Veqilharxhi në vitin 1844 të një alfabeti të shqipes, ribotimin e tij një vit më vonë dhe për shpërndarjen e tij përmes kontakteve që Veqilharxhi kishte në Shqipërinë jugore në mesin e ortodoksëve vendas. Në mes të dy datave, 1845 dhe 1860, neve na duket se më shumë peshë për t’u caktuar si fillesë e lëvizjes ka e para, jo sepse është më e hershme, por sepse alfabeti ka një peshë më të madhe simbolike dhe për faktin se përpjekja e Veqilharxhit për një rrjet të lexuesve u bë në territoret shqiptare, ndryshe nga Pelasgos që botohej në Greqi. Edhe pse Klejer shkruan se gazeta Pelasgos shërbeu si “tribunë e parë e debatit mbi raportet midis shqiptarizmit dhe greqizmit” dhe diskutohej nëse duhej shkruar apo jo gjuha shqipe, kujtojmë se në vitin 1845 Veqilharxhi kishte ribotuar alfabetin të zgjeruar edhe me pjesë leximi, i kishte dërguar një qarkore “të gjithë ortodoksëve shqiptarë të pasur dhe të arsimuar” që të përkrahnin qytetërimin e kombit përmes lëvrimit të gjuhës amtare dhe po debatonte me të nipin mbi çështjen nëse ishte i mundur një komb që mblidhte së bashku myslimanë, ortodoksë e katolikë. Të gjitha këto të dhëna flasin se viti 1845 duhet marrë si përpjekja e parë për “zgjimin” kulturor të shqiptarëve, përmes krijimit të një rrjeti të mësimit të alfabetit të shqipes. Për kalimin në fazën B, Klejeri sërish duke u nisur nga rritja e numrit të periodikëve në gjuhën shqipe dhe rritja e politizimit të tyre vendos vitet 1896-1897. Ky është një kriter në pajtim me metodologjinë që autorja ka ndjekur në studimin e saj, mirëpo periodikët nuk janë e vetmja mënyrë për shprehjen e kërkesave politike. Kërkesat politike shqiptare janë shprehur qartë gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit 1878-1881. Betejat e para për ruajtjen e territoreve me shumicë shqiptare, edhe përkundër vullnetit të Portës së Lartë, janë kryer nën organizimin e Lidhjes së Prizrenit dhe u justifikuan në shtypin e kohës si veprime të shqiptarëve për të mbrojtur atdheun e tyre. Pavarësisht prej debateve të historianëve në lidhje me funksionimin e Lidhjes së Prizrenit si një organizatë e vetme, asnjëherë nuk është vënë në dyshim se Lidhja ishte edhe shprehje e nacionalizmit politik shqiptar. Prandaj, mendojmë se viti 1878 është më domethënëse si kufi midis fazave A dhe B të lëvizjes nacionaliste shqiptare. Për më tepër ajo përkon me krizën e rëndë të rendit osman në Ballkan, të shkaktuar nga disfata që pësoi perandoria në luftë me Rusinë. Kalimi në fazën B, nuk do të thotë aspak se përpjekjet kulturore, kryesisht me anë të shtypit shqip, të cilat Klejeri i analizon imtësisht, pushuan së ekzistuari. Siç vërejtëm më sipër, aspekti kulturor i nacionalizmit shqiptar u zhvillua fuqishëm edhe gjatë fazës B, sidomos po të kemi parasysh krijimtarinë e Naim e Sami Frashërit, hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë apo Kongresin e Manastirit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në lidhje me fazën C, pra të masivizimit të lëvizjes kombëtare dhe përhapjen në popull të idesë kombëtare, Klejeri shkruan se ajo fillon në Shqipëri në vitet 20 të shek. XX dhe në Kosovë pas vitit 1945, sepse si faktor të rëndësishëm janë ngritja e strukturës shtetërore dhe e rrjetit të shkollave shqiptare. Më sipër pamë se ky argument nuk mund të pranohet nga Hrohu, sepse skema ABC e tij vlen për lëvizjet nacionaliste kundërshtetërore dhe ajo nuk mund të shtrihet pas krijimit të shtetit kombëtar. Prandaj, për rastin e Shqipërisë realizimi ose jo i të tria fazave duhet gjykuar për periudhën deri në vitin 1912, ose e shumta deri në vitin 1920, vit kur rikrijohet shteti shqiptar pas zhbërjes së tij gjatë Luftë së Parë Botërore. Faza e masivizimit të lëvizjes kombëtare mund të themi se nis më 1908 vit kur ndodhi revolucioni xhonturk dhe u rivendos kushtetuta osmane. Reagimi represiv xhonturk dhe Lufta Ballkanike e ndërprenë në mes këtë zhvillim dhe mund të themi se faza C nuk ia doli që të plotësohej me sukses përpara arritjes së pavarësisë. Edhe Klejeri e pranon se edhe pas ekspeditës së Turgut pashës në veri, mobilizimet deri atëherë të veçuara të rrjeteve të ndryshme të nacionalistëve shqiptarë po shkonin drejt shkrirjes, prandaj osmanët u detyruan të bënin disa lëshime. Për rastin e Kosovës dhe trevat e tjera shqiptare në Jugosllavi, sigurisht që lëvizja kombëtare mbeti kundërshtetërore edhe pas vitit 1912, mirëpo është e diskutueshme nëse faza C duhet shtyrë pas vitit 1945. Nëse merret si kriter vlerësues vetëm shtypi i shkruar, sigurisht që me Jugosllavinë e dytë, sidomos duke filluar në vitet 60 të shekullit të kaluar, kemi një masivizim të ndjenjës kombëtare, të shoqëruar me proceset e modernizimit dhe të arsimimit masiv. Mirëpo, nëse marrim si kriter vlerësues luftën e armatosur, mendojmë se duhen analizuar dy ngjarje me rëndësi. E para është lëvizja kaçake, shtrirja territoriale dhe motivimi i anëtarëve të saj, ndërsa e dyta është aktivizimi politik i shqiptarëve të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore, pikërisht vitet kur ishte realizuar bashkimi me Shqipërinë dhe përkohësisht ishin zbuar sunduesit sllavë. Lëvizja kaçake mund të dallojë nga kryengritjet në Kosovë të viteve 1911-1912, sepse kishte rënë Perandoria Osmane dhe tashmë ishte krijuar edhe një shtet shqiptar dhe këto ngjarje duhet t’u kishin dhënë idenë luftëtarëve shqiptarë se kuadri perandorak nuk ekzistonte më dhe se ata kishin hyrë (me përdhunë) në botën e kombeve dhe të shteteve kombëtare. Ndërsa për popullaritetin që gëzonte midis shqiptarëve të Kosovës bashkimi i krahinës me Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk ka më dyshime. Sidoqoftë, mendojmë se çështja e fazës C në Kosovë kërkon studime dhe diskutime të mëtejshme.   Si përfundim, jemi të mendimit se skema e ABC e zhvilluar nga Mirosllav Hroh për zhvillimin e lëvizjeve nacionaliste të “kombeve të vegjël” në gjirin e perandorive shumëkombëshe të Evropës, nuk duhet konsideruar si një shtrat i Prokustit për të bërë të mundur zbatimin e saj në secilin rast. Vetë Hrohu e ka pranuar se në Ballkanin osman skema e tij nuk funksionon ashtu siç mund të pritet të funksionojë në Evropën Qendrore dhe Lindore. Për nga vetë karakteri i sundimit osman në erën e nacionalizmit dhe nga konkurrenca e fuqive evropiane, kemi kryengritje të të krishterëve të Ballkanit dhe krijimin e shteteve të parë kombëtarë pa pasur domosdoshmërisht një përhapje të vetëdijes kombëtare në shtresat e gjera të popullsisë. Sidoqoftë, studiuesit që orientohen nga skema ABC nuk mund të mos i përmbahen disa kufizimeve që rrjedhin prej saj. Ndërsa fazat A dhe B duken se nuk janë shumë problematike për t’u dalluar nga njëra-tjetra, faza C nuk duhet shtrirë përtej krijimit të shtetit kombëtar, themelimi i të cilit më 1912 ndodh pa përmbushjen e fazës C. Faza A (kulturore) fillon aty nga mesi i shek. XIX me përpjekjet e para për të shkruar gjuhën shqipe dhe me vendosjen e lidhjeve të intelektualëve shqiptarë me njëri-tjetrin dhe me albanologët e huaj. Si datë fare mirë mund të merret ribotimi i alfabetit origjinal të Veqilharxhit më 1845. Ndërsa kufiri midis fazës A dhe B (politike) është Lidhja e Prizrenit, si shprehje mjaft e qartë e artikulimit politik të kombit dhe e përpjekjeve të para për të përkufizuar dhe mbrojtur territoret me shumicë shqiptare nga pushtuesit sllavo-grekë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi