Shqipëria mbyll negociatat me kompaninë CEZ

Marrëveshja me CEZ, 24 qershor 2014

Shqipëria mbyll negociatat me kompaninë CEZ. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë.  Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, ndërmjetësues mes palëve ka qënë Dirk Buschle, zëvendës drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Austri. Nëpërmjet një deklarate të përbashkët për shtyp thuhet se, palët kanë arritur një marrëveshje miqësore për zgjidhjen e situatës.

“Arritja e një marrëveshje është rezultat i negociatave të gjata lidhur nga palët në mirëbesim me ndërmjetësimin e Z. Dirk Buschle, zëvendës drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Austri. Negociatat u mbajtën në ambientet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.
Me anë të kësaj marrëveshje zgjidhen të gjitha pretendimet mes Grupit CEZ nga njëra anë dhe Republikës së Shqipërisë nga ana tjetër në lidhje me investimet e CEZ për CEZ Shperndarje dhe sektorin e energjisë në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.
“Sipas kërkesave të ligjeve shqiptare, termat e përfundimit të marrëveshjes do të bëhen të dituara gjatë procesit të miratimit përfundimtar nga autoritetet shqiptare. Të dyja palët zotohen se kjo marrëveshje nuk përmban asnjë element të paligjshëm nga secila prej palët”, përfundon deklarata.

Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj, i Energjitikës Damian Gjiknuri dhe ai i Financave Shkëlqim Cani në një dalje të përbashkët për shtyp konfirmuan se qeveria shqiptare ka zgjidhur konfliktin me çekët e ÇEZ mbi kompaninë CEZ Shpërndarje në Shqipëri

Marrëveshja e arritur mes Qeverisë së Shqipërisë dhe kompanisë CEZ a.s. ka për thelb të sajin termat sa vijon:

1. Transferimi i menjëhershëm në favor të shtetit shqiptar të 76 % të aksioneve të shoqërisë, të cilat zotërohen nga CEZ a.s., duke i dhënë shtetit shqiptar pronësinë e plotë të shoqërisë.
2. Pala çeke heq dorë nga kërkimi i vlerës 103 milion euro, të paguar për blerjen e aksioneve në vitin 2009 si dhe nga çdo pretendim tjetër financiar që lidhet me vlerën e blerjes së aksioneve dhe investimet.
3. Shoqëria e re e shpërndarjes së energjisë, kontrolluar tashmë nga shteti, merr përsipër të paguajë palës çeke një vlerë prej 87.1 milion euro. Kjo vlerë u dakordësua të paguhet me këste, duke filluar nga Shtatori i vitit 2014 deri në fund të vitit 2018, me një vlerë të përgjithshme interesi 7.9 milion euro mbi principalin e dakordësuar. Kjo vlerë, përfaqëson kreditë e marra dhe shumat e faturuara e të kërkueshme në çdo kohë nga ana e CEZ a.s.
4. Marrëveshja, parashikon se palët heqin dorë nga çdo pretendim i mëtejshëm financiar apo ligjor. Pala çeke tërhiqet nga procesi i arbitrazhit, hapur në maj të vitit 2013 sipas rregullave të UNCITRAL, mbështetur në Traktatin e Kartës së Energjisë.

Ministri Gjiknuri bëri të ditur se pala çeke heq dorë plotësisht nga pretendimet financiare nga cdo blerje që do i bëhet CEZ duke i dhënë shtetit shqiptar pronësi të plotë mbi këtë kompani.
Gjithashtu ministri theksoi se pala shqiptare inkurajoi zgjidhjen sa më të shpejtë të konfliktit me CEZ duke shprehur bindjen se kjo zgjidhje miqësore do përmirësojë dukshëm imazhin e Shqipërisë në procesin e marrjes së statusit.
Kurse ministri Cani evidentoi se shuma e 95 milionë euro që do i paguhen CEZ do bëhen nga kompania CEZ dhe jo nga qeveria shqiptare. Shuma sipas Canit do të shlyhet me këste në harkun kohor 2014-2018.
“Shoqëria tjetër e kontrolluar tashmë nga shteti do i paguajë palës çeke rreth 95 milionë euro, deri në vitin 2018, pagesë e cila do të bëhet me këste. Kjo pagesë nuk do të bëhet nga buxheti i shtetit, por nga operatori i sistemit të shpërndarjes. Marrëveshja përcakton se palët heqin dorë nga çdo pretendim, dhe kjo marrëveshje do të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe më tej nga Kuvendi”, u shpreh Cani.
Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj sqaroi se, paratë e kërkuara si dëmshpërblim do të paguhen nga kompania e re e Shpërndarjes. “Paratë do të paguhen nga kompania e re e Shpërndarjes, e cila merr përsipër detyrimin. Pagesa do mbështet me garanci bankare dhe nga shteti shqiptar. Në rast se nuk paguan operatori, garancia do jepet nga shteti shqiptar”.
Ndërsa ministri i Energjetikës, Damian Gjinuri akuzoi qeverinë Berisha se la një gropë financiare. Sipas tij, negociatat me CEZ nisën për të zgjidhur situatën dhe se kjo nuk ka lidhje me statusin.
Kjo marrëveshje e dakordësuar duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave më pas edhe nga Parlamenti. Marrëveshja e dakortësuar do të aprovohet nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe më pas do të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë.
Kjo marrëveshje konsiderohet si një arritje për palën shqiptare, pasi është shmangur procedura e arbitrazhit. Arritja e kësaj marrëveshje i hap rrugë investimeve në këtë sektor, të cilat mbetën pezull për më shumë se dy vjet.

FJALA E PLOTE E GJIKNURIT
Duke falënderuar median për pjesëmarrjen në këtë komunikim, dua t’i bëj me dije opinionit publik, se mbrëmë më datë 23 Qershor, Qeveria e Shqipërisë dhe Shoqëria CEZ a.s. arritën një marrëveshje për zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit të krijuar që prej janarit 2013, kur Enti Rregullator i Energjisë mori vendimin për heqjen e licencës së shoqërisë çeke në sektorin e shpërndarjes.
Negociatat mes palëve u zhvilluan gjatë periudhës Dhjetor 2013– Qershor 2014, me ndërmjetësimin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vienë. Duhet të theksoj, se ky organizëm ndërkombëtar, ka luajtur një rol shumë të çmuar në afrimin e qëndrimeve të palëve në negociata, duke qenë njëkohësisht garant për një proces transparent dhe të mirë monitoruar.
Bisedimet për palën shqiptare u kryen nga një grup punë i emëruar nga Kryeministri, kryesuar nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Ministri i Financave dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Ky grup negociator kishte në përbërje edhe përfaqësues nga disa institucione shtetërore dhe operatorë të sistemit energjitik shqiptar.
Grupi është ndihmuar në këtë proces, nga zyra ligjore ndërkombëtare e kontraktuar për arbitrazhin, si dhe është këshilluar në vijimësi me ekspertët e Bankës Botërore.
Marrëveshja e dakordësuar do të aprovohet nga Këshilli i Ministrave dhe do të miratohet më pas me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë.
Dua të nënvizoj faktin se zgjidhja përfundimtare e konfliktit me CEZ-in jo vetëm që qartëson statusin juridik të shoqërisë, por përfundimisht hap rrugën për investime në sektorin e shpërndarjes, i lënë në kolaps pikërisht për shkak të keqmenaxhimit dhe mungesës së investimeve.
Janë të paktën 200 milion dollarë që pritet të investohen, nga të cilat 150 milion i përkasin Bankës Botërore, dhe do të aktivizohen duke nisur nga ky vit. Tejzgjatja e konfliktit ligjor dhe pasiguria juridike e sektorit të shpërndarjes e bënte të pamundur investimin e këtyre parave.
Depozitimi nga pala shqiptare e padisë së saj dhe vazhdimi i procesit gjyqësor të arbitrazhit do të kërkonte të paktën 4 deri në 6 vjet kohë. Kostoja e mbrojtjes ligjore, do të shkonte në miliona dollar dhe pa qenë të sigurtë në suksesin e çështjes.
Ndërkohë, fakti se pala shqiptare, në fillimet e konfliktit, u soll si pronare duke futur edhe trupën policore në ambientet e kompanisë, heqja e licencës dhe imponimi i detyruar i administrimit, përkeqësoi dukshëm pozitën e vendit tonë në këtë çështje, dhe siç është bërë e njohur edhe nga këshilltarët tanë juridik, u krijoi mundësi çekëve të bënin padi të parët dhe të krijonin avantazh në arbitrazh.
Qeveria e kaluar refuzoi të kryejë edhe vlerësimin teknik dhe financiar, i domosdoshëm për tu kryer menjëherë pas heqjes së licencës dhe administrimit të detyruar. Këto vlerësime u bë e mundur të realizohen vetëm në shkurt të vitit 2014, çka përfaqësonte një kapërcim kohor mbi një vit nga momenti i marrjes së shoqërisë dhe në mes të negociatave për një zgjidhje miqësore.
Në këto kushte, zgjidhja më e drejtë dhe me më pak kosto për palen shqiptare ishte tentimi dhe garantimi i një marrëveshjeje miqësore për të marre nën kontroll shoqërinë.
Mbajtja e “status quo”-së deri sa konflikti i tejzgjatur do të zgjidhej me arbitrazh, përbënte një opsion të rrezikshëm pasi me këtë gjendje që është, duke akumuluar humbje që shkojnë mbi 150 milion euro në vit, sektori energjitik do të vazhdonte ta çonte vendin dhe buxhetin e shtetit drejt një kolapsi financiar.
Pikërisht, duke vlerësuar rriskun me të cilin përballeshin financat publike, organizmat ndërkombëtare përfshirë Bankën Botërore inkurajuan zgjidhjen sa më të shpejtë të konfliktit me CEZ a.s, përmes bisedimeve dhe marrëveshjes me mirëkuptim.
Shprehim bindjen se kjo zgjidhje miqësore përmirëson dukshëm imazhin e Shqipërisë dhe sigurinë juridike për investitorët e huaj.

PRIVATIZIMI
Sistemi i shpërndarjes se energjisë elektrike u privatizua ne vitin 2009, për një shumë prej 102 milion eurosh. Në atë kohë, Çekia kishte presidencën e radhës se Bashkimit Europian dhe ish-kryeministri Berisha dorëzoi aplikimin për statusin e vendit kandidat. Që nga viti 2009 e deri në janar të vitit 2013 kur Enti Rregullator i Energjisë i hoqi licencën kompanisë, marrëdhëniet mes “CEZ”-it dhe shtetit shqiptar kanë qënë të ndërlikuara. Gjatë kohës se menaxhimit të kompanisë nga çeket, “CEZ” nuk arriti të përmirësonte treguesit, nivelin e humbjeve apo rritjen e arkëtimeve.
Edhe kontrata për investimet nuk u respektua. Por nga ana tjetër edhe qeveria nuk arriti që të shlyente detyrimet e prapambetura të institucioneve buxhetore. Konflikti u thellua edhe më shumë teksa “CEZ” nëpërmjet një grupi pune nisi mbledhjen me forcë të borxheve tek abonentët familjarë, proces ky i cili krijoi konflikt me policinë e shtetit. Kaq mjaftoi që “CEZ” të mos paguante më Koorporatën Elektronergjitike për energjinë që merrte dhe i gjithë sistemi hyri në një spirale borxhesh që sot përllogaritet në mbi 700 milionë euro.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi