Kur shteti e ka seriozisht ndaj krimit
Nga Petrit Qejvani, botuar në Shekulli Online, 22 qershor 2014
Më në fund shteti e ka seriozisht luftën kundër krimit dhe narkotrafikut. Policia e shtetit ndërmori një operacion të gjerë dhe hyri në Lazarat, në fshatin problematik të drogës. Kjo është një fitore e shumëfishtë: e policisë, e qeverisë dhe e shtetit. Por, mbi të gjitha, kjo është një fitore e qytetarëve të ndershëm shqiptarë, që kërkojnë zbatimin e ligjit dhe forcimin e shtetit, si garant të qetësisë dhe sigurisë publike. Ra kështu “Republika Autonome e Hashashit” brenda territorit të Shqipërisë, që i bënte karshillëk shtetit deri para pak ditësh. U shemb miti i fshatit antishtet dhe antiligj. Një ndërmarrje që duhet përshëndetur. Kjo tregon se, kur shteti e ka seriozisht, domenet e krimit janë të përhoshëm. Dhe të ashtuquajturit “të fortë” janë vetëm ca pleshta. Kjo është fitore edhe për Lazaratint, sepse e ndan përfundimisht atë fshat nga krimi i organizuar dhe trafiku i drogës me të gjitha pasojat, që rrjedhin prej tyre. Mbi të gjitha, ky operacion është një goditje e fuqishme, që i jepet mentalitetit të rrënjosur gjithë këto vite se, puna e pandershme të pasuron dhe të siguron mirëqenie. Pra, Lazarati u bë simbol i pasurimit të paligjshëm, mentalitet ky që u formua sipas koncepteve “alla berishiane” për kapitalizmin, si sistem i hurit dhe litarit, ku secili duhet t’ia hedhë tjetrit, të mashtrojë, të grabitë sipas ligjit të xhunglës. Berisha krijoi mentalitetin e rrezikshëm se ligjet mjaftojnë të shpallen, por në praktikë mund të shkelen nga më të fortët, duke e kompromentuar që në fillim kapitalizmin, ende pa u ndarë mirë nga socializmi.
Shkelja e ligjit u bë ligjësi në shoqërinë shqiptare dhe mosndëshkimi i tij u bë “kulturë” sunduese. Ky model i kapitalizmit shqiptar, apo ndryshe anarkodemokracia shqiptare u injektua thellë edhe në një pjesë të mirë të popullsisë dhe u shndërrua në mentalitet dominues, siç ishte dhe rasti i Lazaratit. Sepse ky ishte vizioni i PD-së për kapitalizmin, prandaj lulëzuan piramidat ekonomike, një kumar i madh ku luajtën si në një dalldi kolektive të gjithë shqiptarët dhe humbën pasuritë e vëna me mund e djersë në vitet ë para pas 1990-ës. Pra, faji nuk është vetëm i lazaratasve, por sidomos i politikës. Lazarati u shndërrua në fshatin simbol të kanabisit me bekimin e politikës, të Partisë Demokratike veçanërisht, e cila e përdori politikisht. Ajo e lejoi të kthehej në një rezervat droge, sepse e kishte hambar elektoral. Pra, Lazarati “antikomunist” u bë Lazarati i drogës. Ai ishte tashmë “fshati i partisë”, i përkëdheluri i saj dhe jo vetëm për vota. Partia Demokratike kishte aksionet e saj në drogën e Lazaratit. Merrte përqindje të majme. Kështu, u kriminalizua një fshat i tërë sipas parimit “sheh rrushi rrushin dhe piqet”. Një fshat i tërë u shndërrua në një fshat narkotrafikant. Një fshat i dominuar nga drogëmania, jo “për bukën e gojës”, siç do të deklaronte kryekomunari i korruptuar i tij dhe as për përdorim vetjak, por për ta shitur, pra, për fitim( nga mediat u tha se u dogjën, vetëm këto dy ditët ë fundit, rreth10 tonë drogë). Dhe çfarë fitimi se! Miliarda! Prandaj rekrutonin dhe argatë nga krahina të tjera të Shqipërisë, duke e shndërruar këtë fshat në një “Las Vegas” për të varfrit e krahinave të tjera, siç e pati thënë një punëtor me mëditje, i plantacioneve të kanabisit. Dhe kjo është kaq ë vërtetë, saqë mjafton të shikoje investigimet mediatike, ku mbjellja dhe përpunimi i hashashit ishte kthyer në një ekonomi familjare dhe kjo bimë “e bekuar” ishte kthyer në kulturën kryesore bujqësore për Lazaratin. Dhe, meqë modeli i Lazarati nuk u ndëshkua për një kohë të gjatë, kultivimi i kanabisit u përhap në të gjithë Shqipërinë. Absurdi ishte se, nëse qytetarët e tjerë dënoheshin 5 vjet e lart për 5 rrënjë kanabis (kujtoni një plakë 70 vjeçe para disa vjetësh) te dera e shtëpisë, lazaratasit, që kishin mbjellë plantacione i gëzoheshin milionave që merrnin kur shisnin prodhimin e bekuar. Për ta, kanabisi ishte zbulimi më i madh i demokracisë. Kjo histori duhet të merrte fund. Dhe erdhi momenti. Prandaj ndëshkimi i tanishëm ka vlerë të madhe edukative, sepse krijon mendimin e shëndoshë, se mirëqenia duhet të bazohet në punën e ndershme dhe të ligjshme. Ky operacion i policisë së shtetit, i çjerr maskën propagandës së rreme antitrafik të PD-së dhe të krerëve të saj në lidhje me seriozitetit e “kauzës” së tyre antidrogë dhe të ashtuquajturës, “Aleancë Kombëtare Kundër Drogës”. E vërteta është e thjeshtë: po ta kishte seriozisht PD-ja, kishte kohë 8 vjet për ta bërë këtë, që po bën qeveria e tanishme. Por nuk mundi ta bënte për arsyen ë thjeshtë se ishte palë me trafikantët e drogës.
Luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës, posaçërisht e bën vetëm ajo qeveri që nuk ka pakte dhe pazare me krimin. Me këtë rast, kjo qeveri ia hoqi paq opozitës së drogës “kauzën” e saj të vetme kundër mazhorancës. Tani nuk i mbetet veç të sajojë ndonjë “kauzë” të re, që të mund të mbijetojë politikisht dhe të mbajë radhët e shpartalluara të saj. Por modeli i Lazaratit ndikoi në lazaratizimin e Shqipërisë (kanabisi u përhap kudo), saqë u bë problem ndërkombëtar dhe fshati u bë i famshëm në botë. Por më e rëndësishmja ishte ndikimi i tij në drejtësinë shqiptare, në kuptimin e inkriminimit ose shit- blerjes së saj. Për pasojë, trafiku i drogës mbeti i pandëshkuar dhe trafikantët bridhnin lirisht se e kishin blerë lirinë e tyre, duke paguar prokurorët dhe gjykatësit, që gradualisht u bënë protektorë dhe gardianë të krimit të organizuar. Kështu, shteti shqiptar po shndërrohej në një shtet të mafies, ku ligji humbi kuptimin, ku u krijua aleanca e krimit me ligjin dhe politikën, një aliazh i rrezikshëm, që betonon shtetin e padrejtësisë dhe ku qytetari i ndershëm s’ka ku të përplasë kokën. Pikërisht, për këtë, ky operacion i policisë është sinjali i parë domethënës se shteti, kur e ka seriozisht, di ta mposhtë krimin dhe baronët e tij. Ky operacion i policisë duhet përshëndetur nga të gjithë qytetarët e ndershëm, që përbëjnë shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Qyqet e PD-së duhen lënë mënjanë, pasi ato qajnë për trafikantët e tyre dhe anatemojnë policinë dhe qeverinë. Nga njëra anë thonë se gjoja policia po bën show, nga ana tjetër, se po ushtron terror psikologjik mbi banorët e Lazaratit! Turbullirë ne kokën ë PD-së! Ndodh kështu pasi nuk e mendonin kurrë që qeveria do të ndërmerrte ndonjë aksion të tillë, që i demaskon keqas në sytë e opinionit publik shqiptar dhe në ato ndërkombëtarë. Pa dyshim që ky është një sukses i qeverisë dhe një fitore e qytetarëve të ndershëm.
Por kjo nismë pozitive dhe fitore për shtetin dhe qytetarët është një ogur i mirë, që ka rrezik të sabotohet dhe të dështojë prej drejtësisë së korruptuar shqiptare. Qeveria duhet ta shpëtojë këtë fitore të saj domethënëse, duke shpartalluar këtë drejtësi të korruptuar dhe ortake të krimit të organizuar, gjë që ia kanë kërkuar, qysh kur erdhi në pushtet disa publicistë (midis te cilëve dhe autori i këtij shkrimi). Ndryshe, dështimi do jetë katastrofik. Le të shpresojmë se kësaj here qeveria nuk do të hutohet nga “sirenat” e opozitës dhe ato “të pavarura” dhe të fillojë të ndërtojë shtet të vërtetë ligjor, shtet të qytetarëve. Amin!