Për kufizimin e lirisë kontraktore

Nga Ilir Dhima, botuar në Shqiptarja.com, 10 qershor 2014

Dëmet që i janë shkaktuan shtetit dhe shoqërisë shqiptare nga politikat pa kriter të privatizimeve dhe konçensioneve prej qeverisjes së mëparshme, pa dyshim që do të vazhdojnë edhe për shumë kohë të lënë gjurmë të thella në bilancet e jetës sonë ekonomike dhe sociale. Dhe, këtu nuk është fjala për privatizimin e ca ish fabrikave të industrisë së lehtë apo qoftë edhe ish uzina të industrisë mekanike, metalurgjike etj.
Dëme të riparueshme, ndoshta për shumë kohë, më së shumti u adresohen veçanërisht dhënies së konçensioneve për shfrytëzimin e pasurive natyrore dhe në përgjithësi atyre në sektorët strategjikë. Vërtet që ekonomisë së varfër të këtij shteti i nevojiteshin edhe ato pak para të vjela, nëpërmjet një politike të tillë. Por, shpërdorimet që solli kjo e fundit me mungesën e fitimeve reale nga kjo pasuri e përbashkët, nuk mund të llogariten plotësisht, aq më pak brenda këtyre rradhëve. Ajo çka mund të konsiderohet si një pikënisje e këtij shpërdorimi masiv ka të bëjë me lidhjen e kontratave përkatëse. Si akte juridike, ato sigurisht që hartohen dhe zbatohen nga vullneti i lirë i palëve pjesëmarrëse në ‘to.
Përpunimi teorik i një koncepti të tillë dhe ngritja e tij në nivelin e një parimi themelor e ka zhvillimin shumë herët (shekulli XIX), qysh me zhvillimin e marrëdhënieve kapitaliste të bazuara në ekonominë e lirë të tregut dhe në konkurrencën e ndershme, që udhëhiqej nga filozofia e liberalizmit. Por me kohë, edhe kuptimi i liberalizmit pësoi ndryshime, duke u konsideruar mirëqenia dhe barazia si parakushte të lirisë apo si alternativa të saj. Kështu, qysh nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar u arrit të favorizohet ringjallja e politikave të ndërhyrjes së shtetit në zhvillimin e ekonomisë, duke u harmonizuar liria e kontraktimit me parimet e shtetit të së drejtës.
Duke i hedhur sytë në një këndvështrim të gjerë, mund të dallohet ai përfundim i gjithëpranuar se, sipas parimit të autonomisë kontraktore palët në një kontratë mund ta përcaktojnë lirisht përmbajtjen e saj, por brënda kufijve të vendosur me ligj. Edhe Kodi ynë Civil parashikon që: “Palët në kontratë përcaktojnë lirisht përmbajtjen e saj, brënda kufijve të vendosur nga legjislacioni në fuqi”. Ekonomistë dhe juristë me përvojë të spikatur shprehen se, këta kufij ligjorë janë diktuar, ndër të tjera, edhe nga vetë kërkesat e shoqërisë në kushtet e industrializimit dhe të automatizimit të proceseve teknike e teknologjike.
Nisur dhe bazuar nga këto kërkesa, si e nevojshme dhe e domosdoshme lind ndërhyrja e administratës shtetërore, për t’i vendosur kufij të arsyeshëm lirisë kontraktore, me qëllim rregullimin e marrdhënieve të tregut dhe garantimin e konkurencës së ndershme. Në këtë kuadër vlerësohet edhe caktimi nga autoritetet publike të ngarkuara me ligj i tarifave dhe çmimeve të shërbimeve të caktuara, ku përfshihen edhe shërbimet e furnizimit me energji elektrike, me ujë etj.
Tarifat, çmimet dhe në përgjithësi kushtet kontraktore të vendosura nga pushteti publik zënë vend automatikisht në kontratë, pra hyjnë dhe bëjnë pjesë në përmbajtjen e kontratës, duke ndryshuar, ose zëvëndësuar kushtet e vendosura nga palët, apo të imponuara nga njera palë që ka pozita dominuese ose ekskluzivitet në një fushë apo sektor të caktuar të veprimtarisë ekonomike. Në këtë kontekst, liria kontraktore e palëve në kontrata të këtij lloji, për shkak të natyrës specifike të tyre, nuk mund të jetë e pakufizuar dhe e pa monitoruar nga autoritete publike të pavarura të caktuara me ligj, roli i të cilave është jo të pengojnë lirinë e kontraktimit, por të garantojnë që ajo të mos i bjerë ndesh parimit të sigurisë juridike të domosdoshme për të mbrojtur rendin publik, të drejtat e subjekteve (operatorëve) të tjera dhe të konsumatorëve. Këtë parashikon edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 11/3 i të cilit urdhëron që kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vencdosen për arësye të rëndësishme publike.
Tashmë, çfarë mund të bëhet për të amortizuar sado pak efektet e dëmshme të disa kontratave konçensionare, hartimi dhe zbatimi i të cilave i ka vënë kazmën interesit publik (kujto shfrytëzimin e vendburimeve të naftës, minierave të kromit etj., etj.), ka shtuar papunësinë dhe e lanë të zbarazur buxhetin e shtetit apo i vunë atij “mbi kokë” një mal me borxhe, që vazdon të kapë lartësi të reja? A mund të shuhen, të shndërrohen në nul, disa kontrata të lidhura nga qeverisja e mëparshme? Si rregull, nxjerrja e akteve administrative bazohet në autorizimet ligjore përkatëse, por disa nga organet shtetërore janë të pajisura edhe me pushtet diskrecionar dhe, për rrjedhojë, mund të nxjerrin akte bazuar në një pushtet të tillë; mjafton që t’u përmbahen parimeve e normave kushtetuese dhe frymës së përgjithshme të legjislacionit në fuqi, si edhe të mos shkelin normat ligjore me karakter imperativ.
Si të tilla, këto akte mund të përcaktojnë në bazë të rregullimeve ligjore të veçanta, gjatë kohëzgjatjes së marrëdhënies kontraktore, një sërë kushtesh thelbësore të detyrueshme të këtyre kontratave, apo bëjnë amendime të tyre në kohë të ndryshme, me efekt për të ardhmen.
Pra, palëve u vendosin kufizime ndaj lirisë së tyre të kontraktimit, në mbrojtje të interesave publike, apo të interesave të ligjëshme të palëve më “të dobëta”, prej situatave monopol, konkurencës së  pandershme, veprimeve diskriminuese, rritjes pa kriter e në mënyrë abuzive të çmimeve etj. Në disa raste, këto organe të administratës publike mund të kërkojnë të bëhen modifikime të domosdoshme të kontratave ekzistuese në fuqi. Thamë që këto akte administrative bëjnë parashikimet e mësipërme në bazë të rregullimeve ligjore të veçanta, sepse përcaktimi i dhëna në nenin 105 të Kodit të Procedurave Administrative nuk e specifikon natyrën e efekteve (pasojave) juridike që rrjedhin prej nxjerrjes së një akti administrativ në përgjithësi dhe specifikisht për pasojat me ndikim në krijimin, ndryshimin apo shuarjen e marrëdhënieve kontraktore. Rrjedhimisht, mbetet që specifikime të tilla t’i gjejmë në ligjet e veçanta përkatëse.
Njëkohësisht, duhet të kihet parasysh që ligji nuk autorizon dhe nuk mund të autorizojë nxjerrjen e akteve administrative për të konstatuar, apo shpallur pavlefshmërinë e një marrdhënieje kontraktore të krijuar më parë dhe që i ka prodhuar efektet rregullisht. Në ndonjë rast, termat ose shprehjet e përdorura nga ligjvënësi krijojnë paqartësi apo ambiguitete. Prandaj, siç këshillojnë ekspertët, krahas interpretimit gramatikor të normave, rëndësi të veçantë merr interpretimi logjik e sistematik i tyre, i cili duhet të ketë përparësi. Ndërsa, sipas K.Pr.Administrative akti është absolutisht i pavlefshëm, kur është nxjerrë në kundërshtim flagrant me ligjin. Pra, jo vetëm kur është nxjerrë nga një organ administrativ i paidentifikuar, por edhe kur është nxjerrë në kapërxim të kompetencave ligjore të organit, ose kur akti është nxjerrë në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji [neni 116].
Dhe, një akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, nëse është lejuar më parë zbatimi i tij (për arësyet e përfolura shpesh herë), këtej e tutje nuk mund të lejohet që të prodhojë më tej pasoja juridike. Por, efektet shuese vijnë vetëm prej pavlefshmërisë absolute të vetë aktit administrativ të mëparshën, që ka shërbyer si bazë për lidhjen e kontratës dhe që konsiderohet i pavlefshëm me aktin e ri. Kjo do të thotë që një akt i ri administrativ nuk mund të shuajë drejtpërdrejt me efekt prapaveprues pasojat e marrëdhënies kontraktore të krijuara nën regjimin e aktit administrativ të mëparshëm, pa u konstatuar më parë ky si i pavlefshëm dhe pa u shfuqizuar në mënyrë të shprehur me efekt prapaveprues akti administrativ i mëparshëm.
Mirëpo sipas Kodit Civil, veprimi juridik është absolutisht i pavlefshëm, kur vjen në kundërshtim me një dispozitë urdhëruese të ligjit. Ky Kod nuk dimë të shprehet në normat që rregullojnë pavlefshmërinë e veprimeve juridike civile për rastet kur një veprim juridik vjen në kundërshtim me një dispozitë të ligjit që nuk ka karakter imperativ. Këto raste nuk përfshihen as në rastet e  pavlefshmërisë relative të veprimeve juridike civile. Konflikte të tilla zgjidhen në kuadrin e  pretendimeve dhe  kërkimeve të vet palëve për detyrimet kontraktore. Kjo ndodh, ngaqë në marrëdhëniet juridike civile gjen fushë të gjerë zbatimi parimi i lirisë së kontraktimit. Ndërsa, në marrëdhëniet juridike administrative vullneti shtetëror i shprehur në aktin administrativ u imponohet subjekteve që u drejtohet.
Megjithatë, akti administrativ që shfuqizon një akt të mëparshëm me efekt ndaj marrëdhënieve kontraktore është e domosdoshme të nxirret nga një organ administrativ më i lartë, ose nga një organ administrativ i pavarur (quasi gjyqësor) me një autorizim ligjor të shprehur për juridiksionin dhe procedurën përkatëse.
Nuk dimë se çfarë rrugësh do të zgjedhë Kabineti ‘Rama’ dhe administrata publike, për të bërë disa korrigjime të nevojshme. Por, gjithë kjo gjendje trashëgueshmërisht shqetësuese për ekonominë shqiptare, si edhe nevoja e masave përkatëse që mund të ndërmerren në këtë fushë, sidoqofshin të bëjnë të kujtosh ato që shkruante Walter Lippmann te “A Preface to Politics”: “Është përsosmërisht e vërtetë që qeveria më e mirë është ajo që qeveris më pak. Por, është njëlloj e vërtetë që qeveria më e mirë është ajo që shërben më mirë”.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi