Rikonfigurim kufijsh administrativë apo rikonceptim i qeverisjes?

Nga Gentjan Kaprata, botuar në Mapo Online, 29 maj 2014

Thonë se kur Anjshtainit i bënë pyetjen e madhe, nëse ekzistonte apo jo Zoti, u përgjigj se nëse donin një përgjigje duhet të tregoheshin shkencërisht korrektë, duhet t’i shpjegonin më parë se çfarë kuptonin ata me fjalën Zot. Anjshtain kërkonte të dinte se për çfarë po e pyesnin konkretisht, që të jepte një përgjigje konkrete. Dhe Anjshtain, sikurse për shumëçka, kishte të drejtë. Është e pamundur të japësh opinion mbi një koncept për të cilin, ai që e jep dhe ai që e dëgjon kanë kuptime të ndryshme, dhe të mos krijohet keqkuptim. Fenomen ky, shumë i dallueshëm në debatet televizive. Nëse jeni duke ndjekur një debat mbi ndonjë temë politike apo sociale dhe debatuesit po bërtasin gjithmonë e më shumë, mos u shqetësoni, nuk është se po ndodh ndonjë konflikt i madh. Thjesht janë duke përdorur të njëjtën fjalë për kuptime të ndryshme dhe ju siguroj se, nga fundi i emisionit dikush do të kujtohet dhe thotë të bëjmë marrëveshjen e fjalës. Që do të thotë, të përkufizojnë cakoncepte mbi të cilat po flasin. Mirëpo, koha televizive përfundon dhe pak gjëra sqarohen për publikun. Kështu që, publiku mbetet jashtë debatit racional dhe teknik. Dhe si rrjedhim logjik pozicionohet ndaj problematikës në diskutim, në të njëjtën mënyrë sikurse ka votuar në zgjedhjet e fundit politike. Që do të thotë, ata që kanë votuar për PD-në, identifikohen sikurse vetë PD-ja dhe ata që kanë votuar për PS-në, shkojnë në të njëjtën mënyrë sikurse partia e tyre.

Duket se në të njëjtën situatë ndodhet edhe qeveria dhe mazhoranca shqiptare në lidhje me një ‘Reforme Territoriale’ potenciale. Si fillim, ajo pozoi nevojën e saj (reformës territoriale) për të kursyer rreth 80 milionë euro nga buxheti i shtetit. Në këtë linjë u pozicionuan të gjithë përfaqësuesit politikë të rëndësishëm  të mazhorancës. Bile, e trajtuan si reformën e reformave. Themelin e shtetit të ‘gjeneratës tjetër’. Argumentimi i qeverisë ishte se dhjetëra komuna dhe bashki i merrnin buxhetit të shtetit miliona euro në rroga të administratës dhe nuk realizonin asnjë investim në shërbim qytetarëve. Çka të drejtonte në supozimin se qeverisja kërkon të bashkojë administrativisht disa komuna/bashki apo qarqe, në mënyrë që kostot publike për mbajtjen e burokracisë të ulen. Në këtë rast, dhe sipas qeverisë, deri në 80 milionë euro. Mirëpo, pyetja e parë që lind është a mund të konsiderohet një ndarje dhe bashkim mekanik i njësive të qeverisjes vendore si një reformë territoriale? Për më shumë, a mund të vlerësohet një përcaktim i madhësisë së njësive të qeverisjes vendore pa përcaktuar më parëkush do jenë funksionet qeverisëse që do kryejnë? Unë mendoj se jo. Unë mendoj se nuk mundet. Sepse një administratë lokale nuk ndërtohet kot. Ajo ndërtohet për të ofruar disa shërbime qytetarëve dhe komuniteteve, që jetojnë në atë hapësirë gjeografike ku qeverisja ushtron aktivitetin e saj. Qytetarë dhe komunitete që paguajnë taksa për financimin e këtyre aktiviteteve qeverisëse.

Kaq evidente u bë kjo nga shkrimet apo ligjërimet e opinionistëve, saqë tërhoqi edhe vëmendjen e Kryeministrit. I cili në një takim të Komisionit (të ngritur nga Kuvendi për  këtë çështje) me përfaqësues të njësive të qeverisjes vendore theksoi se reforma territoriale kishte rëndësi të veçantë për faktin se shoqërohej me procese decentralizimi të funksioneve qeverisëse! Duke anashkaluar por jo harruar, hendekun midis ligjërimit kryeministror dhe aktiviteteve të tij qeverisëse, në raport me respektimin e autonomisë lokale, lind natyrshëm pyetja; a e kupton Kryeministri që një artikulim i tillë ndryshon çdo gjë? E kalon çështjen nga një rikonfigurim vizash në një hartë, në një set reformash për çështjet bazike të funksionimit të Shtetit? Apo, si njëri mediatik që është, thjesht e tha. Sepse, nëse tha atë që mendon, kjo është shumë e rëndësishme. Kjo bën diferencë të thellë në kuptimet e konceptit ‘reformë territoriale’ dhe është një ‘derë’ që mund të na çojë shumë larg asaj që u parashtrua në fillesë të procesit. Nga ku, mund t’i iket marrëdhënies populiste të deri tanishme midis shtetit dhe qytetarit. Mund të përcaktohet kush janë detyrimet e qytetarit ndaj shtetit dhe shtetit ndaj qytetarit, në të dyja nivelet qeverisëse si një e tërë, dhe si ndahen këto në dy nivelet qeverisëse. Dhe, kjo do të thotë rikonceptim i qeverisjes territoriale. Do të thotë një set reformash që nisin nga Kushtetuta dhe përfshijnë një spektër të gjerë aktesh ligjore. Dhe në këtë kuptim, mazhoranca bën mirë të bëjë marrëveshjen e fjalës mbi çfarë kupton me konceptin ‘reformë territoriale’ përpara se të heqë viza kufijsh në harta letre.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi