Si rritja e populizmit mund të çojë në fundin e demokracisë

Nga Yascha Mounk, The Guardian, 10 mars 2018

Lëvizjet autoritare janë në rritje, e ndërkohë elektoratet po tërhiqen më tepër nga ekstremet. Për ta luftuar këtë trend, një politikan duhet të kuptojë shkaqet e pakënaqësisë së përgjithshme të popullit dhe të ndërtojë bazat morale të demokracisë.

Janë disa dekada të gjata, kur historia duket aq e ngadaltë sa në një zvarritje. Zgjedhjet fitohen dhe humben, ligjet miratohen dhe shfuqizohen, yje të reja të talentuara lindin, ashtu si legjendat përcillen në varre. E megjithatë, në kohën që kalon në të përditshmen, faktorët drejtues të kulturës, shoqërisë dhe politikës, mbeten të njëjtë.

Pastaj ka nga ato vite të shkurtra ku cdo gjë ndryshon menjëherë. Kështu, të sapoardhurit në jetën politike zotërojnë në mënyrë kaotike këtë arenë. Votuesit përqafojnë me zhurmë politika që më parë as që mendoheshin. Tensionet sociale që deri pak më parë zienin nën sipërfaqe, tashmë dalin me shpërthime të frikshme. Sisteme qeverisjesh që deri më tani dukeshin të pandryshueshme, duket sikur do të shpërbëhen.

Ky pra, është momenti në të cilin e gjejmë veten tani.

Deri së fundmi, demokracia liberale ka mbretëruar triumfante. Me të gjithë dobësitë e një sistemi të tillë, shumica e qytetarëve ishin të vendosur për formën e tyre të qeverisjes. Ekonomia kishte rritje. Partitë radikale ishin pothuajse të pallogaritshme. Ndërsa, studiuesit e shkencave politike ishin të bindur që demokracia në vende si Franca dhe SHBA ka hedhur themele të forta e që në vitet në vijim kjo demokraci nuk do pësonte shumë ndryshime. Dukej, se nga ana politike, e ardhmja nuk do të ndryshonte shumë nga e shkuara.

Kur e ardhmja erdhi – u duk se ajo ishte mjaft ndryshe në fakt. Qytetarët kanë qenë të deiluzionuar për një kohë të gjatë me politikën; e tani ata janë të paduruar, të inatosur, madje edhe të neveritur. Sistemet partiake kanë kohë që duken të ngrira; ndërsa tani, populistët autoritarë janë në rritje kudo në botë, nga Amerika në Evropë, e nga Azia në Australi. Ka kohë që votuesit kanë qenë të pakënaqur me disa parti politike, politikanë apo qeveri; tani, shumë prej tyre janë lodhur edhe me vetë sistemin e demokracisë liberale.

Zgjedhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka qenë manifestimi më i qartë i kësaj krize të demokracisë. Është e vështirë ta teprosh me simbolikën e ngritjes së tij në këtë detyrë, por ama kjo as mund të quhet si një ndodhi e vetme në llojin e saj. Në Rusi dhe në Turqi, janë zgjedhur burra të fortë, të cilët ia kanë dalë të transformojnë demokraci të reja në diktatura elektorale. Ndërsa në Poloni dhe Hungari, liderët populistë po përdorin të njëjtin manual për të shkatërruar median e lirë, të dëmtojnë themelet e institucioneve të pavarura dhe t’i vënë kufi opozitës.

Së shpejti, edhe shumë shtete të tjera mund ta ndjekin këtë shembull. Në Austri, një kandidat i ekstremit të djathtë gati fitoi presidencën e shtetit. Në Francë, ndryshimet në fushën politike po i japing hapësira të reja ekstremit të djathtë dhe ekstremit të majtë. Në Spanjë dhe në Greqi, sistemet e themeluara politike po disintegrohen me shpejtësi. Kurse, në demokracitë e qëndrueshme të Suedisë, Gjermanisë dhe Hollandës, partitë ekstremiste po shijojnë fitore të pa-arritura ndonjëherë.

Nuk ka më dyshime se ne po jetojmë në një moment populist. Pyetja është nëse ky moment populist do të shndërrohet në një epokë populiste – duke e vendosur kështu vetë ekzistencën e demokracisë libreale në pikëpyetje.

Kur një demokraci është e qëndueshme, një pjesë e mirë e kësaj qëndrueshmërie vjen sepse pothuajse të gjithë aktorët kryesorë politikë janë të gatshëm të luajnë shumicën e kohës sipas rregullave kryesore të një loje demokratike.

Disa nga këto rregulla janë formale. Një president apo një kryeministër, e lejon pushtetin gjyqësor të hetojë mbi çështje apo krime të bëra nga pjesëtarët e qeverisë, në vend që të heqë nga puna kryeprokurorin. Një president apo një kryeministër, i bën ballë kritikave të medias në vend që të mbyllë gazetën apo të nisë çështje hetimi mbi gazetarin. Kur një kryeministër apo president humb zgjedhje, ai lë pushtetin në mënyrë të rregullt, në vend që të mundohet të qëndrojë në pushtet me çdo kusht.

Por shumica e rregullave të demokracisë janë informale, duke e bërë kështu akoma më të vështirë për ta identifikuar kur ato shkelen. Një qeveri nuk i rishkruan ligjet elektorale disa muaj para zgjedhjeve në mënyrë që të rrisë shanset për të fituar. Kryengritësit politikë nuk idealizojnë drejtuesit e së shkuarës, apo kërcënojnë se do të burgosin kundërshtarët, apo të shkelin të drejtat e minoriteteve etnike e fetare. Humbësit e zgjedhjeve elektorale nuk lënë që të kufizohen kompetencat e një pozicioni disa ditë para se të lënë pushtetin, meqënëse pozicioni do të mbahet nga kundërshtaët. Opozita jep konfirmimin për një gjyqtar kompetent, edhe pse ky gjyqtar mund të ketë një ideologji që nuk përputhetme të tyren, në vend që ta lërë pozicionin vakant. Opozita godet një kompromis jo-perfekt për buxhetin në vend që ta lërë qeverinë të shpërbëhet.

Me pak fjalë, politikanët që kanë interesa në sistem, mund të mendojnë mbi politikën si një sport ku pjesëmarrësit vrapojnë për të fituar avantazh mbi kundërshtarët. Por ata gjithashtu e dinë majft mirë që duhet të ketë një limit në ndjekjen e interesave partiake; që fitorja e zgjedhjeve të rëndësishme ose votimi i një ligji urgjent, është më pak e rëndësishme se ruajtja e sistemit; dhe se demokracia politike nuk duhet të degjenerojë në një luftë mbi çdo gjë. Në librin “Që demokracitë të funksionojnë”, Michael Ignatieff, studiuesi i teorisë politike dhe drejtues i mëparshëm i partisë Liberale në Kanada, ka shkruar vite më parë se “politikanët duhet të respektojnë diferencën mes një kundërshtari dhe një armiku. Një kundërshtar, është dikush që ti kërkon të mposhtësh. Një armik është dikush që ti do të shkatërrosh.”

Në SHBA, si edhe në shumë shtete të tjera në botë, politika demokratike nuk funksionon më kështu. Ashtu siç edhe Ignatieff ka theksuar, gjithmonë e më shumë “ne po shohim se cfarë ndodh kur një politikë për armiqtë zëvendëson një politikë për kundërshtarët”. Grupi i ri i populistëve që kanë hyrë furishëm në arenën politike këtë dekadë të fundit, kanë një pjesë të mirë të fajit për këtë.

Rritja e pjesemarrjes së aktorëve të rinj në politikë, mund të jetë një shenjë e një demokracie të shëndetshme dhe të gjallë, por edhe e një sëmundjeje të rëndë. Sistemi politik përfiton nga konkurrenca e gjerë e ideve dhe nga rrotacioni i rregullt nga një elite drejtuese në tjetrën. Partitë e reja ndihmojnë në të dyja mënyrat. Duke shtyrë tema që janë neglizhuar më parë në axhendën politike, këto parti rrisin kështu përfaqësimin në sistemin politik. Nga ana tjetër, duke shtyrë një grup të ri politikanësh në pozicione drejtuese, ata i sjellin ‘gjak të ri’ sistemit.

Edhe nëse është kështu, ka arsye për të besuar se shpërbërja e sistemit politik është larg nga të qënit beninj. Shumë nga partitë e reja populiste nuk sjellin vetëm alternativa të reja ideologjike në sistemin demokratik – ato në fakt sfidojnë rregulla dhe norma kryesore të sistemit në vetvete.

Jorg Haider, politikan nga Karinthia, është karizmatik dhe i shkathët, dhe një ndër populistët më të hershëm që u ngrit fuqishëm në Austri. Megjithatë, shkalla me të cilën ai ishte i gatshëm të hidhte poshtë normat e demokracisë liberale, u bënë të qarta sa herë që ai përfshihej në rivlerësime dinake të së shkuarës Naziste të Austrisë. Në një fjalim ku audience përfshinte dhe disa oficerë SS, Haider tha se: “ushtarët tanë nuk janë kriminelë, më shumë ata janë viktima”.

Thyerja e vlerave politike është një specialitet i Geert Ëilders gjithashtu, një lider Hollandez i Partisë së Lirisë (PVV). Sipas argumentave të tij, Islami është “një ideologji e rrezikshme totalitare”. Ndërkohë që populistët e tjerë kanë kërkuar që të shpallin të paligjshme minaretë dhe përdorimin e burkave, Wilders nuk ka mbetur pas duke kërkuar që të ndalohet Kurani.

Në krahasim më Haider dhe Wilders, figura si Beppe Grillo, duken më shumë beninj në një pamje të patë. Ai premton se do të marrë pushtetin nga një ‘kastë politike’ që i shërben vetes dhe që do të luftojë për një Itali më modern dhe tolerante. Por sapo ‘5 yjet’ fituan popullaritet si parti politike, ai shpejt përqafoi një qasje anti-sistem. Ai godet korrupsionin e politikanëve individual, duke e shndërruar ngadalë në një kundërshti radikale të cështjeve kryesore të sistemit politik, madje edhe të parlamentit vetë. Ky inat i drejtuar kundër politikës në fuqi, u forcua me një vullnet për t’u përfshirë në teori konspiracioni dhe për të thënë gënjeshtra për kundërshtarët politikë.

Arsyeja pse populistët dhe të sapoardhurit në politikë janë kaq të gatshëm të sfidojnë vlerat bazë të demokracisë, është pjesërisht taktike: sa herë që lëvizjet populiste thyejnë norma të tilla, ata tërheqin kritikën e njëzëshme të politikës në fuqi. Dhe kjo, pikërisht ashtu siç reklamohet, provon se ata janë realisht një fragment i ri nga ‘status quo’. Pra ka një cilësi me faktorë performues të populsitëve në tendencën e tyre për të thyer vlerat demokratike: ndërkohë që fjalitë e tyre më provokative cilësohen si gafa nga ana e observuesve politikë, dëshira e populistëve për gafa të tilla, shikohet si faktor tërheqës për njerëzit.

Por, pakujdesia e tyre lidhur me këto shkelje nuk është më pak e rrezikshme. Në momentin që disa nga anëtarët e sistemit politik janë të gatshëm të thyejnë rregullat, të tjerët kanë një motiv shumë të fortë për ta ndjekur këtë trend. Dhe kjo në fakt është ajo cfarë ndodh në një pjesë të mirë të rasteve. Ndërkohë që thyerja e rregullave vjen kryesisht nga të sapoardhurit në politikë, përfaqësuesit e vjetër, ata që kanë qenë në pushtet, bëhen gjithmonë e më të gatshëm për të nënvleftësuar rregullat bazë të lojës.

Në disa raste, partitë e konsoliduara të së majtës, nuk i kanë bërë ballë tundimit për të thyer vlerat demokratike. Në SHBA, Demokratët kanë kohë që janë të përfshirë në forma të ndryshme manipulimi. Gjatë mandatit të Obamës, pushteti ekzekutiv vazhdoi të zgjerojë rolin e tij në mënyrë shqetësuese, duke ndjekur një numër rekord të gazetarëve për dhënie informacioni të klasifikuar, dhe përdori e urdhrat ekzekutivë për të anashkaluar Kongresin në fusha politik-bërjeje si mjedisi apo imigracioni. Me gjithë këto, shumica e studiuesve të shkencave politike janë dakort, se deri më tani, Republikanët janë shembulli më i mirë i një sulmi të kordinuar kundër vlerave demokratike, formalisht nga një parti e konsoliduar. Thjesht merrni si shembull se cfarë ndodhi në fillim të zgjedhjeve për guvernator në Karolinën e Veriut më 2016. Roy Cooper, kandidati Demokrat, fitoi zgjedhjet e shumë përfolura me një diferencë mjaft të vogël. Kështuqë, Republikanët vendosën të rishkruajnë kompetencat e pozicionit të tij të punës. Guvernatori i Karolinës së Veriut ishte përgjegjës për vendosjen e 1500 personave si staf i guvernatorit, ndërkohë që pas një miratimi të një ligji në legjislaturën e dominuar nga Republikanët, guvernatori mund të emëronte vetëm 425 njerëz. Guvernatori gjithashtu ishte përgjegjës për emërimin e 66 përsonave të besuar në bordin e shkollave dhe universiteteve të ‘North Carolina’, ndërsa tani mund të emërojë zero persona.

Besnikëria e qartë politike e këtyre aktiviteteve është e pamohueshme. Po kështu është edhe importi i tyre: Republikanët dëshmuan në Karolinën e Veriut se ata i kanë kundërshtuar mendimet se ndryshimet politike zgjidhen nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të drejta, në të kundërt ata janë të gatshëm t’u imponojnë drejtimin e tyre rivalëve politikë kur ata vetë humbin.

Qytetarët janë gjithashtu më pak të përkushtuar ndaj demokracisë seç kanë qenë më parë; ndërkohë që dy të tretat e Amerikanëve të vjetër thonë se është thelbësore për ta të jetojnë në një demokraci, më pak se një e treta e të rinjve e beson këtë. Qytetarët janë tashmë më të hapur edhe ndaj alternativave autoritare; dy dekada më parë, vetëm 25% e britanikëve thonin se u pëlqente ideja “ e një drejtuesi të fortë që nuk ka pse të shqetësohet nga zgjedhjet dhe parlamenti”; sot, 50% e tyre e pëlqejnë këtë gjë. Këto sjellje shprehet gjërësisht në politikën tonë: nga Britania e madhe në SHBA, nga Gjermania në Hungari, respekti për rregullat dhe vlerat demokratike ka rënë ndjeshëm. Demokracia po e humb konsolidimin e saj, duke mos qenë më e vetmja lojë në fushë.

Ky përfundim është vështirë për t’u kapërdirë. Neve na pëlqen të mendojmë se bota bëhet më e mirë me kalimin e kohës, dhe se demokracia liberale i forcon më shumë rrënjët e saj me kalimin e çdo viti. Prandaj ndoshta, nga të gjitha argumentat e mia, ai që ka ngritur më shumë skepticizëm është argumenti se të rinjtë kanë qenë mjaft kritikues të demokracisë.

Për arsye mjaft të mira, Amerikanët dhe Britanikët e kanë të vështirë të besojnë se të rinjtë janë më të pakënaqurit. Në fakt, një pjesë e mirë e të rinjve mbështën Hillary Clinton si kandidate në zgjedhjet presidenciale në SHBA, si një kandidate e unitetit: ajo pati 55% mbështetës nën moshën 30 vjec, ndërkohë vetëm 37% e po të njëjtës grupmoshë mbështeti Trump. Brexit pati një skenar të ngjashëm. Dy të tretat e personave në moshë pensioni në Britani, votuan për të dalë nga Bashkimi Evropian, ndërkohë që dy të tretat e ‘millenials’ (e të rinjve) votuan për status quo-në.

Megjtihatë, tërheqja e të rinjve ndaj partive politike ekstreme vetëm sa është rritur me kohën. Në shtete si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar apo SHBA, numri i të rinjve që e identifikojnë veten në ekstremin e majtë ose të djathtë, thuajse është dyfishuar në harkun kohor të dy dekadave të fundit; në Suedi, ky numër është rritur me më shumë se trefish. Nxerrja e të dhënave nga partitë politike populiste dëshmon të njëjtin argument. Ndërkohë që të rinjtë ishin më pak të motivuar të votonin Trump apo Brexit, ata janë më të predispozuar të votojnë partitë anti-sistem në shumë vende të botës.

Marinë le Pen për shembull, mund t’i quajë të rinjtë si një ndër mbështetësit e saj më të zjarrtë. Në të gjithë këtë temë, Franca zor se mund të jetë një përjashtim. Pyëtsorët kanë treguar rezultate të ngjashme për shtete të ndryshme si Austria, Greqia, Finlanda dhe Hungaria.

Një ndër shpjegimet e mundshme se përse të rinjtë janë rritur të deiluzionuar nga demokracia, është se ata kanë pak botëkuptim të jetës nën një regjim tjetër politik. Njerëzit e lindur në vitet 1930-1940, kanë provuar kërcënimet e fashizmit apo kanë qenë fëmijë të njerëzve që kanë luftuar tërë kohës kundër tij. Këta njerëz, janë rritur e formësuar në vitet e luftës së ftohtë, ku zgjerimi i Bashkimit Sovjetik e solli realitetin komunist në mënyrë shumë të prekshme për ta. Kur ata pyeten nëse është e rëndësishme të jetosh në një demokraci, ata të paktën e kanë një ide se si mund të jetë alternativa.

Millenials, (janë ata persona të lindur nga viti 1981)në shtete si Mbretëria Bashkuar dhe SHBA, në kontrast nga të rinjtë e tjerë, e përjetuan shumë pak eksperiencën e luftës së ftohtë dhe madje mund edhe të mos njohin askënd që luftoi fashizmin. Për ata, pyetja nëse është e rëndësishme të jetohet në demokraci është shumë herë më abstrakte. A nuk nënkupton kjo në fakt se nëse ata do të ishin përballur me një kërcënim të sistemit të tyre, ata me siguri do të ngriheshin në mbrojtje të tij?

Nuk jam i sigurt. Fakti që një pjesë e të rijve kanë kaq pak informacion se si mund të jetë të jetosh në një sistem tjetër të mund t’i bëjë ata të angazhohen më shumë në këto eksperimentet politike. Duke u rritur me idetë e kritikës (shumë të qënësishme) për pabarazinë dhe hipokrizitë e sistemit në të cilin jetojnë, shumë prej tyre, ndonëse në mënyrë të gabuar, i marrin avantazhet dhe pikat positive të sistemit për të mirëqëna.

Që nga momenti që filozofët filluan të mendojnë për konceptin e vetëqeverisjes, ata kanë theksuar në vecanti edukimin qytetar. Nga Platoni, tek Ciceroi, nga Makiaveli te Ruso-ja, të gjithë ishin të shqetësuar se si të mbillnin farën e virtytit politik tek të rinjtë.

Kështu është lehtësisht e kuptueshme se pse ai grup i vogël patriotësh amerikanë që themeluan repulikën e re, në një kohë kur vetëqeverisja thuajse ishte zhdukur mbi tokë, menduan për një kohë të gjatë se si të transmetonin këto vlera tek brezat që do të vinin pas tyre. Ajo cfarë George Washington pyeti në Fjalimin e tij të Tetë Vjetor, ishte se cfarë mund të ishte gjë më e rëndësishme se sa t’i kaloheshin virtytet qytetare ‘gardianëve të ardhshëm të lirive të shtetit’?

Disa vite më pas, James Madison nënvizonte se “Njerëzit të cilët duan të jenë vetë Guvernatorë, duhet ta armatosin veten me pushtetin që të jep dija”. Frika e tij se cfarë mund t’i ndohdte Amerikës nëse do ta neglizhonte këtë detyrë kaq të rëndësishme, tingëllon çuditshëm, por me shumë vend edhe sot: “Një qeveri që mbështetet nga populli, pa informacion për popullin, apo mënyrat se si populli mund ta marrë atë, nuk është gjë tjetër vecse një Prolog drejt një Farse, ose një Tragjedi; ose, ndoshta të dyja së bashku”.

Në shekullin e parë të ekzistencës së kësaj republike, ishte pikërisht edukimi qytetar që i dha formë shtetit. Prindërit kërkonin të rrisnin qytetarët e së ardhmes, duke konkurruar me njëri-tjetrin se cili nga katër-vjecçrët e tyre mund të përmendtte më shumë emra presidentësh. Ndërkohë që shkollat në të gjithë SHBA, u dedikohej një kohë e mirë mësimit të studentëve së si “Një projektligj bëhet ligj”.

Edukimi qytetar qëndronte në të gjitha format e tij si projekti më i rëndësishëm në Amerikë – ashtu siç në fakt ishte edhe në Britani, Gjermani dhe vendet Skandinave. Më pas, në një kohë të pamenduar paqeje dhe zhvillimi, ideja se mbështetja për vetë-qeverisjen duhej të edukohej e fitohej në çdo brez të ri, filloi të zbehej. Sot, duket sikur po zhduket.

Shumë mendimtarë konservativë kanë sugjeruar një recetë të thjeshtë kundër këtyre sëmundjeve të ndërlikuara. David Brooks, në një nga pikat e tij në një shkrim të New York Times, sugjeronte se historia e qytetërimit perëndimor duhet të mësohet në një mënyrë ‘progresive dhe me vetëbesim’: “kanë qenë një sërë figurash të mëdha si Sokrati, Erasmus, Monteskie, Ruso, të cilët kanë ndihmuar në një mënyrë ose tjetrën në mobilizimin e një vendi drejt arritjes së idealeve humaniste”. Brooks në fakt ka të drejtë kur thekson rëndësinë e edukimit qytetar. Por ai është gabim kur sugjeron se e ardhmja e qytetarisë duhet të qëndrojë mbi një vlerësim kaq hagjeografik të së shkuarës. Së bashku me të gjitha të metat, ka mbi të gjitha një element të rëndësishëm të vërtetë nga kritikët akademikë të majtë mbi demokracinë liberale. Edhe pse ata aspironin drejt universalizmit, të gjithë mendimtarët e Rilindjes përfundojnë duke përjashtuar një grup të madh njerëzish nga konsideratat e tyre morale. Edhe pse kanë bërë arritje mjaft të mëdha, shumë prej këtyre ‘njerëzve të mëdhenj’, në historinë e tyre kanë bërë një sërë keqbërjesh gjithashtu. Edhe pse ideali i demokracisë liberale është një ideal që ia vlen të luftohet për t’u mbrojtur, praktika e tij e derimëtanishme vazhdon të tolerojë disa padrejtësi të turpshme.

Janë histori të ndërlikuara, si ajo e Rilindjes dhe e realitetit të demokracisë liberale. Çdo tentativë për t’i paraqitur ato pa kritika, shkon kundra parimit bazë të Rilindjes për vlerën e vërtetësisë dhe nënvleftëson vlerën bazë të demokracisë për përpjekje të vazhdueshme drejt barazisë politike. Është njohja e këtyre fakteve – ashtu si edhe inati i kuptueshëm në heqjen e këtyre parimeve nga një pjesë e madhe e së djathtës- që e bën kaq tërheqëse për shumë gazetarë e akademikë që të marrin shpeshherë, një pozicion kritikues.

Por fokusi në pabarazitë e së tashmes, nuk ëhstë më një sinqeritet intelektual, ai është më shumë një nxitje e pamenduar e madhështisë së qytetërimit perëndimor. Që të jetë i vërtetë, edukimi qytetar duhet të kombinojë si pabarazitë sociale, edhe arritjet e mëdha të demokracisë liberale – dhe të përpiqet që t’i bëjë studentët të vendosur që të ndreqin të parën dhe të mbrojnë të dytën.

Një pjesë thelbësore e këtij edukimi duhet të marrë parasysh arsyet se përse këto parime të demokracisë liberale janë një thirrje kaq e veçantë. Mësuesit dhe profesorët duhet të shpenzojnë më shumë kohë duke argumentuar se alternativat ideologjike të demokracisë liberale, që nga fashizmi në komunizëm, apo nga autokracia në teokraci, janë po aq dëmshme sa kanë qenë në të shkuarën. Gjithashtu, mësuesit e profesorët duhet të jenë më të qartë mbi faktin se përgjigja e saktë ndaj hipokrizisë nuk është injorimi i parimeve të kërkuara në mënyrë të pasinqertë, përkundrazi, përgjigja e saktë është të luftosh më fort për këto parime dhe t’i zbatosh sa më gjatë.

Ashtu siç argumentoj edhe ne librin tim te ri, Njerëzit kundër Demokracisë, ne do të jemi të aftë që ta parandalojmë rritjen e populizmit vetëm nëse do të sigurohemi se do të zgjidhim problemet e këtij sistemi politik që ka çuar në rritjen e këtyre partive. Njerëzit e thjeshtë e kanë kuptuar se politikanët nuk i dëgjojnë kur marrin vendime politike. Ata e kanë një arsye për të qenë skeptik: të pasurit dhe të pushtetshmit kanë patur një nivel të frikshëm influence mbi politikat publike për një kohë të gjatë tashmë. Dera rrotulluese mes lobistëve dhe ligjvënësve, roli i madh i parave private në financimin e fushatave elektorale, dhe lidhja e ngushtë mes politikës dhe industrisë, realisht kanë dëmtuar nivelin që bindja dhe dëshira (sovraniteti) i popullit drejton politikat publike.

E gjitha kjo ka patur një efekt të madh në aftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të thjeshtë. Që prej rritjes së shpejtë ekonomike në vitet e pas-luftës, standarti i jetesës për njerëzit e thjeshtë në shumë vende të Amerikës Veriore apo vendet e Evropës ka qëndruar në vend prej shumë dekadash. Ndaj i gjithë ky inat dhe mërzi për mungesën e zhvillimit material ka ndihmuar në rritjen e reagimit të ashpër kundër idealeve të një shoqërie të barabartë dhe shumë-etnike.

Të gjitha këto ‘të meta’, mund të zgjidhen nëpërmjet reformave. Institucionet duhet të gjejnë një zgjidhje për mbajtjen nën kontroll të influencës së parasë në politikë dhe të gjejnë mënyra të reja që t’i lejojnë qytetarit të shprehë nevojat e tij. Politikanët gjithashtu duhet të rigjenerojnë dëshirën dhe imagjinatën për të na siguruar se frutat e globalizmit dhe tregtisë së lirë janë të shpërndara në mënyrë më të barabartë. Dhe qytetarët, – të cilët duhet thënë, jemi të gjithë ne – duhet të punojnë më fort në ndërtimin e një shoqërie me vlera patriotizmi që mbron minoritetet vulnerabël kundër diskriminimit, ndërkohë që thekson më shumë vlerat që na bashkojnë se sa ato që na ndajnë.

Por projekti i shpëtimit të demokracisë liberale, kërkon në fakt diçka më të lartë nga një mendje e zgjuar se sa reforma jo shumë të besueshme. Populistët kanë shijuar një sukses të pa-arritur më pare, vetëm sepse themelet morale të sistemit tonë janë më të lëkundshme seç e mendonim. Kështuqë, në momentin që dikush kërkon të bëjë një kontribut drejt ringjalljes së demokracisë, duhet së pari të bëjë një hap drejt ndërtimit të saj në një bazë më të qënrueshme ideologjike.

Marrë nga ‘The Guardian/Politics’, perkthyer nga Alba Brojka

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi