Duhen më shumë para për partitë politike!

Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 8 mars 2018

Rasti i fundit i kontratës së lobimit të Partisë Demokratike, por edhe raste të ngjashme që nuk kanë munguar nga të gjitha partitë politike shqiptare për lobime të ndryshme, kryesisht në Shtetet e Bashkuara, ku një praktikë e tillë është e ligjshme, duhet të sjellë edhe njëherë në vëmendje të opinionit publik çështjen e financimeve të partive politike në Shqipëri.

Një nga aspektet kryesore të ligjit zgjedhor të ardhshëm, duhet të jetë me patjetër reformimi i financimit të politikës dhe kontrolli ndaj tyre. Një çështje që palët politike nuk e prekin fare, sa herë që diskutohet për reformën zgjedhore, pasi ka një pakt të heshtur, për mënyrën e kontrollit, e cila dështon sa herë që ka zgjedhje.

Të gjithë e dimë, që partitë politike, shpenzojnë gjithmonë më shumë nga seç deklarojnë, duke krijuar kështu një klientelizëm okult, i cili rrit ndikimin në politikëbërje të grupeve të ndryshme, dhe ul transparencën dhe llogaridhënien.

Nuk ka se si të ndodhë ndryshe, pasi financimi ligjor nga buxheti i shtetit dhe i lejuar i partive politike sot në Shqipëri, është në nivele të ulëta, duke patur parasysh aktivitetin e një force politike dhe kostot që ai mbart, për të krijuar një politikë të shëndetshme dhe konkurruese midis palëve. Kështu që, duam apo s’duam, financimi ligjor i partive politike, duhet të jetë disa herë më i lartë nga seç parashikon ligji për të. Në këtë mënyrë, do të shmangej rënia pre e tyre ndaj klientelizmit politik, i cili është duke dëmtuar gjithmonë e më shumë funksionimin e tyre.

Partitë politike në rendin kushtetues shqiptar kanë një rol qendror, ndryshe nga shumë vende të tjera. Janë ato që përcaktojnë politika kombëtare, janë të vetmet që sigurojnë përfaqësimin politik, janë po ato që Kushtetuta e Shqipërisë i garanton realizimin e sistemit demokratik. Aq më tepër në një vend si i yni, ku elektorati nuk voton as për deputetët, as për pushtetin e ekzekutiv, por vetëm për forcat politike.

Në këtë kuptim, partitë politikë që të funksionojnë në mënyrë demokratike dhe të realizojnë të gjitha këto misione që ia ngarkon Kushtetuta, kanë nevojë që të financohen, të sigurojnë të ardhurat e mjaftueshme për të zhvilluar aktivitetin e tyre politik dhe zgjedhor. Në të kundërt, nuk duhet të habitemi që për të gjitha këto domosdoshmëri, partitë politike do të kërkojnë financime alternative okulte, që dëmtojnë të gjithë procesin politik dhe demokratik.

Ka dy mënyra se si mund të rriten financimet për partitë politike. E para shumëfishimi nga ana e buxhetit të shtetit, duke ndaluar çdo financim privat. Dhe, e dyta ndalimi i financimit nga paratë publike, dhe legalizimi i lobeve. Në këtë mënyrë, më së paku do të njohim publikisht grupet e interesit dhe lobimet e tyre transparente dhe publike kundrejt politikës, dhe, në këtë mënyrë janë qytetarët ata që do të gjykojnë për të gjithë këtë proces, ashtu sikurse ndodh në vendin më demokratik të botës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë mënyrë do të shmangeshin të gjitha lobimet janë okulte, dhe të panjohura nga publiku.

Mirëpo, rritja e financimeve për partitë politike, kërkon në të njëjtën kohë forcimin e kontrollit ndaj tyre. Kontroll, i cili me këtë ligj që kemi aktualisht ka dështuar. Mënyrat për të rritur kontrollin janë të shumta, mjafton të marrim shembullin e Gjermanisë apo Francës për ta bërë efikas atë.

Modelet janë të shumta, e rëndësishme është që t’i japim fund kësaj mënyre financimi, që dhe para publike harxhon, dhe klientelizma politikë okult krijon. Kjo është një çështje që duhet të vihet për diskutim sa më shpejt të jetë e mundur, pasi është thelbësore për funksionimin e demokracisë. Me gjithë kritikat që mund të kemi për partitë politike, në një regjim demokratik, ato janë të domosdoshme. Kush thotë që partitë politike janë e keqja më e madhe e demokracisë, si alternativë ka patur vetëm diktaturën.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi