BSH: gjysma e familjeve të zhytura në borxhe

Banka e Shqipërisë, 17 maj 2014

Më shumë se gjysma e shqiptarëve e mbyllin muajin me para borxh, të cilat i shpenzojnë për nevoja jetike. Rreth 55 % e familjeve mbyllin muajin me para borxh në dyqanet e lagjes ose lekë që marrin për afat të shkurtër nga të afërmit e tyre. Gjendja e vështirë është zyrtarizuar në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, i cili i referohet vrojtimit të kryer në tre muajt e fundit të vitit 2013 dhe në fokus zhvillimet në gjysmën e dytë të tij, ndërkohë që vlerësimet për pritshmëritë i referohen gjysmës së parë të vitit 2014 që i referohen raportit “Vrojtimi mbi situatën financiare dhe huamarrjen e individëve”. Për të analizuar gjendjen financiare dhe të huamarrjes së individëve, është vrojtuar një zgjedhje prej 1210 familjesh, të shpërndara në 17 rrethe të ndryshme të vendit, ku janë përgjigjur 96% e familjeve të intervistuara. Borxhet e familjeve Numri total i familjeve që deklarojnë se kanë një ose më shumë hua për të paguar në momentin e intervistimit, pavarësisht nga lloji, burimi apo vlera, ka rezultuar 333 familje ose 29% e të anketuarve (rreth 28% e zgjedhjes në total). Kjo përbën rritje vetëm me 12 familje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, por rënie me rreth 5 pikë përqindjeje (ose 68 familje), krahasuar me mesataren e deritanishme.

Rreth 61% e familjeve huamarrëse i përkasin grupit me të ardhura mujore në kufijtë “17-50 mijë lekë”. Kjo peshë është rritur krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me mesataren e deritanishme. Në rreth 45% të rasteve të huamarrjes, familjet u janë drejtuar burimeve formale (si banka dhe institucione financiare jobankare) dhe në 55% të rasteve u janë drejtuar burimeve jo-formale (persona fizikë dhe huamarrje nga dyqanet). Dy qëllimet kryesore të huamarrjes së familjeve vazhdojnë të jenë “blerja/ riparimi i një prone” në 34% të rasteve, dhe “konsumi” në 37% të rasteve. Të dy këta zëra kanë shënuar rritje respektivisht me 2 pikë përqindjeje, krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar. Balanca neto e përgjigjeve mbi aftësinë paguese të familjeve ka rezultuar -18%, çka tregon për një përkeqësim të aftësisë paguese të familjeve me ritme të njëjta si gjashtë muaj më parë. Familjet që kanë deklaruar “rënie të aftësisë paguese”, në 55% të rasteve cilësojnë si arsye kryesore “rënien e të ardhurave familjare” dhe në 23% të rasteve “rritjen e shpenzimeve të jetesës”. Në lidhje me pritjet mbi aftësinë paguese në gjashtë muajt e ardhshëm, balanca  neto shënon vlerën -1%, çka do të thotë një prirje në përkeqësim, por me ritme të ngadalësuara. Pritshmëritë Për vitin 2014 besimi i konsumatorëve, i matur me Treguesin e Besimit të Konsumatorëve (TBK) shënoi një rënie të lehtë me rreth 0.3 pikë përqindjeje, në tremujorin e parë të vitit 2014. Aktualisht, TBK-ja qëndron rreth 4.0 pikë përqindjeje nën mesataren historike.

Pritjet e konsumatorëve për situatën financiare në tremujorin e ardhshëm shënuan rënie me rreth 2.5 pikë përqindjeje. Në të njëjtin drejtim ndryshoi dhe vlerësimi i tyre për situatën e blerjeve të mëdha, gjatë tremujorit të parë të vitit 2014. Kontribut të vogël rënës në TBK dha dhe balanca e pritjeve për gjendjen e përgjithshme të ekonomisë në tremujorin e ardhshëm. Komponenti i vetëm që dha kontribut pozitiv është balanca e të ardhurave dhe shpenzimeve, niveli e të cilës u rrit me 6.8 pikë përqindjeje. Pritjet e konsumatorëve për nivelin e papunësisë në gjashtë muajt e ardhshëm u përmirësuan disi, balanca aktuale ra me 2.9 pikë (rritja e balancës tregon për papunësi të pritur në rritje). Balanca e kursimeve të konsumatorëve u rrit me 9 pikë përqindje në tremujorin e parë. Konsumatorët perceptojnë një kosto jetese më të ulët gjatë tremujorit të parë të vitit 2014, dhe presin që kjo të jetë më e ulët edhe përgjatë tremujorit të ardhshëm. Pritjet për inflacionin pas një viti kanë pësuar rënie me rreth 0.7 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e kaluar.

Vrojtimi i bizneseve 

Situata e përgjithshme ekonomike në vend dhe gjendja e përgjithshme e biznesit u vlerësuan në përmirësim gjatë tremujorit të parë të vitit 2014. Gjithashtu, kërkesa në sektorin e ndërtimit u vlerësua në rritje me rreth 12.8 pikë përqindjeje. Stoku i banesave vlerësohet të jetë reduktuar ndjeshëm gjatë kësaj periudhe, duke   ndikuar në përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve në këtë sektor.

Çmimet e prodhimit në ndërtim janë vlerësuar në rënie në tremujorin e parë të vitit 2014. Bizneset e sektorit të ndërtimit (rreth 34.9% e totalit) shprehen se kanë kryer investime gjatë gjashtëmujorit të shkuar, kryesisht në pajisje teknologjike.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi