Kuptimi ideologjik i reformës së arsimit të lartë
Sipas Mapo Online, 28 prill 2014
Njëra prej akuzave që i bëhen qeverisë në lidhje me reformën e arsimit të lartë është se po u shërben interesave private në dëm të idealit publik të universitetit. Përveç kësaj, kjo reformë lexohet ideologjikisht si e djathtë, si nxjerrje në treg e vlerave dhe dijes, ku kritikët janë të bindur se vlerat do të transformohen në antivlera dhe dija në injorancë të certifikuar me diplomë universitare. Por cili është në fakt kuptimi ideologjik i reformës së arsimit të lartë? A po vepron qeveria Rama si një qeveri e djathtë? Së pari, duhet pranuar që dualiteti konceptual privat/publik që furnizon debatin për këtë çështje nuk qëndron, pasi koncepti “privat” përshkruan llojin e pronësisë, ndërkohë që koncepti “publik” nuk lidhet me pronësinë, por me funksionin e universitetit. Madje edhe vetë kritikët e pranojnë se sot universiteti shtetëror është privatizuar, duke nënkuptuar se nuk po realizon interesin publik. Kështu, në parim interesi publik për arsim cilësor mund të realizohet me mënyra të ndryshme, pavarësisht llojit të pronësisë. Kjo hap rrugën për të kuptuar dhe gjykuar performancën e universiteteve shtetërore dhe private nga perspektiva e realizimit të interesit publik. Reforma e arsimit të lartë i jep vend qendror këtij koncepti dhe prandaj duhet mbështetur. Por, kritikët megjithatë insistojnë se në këtë mënyrë i nxjerrim universitetet në treg, duke realizuar pikë për pikë ideologjinë neoliberale. Si mund të iniciojë një qeveri e majtë një reformë të tillë ekstremisht të djathtë? E vërteta është se kjo reformë i nxjerr universitetet në treg dhe i detyron të konkurrojnë me njëri-tjetrin për të tërhequr studentët. Po të ishte reforma e arsimit të lartë vetëm kaq, kritikët do ishin plotësisht të justifikuar në konkluzionin se qeveria po vendos një rend neoliberal në arsim. Por kjo reformë mbështetet në tre parime: meritë, preferencë, nevojë. Paraja publike mund të shpërndahet pra në bazë të një kombinimi të meritës akademike të studentit me preferencën për degën e studimit dhe nevojën ekonomike. Këto parime nuk lejojnë që reforma e arsimit të lartë të lexohet si neoliberale, pasi mundësojnë si politika të djathta ashtu dhe të majta. Për shembull, një qeveri e majtë do mund t’i jepte më shumë peshë parimit të nevojës, duke e alokuar buxhetin për arsimin e lartë më së shumti për studentët me gjendje ekonomike të dobët. Nga ana tjetër, një qeveri e djathtë mund të theksonte më tepër parimin e preferencës apo dhe meritës akademike. Pra frika e kritikëve se mos me këtë reformë neoliberalizmi bëhet “loja e vetme në qytet” është e pajustifikuar. Pozicionimi ideologjik majtas/djathtas duhet të zhvendoset nga konceptet e tejkaluara të pronësisë shtetërore dhe private të universiteteve, që në analizë të fundit nuk lidhet fare me zgjidhjen e problemeve të shoqërisë sonë. Mungesa e dukshme e cilësisë në arsimin shtetëror dhe fenomenet negative që ka shfaqur arsimi privat janë dëshmi e një debati shterp nëse vazhdon të mbetet në këto terma. Përkundrazi, reforma e arsimit të lartë premton cilësi dhe kujdes për interesin publik. Prandaj edhe pozicionet ideologjike mund të ridimensionohen me anë të përzgjedhjes ndërmjet parimeve politike të kësaj reforme, duke kontribuar tashmë në gjetjen e rrugës më të mirë për realizimin e një arsimi cilësor dhe publik.