11 rekomandime për krizën e kreditimit

Nga Anastas Angjeli, botuar në Shekulli Online, 27 prill 2014

Ne raportin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2013, një vend të rëndësishëm zë edhe analiza e instrumenteve të politikës monetare dhe administrimit të rezervës valutore. Gjithashtu, në përfundim, raporti paraqet objektivat strategjikë të këtij institucioni për periudhën afatmesme. Rritja reale e PBB-së, nga 3.1 % në vitin 2011 dhe 1.3 % në vitin 2012, zbriti në 0.7 % në vitin 2013. Kjo rënie erdhi si rezultat i një kompleksi faktorësh të brendshëm e të jashtëm, si vijimi i ndikimit të krizës ekonomike botërore, zgjedhjet e përgjithshme në vendin tonë, politikat dhe administrimi fiskal etj. Ngadalësimi i zhvillimit ekonomik ishte pasojë e rënies së kërkesës agregate në të dy komponentët e saj: konsumit dhe investimeve private, ndërkohë që kërkesa e huaj pati rritje. Ndikim në rënien e kërkesës patën rënia e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, si dhe kushtet e shtrënguara të financimit nga sistemi bankar. Këto sollën mosshfrytëzim të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe rënie të investimeve të biznesit, rritje të ngadaltë të punësimit dhe të pagave dhe si rrjedhojë, prirje të ulëta inflacioniste. Të ardhurat e përgjithshme të buxhetit arritën nivelin 24 % të PBB-së, nga 24.9 % që ishin vitin e mëparshëm, duke u reduktuar me 4.5 miliardë lekë. Për të zbutur ndikimin e kësaj rënieje në të ardhura dhe për t’i dhënë stimul ekonomisë, u ndoq një politikë fiskale ekspansioniste, e cila u pasqyrua në: rritjen e shpenzimeve nga 28.4 % e PBB-së, në 30.1 % të PBB-së, e barazvlefshme me 33.2 miliardë lekë; rritjen e deficitit buxhetor nga 3.5 % e PBB-së, në 6.1 % të PBB-së; rritjen e borxhit publik nga 62.5 % e PBB-së, në 70.5 % të PBB-së. Politika ekspansioniste monetare e Bankës së Shqipërisë ka pasur një efekt gjallërues në tregjet financiare dhe është shoqëruar me rënie të primeve të rrezikut. Të dy këta faktorë kanë ndihmuar në përcjelljen e politikës lehtësuese monetare te normat e interesit, të aplikuara nga agjentët financiarë. Rënia e kërkesës agregate dhe rënia e inflacionit të importuar sollën tendencën e rënies së inflacionit. Niveli i tij ishte i ulët, 1.9 %, në kufirin e poshtëm objektiv të politikës monetare. Banka e Shqipërisë, gjate vitit 2013, ka ndjekur një politikë monetare, përgjithësisht lehtësuese, duke reduktuar 4 herë normën bazë të interesit, deri në nivelin 3 %. Megjithatë, kjo normë mbetet përsëri e lartë dhe vështirëson kreditimin e sektorit privat, duke frenuar rritjen ekonomike. Ky stimul i politikës monetare lehtësuese nuk është përcjellë sa dhe siç duhet në ekonomi. Ky efekt duket qartë edhe nga tkurrja e aktivitetit ekonomik. Gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2013, prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 0.4 % në krahasim me normat 1.3% dhe 2.8% të regjistruara përkatësisht gjatë viteve 2012 dhe 2011. Ngadalësia e zhvillimit ekonomik u shkaktua, kryesisht, nga ecuria e dobët e investimeve dhe e konsumit privat, të cilat ishin rrjedhojë e besimit të ulët të agjentëve ekonomikë dhe kushteve të shtrënguara të financimit. Siç shihet nga kjo analizë, ngërçi i kreditimit ka lidhje me uljen e kërkesës për kredi, si pasojë e një ambienti makroekonomik të përkeqësuar dhe gjithashtu me shtrëngimin e financimeve nga ana e bankave, ndikuar nga rritja e NPL-ve (kreditë e këqija), të cilat gjatë 8-vjeçarit të fundit janë rritur deri në 25% të kredive.

Kjo gjendje ngërçi ekonomik reflekton problemet strukturore, me të cilat përballet vendi dhe nevojën e ndryshimit te modelit tone ekonomik. Këto probleme kanë të bëjnë me nevojën për gjenerimin e burimeve të qëndrueshme të rritjes ekonomike, me forcimin e masave për thellimin e reformës rregullatore për përmirësimin e klimës së biznesit, një programi nxitës për investimet e huaja, me ndërmarrjen e reformave të gjithanshme për rritjen e produktivitetit, sidomos ne sektorin bujqësor dhe të agrobiznesit me zgjerimin e tregjeve dhe me zhvillimin e sektorëve, të cilët mund të jenë konkurrencialë, eksportues në tregjet botërore. Nga ana tjetër, kjo gjendje ka lidhje edhe me aktivitetin e plogësht rregullues të Bankës së Shqipërisë, e cila është treguar joefektive në rekomandimet për aplikimin e politikave të kujdesshme për vlerësimin e riskut nga ana e bankave dytësore, përpara se niveli i NPL-ve të mbërrinte në 25%, ndërsa sot nuk po tregohet efektive në gjetjen e shtysave për rritje të kreditimit. Banka e Shqipërisë duhet ta fokusojë më shumë punën e saj në disa drejtime si:

1-Ndjekjen e një politike monetare lehtësuese e stimuluese, më fleksible për zhvillimin e ekonomisë sonë dhe për vazhdimin e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik e financiar të vendit, brenda normave dhe akteve ligjore dhe rregullatore të saj. Banka duhet të ketë një rol me aktiv dhe të jetë një sinjalizatore e vazhdueshme dhe në kohen e duhur për zhvillimet dhe ndryshimet e pritshme ekonomike dhe të tregjeve financiare duke rekomanduar masa preventivuese për të zbutur sado pak efektet, kur ato janë negative.

2-Ruajtjen e nivelit te borxhit publik, për aq sa i takon, në kufij të përballueshme dhe të padëmshme për ekonominë e vendit, duke marrë masa në drejtim të përsosjes së programimit dhe parashikueshmërisë fiskale, të cilat mbeten shqetësuese, sidomos mbas shfuqizimit ligjor të kufirit të borxhit.

3-Forcimin e mëtejshëm të rolit mbikëqyrës e rregullator ndaj sistemit financiar-bankar.

4-Mbështetjen e kreditimit të ekonomisë dhe përmirësimin e situatës se kredive me probleme. Ky kreditim nuk ka qenë në nivelin e kërkuar nga ekonomia dhe duhet stimuluar në të ardhmen. Kjo përmes krijimit të stimujve për të përmirësuar klimën e kredidhënies në vend; zbutjen e politikave konservatore të bankave në kreditim, që shfaqen jo vetëm nëpërmjet çmimit të kredisë, por edhe nëpërmjet kushteve të tjera të zbatuara nga bankat në aktivitetin kreditues. Niveli i kredive të këqija vazhdon të mbetet i lartë, shqetësues dhe duhet të thellohet më tej marrja e masa rregullatore për reduktimin e tij.

5-Përmirësimin e cilësisë së portofolit të kredive mbetet.

6-Trajtimin e kujdesshëm dhe efektiv të rezervës valutore të detyrueshme të saj dhe investimin efikas të likuiditeteve të sistemit bankar shqiptar brenda vendit në dobi të stabilitetit financiar dhe zhvillimit ekonomik.

7-Nxitjen e mëtejshme të procesit të përfshirjes së subjekteve financiare jobankare në skemën e ASD-së, në funksion të mirëfunksionimit dhe rritjes së performancës.

8-Përmirësimin e prodhimit dhe shërbimin statistikor duke investuar në pavarësi profesionale, burime njerëzore dhe infrastrukturë teknologjike.

9-Krijimin e premisave për rritjen e numrit të përdoruesve të parasë elektronike në Shqipëri, të përdoruesve të shërbimit e-banking dhe shtimin e operatorëve të skemës kombëtare të pagesave me kartë, si faktorë që ndikojnë ne uljen e informalitetit në ekonomi.

10-Krijimin e stimujve në mënyrë që bankat të jenë të interesuara të investojnë më shumë te kreditimi i ekonomisë reale sesa investimi në letra me vlerë të qeverisë në kushtet e një situate të kënaqshme të likuiditetit.

11-Nxitjen dhe mbështetjen e risive të paraqitura në kuadër të zgjerimit të gamës së produkteve dhe shërbimeve financiare të ofruara nga gjithë sistemi financiar.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi