E vërteta e marrëveshjes me FMN, Ilahi: Ja debatet me qeverinë shqiptare
Intervista e Shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë Nadeem Ilahi, dhënë për revistën ‘Monitor’, 26 prill 2014
Si e vlerësoni ecurinë e ekonominë shqiptare në vitin 2013 dhe pritshmëria për 2014-n?
Ne sapo kemi marrë numrat për rritjen e ekonomisë në vitin 2013 dhe ato duket të jenë më të ulëta se ato që kishim menduar, rreth 0.4%, në vend të 0.7%, që prisnim. Nga pikëpamja jonë, viti 2013 ka qenë i vështirë për Shqipërinë, për një sërë arsyesh, që ne i kemi bërë publike edhe më parë, për shkak të zgjedhjeve, tranzicionit politik, tranzicionit ekonomik të ekipeve drejtuese. Këto ngjarje tentojnë që të jenë shumë të vështira në Shqipëri dhe në kohë normale. Pritshmëritë tona janë se viti 2014 do të jetë më i mirë. Ne do të kemi një panoramë më të qartë për perspektivën ekonomike për vitin 2014, pasi misioni i FMN-së është të vijë në Shqipëri në fund të muajit prill, por pikëpamja jonë është se ka shenja rimëkëmbje të besimit ekonomik mes bizneseve dhe konsumatorëve. Sinjalet janë në tentativë, por gjithsesi ne po shohim shenja. Ndjesia jonë është se rigjallërimi ekonomik duhet të vijë nga politikat që po njoftohen aktualisht nga qeveria, të cilat adresojnë disa probleme thelbësore, që po vazhdonin prej vitesh dhe po përpiqet që t’i zgjidhë këto probleme dhe të krijojë një ambient ekonomik, ku rritja të fillojë sërish.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për rritjen e Shqipërisë në afatin e shkurtër dhe të gjatë?
Në afatin e shkurtër është e vështirë për t’u parashikuar dhe Shqipëria nuk përbën ndonjë përjashtim, por më lejoni të them që ne po shohim progres në vazhdimin e programit dhe një nga elementet që po shohim progres është gjithashtu pagimi i detyrimeve të prapambetura që ishin akumuluar dhe qeveria po ecën përpara dhe po i pastron ato, duke u kthyer paratë kontraktuesve dhe duke rimbursuar taksat. Besimi ynë se kjo duhet të injektojë një sasi të konsiderueshme likuiditeti në sektorin privat dhe siç kemi parë vitin e kaluar, ekonomia ka pasur probleme likuiditeti. Në këtë kuptim them që kjo do të ndihmojë. Kjo do të ndihmojë gjithashtu për të krijuar lidhje të shëndetshme midis bankave dhe sektorit të korporatave, në kuptimin që besueshmëria e huamarrësve duhet të përmirësohet dhe kreditimi duhet të nxitet. Ka gjithashtu edhe një element të tretë, që ndoshta do të ndihmojë me besimin ekonomik, që lidhet me faktin se dy fqinjët më të afërt të vendit, me të cilët Shqipëria ka lidhjet më të forta ekonomike, Italia dhe Greqia, po shohin tashmë njëfarë kthese. Dhe duhet të kujtojmë se përpara disa vitesh, përkeqësimi i ekonomisë ishte gjithashtu pjesërisht i lidhur me situatën e fqinjëve. Prandaj pres që të kthehet besimi edhe në këtë drejtim.
Ka një konfuzion në Tiranë në lidhje me kushtet me të cilat shoqërohet marrëveshja e fundit mes FMN-së dhe qeverisë shqiptare. Si qëndron e vërteta?
Në thelb, kur ne arritëm në Tiranë në shtator, së bashku me qeverinë, filluam të diskutonim situatën aktuale dhe ishte shumë e qartë se duheshin bërë disa gjëra që ekonomia të kthehej në rrugën e duhur, që të rimëkëmbej dhe stabilizohej. Problemi më i madh për situatën makroekonomike të vendit ishte niveli i lartë i borxhit publik, që ishte dhe më i lartë për shkak të asaj që Shqipëria e quan borxhi i fshehur, si rrjedhojë e detyrimeve të prapambetura. Dhe ky numër ishte shumë i lartë, në fund vlerësimet ishin që ai ishte më shumë se 5% e PBB-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto). Pra borxhi publik ishte në nivele që Shqipëria nuk i kishte parë më parë. Në të njëjtën kohë, rritja ishte e ulët dhe ekonomia nuk po ecte mirë. Ideja ishte të ndërmerreshin disa veprime. Njëri prej tyre ishte të dilnim me një plan, në bazë të të cilit qeveria do të binte dakord që të merrte disa masa, në mënyrë që borxhi publik të ulet në një periudhë tre apo pesëvjeçare dhe pikërisht për këtë diskutuam me qeverinë. Ramë dakord për një program, i cili është tashmë publik, në bazë të të cilit borxhi publik duhet të ulet, por jo shumë shpejt, për shkak se nëse ulet shumë shpejt, atëherë ekonomia vuan. Ideja është që ai të fillojë të ulet në vitin 2015. Një tjetër pikë ishte që të dilnim me disa masa për të reduktuar defiçitin. Për këto masa kemi rënë dakord dhe janë pjesë e buxhetit të vitit 2014 dhe janë publike në web, pjesë e dokumenteve që janë publikuar aty. Pra ka një qartësi totale mbi këtë, pra se cilat janë këto masa. Ne gjithashtu hartuam në raportin e stafit, i cili është në faqen e internetit të FMN-së, masat e ardhshme që mund të merren në të ardhmen. Diskutuam me qeverinë, edhe pse nuk ka ende një marrëveshje; por në mënyrë që të kemi një reduktim të qëndrueshëm të borxhit, ne duhet të kemi masa që do të merren këtë vit, në 2015-n dhe në 2016-n. Për masat e vitit 2014 kemi rënë dakord dhe ato janë në zbatim. Kështu përgjatë gjashtë muajve në vijim, ne do të diskutojmë me qeverinë se çfarë duhet bërë për buxhetin e vitit 2015. Ajo që ka ngjallur diskutime është se në raportin e stafit të FMN-së ka disa masa që rekomandohen të shikohen. Sigurisht që do të zgjidhni disa prej tyre, por i takon qeverisë që të bëjë rregullimet për dy vitet në vijim, por nuk është e thënë që të gjitha këto masa do të duhet të zbatohen. Ideja ishte që t’i bënim ato publike dhe të diskutonim me qeverinë se si duhen zbatuar. Çështja tjetër është se programi përpiqet që të adresojë dobësitë thelbësore që ne kemi parë në ekonomi gjatë viteve të fundit, si p.sh., dobësitë në menaxhimin financiar, të cilat kanë çuar në krijimin e detyrimeve të prapambetura, me qeverinë që nuk paguante faturat, gjë që ka krijuar një efekt negativ në sektorin privat dhe ka reduktuar besimin e sektorit privat për qeverinë. Pikëpamja jonë është se kjo situatë duhet kthyer. Detyrimet e prapambetura duhen paguar, në një mënyrë transparente, të drejtë dhe të shpejtë dhe në të njëjtën kohë, në një mënyrë që të merren të gjitha masat që paratë publike të përdoren në mënyrën e duhur. Nëse shihni kushtet në program, të gjitha kanë të bëjnë me këtë. Ka një synim të qeverisë për të rritur besimin në sektorin privat, të krijojë bindjen se nga sot e tutje qeveria do të paguajë faturat e saj dhe do të parandalohet krijimi i detyrimeve të reja të. Ne kemi një sistem që do të monitorojë se si qeveria po i paguan faturat e saj dhe nëse disa ministri nuk do të paguajnë, ne do të përpiqemi të gjejmë se pse po ndodh kjo dhe ta përmirësojmë dhe në të njëjtën kohë, ne kemi auditorë dhe kushte që të sigurohemi se pagesat e prapambetura po ecin përpara. Çështja tjetër që e kemi adresuar fuqimisht është administrimi i taksave, që është një nga dobësitë e Shqipërisë dhe është ndoshta shkaku i shumë prej problemeve me të cilat ju po përballeni. Pra rritja e profesionalizmit të administratës së taksave ka qenë një pjesë e rëndësishme e programit që ne po mbështesim. Dhe disa nga kushtet janë të lidhura me këtë, si përdorimi i teknologjisë së informacionit në mënyrë që veprimet të bëhen përmes tyre e jo përmes ndërveprimit human, duke minimizuar shanset për korrupsion. Aspekti i tretë ka të bëjë me fuqizimin e sektorit financiar jobankar, i cili është një zhvillim i ri në Shqipëri.
Performanca e buxhetit në muajt e parë të vitit ka qenë më e ulët se plani dhe shpenzimet kapitale të ulëta, ndërkohë që niveli i humbjeve të energjisë mbetet i lartë. Si do të ndikojë kjo në ekonomi?
Si ne, ashtu edhe qeveria, kemi qenë të ndërgjegjshëm se ka çështje të lidhura me energjinë që kanë ndikim në buxhet dhe rrisin rrezikun e tij. Kur filluam bisedimet me qeverinë vjeshtën e kaluar, pikëpamja jonë ishte se do të merrnim disa masa për vitin 2014, por gjithashtu duhet një këndvështrim më i gjerë, se si të zgjidhim këtë problem, që është shumë i madh dhe i thellë. Kjo nuk mund të bëhet duke vënë tri kushte të ashpra nesër. Kjo kërkon një mënyrë të menduari afatgjatë, që sistemi energjetik të bëhet i qëndrueshëm nga pikëpamja financiare gjatë një periudhe të caktuar kohe, në një mënyrë të tillë që kur ka goditje nga importi, kjo nuk duhet të nënkuptojë se duhet të merret hua nga buxheti. Sektori duhet të ketë mjaftueshëm kapacitet financiar, që të jetë në gjendje që të përballojë këto goditje. Pra këndvështrimi ynë është se mënyra e të menduarit duhet të fillojë dhe ajo ka filluar vitin e kaluar. Dhe qeveria është shumë e angazhuar për momentin në bisedime teknike me Bankën Botërore. Banka Botërore është agjencia jonë simotër, që ka mandatin të shkojë më thellë në reformat strukturore në një ekonomi, si energjia, apo pensionet. Ne nuk merremi specifikisht me këtë, ne jemi të përqendruar më shumë në çështje makroekonomike, por punojmë ngushtë me ta dhe pikërisht tani kjo punë po kryhet. Këndvështrimi ynë tani përfshin edhe idenë se oferta e energjisë tani është e ulët, për shkak të motit të thatë dhe se do të duhen më shumë importe dhe ne po e përfshijmë këtë në diskutimet tona. Unë mendoj se reforma e energjisë në Shqipëri kërkon zgjidhje të vështira. Mendoj se pjesa më e madhe e shqiptarëve ndoshta e kuptojnë këtë. Se cilat do të jenë këto zgjidhje është diçka që ia vlen të eksplorohet. Pikëpamja jonë shumë e gjerë është se, nga ajo që dëgjojmë nga kolegët tanë të Bankës Botërore, vjedhjet në sektor janë një problem dhe se ndoshta një administrim më i fortë për humbjet do të përmirësojë qëndrueshmërinë bazë të sektorit. A përfshin kjo dhe një rritje të tarifave?! Unë nuk e di në këtë fazë, por do të jetë diçka që do të jetë pjesë e paketës që do të dalë në vijim. Sektori duhet të fillojë të mbajë veten, për shkak se në një anë, Shqipëria ka marrë vendime shumë të mira në përmirësimin e buxhetit, disa taksa janë rritur, ne po shkojmë drejt qëndrueshmërisë dhe nuk duam që sektori i energjisë të ndikojë negativisht në buxhet. Pikëpamja jonë është se kjo duhet bërë, ne e kuptojmë se kjo nuk duhet bërë nesër, sepse hapat kërkojnë kohë, por këto hapa duhet të fillojnë të merren për të ecur përpara.
Por nga të dhënat e muajve të parë, duket se rritja e taksave nuk po jep efektet e pritura në buxhet…
Në njëfarë mënyre është shumë shpejt për të thënë. Në mënyra të tjera mendoj se po merren masa të tjera nga qeveria në drejtim të reformës së taksave, që do të sjellin rezultate, si p.sh., fillimi i punës së “Crown Agent” në Dogana. Ne po dëgjojmë nga terreni se njerëzit po shikojnë ndryshime në kulturën e doganave dhe mendoj se ky është një zhvillim pozitiv, në kuptimin se një pjesë e madhe e të ardhurave mblidhen përmes doganave dhe kështu duhet pritur një përmirësim në këtë drejtim. Ju keni absolutisht të drejtë kur thoni se ekonomia tenton të jetë e dobët për momentin. Por mendoj se dy muajt e parë janë shumë shpejt për ta treguar. Ne nuk shohim përkeqësim të taksave, por po shohim që përmirësimet po vazhdojnë. Ideja jonë është se ka një angazhim nga nivele të larta të qeverisë se çështja e taksave duhet rregulluar seriozisht. Kultura e administrimit të taksave nuk ndryshon brenda natës, prandaj besoj se duhet pak durim për të parë përmirësimet.
Pensionet janë një tjetër problem i rëndësishëm. Si e shikoni zgjidhjen?
Pensionet janë një çështje e rëndësishme reale, pensionet janë ndoshta problemi më i madh i buxhetit, sepse çdo vit nevojitet një shumë që është e barabartë me 4-5% të PBB-së, që shkon për financimin e kësaj skeme. Kjo është sërish një çështje e thellë, që kërkon një mënyrë të thellë të menduari. Ajo nuk mund të adresohet menjëherë dhe që nga viti i kaluar po e diskutojmë këtë problem me qeverinë. Sërish kolegët tanë të Bankës Botërore po punojnë ngushtësisht me qeverinë për të gjetur se çfarë masash mund të merren në mënyrë që të përmirësohet skema e pensioneve. Ka shenja shumë të qarta në sistem se çfarë nuk shkon me të. Ai nuk i nxit ata me të ardhura të larta e të mesme të kontribuojnë në sistem, të marrin pjesë. Ka subvencione për zonat rurale që mund të adresohen përmes mënyrave të tjera, s’ka pse të bëhen përmes pensioneve. Pra po kryhen diskutime të tilla. Sërish mendoj se kjo do të kërkojë reforma të thella. Popullsia shqiptare është gati për këto masa, nëse do të rregullohet sistemi, kjo do të kërkonte zgjedhje të vështira. A do të kërkojë kjo rritje të moshës së pensionit?! Nuk mund ta them këtë pikërisht tani. Ndoshta po. Përsëri, kjo do të ishte pjesë e një pakete më të madhe. A kemi ne një marrëveshje sekrete me qeverinë pikërisht tani, për të rritur moshën e pensionit? Përgjigjja është jo, ashtu siç e përmenda dhe më parë. Marrëveshja që ne kemi me qeverinë është në raportin e stafit dhe ajo është kryesisht për vitin 2014, me angazhime që do të përmirësohen përpjekjet fiskale në 2015 dhe 2016. Se çfarë saktësisht do të përfshijnë këto përpjekje fiskale është diçka që do ta diskutojmë në 6-8 muajt në vijim.
Në raportin tuaj të fundit të vlerësimit financiar FSAP (Financial Sector Assessment Program) e vinit theksin në dobësinë e sistemit bankar në lidhje me ekspozimin e lartë ndaj letrave me vlerë të qeverisë. Cilat janë rekomandimet tuaja?
Kjo është plotësisht e drejtë. Më lejoni të kthehem mbrapa dhe të diskutoj me ju atë që FSAF po përpiqet të bëjë. Në njëfarë mënyre, FSAF ishte një koincidencë me diskutimet e programit. Për FSAF u ra dakord shumë kohë përpara se qeveria të ndryshonte. Ideja ishte që çdo dy vjet të bënim një analizë më të hollësishme se cilat mund të ishin dobësitë potenciale të sistemit financiar dhe si mund të rregulloheshin ato. Raporti FSAF jep rekomandime për Shqipërinë se si mund të rregullohen disa nga problemet, si të ecet përpara. Përkoi që ai erdhi në të njëjtën kohë me diskutimet e programit. Më lejoni t’ju shpjegoj se çfarë shikojmë si çështje këtu. Ne kemi nënvizuar prej shumë kohësh tani faktin se varësia e Shqipërisë në borxhin e brendshëm është e lartë. Ky është një rrezik si për bankat ashtu dhe për qeverinë. Kërkesa e qeverisë për rifinancimin e borxhit është e shpeshtë, çdo disa muaj, dhe bankat mbajnë letrat e qeverisë në llogaritë e tyre, dhe nëse ndryshojnë normat e interesit mund të ndryshojë vlera e tyre etj. Kjo u shqyrtua në FSAF dhe ne ramë dakord për disa pika për të ecur përpara. Një pjesë e rrezikut që kanë bankat nga niveli i lartë i borxhit publik që ato mbajnë është zvogëluar nga fakti se ju tani keni një fond investimesh që i është shtuar tregut dhe që po rrit tani blerjet e letrave me vlerë të qeverisë. Ne e shohim këtë si një lëvizje pozitive, si një diversifikim të tregut financiar, e bën sistemin financiar më të sofistikuar dhe që e shpërndan rrezikun, nuk e lë vetëm te bankat. Por, siç mund ta imagjinoni, kur një institucion i ri hyn në treg, ai gjithashtu kërkon rregullim dhe mbikëqyrje nga autoritetet përkatëse që të sigurohemi se nuk përmban rrezik. Dhe kjo është ajo që theksoi FSAF, që i sugjeroi qeverisë që të fuqizojë disa nga këto rregullore, në mënyrë që të forcojë stabilitetin e sistemit financiar. Gjithashtu, si pjesë të FSAF ne bëmë disa teste të stresit për të parë sesi mbajtja e letrave me vlerë të qeverisë ndikon ecurinë e tyre dhe gjetëm që bankat janë shumë rezistente ndaj goditjeve dhe ndryshimeve të normave të interesit. Bankat duket se kanë amortizatorë të mjaftueshëm kapitali për të përballuar këto goditje.
Por niveli i kredive me probleme (nënstandarde) vazhdon të jetë shumë i lartë dhe po rritet…
Siç e dini, kreditë me probleme janë rritur me shpejtësi. Unë mendoj se duhen qartësuar disa çështje lidhur me problemin e NPL-ve (kreditë nënstandarde) në Shqipëri. Njëra është se, ndryshe nga shumë vende të tjera, një pjesë e madhe e NPL-ve është e provigjionuar, që nënkupton se bankat janë më gati për të pasur amortizatorë kundrejt NPL-ve dhe nuk do të ketë ndonjë surprizë në pozicionet e bankave për sa u përket NPL-ve. Pika e dytë është se qeveria ka ndërmarrë një sërë masash së fundmi, që do të përmirësojnë situatën e NPL-ve në Shqipëri. Së fundi është zgjidhur edhe problemi i taksimit të kredive të fshira. Ka lëvizje në drejtim të zyrave të përmbarimit për ekzekutimin e kolateralit. Të gjitha këto çështje do të ndihmojnë bankat që të ecin përpara. Ne kemi zhvilluar para pak javësh një forum të stabilitetit financiar, ku kishte një pranim të gjerë nga bankat se qeveria kishte ndërmarrë masa dhe në njëfarë mënyre, topi ishte në fushën e tyre për të filluar të merreshin me NPL-të dhe të rrisin kredinë në ekonomi. Gjithashtu mendoj se pagimi i detyrimeve të prapambetura do të ndihmojë në uljen e kredive me probleme. Se sa e madhe do të jetë kjo ndihmë, ne nuk e dimë akoma, por ajo do të japë efekt. Përsëri unë dua të theksoj se sistemi bankar shqiptar ka ecur shumë mirë, duke pasur parasysh situatën me të cilën ai është përballur dhe kjo është një pikë që duhet nënvizuar, sidomos nëse kemi parasysh se sistemi bankar është i zotëruar në gati 90% nga banka të huaja, por ne nuk kemi parë shumë probleme. Kjo, në njëfarë mënyre, tregon se Banka e Shqipërisë e ka përballuar mirë situatën dhe ka fuqizuar rregulloren, ka forcuar mbikëqyrjen dhe bankat edhe në kohë krize kanë pasur ecuri të mirë. Unë mendoj se momenti është shumë i mirë pikërisht tani që bankat të bëjnë kthesën dhe të fillojnë të japin kredi, sepse në fund të fundit, Shqipëria është një vend pak i zhvilluar bankar, krahasuar me pjesën tjetër të Europës Lindore, ky sistem bankar është i mbizhvilluar. Sistemi bankar shqiptar është i uritur dhe institucionet e huaja, bankat e huaja, duhet të kenë interes për Shqipërinë, sepse kanë shumë hapësirë për t’u rritur, shumë njerëz nuk kanë depozita, shumë njerëz duan kredi dhe ky nuk është rasti në shumë vende të tjera të Europës dhe prandaj jemi optimistë.
Një pyetje të fundit. Me çfarë frekuence do ta bëni rishikimin e programit dhe çfarë do të bëni në rast se qeveria nuk ecën sipas planit. A do t’i shtoni kushtet, a do të vazhdoni me disbursimin e kredisë, apo do ta ndërprisni atë?
Në shumë mënyra, programi i FMN-së bëhet një objektiv në lëvizje. Më lejoni t’ju tregoj një pjesë të raportit të stafit që është në faqen tonë të internetit (shiko nëndarjen: Disbursimi i kredisë). Këto janë paratë që do të vijnë pas çdo rishikimi. Në të është miratimi i kredisë nga bordi në shkurt 2014. Dhe pastaj çdo tre muaj ne shikojmë objektivat, shikojmë performancën, përshtatemi dhe siç e thashë më parë, nëse ekonomia është e dobët ne përshtatemi, nëse ekonomia është e fortë ne përshtatemi, shohim se çfarë është bërë. Nëse qeveria nuk ka bërë disa masa, ne do ta raportojmë atë në Bord dhe do të themi në publik se kjo është bërë dhe kjo jo. Më pas vazhdojmë duke thënë se në përgjithësi, qeveria ka ecur mirë, apo në përgjithësi qeveria nuk ka ecur mirë. Kjo do të vazhdojë, në rast se në njëfarë faze angazhimi i qeverisë është shumë i dobët dhe ne nuk mund ta mbështesim atë dhe në shumë raste ne ndalojmë. Por, në anën tjetër, nëse angazhimi i qeverisë është i fortë, shikojmë se është bërë progres, do të vazhdojmë me programin. Por në thelb, ne do të jemi në terren çdo tre muaj. Unë nuk shoh ndonjë arsye që kjo të ndodhë, pasi bashkëpunimi me qeverinë ka qenë shumë i fortë. Fillimi ka qenë i mirë dhe shpresojmë se edhe vazhdimi do të jetë i tillë.
Po nëse programi nuk ecën mirë, a do të vendosni kushte të tjera, si rritja e taksave apo e çmimit të energjisë?
Ne do të na duhet që të ulim borxhin për një periudhë të caktuar kohe. Ne do të kemi ende nevojë për më shumë masa në vitin 2015. Nga do të vijnë këto masa? Sërish kjo është pjesë e një menyje të madhe zgjedhjesh që ne i prezantojmë qeverisë dhe që i diskutojmë me ta. Masat për të cilat ramë dakord në buxhetin e vitit 2014 nuk do të preferonim t’i preknim. Dhe ato janë në raportin e stafit. Por, ka dhe masa të tjera që i themi qeverisë mendoni rreth tyre (shiko nënndarjen “Masat e rekomanduara nga FMN”), do të diskutojmë dhe do të zgjedhim disa, në mënyrë që të gjejmë burime kursimi për buxhetin. Dhe ky është zakonisht parimi me të cilin ne veprojmë me qeveritë. Të themi që nuk do të ketë më masa, kjo nuk do të ishte korrekte dhe ju duhet ta kuptoni këtë. Por duke ecur përpara, disa nga reformat, si ajo e energjisë dhe e pensioneve, do të ndihmojnë gjithashtu që të reduktojnë barrën e borxhit. Më lejoni t’ju tregoj një element nga diskutimet për buxhetin 2014. Sërish ne prezantuam shumë masa që ishin shumë më të mëdha se ato për të cilat u ra dakord në buxhet. Ne zhvilluam bisedime teknike me qeverinë, se sa para do të mblidhen, sa do të ishte borxhi dhe diskutuam se çfarë ishte e pranueshme dhe çfarë jo, por në fund të fundit është zgjedhja e qeverisë dhe ne e respektojmë këtë. Ajo që nuk duam është që të bëhen zgjedhje që ndikojnë në uljen e të ardhurave në buxhet, sepse kjo shkakton probleme afatgjata. Por zgjedhjet e politikave janë të qeverisë. Ishte qeveria që vendosi që të zbatonte taksën progresive, në vend të asaj të sheshtë. Ajo që nuk merr vëmendje në Shqipëri është se ne kemi një asistencë teknike. Kam kolegë që vizitojnë Shqipërinë pothuajse çdo muaj që të ndihmojnë qeverinë me administrimin e taksave, me detyrimet e prapambetura me menaxhimin e financave publike, sistemin financiar. Këta kolegë punojnë vazhdimisht me kolegët shqiptarë, në mënyrë që programi të rezultojë i suksesshëm. Unë mendoj se kjo është një lloj marrëdhënieje e qeverisë me FMN-në që nuk merr shumë vëmendje, por është një pjesë shumë e fortë e përmirësimit të sistemit në Shqipëri.
Më lejoni të bëj dhe një lajmërim. Ne kemi zgjedhur një përfaqësues rezident për Shqipërinë nga FMN, që do të fillojë punë së shpejti në Tiranë.