Lërini klientët të zgjedhin universitetin

Nga Gjergj Erebara, botuar në Gazeta Shqip, 24 prill 2014

Si qeveria paraardhëse, ashtu edhe ajo aktuale, nuk dinë çfarë të bëjnë me universitetet private, të cilat në shumicë janë kioska piramidale, fenomene kalimtare në një shoqëri të traumatizuar nga pushteti i shtetit mbi jetën dhe fatet e individëve.

Shqipëria është një vend që në historinë e vet ka pasur një dhunë shtetërore mbi individin, ku shteti i jepte të drejtë vetes të përcaktonte shanset e individit në jetë përmes kontrollit të aksesit në arsimin e lartë. Kjo ishte çfarë ndodhi në kohën e komunizmit dhe në një pjesë të mirë të kohës së postkomunizmit. Dallimi qe i madh. Nëse kishe diplomë të shkollës së lartë, që në kohën e Komunizmit paga e përfituar ishte rreth 50 për qind më e lartë se sa nëse nuk e kishe. Diploma qe çelësi për këtë.

Si pasojë e kësaj koniunkture, qeveria e mëparshme krijoi industrinë piramidale të universiteteve private, të cilat nuk është se kanë ndonjë dallim për nga niveli i cilësisë me universitetet publike, por kanë një taksë mbi diplomën. Kjo lloj takse iu mor shqiptarëve që pranuan ta paguajnë nën premtimin se me një copë letër që quhet diplomë, hapet rruga për t’u punësuar në shtet. Si çdo skemë tjetër piramidale, mashtrimi është afatshkurtër. Sot natyrisht nuk pritet që të ketë shumë shqiptarë të gatshëm për të paguar këto taksë, disa nga universitetet private sakaq i kanë mbyllur dyert, zyrat etj., por vijojnë, falë mungesës së shtetit, të lëshojnë diploma false, përkundrejt taksës në fjalë.

Si të gjitha skemat piramidale, edhe universitetet kanë nevojë për një rritje gjeometrike në numrin e të mashtruarve. Kjo rritje nuk është e mundshme të vijojë pafundësisht. Rrjedhimisht universitetet bënë lobing te qeveria e mëparshme si dhe te qeveria aktuale që t’i marrin paratë nga taksapaguesit. Qeveria aktuale ka krijuar një legjendë, atë të universitetit publik, por nën administrim privat, për të justifikuar taksimin e drejtpërdrejtë të shqiptarëve për një produkt që quhet diplomë universitare, por është larg të qenët e tillë. Kjo legjendë po na shitet si mall importi nga bota anglosaksone. Në fakt është një produkt tërësisht shqiptar. Është një mashtrim. Shqiptarët po detyrohen të paguajnë një taksë në mënyrë indirekte, por nuk kanë të drejtë të zgjedhin diplomën që do të blejnë për fëmijët e tyre.

Qeveria nuk ka vullnetin të bëjë punën e vet, së paku të hetojë universitetet që dukshëm dhe në dijeni të të gjithëve shesin diploma false për njerëz që nuk e kanë frekuentuar shkollën asnjë ditë. Tani, këto diploma false jo vetëm që do të vijojnë të shiten, por do të paguhen edhe nga taksapaguesit.

Kjo është pjesa e parë.

Pjesa e dytë është që ekzistenca e universiteteve private është në thelb një konkurrencë e mirëpritur ndaj universiteteve publike. Por që kjo konkurrencë të funksionojë, nuk duhet të jetë shteti ai që zgjedh se cilin universitet të financojë e cilin jo. Duhet të jetë klienti, pra nxënësi.

Për këtë arsye, bota ka shpikur sistemin e kuponit. Shteti i ndan paratë që ka ndër mend të shpenzojë për arsimin e lartë në pjesëtim të numrit të studentëve që ka ndër mend t’u financojë studimet. Studentët përzgjidhen nga matura shtetërore sipas cilësive që kanë shfaqur, marrin këtë bonus dhe vendosin nëse duan ta shpenzojnë atë në një universitet të lirë publik, të lirë privat apo të shtrenjtë privat duke paguar vetë koston ekstra të cilësisë. (Ka plot vend për politika diskriminimi pozitiv, pra mund të financosh studentë me rezultate të ulëta por që u përkasin shtresave të caktuara).

Kjo nuk u pëlqen piramidalëve. Nëse studentët zgjedhin vetë, ata ka gjasa do të zgjedhin më të mirën për veten e vet, jo më të mirën për pronarin e universitetit. Kjo është edhe arsyeja e krijimit të legjendës për universitet privat por publik, apo të ashtuquajturave modele të importuara.

Bota i ka të gjitha modelet, si universitetet e shkëlqyera private, ashtu edhe universitetet e shkëlqyera publike. Çelësi është që universitetet të konkurrojnë. Konkurrimin duhet ta bëjnë para studentëve, jo para funksionarëve të shtetit.

PS. Si çdo kontratë që vijon në kohë, edhe kontrata mes studentit dhe universitetit duhet të mbikëqyret nga shteti. Për fat të keq, shteti ynë feudal nuk e ofron dot.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi