Historia e ndarjes administrative nga Ismail Qemali në ‘92

Nga Prof. Dr. Arqile Berxholi, botuar në Panorama Online, 23 prill 2014

Në vazhdim të shprehjes së mendimeve lidhur me reformën e re administrative, do të dëshiroja të angazhohesha edhe një herë, por tashmë duke dhënë një pasqyrë të shkurtër të dinamikës që ka pësuar organizimi administrativo-territorial në shtetin shqiptar në harkun e 100 vjetëve të fundit. Një trajtesë e tillë më është dukur e domosdoshme, pasi nga çfarë kam lexuar e dëgjuar për këtë proces gjer më tani, kam krijuar bindjen se nuk njihet kjo dinamikë, çka mendoj se të mund të njohësh të kaluarën mund të orientohesh më saktë në prognozimin e së ardhmes.

Në vitin 2001, nga Ministria e Pushtetit Lokal ish-Qendrës së Studimeve Gjeografike iu kërkua që të kryhej një studim lidhur me historinë e organizimit administrativo-territorial të Shqipërisë dhe të ofrimit të alternativave të mundshme për prognozën. Studimi u realizua, por kurrkush nuk u kujtua për të. Në artikullin e sotëm do të japim pjesë nga ky studim për aspektin historik të trajtuar në studim dhe në një artikull të mëvonshëm, ndoshta mund të flasim edhe për prognozën e mundshme.

Morfologjia e administratës vendore në vitet 1912-1945

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 28.11.1912 çoi në krijimin e një shteti të pavarur (megjithëse të cunguar), i cili e kishte imediat konsolidimin e morfologjisë së vet të administrimit vendor. Parimi bazë mbi të cilin do të mbështetej kjo morfologji, ishte “ai i centralizimit të pushtetit në linjë vertikale”, mbështetur në “Kanunin e Përtashëm të Administratës Civile të Shqipërisë” shpallur më 23 nëntor 1913, por njëherësh u kërkua që të realizohej një farë kufizimi i pushtetit të kryetarit të administratës nga një forum që u quajt Këshilli Administrativ. Kryetari i qeverisë, Ismail Qemali, shfaqi idenë e një

organizimit rajonal sipas shembullit zviceran, madje dhe duke i quajtur njësitë vendore “kantone”. Ky mendim u hodh poshtë me justifikimin se ky organizim do të thellonte përçarjen dhe pavarësia e drejtimit në shkallë të gjerë do të ishte burim intrigash. Në këtë mënyrë qeveria pranoi organizimin e ofruar nga “Kanuni i Përtashëm”, duke vendosur që vendi të ndahej në 10 prefektura, në krye të të cilave do të qëndronin prefektët. Pranë prefektit qëndronte këshilli administrativ, që e kufizonte pushtetin e tij. Si nënnjësi ligjore ekzekutive u pranua nënprefektura drejtuar nga nënprefekti dhe poshtë saj u pranua krahina, e drejtuar nga krahinari. Këshilli administrativ i prefekturës si organ konsultativ kishte Këshillin e Përgjithshëm, i cili përbëhej nga anëtarët e këshillit administrativ, ndërsa ¼ e anëtarëve zgjidhej nga populli. Kur shteti shqiptar nisi punën për zbatimin e një projekti të tillë, Konferenca e Ambasadorëve hodhi poshtë çdo gjë që ishte krijuar dhe i imponoi shtetit shqiptar Statutin Organik të Shqipërisë. Ky statut vërtet që mund të vlerësohet si ligji i parë themeltar i shtetit shqiptar, por e futi shtetin në një rrjedhë tjetër, duke sanksionuar në Shqipëri regjimin monarkist (pasi e shpallte “Principatë Kushtetuese, Sovrane dhe e Trashëgueshme” nën kujdesin e Fuqive të Mëdha. Ky statut u aprovua në Vlorë më 10 prill 1914. Sipas “Statutit” (nenet 95-97), Shqipëria (që ishte nën sundimin e Princ Vidit) nga aspekti administrativ-territorial u nda në 7 prefektura, nën të cilat ishin nënprefekturat dhe më poshtë komunat, të gjitha të njohura ligjërisht. Në Kongresin e Lushnjës u aprovuan “Bazat Kanunore të Këshillit të Lartë” dhe u pranua regjimi monarkik, por në pamundësi për të përcaktuar një “mbret”, drejtimi iu la një regjence të përbërë prej katër personash. “Bazat Kanunore” mbajtën organizimin e mëparshëm administrativ gjer në vitin 1924. I vetmi ndryshim që u bë ishte ndarja e vendit në 8 prefektura dhe në ndarjen lokale (sipas Ligjit Organik të Bashkisë, të aprovuar 26 nëntor 1921) u fut elementi “bashki” për disa qytete (sipas ligjit bashki mund të shpallej qyteti me mbi 250 familje). Në vitin 1924 prefekturat ishin: Berati, Dibra, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Korça, Shkodra, Vlora me gjithsej 39 nënprefektura ku Tirana ishte si nënprefekturë më vete. Në të njëjtën kohë administrata policore u organizua mbi bazën e katër rajoneve me qendër në Shkodër, Peshkopi, Tiranë dhe Përmet. Me shpalljen e republikës, organizimi administrativo-tokësor u krye duke ndarë vendin në 10 njësi të mëdha (prefektura), në nënprefektura dhe në komuna ose krahina (në disa nga zonat rurale, që nuk mund të lidheshin drejtpërdrejt me nënprefekturën), si dhe në bashki në zonat urbane. Sipas kësaj ndarjeje, në vitin 1926 në Shqipëri kishte:

1. Prefektura Berat, 5 nënprefektura (Berat, Fieri, Lushnja, Mallakastra, Skrapari), 5 krahina (Cakrani, Libofsha, Roskoveci, Semani, Tomorica), 531 fshatra me 11.6223 banorë dhe me një sipërfaqe prej 3.933,2 km².

2. Prefektura Dibër, 3 nënprefektura (Dibra, Mati, Zerqani), 11 krahina (Arrasi, Golloborda, Gryka, Homeshi, Kthella, Luznia, Lura, Maqellara, Reç-Dardhë, Strajca, Trojka), 201 fshatra me një popullsi prej 83.006 dhe me sipërfaqe 2.386,1 km².

3. Prefektura Durrës, 4 nënprefektura (Durrësi, Kavaja, Kruja, Shijaku), 4 krahina (Ishmi, Miloti, Ndroqi, Preza), 137 fshatra me një popullsi prej 57.874 banorësh dhe me një sipërfaqe prej 1.596 km².

4. Prefektura Elbasan, 3 nënprefektura (Elbasani, Gramshi, Peqini), 5 krahina (Çermenika,  Librazhdi, Mollasi, Qukësi, Shënepremte), 312 fshatra me një popullsi prej 81.228 banorë dhe me një sipërfaqe prej 2.955 km².

5. Prefektura Gjirokastër, 7 nënprefektura (Çamëri, Delvinë, Gjirokastër, Kurvelesh, Libohovë, Përmet, Tepelenë), 4 krahina (Frashëri, Këlcyra, Poliçani, Saranda), 249 fshatra me një popullsi prej 127.550 banorë dhe me një sipërfaqe prej 4142.3 km².

6. Prefektura Korçë, 5 nënprefektura (Bilisht, Kolonjë, Korçë, Leskovik, Pogradec), 2 krahina (Gora, Opari), 338 fshatra me një popullsi prej 127.864 banorë dhe me një sipërfaqe prej 3.312,1 km².

7. Prefektura Kosovë (Kukësi-A.B.), 3 nënprefektura (Kosova-Kukësi, Luma, Tropoja ose Malësi e Gjakovës), 6 krahina (Bytyçi, Gora, Hasi-Kruma, Krasniqe, Nikaj-Mërtur, Ploshtja), 124 fshatra me një popullsi prej 38.652 banorë dhe me një sipërfaqe prej 2.135,2 km².

8. Prefektura Shkodër, 6 nënprefektura (Dukagjini, Lezha, Malësi e Madhe, Mirdita, Puka, Shkodra), 28 krahina (Bregu i Matës, Bushati, Dibri, Fandi, Grizh-Rjoll, Guri i Zi, Hoti, Iballa, Kastrati, Këlmendi, Kthella, Kushneni, Malësia e Lezhës, Mali i Zi, Oboti, Postriba, Pulaj, Pulti, Puka, Reç-Lohje, Spaçi, Shala, Shëngjini, Shkreli, Shllaku, Shoshi, Thethi, Zadrima), 263 fshatra me një popullsi prej 114.953 banorë dhe me një sipërfaqe prej 4.870,2 km².

9. Prefektura Vlorë, 2 nënprefektura (Himara, Vlora), 1 krahinë (Mesapliku), 93 fshatra me një popullsi prej 45.497 banorësh dhe një sipërfaqe prej 1.360,2 km².

10. Prefektura Tiranë, 1 nënprefekturë (Tirana), 3 krahina (Petrela, Peza, Shëngjergji), 113 fshatra me një popullsi prej 36.646 banorësh dhe një sipërfaqe prej 850 km².

Siç shikohet, në vitin 1926 kishte gjithsej 10 njësi të mëdha vendore, 39 nënnjësi të ndërmjetme, 69 njësi vendore të nivelit të tretë dhe 2351 vendbanime me popullsi tërësore 828.603 banorë. Është për t‘u shënuar që të gjithë njësitë e piramidës kishin fuqi ekzekutive, duke filluar qysh prej fshatit me kryeplakun dhe kryepleqësinë e gjer te prefektura, të gjitha të njohura me ligj.

Me aprovimin e statutit të ri të Mbretërisë, më 1 shtator të vitit 1928 organizimi administrativo-tokësor nuk pati ndonjë ndryshim të ndjeshëm. Bazë juridike për këtë morfologji të re vendore u bë neni 13 i ligjit “Për zbatimin e Kodit Civil”, i cili hyri në fuqi më 15 shkurt 1929. Sipas organizimit administrativ të vitit 1934, vendi u nda në 10 prefektura, 30 nënprefektura, në 160 komuna dhe në 2.551 vendbanime.  Me këtë ndarje u suprimua nënnjësia “krahinë” dhe u fut koncepti “komunë”. Megjithatë, piramida mbeti po ajo, si në organizim, edhe në të drejtat e ushtrimit të pushtetit ekzekutiv. Në organizimin e vitit 1937 u ruajt po ashtu kjo piramidë vertikale, por në emërtime u përdor edhe termi “rreth”, “komunë” e “bashki”. Kështu p.sh., prefektura e Beratit kishte një popullsi prej 158.389 banorësh, të organizuar administrativisht në 4 rrethe. Prefektura e Dibrës me një popullsi prej 86.790 banorësh ishte e organizuar në rrethin e Peshkopisë, në nënprefekturën e Matit dhe në 6 komuna, ku komuna e Zerqanit u specifikua si komunë e klasit të parë. Në prefekturën e Gjirokastrës nuk kishte emërtime “rreth”, por kishte 4 nënprefektura, 5 komuna dhe 1 bashki (Gjirokastra).

Ky organizim administrativ u mbajt gjer në pushtimin fashist italian të vendit, i cili në vitin 1940 bëri ndarjen e re administrative, duke ruajtur 10 njësitë e mëdha të ndara në 30 nënprefektura dhe këto u ndanë në 159 njësi të vogla vendore (23 bashki dhe 136 komuna) me 2.551 vendbanime. Në maj të vitit 1940 ndarja administrative-territoriale ishte:

1. Prefektura e Beratit, 4 nënprefektura (Fier, Lushnjë, Ballsh, Skrapar), 3 bashki (Berat, Fier, Lushnjë), 18 komuna dhe 526 fshatra me popullsi 165.198 banorë dhe me një sipërfaqe prej 3.665 km².

2. Prefektura Dibër, 2 nënprefektura (Burrel-Mat, Zerqan), 2 bashki (Peshkopi, Burrel), 14 komuna me 164 fshatra me një popullsi prej 79.354 banorësh dhe me sipërfaqe prej 2.139 km².

3. Prefektura Durrës, 3 nënprefektura (Kavajë, Krujë, Shijak), 4 bashki (Durrës, Kavajë, Shijak, Krujë-qytete), 12 komuna me 189 fshatra me një popullsi prej 87.380 banorë dhe me një sipërfaqe prej 1.556 km².

4. Prefektura Elbasan, 2 nënprefektura (Librazhd, Gramsh), bashkia (Elbasan), 15 komuna me 315 fshatra me një popullsi prej 103.791 banorë dhe me një sipërfaqe prej 3.549 km².

5. Prefektura Gjirokastër, 7 nënprefektura (Çamëri, Delvinë, Kurvelesh, Libohovë, Përmet, Tepelenë, Sarandë), 5 bashki (Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, Sarandë, Delvinë), 8 komuna me 345 fshatra me popullsi prej 131.723 banorë dhe me një sipërfaqe prej 4.116 km².

6. Prefektura Korçë, 4 nënprefektura (Bilisht, Kolonjë, Leskovik, Pogradec), 19 komuna me 332 fshatra me një popullsi prej 147.652 banorë dhe një sipërfaqe prej 3.750 km².

7. Prefektura Kosovë, 2 nënprefektura (Lumë, Malësi e Gjakovës), 1 bashki (Kukës), 6 komuna, 103 fshatra me popullsi prej 44.861 banorë dhe me një sipërfaqe prej 2.038 km².

8. Prefektura Shkodër, 5 nënprefektura (Lezhë, Dukagjin, Malësi e Madhe, Mirditë, Pukë), 1 bashki(Shkodër), 30 komuna, 356 fshatra me një popullsi prej 147.520 banorë dhe me një sipërfaqe prej 5.575km².

9. Prefektura Vlorë, 1 nënprefekturë (Himarë), 1 bashki (Vlorë), 8 komuna, 92 fshatra me një popullsi prej 56.678 banorësh dhe me një sipërfaqe prej 1.449 km².

10. Prefektura Tiranë, 1 bashki (Tiranë), 6 komuna, 107 fshatra me një popullsi prej 58.678 banorësh dhe me një sipërfaqe prej 911 km².

Në këtë organizim janë respektuar më së miri veçoritë e mjedisit gjeografik, të mjedisit social, të pozitës në ekonominë e rajonit, tradita e marrëdhënieve shoqërore, si dhe mundësia më e mirë e arritjes së veprimtarisë së pushtetit qendror, por edhe të arritjes të mundshme më të favorshme të aktiviteteve nga popullsia. Po kështu, organizimi administrativ kishte siguruar një qëndrueshmëri, pranim e respektim nga popullsia, si dhe një vazhdueshmëri në informacion për njësitë vendore. Kjo e fundit bënte të mundur vlerësimin e dinamikës së zhvillimit, çka vihet re edhe sot nëpërmjet dokumentacionit arkivor. Njëherësh është për të theksuar se administrata e piramidës së pushtetit vendor ishte e kufizuar. Kështu p.sh., në prefekturën e Beratit administrata e prefekturës, me të gjitha nënndarjet e saj, ishte gjithsej 23 persona.

Funksionet dhe funksionarët e piramidës së pushtetit vendor në vitet 1925-1945

Sipas dokumentit arkivor të konsultuar, funksionet dhe funksionarët e pushtetit vendor në intervalin kohor 19256-1945 kanë qenë:

“Bashkia”. Ky element hyri në fuqi pas vitit 1928 dhe më vonë herë u suprimua dhe herë u rivendos. Kryesisht ishte element i përdorur në vendbanimet qytetare të kohës me mbi 250 familje. Në krye ishte kryetari i zgjedhur për tre vjet dhe këshilli bashkiak, i përbërë nga 4-12 anëtarë (sipas madhësisë së bashkisë), të zgjedhur nga populli po për tre vjet. Bashkia ishte homonim me qytetin dhe në të nuk përziheshin vendbanime të tjera, sidomos fshatrat.

“Fshati”. Fshati ishte njësia fillestare e administratës vendore. Ai qeverisej nga kryeplaku, i cili zgjidhej nga mbledhja e përgjithshme e fshatit dhe mbante lidhje direkt me komunën. Pranë tij mund të zgjidhej edhe një kryepleqësi prej 3-5 personash. Kryeplaku interesohej dhe përgjigjej për zbatimin e ligjeve e të urdhëresave, si dhe të interesohej për jetën sociale të fshatit.

“Komuna”. Komuna (për disa kohë është përdorur edhe termi “krahinë”) po ashtu hyri në funksion pas vitit 1928. Kjo njësi përfshinte në përbërje disa fshatra, duke pasur parasysh traditën e marrëdhënieve shoqërore, lehtësinë e komunikimit, mundësinë e realizimit sa më lehtësisht të nevojave të banorëve etj. Fshati me mundësi më të mira komunikimi shpallej qendër komune. Në krye të komunës ishte kryetari i ndihmuar nga sekretari dhe nga këshilli i komunës, i përbërë nga kryepleqtë.

“Nënprefektura”. Nënprefektura ishte hallka e tretë e administratës vendore. Në krye të nënprefekturës qëndronte nënprefekti i emëruar nga prefekti, nga zëvendësi i tij dhe sekretari i nënprefekturës. Në përbërje të kësaj njësie ishin edhe organizmi i rendit, ofiqari i gjendjes civile etj. Nënprefektura kryente funksione që buronin nga pushteti ekzekutiv dhe kontrollohej nga prefektura dhe inspektori i oborrit për pushtetin vendor.

“Prefektura”. Prefektura ishte njësia më e madhe e administratës vendore. Prefektura dhe nënprefektura ushtronin vetëm funksione ekzekutive. Në krye të prefekturës ishte “prefekti” që ndihmohej në punën e tij nga zëvendësi dhe sekretari. Në prefekturë mungonin organet e zgjedhura, por ishte në funksion “këshilli administrativ”, i përbërë nga përgjegjësit e zyrave të administratës dhe disa persona të zgjedhur nga populli (numër i kufizuar) për çdo dy vjet.

Morfologjia e administratës vendore në vitet 1945-1992

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, gjer në mesin e vitit 1946 u pranua ndarja ekzistuese administrative mbi bazën e 10 prefekturave dhe 61 nënprefekturave, duke e suprimuar elementin komunë dhe bashki. Mbi bazën e këtij organizimi u krye edhe regjistrimi i popullsisë në shtator të vitit 1945. Me ligjin Nr.284, datë 22 gusht 1946, u aprovua ndarja e re administrative, e cila ruajti po 10 njësitë e mëdha (prefekturat) dhe pranoi si nënnjësi nënprefekturën me 39 njësi, duke futur një element të ri, lokalitetin, por jo shumë të shtrirë. Me ndarjen e re administrative në vitin 1947 lokaliteti mori përdorim të gjerë. Tashmë vendi u nda në 10 njësi të mëdha të quajtura prefektura, 2 nënnjësi të quajtura rrethe dhe më tej në lokalitete, fshatra dhe qytete. Me ligjin nr. 1707, në vitin 1953 u kalua në një ndarje të re administrative, ku si njësia më e madhe u pranua të jetë qarku (10 njësi), i cili ndahej në rrethe (49) dhe në lokalitete (30) si nënnjësi e rrethit. Në vitin 1954 ishte kjo ndarje administrative:

1. Qarku i Beratit me sipërfaqe 2.641,6 km², popullsi 159.248 banorë me rrethet Berat, Lushnjë, Myzeqesë, Roskovec, Skrapar. Rrethi i Beratit kishte dy lokalitete të specifikuar: të Terpanit dhe të Kuçovës; po ashtu edhe rrethi i Skraparit kishte të specifikuara dy lokalitete, atë të Potomit dhe të Tomoricës.

2. Qarku i Dibrës me sipërfaqe prej 2.691,6 km² dhe me popullsi 107.428 banorë ishte ndarë në rrethet: Peshkopi(më vete lokaliteti i Selishtës), Burrel, Klos, Shumbat (më vete lokaliteti i Lurës), Shupenzës (me lokalitetin më vete të Klenjës).

3. Qarku i Durrësit me sipërfaqe 673.6 km², popullsi 92.851 banorë ishte i ndarë në rrethin e Durrësit, Shijakut (më vete lokaliteti i Ishmit), Kavajës (me lokalitetin më vete të   Rrogozhinës).

4. Qarku i Elbasanit me sipërfaqe 3.235,6 km², popullsi 133.818 banorë, ishte i ndarë në rrethin e Qendrës (me lokalitetin e Gjinarit), Gramshit (me lokalitetin e Sojnikut), Cërrikut, Peqinit, Librazhdit (me lokalitetin e Qukësit).

5. Qarku i Gjirokastrës me sipërfaqe 3.859,2 km², popullsi 151.690 banorë ishte i ndarë në rrethin e Gjirokastrës (me lokalitetet Dropull i Sipërm, Poliçan-Zagorie), Përmetit (me lokalitetin e Frashërit), Këlcyrës, Tepelenës (me lokalitetin e Progonatit dhe të Buzit), Sarandës, Delvinës (me lokalitetin e Vagalatit).

6. Qarku i Korçës me sipërfaqe 3.819,6 km², popullsi 188.852 banorë, ishte i ndarë në rrethin e Qytetit (me lokalitetet Pustec, Lavdar, Vithkuq), Bilishtit, Ersekës, Leskovikut, Maliqit (me lokalitet Moglicën), Pogradecit.

7. Qarku i Kukësit me sipërfaqe 2.584 km², popullsi 64.111 banorë, ishte i ndarë në rrethin e Kukësit (me lokalitetet Fan dhe Krumë), Bicajt (me lokalitetin Shishtavec), Bajram Curri.

8. Qarku i Shkodrës me sipërfaqe 4.667,6km², popullsi 169.851 banorë, ishte i ndarë në rrethin e Qendrës, Koplikut (me lokalitetin e Selcës), Dukagjinit(me lokalitetin e Nicaj-Shlës), Zadrimës, Lezhës, Mirditës, Pukës (me lokalitetin e Iballës).

9. Qarku i Vlorës me sipërfaqe 2.595,6 km², popullsi 166.083 banorë, ishte i ndarë në rrethin Vlorë (me lokalitetin Kuç), Fier, Ballsh, Himarë, Kotë.

10. Qarku i Tiranës me sipërfaqe 1.779,6 km², popullsi 144.146 banorë, ishte i ndarë në rrethin e Qendrës (me lokalitetin e Shëngjergjit), Krujës, Petrelës.

Siç vërehet, lokalitetet zakonisht janë organizuar për njësi territoriale të veçanta: zona të thella apo me probleme të ndryshme të aspektit etnik.

Me dekret të vitit 1958 (muajit korrik), nr. 2773, u kalua në ndarjen e re administrative, ku suprimohet njësia qark dhe si njësi më e madhe vendore caktohet rrethi. Gjithë vendi tashmë u nda në 27 njësi, prej të cilave 26 ishin rrethe, ndërsa qyteti i Tiranës doli si njësi administrative më vete. Numri i  lokaliteteve shkoi në 203, kur numri i vendbanimeve ishte 2664. Si piramidë administrative tashmë në krye ishte rrethi, nën të vinte lokaliteti dhe më tej fshati-qyteti. Qyteti i Tiranës ndahej në njësi më të vogla administrative të quajtura “lagje”.

Ky sistem i organizimit administrativ e bëri të pamundur vazhdimin e formacionit më të hershëm, pasi pati copëzime të ndjeshme të ish-njësive administrative.

Ndarja administrative e sipërshënuar qëndroi gjer në vitin 1967, kur me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor “Mbi zgjedhjet e këshillave popullorë dhe gjykatave popullore” hyn në morfologjinë administrative një element i ri “fshati i bashkuar”, i lindur si pasojë e procesit të kooperimit socialist të bujqësisë. Në vitin 1968, në Shqipëri kishte 26 rrethe (Tirana e humbet statusin e veçantë), 104 lokalitete, 315 fshatra të bashkuara, 2545 fshatra dhe 56 qytete. Në disa qytete u organizua nënnjësia administrative “lagje”. Me nënnjësinë “fshat i bashkuar” kishte një problem se në disa raste nuk përfaqësonte një njësi unike hapësinore. P.sh. në rrethin e Gjirokastrës, ish- fshati i bashkuar Muzafer Asqeri fillimisht përfshinte fshatra nga Lunxhëria, lugina e lumit Drin dhe Rrëza e Libohovës. Njësia e rrethit kishte komitetin ekzekutiv me seksionet, që merreshin me çështje të pushtetit ekzekutiv dhe këshillin popullor të rrethit, që ishte organ legjislativ, në njësitë “fshat i bashkuar” dhe “lagje” këshilli popullor i kryente të dyja funksionet (ekzekutive dhe legjislative). Ky lloj organizimi administrativ qëndroi gjer në vitin 1990 kur kishte 26 rrethe, 539 fshatra të bashkuara, 306 lagje qytetesh, 57 qytete dhe 2848 fshatra. Qyteti dhe fshati ishte hallka bazë e organizimit administrativ. Pavarësisht nga kjo ndarje administrative, duhet thënë se ka pasur gjatë të gjithë kohës mjaft paqëndrueshmëri të përbërjes sipas vendbanimeve, të cilët brenda një kohe të shkurtër kanë kaluar sa në një ndarje në ndarjen tjetër. Kjo jo vetëm që shkëputi informacionin me të kaluarën, por edhe vetë brenda periudhës kohore të vet, pasi për jo pak njësi vendore nuk mund të gjenden materiale, sidomos statistikore, në vazhdimësinë kohore 1945-1990.

Ndryshimet pas viteve 1990

Ndryshimet politike pas vitit 1990 u pasuan edhe me ndryshimet në organizimin administrativ-tokësor të vendit dhe kjo ishte e natyrshme, pasi rendi i ri ekonomiko-shoqëror kërkonte dhe organizimin e pushtetit vendor që t‘i përshtatej. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr.269, datë 25.06.1992, u kalua në ndarjen e re administrative, e cila kishte një piramidë të tillë: rrethi, bashki/komunë. Me vendim të Këshillit të Ministrave, mbështetur në ligjin nr.7608, datë 22.09.1992, u fut në ndarjen administrative njësia më e madhe vendore “prefektura”. Zbatimi i këtyre vendimeve krijoi morfologjinë vendore të përbërë nga 12 prefektura, 36 rrethe dhe 357 komuna dhe bashki. Me aprovimin e Kushtetutës në vitin 1998, në organizimin administrativo-tokësor tashmë njihen vetëm dy njësi: qarku si njësi e madhe dhe komunë/bashkia.

Por çfarë solli kjo ndarje e re administrative?

1. U krijuan njësi të mëdha vendore (prefektura) në hapësira me probleme dhe pa asnjë eksperiencë administrimi, si prefektura Lezhë aq më shumë e madhe, saqë në përbërje të saj u përfshi rrethi i Mirditës, si dhe ½ e ish-rrethit të Krujës. Pra, një bashkim mekanik sipas interesit të partisë përkatëse për të pasur elektoratin e mundshëm. Po ashtu u krijuan prefektura si Vlora, që u zgjat në të gjithë bregdetin e Jonit (për 125km), duke bërë të pamundur administrimin e tij, pasi edhe për këtë njësi mungonte një traditë e tillë administrimi. Koha tregoi se çfarë ndodhi me këtë hapësirë dhe si u masakrua ajo nën këtë administrim, kur tradicionalisht ishte administruar nga prefektura Gjirokastër.

2. Njësitë vendore rreth u copëzuan po sipas interesave elektorale, pa pasur kurrfarë parimi ekonomik apo shoqëroro-hapësinor. Disa nga këto njësi ishin krejt parazite, pa asnjë aktivitet të mundshëm ekonomik. Kështu u shkëput Bilishti nga Korça, Kuçova nga Berati, Mallakastra nga Fieri, Kavaja nga Durrësi, Hasi nga Kukësi, Malësia e Madhe nga Shkodra, Laçi nga Kruja, Peqini nga Elbasani, Bulqiza nga Dibra. Veç kësaj, u bënë edhe bashkime pa kurrfarë vlere. Laçi iu bashkua Lezhës, Kavaja iu bashkua Tiranës, Bulqiza mori pjesë nga Mati dhe nga Dibra etj. Që të gjitha këto u bënë thjesht dhe vetëm për interesa elektorale, për të siguruar “bastione të besuara”.

3. Për hallkat komunë/bashki nuk u bë gjë tjetër, por u ruajtën ish-fshatrat e bashkuara të socializmit, duke suprimuar ndonjë fshat të bashkuar sinjifikativ, siç ishte p.sh. rasti i fshatit të bashkuar Drithas në Korçë, që kishte në përbërje edhe fshatin Shtyllë dhe Çemericë, ose u copëzua ndonjë fshat tjetër i bashkuar, siç ishte rasti i fshatit të bashkuar Muzafer Asqeri në Gjirokastër, që u nda në tri njësi komunale, apo fshati i bashkuar Asim Zeneli, që po ashtu u nda në dy njësi komunale, sepse kështu siguroheshin votat për partitë e ndryshme politike. Komunat e tjera në rrethin e Gjirokastrës mbetën po në kufijtë e ish-fshatit të bashkuar: Pogoni, Zagoria, Picari, Mashkullora, Grapshi, Vrisera, Lazarati.

4. Në njësinë bashki, por edhe komunë ndonjëherë, përfshihen vendbanime qytetare dhe fshatare, që të mund të realizojë njësia funksionin e vet, pasi problemet janë krejt të ndryshme. Mendimi i shfaqur se qyteti nuk mund të jetojë pa bujqësinë në këtë koncept nuk ka vend. Ky koncept mund të funksionojë kur flitet për procesin e urbanizimit dhe elementet në të cilat ai shfaqet zona urbane, suburbane, rururbane etj).

Në mbyllje, mund të them pa mëdyshje se kjo ndarje administrative ishte thjesht një “katrahurë elektorale”, nxitur nga egoizmi për pushtet, pa menduar se çfarë pasojash do të sillte. Përsëri koha tregoi se çfarë “polli” kjo morfologji administrative. Ato çfarë janë thënë e thuhen për të ashtuquajturin “liberalizim të pushtetit vendor dhe rritjen e kompetencave të tyre” në një morfologji të tillë, janë thjesht “petulla me ujë”.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi