Reforma pa opozitën, edhe 4 ditë afat për konsensusin
Argument sipas Mapo Online, 21 prill 2014
Të enjten, më datë 24 prill përfundon afati i komisionit parlamentar për reformën territorialo-administrative. Por për shkak se ai nuk arriti të konstituohej asnjëherë për shkak se opozita nuk pranoi që të bëhej pjesë e tij pa siguruar të drejtën e vetos edhe gjatë miratimit në seancë, këtë të enjte ky afat pritet të shtohet edhe me dy muaj të tjerë. Kështu parashikon projektvendimi i paraqitur në Kuvend nga PS, ku veç të tjerash propozohet gjithashtu edhe ndryshimi i përbërjes dhe i vendimmarrjes së këtij komisioni, si një përpjekje për të zhbllokuar punën e tij nga mospjesëmarrja e opozitës në të. Ky vendim siç mësohet, u propozua të mërkurën e shkuar nga kryetari i grupit socialist, Gramoz Ruçi, i cili kërkoi që të miratohej që të enjten e shkuar. Por duket se jo e gjithë mazhoranca ishte e gatshme për ta miratuar këtë projektvendim siç edhe është paraqitur, kjo pasi një pjesë e saj kërkon me ngulm gjetjen e një zgjidhjeje konsensuale me opozitën. Burime nga shumica qeverisëse kanë bërë të ditur se përfaqësues të LSI-së kanë qenë të rezervuar për ta miratuar këtë vendim të enjten e shkuar dhe kjo për dy arsye: së pari për shkak të nevojës për të respektuar procedurën parlamentare, ku një propozim i tillë më parë duhet të kalojë në Konferencën e Kryetarëve dhe së dyti, që duket se është edhe më e rëndësishmja, për t’i dhënë dhe një javë kohë vetes dhe opozitës për të mundësuar një zgjidhje konsensuale për këtë çështje. Ndaj 4 ditët që kanë mbetur deri të enjten konsiderohen nga mazhoranca si ditët e përpjekjes së fundit për të arritur konsensusin me të djathtët, të cilët nga ana e tyre janë të vendosur për të mos hequr dorë nga kërkesa për të patur të drejtën e vetos edhe në seancë plenare për këtë reformë.
Shansi i fundit
Dhe një rast i mirë për të tentuar këtë konsensus konsiderohet mbledhja e Konferencës së Kryetarëve që ka thirrur Meta dhe që pritet të zhvillohet në ditët e para të javës. Në këtë mbledhje pritet që Meta të luajë rolin e ndërmjetësit të palëve për t’i afruar ato drejt një marrëveshjeje. Në të kundërt, pra në rast të dështimit edhe të këtyre përpjekjeve, të enjten Parlamenti pritet të votojë projekt-vendimin e paraqitur nga Ruçi, ku parashikohet se “Komisioni i Posaçëm ngrihet mbi bazën e përfaqësisë pozitë-opozitë. Në përbërje të tij do të ketë 17 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të pozitës (7 PS dhe 2 LSI) dhe 8 përfaqësues të opozitës (6 PD, 1 PR dhe 1 PDIU)”. Një tjetër ndryshim lidhet edhe me shtyrjen e afatit të punës të këtij komisioni. Më tej në këtë propozim theksohet se, pavarësisht këtij ndryshimi të numrit të anëtarësisë, “opozita ruan të drejtën për të kërkuar ndryshimin e këtij përfaqësimi në çdo moment nëse vendos të bëhet pjesë e reformës”. Një tjetër ndryshim në vendimin e janarit të Kuvendit është edhe ai që përcakton se “Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur në to janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij” dhe se “Vendimet merren me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve të komisionit”. Gjithsesi, për të lënë të hapur mundësinë që kjo reformë të miratohet me konsensus, PS në këtë projektvendim ka parashikuar edhe një pikë, ku shprehet se “vendimmarrja e komisionit në rastin e një raporti të ri pozitë-opozitë do të synojë të arrijë konsensusin për të gjitha propozimet dhe vendimet quhen të miratuara me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të komisionit, bazuar mbi konsensusin e arritur mes pozitës dhe opozitës”.
Por në rast të mosgjetjes së konsensusit dhe miratimit të këtij projektvendimi nga mazhoranca me forcën e kartonëve, atëherë pritet që situata politike në vend të përshkallëzohet akoma më shumë. Kjo pasi opozita në një rast të tillë ka paralajmëruar destabilizim të situatës politike në vend, por jo vetëm.