BB: Në Shqipëri shtresa më e varfër e popullsisë, gati gjysma e saj, po bëhet edhe më e varfër
Publikim i Bankës Botërore, 14 prill 2014
Banka Botërore lëshon alarmin se gati gjysma e familjeve shqiptare, ato që përbëjnë pjesën më të varfër të vendit, nuk kanë përfituar nga rritja ekonomike, por përkundrazi prej një kohe të gjatë janë përballur më rënien e të ardhurave.
Në një raport të sapopublikuar, Banka thotë se, përgjatë periudhës 2005-2010, 40 përqind e familjeve totale të vendit, ato që përbëjnë dhe pjesën më të varfër, jo vetëm që nuk kanë pasur rritje mirëqenieje, por janë përballur me tkurrjen e të ardhurave të tyre, mesatarisht 1,2 përqind në vit.
Kjo e vendos Shqipërinë si një nga vendet e pakta në Europë dhe Azi, ku shtresa më e varfër e popullsisë, gati gjysma e saj, po bëhet edhe më e varfër, ndërsa pjesa tjetër vazhdon të rrisë mirëqenien. Bashkë me Shqipërinë, shpërndarje të ngjashme të mirëqenies kanë pasur edhe Kroacia, Maqedonia, Serbia dhe Gjeorgjia. Në të gjitha vendet e tjera, të varfërit kanë përfituar nga rritja ekonomike dhe kanë pasur rritje të qëndrueshme të të ardhurave.
Por, rritja e pabarazisë në të ardhura nuk është problemi i vetëm. Dokumenti i Bankës konfirmon se më të varfërit kanë më pak mundësi që të gjejnë një punë, por edhe të shkollohen, çka i mban ata të mbërthyer për një kohë të gjatë në kthetrat e varfërisë.
Sipas raportit, numri i të rinjve – që kryejnë arsimin e lartë – me prejardhje nga 40 përqindëshi i familjeve më të varfra është 2,5 herë më i ulët, se sa ai i 60 përqindëshit tjetër. Gati në këto raporte është edhe norma e papunësisë.
Pabarazia dhe përqëndrimi i mirëqenies janë shndërruar në problemet më të mëdha edhe tek ekonomitë më të zhvilluara të globit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe vendet e Eurozonës.
Gjatë viteve të fundit dhe, veçanërisht me shpërthimin e krizës, gjithmonë e më shumë mirëqenia është përqëndruar te më të pasurit, duke i lënë shtresat e tjera të shoqërisë pas. Një tendencë që, sipas Bankës Botërore, ka prekur edhe Shqipërinë. / Top Channel