Buxheti, rriten të ardhurat me 4. 9 %

Sipas Ministrisë Financave, 22 mars 2014

Të ardhurat totale në buxhet u rritën me 4.9 % me bazë vjetore për periudhën janar-shkurt 2014, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Ministria e Financave, duke përmirësuar ndjeshëm ritmet, në krahasim me janarin, kur performanca rezultoi negative (në janar të ardhurat ranë me 1.4 % me bazë vjetore). Të ardhurat tatimore, që zinin 88% të totalit të të hyrave në buxhet u zgjeruan me 5% për dy muajt e parë të vitit, duke arritur në 46.4 miliardë lekë. Ndikimin kryesor në këtë rritje e shënoi ecuria e mirë e TVSH-së, e cila u zgjerua me 17%, apo 2.7 miliardë lekë (nga 2.1 miliardë lekë që u rritën të ardhurat nga tatimet e doganat në total), duke arritur në 18.3 miliardë lekë. Të ardhurat nga tatim fitimi ndalën rënien e konstatuar në janar. Ato rezultuan 2.36 miliardë lekë për janar shkurtin 2014, pothuajse në të njëjtin nivel me dy mujorin e parë të vitit të kaluar. Në janar, të ardhurat nga ky zë ranë me 25% me bazë vjetore. Sipas Ministrisë së Financave, ky rendiment negativ shpjegohet me faktin se një vit më parë, ky zë mblidhej ose biznesi e paguante çdo muaj kurse me ndryshimet ligjore, tani paguhet një herë në tre muaj. Si rrjedhojë, duhet pritur edhe ecuria e marsit për të gjykuar nëse rritja e tatim fitimit nga 10 në 15% (efektive që nga 1 janari 2014) do të reflektohet në më shumë të ardhura në buxhet. Akciza ka vijuar rënien, duke ndjekur të njëjtën tendencë si janari, teksa tregtarët në dhjetor nxituan të importojnë më shumë karburante e cigare, në pritje të hyrjes në fuqi të taksave të reja. Të hyrat nga kjo taksë u tkurrën me rreth 22% me bazë vjetore, në 3.7 miliardë lekë. Megjithatë, rënia u ndal në shkurt. Të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë rënë me 7.3% me bazë vjetore, në 4.6 miliardë lekë. (në muajt e parë të 2013, qeveria e mëparshme përfshinte në llogaritjen e TAP edhe 30 mijë lekëshin e parë të pagës, kurse tani në janar 2014, ky nivel përjashtohet. Financat kanë planifikuar për gjithë vitin 2014, një rritje të të ardhurave në vlerë absolute me rreth 13%.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi