Dosja e çdo nëpunësi, në një regjistër qendror
Nga Lorenc Rabeta, Gazeta Shqiptare, 21 mars 2014
Dosja e çdo punonjësi të administratës publike do të arkivohet në Regjistrin Qendror të Personelit. Në të do të reflektohen të dhëna parësore, të dhënat profesionale, të dhënat për marrëdhëniet e punës, arsimin, rekrutimin, trajnimin, pagat, sigurimet dhe përmbajtja e dosjes së personelit të çdo të punësuari në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore. “Të gjitha institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore janë të detyruara të krijojnë dhe të administrojnë dosjen e personelit të çdo të punësuari në institucionin e tyre”, përcakton Këshilli i Ministrave në një prej akteve nënligjore në plotësim të Ligjit “Për Nëpunësin Civil”, të publikuar dje në Fletoren Zyrtare.
Sipas vendimit, Regjistri Qendror i Personelit krijohet dhe administrohet nga Departamenti i Administratës Publike. Regjistri Qendror i Personelit është një bazë unike të dhënash elektronike, në të cilën ruhet, përpunohet dhe menaxhohet kryesisht informacioni për burimet njerëzore aktive në të gjitha institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore. Nëpunësi/punonjësi është i detyruar t’u përgjigjet menjëherë kërkesave të njësisë së menaxhimit të burimeve njerëzore, për të gjitha të dhënat e përcaktuara në këtë vendim si dhe të njoftojë menjëherë për ndryshimin e tyre. “Nëpunësi/punonjësi mban përgjegjësi për vërtetësinë e të dhënave që jep për plotësimin e dosjes së personelit”, përcakton një prej neneve të aktit nënligjor.
Dosja e personelit është individuale dhe përmban të dhëna të karakterit teknik, profesional, masat disiplinore, të dhëna për vlerësimin periodik të rezultateve individuale në punë, si dhe të dhëna të tjera. Njësia e menaxhimit të burimeve njerëzore në çdo institucion do të përgjigjet për mbajtjen dhe sistemimin e dosjeve të personelit për çdo të punësuar. Në vendim përcaktohet gjithashtu se dosja e personelit ka karakter konfidencial. Personat që kanë të drejtë të njihen me këtë dosje janë eprori direkt, nëpunësit e njësisë së menaxhimit të burimeve njerëzore, nëpunësi/punonjësi, të cilit i përket dosja, Komisioneri i Shërbimit Civil, Departamenti i Administratës Publike, Sekretari i Përgjithshëm, titullari i institucionit si dhe institucione të tjera të ngarkuara nga ligji. “Të gjithë përdoruesit në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore kanë detyrimin të kujdesen për ruajtjen dhe konfidencialitetin e privilegjeve të aksesit në bazën e të dhënave elektronike të Regjistrit Qendror të Personelit dhe mbajnë përgjegjësi personale të drejtpërdrejtë në rast të shkeljes së rregullave, pakujdesisë apo keqpërdorimit të nivelit të tyre të aksesit”, përcakton vendimi.