Presidenti Nishani mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

11 mars 2014

Dhjetë vjet nga hartimi i dokumentit të fundit të sigurisë kombëtare, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani merr nismën e hartimit të strategjisë së re duke thirrur në tryezë drejtuesit më të lartë të institucioneve. 

Në tryezën e Presidentit qëndronin Kryeministri Edi Rama në krah të Ministrave Bushati e Tahiri, përballë tij Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe binte në sy se në krah të kryeparlamentarit, ndonëse nuk është anëtar, por ishte ftuar, Presidenca kishte vendosur liderin e opozitës, Lulzim Basha. E menjëherë pas tij vinin ministra të kabinetit qeveritar, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, kreret e Komisioneve të Sigurisë e Integrimit.

Të gjithë këta u ulën në tryezen e Presidentit të Republikës, që shënon edhe fillimin e punës së institucioneve të vendit për një strategji të re të sigurisë kombëtare. E kërkuar nga qeveria Rama sapo mori detyrën dhe për të cilën në 2 dhjetor të vitit të shkuar me urdhër të Kryeministrit u ngrit grupi i punës,  strategjia e sigurisë kombëtare, do të përfshijë: “Mirëfunksionimi i Forcave të Armatosura, ruajtja e rendit, Shërbimi Informativ, masat për ruajtjen nga terrorizmi, lufta kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar, ruajtja e kufijve të vendit, paprekshmëria tokësore dhe detare, kujdesi për ekonominë në tërësi si dhe kujdesi për ruajtjen e burimeve energjitike, bizneseve strategjike, monedhën, shëndetin e shtetasve etj”, deklaroi Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Duke kërkuar bashkëpunim dhe përafrim këndvështrimesh mes aktorëve dhe faktorëve që do të marrin pjesë në hartimin e legjislacionit, Presidenti gjeti rastin të sqarojë prezencën e kreut të opozitës, një ftesë e shoqëruar me polemika mediatike. “Për ta bërë sa më të plotë dhe gjithëpërfshirës bashkëpunimin në çështjet e sigurisë kombëtare, në këtë mbledhje të sotme, që nuk ka lidhje me ndonjë rrezik akut, por me procesin e hartimit të një dokumenti që do të shtrijë efektet e tij për dekada të ardhshme, te një dokument që do të orientojë reformat më të rëndësishme të këtij vendi, në funksion të zgjerimit të audiencës tradicionale kam ftuar kryetarin e opozitës, zoti Lulzim Basha. E falenderoj me këtë rast Bashën dhe i them se e mirëpres kontributin e tij në çështjet e sigurisë kombëtare”, tha Nishani.

Në pjesën me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurisë kanë referuar dy ministra të kabinetit qeveritar. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, dikasteri i të cilit drejton procesin e hartimit të strategjisë së sigurisë kombëtare, është fokusuar tek metodologjia që do të ndiqet, afatet dhe detyrat konkrete të cdo institucioni. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli mësohet se ka referuar mbi zhvillimin  e reformës së ristrukturimit të forcave të armatosura. Në pjesën e lirë të diskutimit mësohet se ka qenë kryetari i opozitës Lulzim Basha ai që ka marrë fjalën duke përshëndetur dhe mbështetur hartimin e strategjisë së re të sigurisë kombëtare.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare është mbledhur për herë të fundit pas shpërthimit tragjik të Gërdecit nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Pas kësaj, ish-kreu i shtetit, që u përball me një marrëdhënie të vështirë me qeverinë Berisha, nuk arriti dot të mblidhte më këtë strukturë. Bamir Topi nuk arriti të mblidhte Këshillin as pas ngjarjes së rëndë të 21 Janarit, ndërsa dështoi gjithashtu një përpjekje tjetër e tij në kohën e përmbytjeve në Veri të vendit, kur drejtuesit e qeverisë dhe institucioneve në varësi të saj nuk e konsideronin në lartësinë e një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë. Kjo shpjegon edhe përse vendi mbeti me një dokument të strategjisë kombëtare të sigurisë që daton në 2004. Paradoksalisht dokumenti në fuqi përmban ende si objektiv kombëtar anëtarësimin e vendit në NATO, edhe pse Shqipëria është anëtare e Aleancës prej 5 vjetesh.

Me ndryshimin e qeverisë dhe kërkesës së kësaj të fundit për rishikim të strategjisë së sigurisë, institucionet do të nisin hartimin e dokumentit, për të reflektuar realitetet e reja në vend dhe jashtë tij,  anëtarësimin në NATO, integrimi në BE, por edhe cështje të ekonomisë kombëtare, të korrupsionit e trafiqeve, apo sundimit të ligjit,  sikundër edhe zhvillimet  e reja në rajon si pavaresia e Kosovës, ndryshimet rrënjësore në Ballkanin Perëndimor, Europë dhe më gjerë, që nuk reflektoheshin në dokumentin e konsideruar të vjetëruar  dhe për të cilin shumë herë ekspertë të sigurisë kishin ngritur domosdoshmërinë e hartimit të strategjisë së re. Hartimi i një dokumenti të ri të sigurisë kombëtare, ishte kërkuar edhe prej Aleancës së Atlantikut të Veriut. Strategjia e re Sigurisë pritet të përfundojë në fund të muajit maj. Ajo do të konsultohet nga ekspertë të fushës dhe shoqërisë civile. Projekt-dokumenti do t’i paraqitet Këshillit të Ministrave, Kuvendit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe miratimi pritet të bëhet jo më vonë se korriku i 2014-ës. Ky afat i paraprin samitit të NATO-s në Britani në shtator të këtij viti, ku vendi ynë do të mund të paraqesë një dokument të ri, që tregon panoramën e sigurisë së brendshme për t’iu përgjigjur detyrimeve të anëtarësimit tonë në NATO.

Fjalën e plotë të Presidentit të  e gjeni duke klikuar KETU

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi