100 vjet nga Shqipëria e Princ Wied

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 8 mars 2014

Sot mbushen 100 vjet nga dita kur në Durrës arriti Wilhelm zu Wied, Princi i emëruar nga Fuqitë e Mëdha në krye të Principatës Shqiptare të dalë nga Konferenca e Londrës. Është përvjetori i ditës së parë të 180 ditëve të një modeli, në të cilin Princ Wied ishte dhe mbetet kryetari i shtetit me formim dhe mbështetje më perëndimore në historinë shekullore të shtetit shqiptar. Ai ishte gjerman, nga familja mbretërore e këtij vendi të madh, propozim i Austro Hungarisë shtetit më pro-shqiptar të kohës, dhe me mbështetje të fortë fillestare nga Italia dhe Rumania, dy vende aktive në zhvillimet që lidheshin me Shqipërinë.

Në ndryshim nga modelet historike gjermane me mbretër të deleguar edhe në Greqi apo Bullgari në fillim të shekullit XVIII, Wied përbën një rast unik në një situatë të jashtëzakonshme. Mandati i tij nisi në kohën kur ushtria e ndonjë vendi fqinj ishte ende forcë pushtuese në vend, kur shqiptarët e ndarë nga Perandoria Otomane nuk kishin as shtet, as institucione, as kulturë politike perëndimore dhe as një bazë solide sociale, kulturore dhe infrastrukturore që mundësonin diçka të tillë. Ishte koha kur themeluesin e shtetit shqiptar e kishim detyruar të emigrojë, kur vendi ndodhej në dilemë historike midis zgjedhje orientale dhe oksidentale, dhe kur shqiptari më i pushtetshëm në vend ishte një nga modelet më negative të historisë tonë kombëtare, Esat Pashë Toptani.

Fuqitë e Mëdha premtuan mbështetje financiare, mbështetje ushtarake, mbështetje politike, shtet dhe administratë, drejtësi dhe forca sigurie, – pra gjithçka që mungonte dhe që fatkeqësisht i mungoi Shqipërisë në vitin e trishtë 1913-1914. Wied arriti në tokën shqiptare me betimin se do të bënte më të mirën dhe siç e tipizon diplomati Italian F.Salleo “ai ishte betuar se do të kishte në zemrën e vet vetëm të mirën e nënshtetasve të vet, kurse oficerët dhe funksionarët e huaj e ruanin të pacenuar besnikërinë e parë dhe ekskluzive ndaj vendit të vet”, një kontrast që shpjegon konkluzionin e çdo studiuesi të periudhës së tij, se Wied u la në mëshirë të fatit nga vetë Fuqitë e Mëdha, pavarësisht nga kërkesat e shumta për ndihmë.

Një numër studiuesish bëjnë përgjegjës për bilancin tragjik të shtetit të ri gjendjen e jashtëzakonshme brenda vendit dhe shpërthimin e Luftës Botërore, kurse një prej mendimtarëve kryesorë shqiptarë, Fan Noli, është më i prerë: “Princ Wied mund ta fajësojmë vetëm për një gjë: që Widi nuk mund të bënte mrekulli”. Një epitaf simbolik i mbretërimit 6 mujor të Wied gjendet në përshkrimin profesional të Arbër Xhaferi, sipas të cilit, “përmes princ Wied Shqipërisë iu ofrua mundësia e oksidentalizimit të sistemit te saj. Oferta u refuzua, u ngatërrua me interesa të vogla të despoteve të vegjël, intelektualëve të paardhur, diktatorëve paranoikë, për të vonuar procesin historik thuajse tetë dekada“.

Wilhelm Wied dhe bashkë me të edhe Shqipëria pati një fat dramatik. Ai u dëbua nga vendi, u braktis nga Fuqitë e Mëdha, u bë viktimë e Luftës së Parë Botërore, u përball denjësisht me Luftën e Dytë dhe pas saj, me vendosjen e sistemit komunist Wied vdiq nën persekutim në Rumaninë sovjetike, Shqipëri hyri në orbitën sovjetike. Kritikët shpesh merrem me nivelin intelektual të Wied dhe mosnjohjen sa duhet të realitetit shqiptar, duke pranuar dominues dhe thelbësor këtë të fundit, pra realitetin dhe mentalitetin vrastar, otoman dhe gati feudal të një shoqërie në embrionet e saj shtetërore. Kritikët merren me Paktin e Korfuzit pa i kushtuar rëndësi faktit se ai u negociua dhe u imponua nga Fuqitë e Mëdha dhe jo nga autoritetet vendore.

Kritikët merren me “thyerjen e besës nga Princi” duke kërkuar alibi për fushatën brutale dhe primitive të modeleve të Haxhi Qamilit. Kritikët ankohen për aftësinë e tij ushtarake duke harruar një detaj me rëndësi, se Pakti i Londrës nuk lejoi ngritjen e një ushtrie shqiptare dhe se fati i shtetit do varej nga sjellja e prijësve lokalë dhe trupave të parregullta nën komandën e tyre. Në thelb, çdo regjim tjetër që vijoi pas Wied, përfshirë monarku shqiptar dhe më pas edhe diktatori e diktatura, bënë përpjekje për fshirjen nga memoria historike e vendit të modelit të Principatës evropiane të Wied, njeriut që solli pianon e parë në Shqipëri, bashkëshortja e të cilit shkroi sonetin e parë evropian mbi Skënderbeun, prijësin që refuzoi çdo ofertë tjetër në respekt të kurorës së pamundur shqiptare dhe njeriun, që më së paku, nuk i solli asgjë negative këtij vendi, përveç shërbimit të tij modest dhe aristokratik.

Pas 100 vitesh Shqipëria aspiron ftesën për procesin anëtarësues në BE, pra ribashkimin politik me Evropën që nisi pas sukses rreth një shekull më parë. Të zënë me politikën provinciale të ditës, debatin mbi furgonët apo replikat populiste në facebook, askush nuk politika, shteti dhe institucionet nuk u kujtua të mendojë një sekondë të vetme për 100 vjetorin e Principatës, e cila në fakt, përbën aktin e parë të njohjes ndërkombëtare të shtetit të ri shqiptar. Shumë prej politikanëve të korruptuar dhe aventurierë që kanë (keq)qeverisur kanë sot shtatore, buste, emërtime shkollash e rrugës, monografi dhe mbi ata bëhen konferenca periodike, jepen nderime presidenciale dhe imponohen të jenë pjesë me rëndësi në memorien pozitive të shtetit shqiptar.

Kurse për Princ Wied, princin evropian të Shqipërisë, nuk ka as shtatore dhe as bust, as emërtim shkolle dhe as botime, ka një rrugë disa metra diku në periferinë e Durrësit, kurse konakun (selinë e tij) e kemi prishur për të ndërtuar një pallat shumëkatësh në valën e betonizimit fitimprurës të qyteteve gjatë tranzicionit. Me 15 mars në UAMD për herë të parë një grup historianësh e studiuesish mblidhen në një konferencë për Wied, bilancin, periudhën dhe trashëgiminë e tij, – një akt sa akademik, modest aq edhe qytetar për të korrigjuar një padrejtësi historike, mosmirënjohje shekullore ndaj Princit dhe gjithçka perëndimore që ai përfaqësoi në familjen, misionin, qëllimin, zgjedhjen dhe mandatin e tij oksidental mbi Shqipërinë.

Sot është 100 vjetori i ardhjes së Wied. Ai qëndroi 6 muaj. Më pas projekti evropian për Shqipërinë u ndal. Dhe erdhën me rrallë të gjithë ata që deshën sundim personal, familjar apo krahinor, partiak apo ideologjik, klientelist apo oligark, – për të arritur aty ku jemi, ende me shtet të brishtë, ende në prag të Evropës, ende me potencial për krizë, ende nën sundimin e mentaliteteve feudale të pushtetit dhe politikës absolute, ende të marrë peng nga Esatët që mendojnë për veten dhe pastaj Shqipërinë, ende në kërkim të Evropës, ende në një mjedis, siç Wied e përshkruan në deklaratën e lamtumirës, – ku disa shpirtra konfuzë nuk ishin në gjendje të kuptonin vlerën e reformave dhe refuzuan të mbështesnin idetë novatore. Një bilanc i brishtë që duhet të na bëjë të mendojmë, na fron të reflektojmë dhe na këshillon në sfidën tonë shekullore me veten, – të kemi kurajën për të mësuar nga gabimet e të kaluarës si parakusht për ecjen përpara, drejt shtetit, lirisë, integrimit dhe zëvendësimit të sundimtarëve lokalë me ligje, kushtetutë, institucione legjitime dhe funksionale.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi