Parimet e qeverisjes së mirë dhe një ligj për planifikimin e territorit

Nga Gentian Karpata, botuar në Mapo Online, 21 shkurt 2014

Duket se jemi ripërfshirë nga një debat teorik mbi si duhet të jetë një bazë ligjore e rregulluese gentian-kapratapër planifikimin e territorit. Them jemi ripërfshirë sepse në të njëjtën situatë ndodheshim edhe tetë vite më parë. Atëherë ekspertët u ftuan nga autoriteti kombëtar për të kontribuar në hartimin e një ligji për planifikimin e territorit. Çka po përsëritet këto ditë nga i njëjti autoritet, por i drejtuar nga një mazhorancë e majtë. Përsëritja e historisë të lë një shije të keqe. Të krijon bindjen se je në të njëjtin vend, por tetë vite më vonë.

Sepse duhet thënë që në fillim, vërtet një ligj formulohet mbi një qëndrim politik, por në një vend në demokratizim si Shqipëria dhe për një multisektor si planifikimi territorial, nuk mund të ketë veçse një qëndrim politik. Pavarësisht kujt i përket mazhoranca. Qëndrim që duhet të jetë i mbështetur në parimet e qeverisje së mirë urbane. Një qasje e plotë europiane për Shqipërinë, vendin ku spektri politik mund të debatojë edhe “për mustaqet e Çelos”, por në asnjë rast nuk mund të vërë në diskutim rrugëtimin me një kah. Atë, drejt Europës së Bashkuar.

Dhe kjo është arsye e vlefshme që baza ligjore për planifikimin e territorit të mos shtrohet për diskutim pas çdo rotacioni politik që ndodh në vend. Ajo duhet të jetë një kornizë elegante që drejton në procese planifikuese, orientuese dhe të hapura për të gjithë të interesuarit. Në një vend si Shqipëria ku investimet private janë shumë të kërkuara, por edhe çështjet mjedisore dhe sociale janë të një rëndësie të veçantë, formulimi i një baze ligjore merr vlerat e një themeli, mbi të cilin mund të ngrihesh vetëm nëse e ke ndërtuar mbi disa plinta parimesh europiane. Por cilat janë këto shtylla?

Për së pari, kjo bazë ligjore duhet të përkufizojë qartë e thjeshtë të gjithë termat dhe konceptet që do të përdorë gjatë shtjellimit të dispozitave të saj. Pra, ligjit i duhet një fjalor. Duket si një punë e lehtë apo e parëndësishme, por nuk është e tillë. Veçanërisht në rastin shqiptar, ku në 20 vite janë hartuar disa ligje dhe këto ligje janë ndryshuar me dhjetëra herë. Këto kanë krijuar terminologji të rrëmujshme në vetvete, që më pas reflektohet e shumëfishuar në proceset planifikuese apo administruese të territorit.

Është e kuptueshme që qeverisja në dy nivele kërkon një ndarje të qartë të përgjegjësive edhe në planifikim. Kështu që sistemit ligjor i duhet të përcaktojë cilat janë autoritetet e planifikimit dhe detyrat e përgjegjësitë e secilit nivel. Gjë shumë e rëndësishme kjo për një vend ish-socialist me praktika të planifikimit të centralizuar, por me aspirata të forta europiane për të ardhmen. Parimi i subsiaritetit apo proceset decentralizuese janë thelbësore në një rrugëtim drejt përmbushjes së kësaj aspirate.

Së treti, sistemi duhet të përcaktojë cilat janë instrumentet e planifikimit dhe cila është forma e tyre. Shumë e rëndësishme kjo që të sigurohet një trajtshmëri e formës dhe përmbajtjes së instrumenteve. Kështu sistemi siguron se, përtej specifikës së sektorëve apo territoreve për të cilat hartohen këto instrumente, një sërë çështjesh janë të detyrim për t’u trajtuar nga një instrument. Shumëllojshmëria e instrumenteve dhe specifika në planifikim janë dy parime shumë të rëndësishme.

Së katërti, proceset nëpërmjet të cilave këto autoritete hartojnë dhe miratojnë këto instrumente. Duhet kuptuar se planifikimi territorial nuk është më vendimmarrje e mbyllur e administratës, sikurse 30 vite më parë. Ai është një proces gjithëpërfshirës, ku kontribuojnë të gjitha institucionet por edhe palët e interesuara apo të përfshira në zhvillimin potencial. Koordinimi dhe bashkërendimi janë dy parime të rëndësishme të planifikimit territorial dhe të qeverisjes së mirë që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm të territorit në të ardhmen.

Angazhimi social, transparenca dhe llogaridhënia janë parime bazike të qeverisjes së mirë por edhe të planifikimit të territorit. Prandaj, sistemi ligjor i planifikimit territorial duhet të përkufizojë dispozita ligjore që bëjnë konkretisht të mundshme dhe të aplikueshme këto parime gjatë proceseve planifikuese. Në të kundërt, baza ligjore na drejton në praktika të mbyllura, antidemokratike dhe korruptive. Çka bie në kundërshti me aspiratat tona europiane.

E një rëndësie kritike është kontrolli i zhvillimit. Për së pari lejedhënia, proces i cili duhet të jetë sa më pak burokratik dhe sa më lehtë i arritshëm për investimet. Shumëllojshmëria e lejeve siguron që për punime të llojeve të ndryshme të kenë procedura të ndryshme lejimi. Por edhe kontrolli i territorit për zhvillime të palejuara është shumë i rëndësishëm. Ai jo vetëm siguron dhe mbron territorin por edhe barazinë mes pronarëve të pronave kufitare.

Së fundi kjo bazë ligjore duhet të përcaktojë mënyrën dhe kohën e tranzitimit nga praktika aktuale drejt kësaj qasjeje europiane në planifikim. Sepse është shumë e thjeshtë të ndryshosh ligjin, por jo kulturën e planifikimit. Çështjet kulturore duan kohën e vet. Por edhe shumë investime publike në procese planifikuese, të cilat kanë kostot e tyre jo të vogla. Ndërsa është e kuptueshme që përfitimet janë të shumëfishta. Janë ekonomike, janë sociale, janë mjedisore. Por mbi të gjitha, një hap i sigurt drejt Bashkimit Europian.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi