Një Shqipëri tjetër në Turqi dhe rikthimi i turqve në Ballkan

Nga Prof. Xhevat Lloshi, botuar në Dita, 19 shkurt 2014

Qarkullon një mendim, se në Turqinë e sotme ka rreth shtatë milionë shqiptarë. Megjithatë nuk janë bërë përpjekje për t’i hyrë me themel kësaj çështjeje dhe mbi bazë të dhënash kërkimore, të kapërcehen hamendësimet. Nuk është fjala për një kureshti, që të tirret nëpër muhabete. Njohja e numrit dhe e gjendjes së shqiptarëve në Turqi ndriçon jo vetëm anë të ndërlikuara të historisë sonë, sepse i kemi kaluar pesë shekuj brenda Perandorisë Osmane, por edhe për të menduar në ditët e sotme si shoqëri, si shtet dhe si kulturë për këtë pjesë të gjakut tonë. Po të pranohej hamendësimi me shtatë milionë, kjo do të thotë se janë po aq, sa e pranojmë që gjenden gjithsej në Ballkan. Atëherë vëmendja dhe kujdesi ynë qenkan për ibret, në rast se më lejoni me këtë rast të përdor një turqizë

Një ndihmë e papritur na vjen në këtë lëmë prej një libri të botuar kohët e fundit në Angli me titullin “Shqipëria dhe Ballkani”, (anglisht ‘Albania and the Balkans’), që doli në qarkullim tre muaj më parë, më 2013, nga Elbow Publishing e Kornuollit. Është një përmbledhje me 18 artikuj e punime, të shkruara nga autorë të njohur të sotëm në lëmin e studimeve dhe të botimeve për problematikën shqiptare. Mjafton të përmenden emra si: Michael Kaser, Stephen Nash, Bernd Fisher, Michael Schmidt Neke, Tom Winnifrith, ndërsa janë edhe disa autorë shqiptarë. Ky vëllim meriton një shqyrtim të hollësishëm nga specialistët tanë sipas fushave, për të vënë në dukje ndihmesat e reja, si edhe për të paraqitur argumente kundrejt tezash e qëndrimesh, të cilat nuk përputhen me vlerësimet dhe përfundimet tona. Diskutimi shkencor është kurdoherë i dobishëm, por në këtë rast do të dëshiroja që rrahja e çështjeve t’i bëhej e njohur opinionit të gjerë shqiptar. Libra të tillë tërheqin vëmendjen në shkallë botërore, rrjedhimisht lexuesi ynë duhet ta dijë se çfarë thuhet për ne, qoftë edhe kur diçka nuk është e drejtë. Kemi nevojë ta shohim veten në një pasqyrë të tillë për t’iu shmangur qëndrimeve mburravece ose anasjelltas, edhe nënvlerësuese për veten tonë. Kemi nevojë t’i përmbahemi parimit të realitetit.

Punimi i përmbledhjes më i gjatë, prej afër 40 faqesh, mban titullin “Politika e Turqisë për Ballkanin dhe problematika e bashkësisë shqiptare në Turqi”. Është përgatitur nga Nurxhan Ozgur Bakllaxhiolu (Nurcan Ozgur Baklacioglu), profesore e shkencave politike në Universitetin e Stambollit. Duke e vendosur rolin e bashkësisë së emigrantëve në lidhjet me politikën e jashtme të Turqisë kundrejt Ballkanit, autorja i ka vënë vetes si synim të gjurmojë formimin historik dhe organizimin politik të bashkësisë shqiptare në Turqi. Prej këndej rrjedh gjithashtu marrja e vendimeve të politikës së jashtme turke kundrejt çështjes shqiptare përgjithësisht në Ballkan dhe besoj që prek kështu një temë të nxehtë në ditët tona, sepse nuk mbetet te rrethi i shqiptarëve në Turqi, por del në hapësirën ballkanike pikërisht kur kemi pasur debat të thekur me kundërshti, i cili ka arritur deri te ballafaqimi me deklarata të vetë kryeministrit turk.

Po i kapërcej rrjedhat historike dhe për të mos e lënë pezull përgjigjen për pyetjen, sepse nuk jemi në ndonjë roman policor, Bakllaxhiolluja pohon se në Turqi sot ka rreth tre milionë shqiptarë dhe për këtë i referohet një interviste me Qamil Bitishin, sekretarin e Shoqatës së Vëllazërisë Shqiptare në Stamboll në tetor 2010. Punimi është i pajisur me mjaft tabela, të dhënat e të cilave mund të kontestohen me arsyetime të ndryshme, por me interes janë pohimet se vitet ndërmjet dy luftërave botërore përbëjnë një periudhë nga më të turbulltat në historinë e mërgimit të shqiptarëve në Ballkan, duke përfshirë shpërnguljet e dhunshme nga Jugosllavia dhe nga Greqia Veriore, të shoqëruara me konfiskimin e pasurive. Ndërsa pas vitit 1945 pati një valë të vogël prej atyre që ishin bashkëpunëtorë të pushtuesve, rrjedha e tretë e madhe e mërgimtarëve shqiptarë drejt Turqisë ndodhi gjatë Luftës së Ftohtë. Jugosllavia ndër të tjera bëri çarmatosjen e shqiptarëve, vrau e burgosi, u shtetëzoi tokat, ushtroi një propagandë të ashpër për të cenuar kulturën dhe identitetin kombëtar. Pati shumë faktorë të dhunshëm madje që i detyruan shqiptarët deri ta mohonin përkatësinë shqiptare duke mërguar në Turqi. Për shembull, gjatë viteve 1955-1965 vizat jepeshin vetëm për turqit maqedonas, rrjedhimisht shumë kosovarë detyroheshin ta quanin veten turq. Studiuesja vë në dukje se pasojat e këtyre ngjarjeve kanë ardhur deri në ditët tona. Sot në Turqi ka vetëm dy shoqata që e mbrojnë identitetin nga Kosova: Shoqata Kosovare dhe Shoqata e të mërguarve Prishtinas, ndërsa dy të tjerat vënë në dukje thjesht identitetin shqiptar: Shoqata e Vëllazërisë Shqiptare dhe Shoqata Kulturore Shqiptare dhe e Solidaritetit e Sakarjas. Me këto ajo ka bërë vetë intervista.

Të dhënat e regjistrimeve të popullsisë në Turqi është e natyrshme që nuk japin asnjë përfytyrim të përpiktë për praninë e shqiptarëve. Regjistrimi i vitit 1965 ka nxjerrë se ishin gjithsej 53.520 folës të shqipes. Duke marrë si kriter se sa veta e flasin shqipen, shtrembërimi i realitetit ka shkuar shumë larg, aq sa studiuesja me të drejtë vë në pah se një pjesë thjesht e kanë fshehur cila ishte gjuha e tyre amtare.

Emigrimi i fundit më i madh ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Prej 17.746 refugjatëve që u vendosën në një kamp në Kërklareli, fare pak mbetën pas përfundimit të luftës. Në mënyrë mjaft të goditur studiuesja nënvizon se: “Ndryshe nga të mërguarit e mëparshëm, këta refugjatë e kishin të ngulitur qartë nocionin e mëmëdheut, që lidhej me Kosovën dhe jo me Turqinë.” Burimet politike përmendin një deri dy milionë kosovarë në Turqi. Por sipas vëzhgimeve të saja, shqiptarët në Turqi kanë një shkallë të ulët interesimi për gjuhën shqipe dhe për politikën e Shqipërisë. Afër 70 për qind e atyre që flasin shqip jetojnë nëpër qytete, ndërsa 61,3 për qind e atyre që e kanë shqipen gjuhë të dytë jetojnë nëpër fshatra. Punët e tyre kryesore janë tregtia dhe artizanati.

Përveç besimit, edhe mjaft tradita, veshja, muzika, gatimet e kanë lehtësuar integrimin e shqiptarëve në bashkësitë fshatare turke. Nuk është shuar bindja tradicionale, se shqiptarët kanë luajtur rol me peshë gjatë gjithë historisë së Perandorisë Osmane si ushtarakë, pashallarë e deri si vezirë, por edhe si intelektualë të shquar. Nuk është fjala vetëm për emra si Hasan Tahsini e Sami Frashëri, por deri edhe te origjina shqiptare e Mustafa Qemal Ataturkut.

Me përfundimin e Luftës së Ftohtë u hap shtegu që të hynte literaturë në gjuhën shqipe, por me përjashtim të një reviste me jetë të shkurtër në vitet 1990, sot nuk ka asnjë gazetë ose revistë shqip në Turqi. Dihet se mungesa e shkollave, e literaturës dhe e mediave në gjuhën amtare është faktori themelor që sjell “zhvendosjen e identitetit” te të mërguarit. Vetëm pak kurse të kufizuara për gjuhën shqipe janë mbajtur në Kyçyk Çekmexhe të Stambollit dhe në Bajrampasha.

Ndërkaq, nuk mund të mbulohet fakti se politika e izolimit të Shqipërisë gjatë regjimit të Enver Hoxhës e ka cenuar mallin për atdheun, duke ndihmuar asimilimin në dheun e ri. Madje edhe afrimi i Shqipërisë me Italinë para Luftës II Botërore kishte pasur ndikim negativ në marrëdhëniet e Ankarasë me Tiranën. Një ndryshim i qartë ndodhi në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, kur Turqia më 1955 e mbështeti anëtarësimin e Shqipërisë në OKB dhe pas hapjes së ambasadës në Tiranë më 1965, ishte Shqipëria që mbështeti në OKB qëndrimin e Turqisë për çështjen e Qipros. Ministri i punëve të jashtme Tevfik Ryshty Arasi më 1966 e la të nënkuptohej perceptimin zyrtar për shqiptarët në Turqi si pjesë përbërëse të historisë dhe të shoqërisë turke. Një çështje spiunazhi nga ato që dëgjojmë edhe sot rëndom për personelin e ambasadave dhe të konsullatave nëpër botë, çoi në gusht 1971 te tërheqja e konsullatës sonë në Stamboll dhe te arrestimi i disa shqiptarëve. Ishin ngjarjet e Kosovës që nga fillimi i viteve 1980, të cilat e ngritën me peshë çështjen shqiptare në rendin e ditës të politikës së jashtme turke. Në punim vihet në dukje: “Pavarësisht nga sa është numri i shqiptarëve në Turqi, vetë fakti që në Turqi përfshihen emigrantë shqiptarë nga katër aktorë rajonalë, të tillë si Shqipëria, Greqia, Kosova dhe Maqedonia, a priori e zgjeron shtrirjen dhe angazhimin e politikës ballkanike të Turqisë për krizat ose për problemet në secilin prej këtyre katër vendeve si burim, e sjell këndvështrimin e emigrantëve të vendit në kornizën e vendimmarrjes së Turqisë në këtë rajon.”

Është e kuptueshme që vëmendja kryesore ka të bëjë me Kosovën dhe Maqedoninë. Por si gjithmonë gjërat janë në një kontekst më të gjerë. Për shkakun se çështja e Kosovës të kujton menjëherë çështjen e kurdëve, Turqia nuk shprehu qëndrim zyrtar ndaj thirrjes për Kosovën si Republikë më 1991. Gjithsesi, politika ka ndërlikimet dhe evoluimet e veta, kështu që më 2008 shpalli hapur mbështjetjen për Kosovën e pavarur. Mbështetja turke për bosnjakët dhe shqiptarët gjatë veprimtarisë gjakatare të Millosheviçit u pasqyrua edhe në qëndrimin e Ankarasë në atë kohë. Autoritetet e vendit i lejuan hapësirë diplomacisë publike dhe hapën kanale për veprimtaritë dhe shprehjen e bashkësisë shqiptare në Turqi. Madje shoqatat shqiptare shërbyen si burimet kryesore për informacionet që nevojiteshin për marrjen e vendimeve në rrjedhën e ngjarjeve të vrullshme në Ballkan.

Përveç çështjes së kurdëve, një ndërlikim tjetër është ndërfutur për shkakun se në Kosovë e Maqedoni ka një pakicë turqish, të cilët mbajtën qëndrim asnjanës ndaj konfliktit ndërmjet shqiptarëve e serbëve dhe, natyrisht, kjo nuk është parë me sy të mirë. Nga ana tjetër, pati edhe refugjatë nga këta turq, që u shpërngulën në Turqi. Kështu shpjegohet deklarata e përfaqësuesit të Ministrisë së punëve të jashtme, Sermet Ataxhanli më 1999, se: “ne nuk bëjmë ndonjë dallim dhe asnjë përllogaritje të refugjatëve si ‘turq kosovarë’ dhe ‘shqiptarë kosovarë’ që janë larguar. Nuk është e përshtatshme të bëhet një dallim i tillë. Ne e dimë se ka shumë turq kosovarë që janë larguar.”

Nuk është e papritur që qasja ndaj shqiptarëve në Turqi varet edhe nga orientimet ideologjike e politike të krahëve të politikës në Turqi. Një ekstrem përfaqësohet nga ideologjia e ‘panosmanizmit’, domethënë e qëndrimit, ashtu si edhe disa fantazira të tjera mesjetare nëpër vendet e Ballkanit, se këto rajone ballkanike vazhdojnë të jenë sfera e Perandorisë së dikurshme Osmane, që duhen mbajtur nën ndikim me format moderne të depërtimit politik dhe ekonomik, të shoqëruara me konstruksionet propagandistike e kulturore përkatëse. Nga kjo optikë sigurisht që as mund të flitet për të mërguarit shqiptarë në Turqi. Nga ana e kundërt, siç e ka pohuar deputeti Ali Dinçer, identiteti shqiptar është “tipar themelvënës në lëvizjen për ndërtimin e kombit turk.” Vetëkuptohet, që kjo pikëpamje mbështetet nga të mërguarit shqiptarë, aq më tepër kur Dinçeri i quan shqiptarët qytetarë punëtorë, të zellshëm, modestë, këmbëngulës, të ndershëm, me aftësi sipërmarrëse, që kanë dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme për shkencën, artet dhe biznesin turk. Sipas një deputeti tjetër, turqit dhe shqiptarët në Turqi e në Ballkan janë dy kombe, që asnjëherë nuk janë shkëputur plotësisht. Qoftë edhe marrëdhëniet familjare me vendet e prejardhjes nuk janë ndërprerë. Për studiuesen këta faktorë e bëjnë të pashmangshëm ndërlikimin e Turqisë në çështjet shqiptare dhe Turqia sot përbën një nga partnerët kryesorë politikë dhe ushtarakë të Shqipërisë e të Kosovës. Për më tepër, pritet që Turqia të japë mbështetje edhe për problemet e çamëve. Ne nuk mund ta fshehim që në kundërshtitë turke-greke ka edhe një përbërëse të qartë të lidhur me konkurrencën për tregjet në Shqipëri, Bullgari e Maqedoni, por kjo konkurrencë është e gjithëpranishme në botën e sotme dhe ne nuk mund ta shohim si faktor negativ, përkundrazi, na bie të gjejmë se si ta shfrytëzojmë në dobinë tonë. Kurse nga ana ushtarake nuk mund të harrojmë aspak, se Turqia mori pjesë në operacionet e NATO-s gjatë luftës në Kosovë dhe në forcat paqeruajtëse të KFOR-it, ndërsa dihet qëndrimi i kundërt i Greqisë.

Si faktori i fundit, që ndërhyn te diskutimet për gjendjen e shqiptarëve në Turqi do të përmendej prania e një pakice fare të vogël turke në Kosovë. Nuk ka asnjë krahasim ndërmjet këtyre dy palëve jo vetëm për shkak të shifrave, por edhe sepse kjo pakicë i ka gjithë të drejtat dhe nuk ka asnjë bazë për shembull, për kërkesën që turqishtja të shpallet si gjuhë zyrtare në Kosovë, ndërkohë që në Turqi shqiptarët nuk e kanë ngritur kërkesën për shqipen si gjuhë zyrtare të Turqisë, për shkolla shqipe etj., ndonëse do të thosha që kjo qasje nuk është për t’u lëvduar dhe po ta shohim më tej, është edhe pjesë e fajit tonë, që nuk jemi shqetësuar jo vetëm për ata, por përgjithësisht për shqiptarët kudo në Europë, pavarësisht prej disa mallëngjimeve romantike për arbëreshët.

Punimi i Bakllaxhiolusë trajton disa anë të rëndësishme të gjendjes së shqiptarëve në Turqi dhe të ndërthurjes së saj me politikën e jashtme turke përgjithësisht në Ballkan. Gjithsesi, nuk mund të mos vë në dukje, se është mbështetur më tepër sesa e lejon një studim, te mendimet e disa shoqatave, të cilat vetë autorja i quan ‘organizata të vogla me shumë pak anëtarë’. Nuk pasqyrohet mendimi i masës shumëmilionëshe dhe ajo nuk kishte përse të kufizohej me mendimin e sekretarit të njërës prej shoqatave se “shumica e emigrantëve nuk duan ta pranojnë/ta shprehin origjinën e tyre shqiptare”. Gjatë shumë vizitave që kam pasur rastin të bëj në Turqi, kam qenë dëshmitar i të kundërtës; jo një herë kam dëgjuar se kur punëdhënësve turq u thuhet se punëkërkuesi është shqiptar, kjo shërben si një rekomandim shumë i mirë për ta pranuar.

Autorja është turke dhe fare natyrshëm do të anonte nga ‘pala’ e vet. Me këtë kuptohet përse fjalia e fundit e shkrimit është: “Shenjat e kthimit të Turqisë në Ballkan janë afër në horizont.” Pa hyrë në polemikë të gjatë me këtë thënie, do të vija fort në dukje se shqiptarët, si edhe disa popuj të tjerë të Ballkanit Perëndimor, po presin me padurim ‘shenjat’ e përfshirjes në Bashkimin Europian. Kam bindjen se përparimi i procesit të hyrjes në BE, e sidomos në rrethanat kur vetë Turqia nuk do të kishte hyrë (edhe ne do ta dëshironim që Turqia të bënte pjesë në BE), do të përbënte një objekt përsiatjesh serioze për studiuesit turq, duke ndjekur realitetet në ndryshim, e sidomos për të mos u kufizuar me strategjitë që vijnë vetëm nga interesat e brendshme të vendit, sepse fqinjët kanë interesat e tyre, të cilët gjithashtu janë faktorë vendimtarë në gjeostrategji. E them këtë, sepse në punim përmendet dy herë që në politikën ballkanike të Turqisë është shfaqur një lloj i ri i “identitetit neo-osman”. Asnjë lloj osmanizmi, as me neo dhe as pa neo, nuk ka ndonjë të ardhme përballë modernizimit të jetës dhe orientimit europian të shqiptarëve. Rryma të tilla kanë të drejtën e tyre të qarkullojnë brenda Turqisë për nevojat e luftës politike dhe madje do të ishte në të mirën e vetë Turqisë që të rishikohen pikërisht aty në dritën e ngjarjeve të fundit.

Edhe sikur numri i shqiptarëve në Turqi të jetë më i madh se tre milionë, kjo shifër është e mjaftë për të pohuar se brenda Turqisë ka një Shqipëri tjetër. Ajo tërheq vëmendjen e politikanëve, diplomatëve dhe studiuesve turq, siç e tregon punimi që trajtova më lart. Shpresoj se shkrime të tilla do të tërheqin edhe vëmendjen e studiuesve shqiptarë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi