Zbarkuan aleatët

Nga Vladimir Karaj, botuar në Mapo Online, 17 shkurt 2014

Është një histori dashurie e vjetër ajo e kryeministrit Edi Rama me politikat e Tony Blair apo të ashtuquajturën “Rruga e tretë”. E ndërsa deri më 23 qershor, e gjitha mund të shihej si retorikë, tani bëhet fjalë për reformat e ndërmarra prej qeverisë dhe përvijimit të një “Shqipërie Britanike”, që duket se është në mendjen e kreut të ekzekutivit shqiptar. Në fakt kanë rrjedhur shumë ujëra prej fushatës së 2009, kur Rama citonte Blair dhe zotohej për një rrugë “përtej së majtës apo të djathtës”. Politika laburiste nuk ishte pjesë e sloganeve dhe as retorikë e fushatës së fundit elektorale, sa dukej se Rama kishte hequr dorë prej saj, por muajt e parë të qeverisjes dëshmojnë se edhe pse e ka shmangur nga retorika, politikat kryesore të qeverisë janë një lloj “kopjimi” i atyre të ndërmarra nga Blair dhe baza e reformave kryesore është po ashtu e bazuar në sistemin britanik.

Blair në programin politik dhe fushatë

Socialistët dhe vetë Rama e kanë “fshehur” në njëfarë mënyre faktin që bazoheshin në politikat e qeverisjes së Blair, përjashto këtu paralajmërimin për “Shëndetësinë Universale” botërisht e lidhur me Britaninë e Madhe. Por përtej kësaj “fshehjeje”, lexues të vëmendshëm të programit të PS-së gjatë fushatës elektorale nuk e kanë pasur të vështirë të gjenin ngjashmëri deri edhe të detajeve, mbi të cilat po ngrihej fushata e socialistëve. Sistemi fiskal, i cili në fakt u ndryshua shumë krahasimisht me atë që ishte premtuar, ishte një “kopje” e atij të përpiluar dhe vënë në jetë nga Gordon Brown në kohën kur ky drejtonte financat në qeverinë e Blair. Deri edhe përqindjet e shkurtimeve apo shifrat e reformës fiskale, për shembull në rastin e energjisë, barnave, ushqimeve të shportës, ishin të ngjashme me ato të aplikuara nga laburistët britanikë.  Qeveria në fakt hoqi dorë nga një pjesë e mirë e tyre dhe shkurtimi i planifikuar u zëvendësua me “kompensim”, një skemë e përdorur edhe më herët në vend dhe me sukses të dyshimtë. Më tej, edhe pjesë të tjera të programit të socialistëve reflektonin pikërisht reforma të Blair në Britani. “Kur shikon programin që ai ka ndërtuar, ka ngjashmëri. Nëse e lexoni këtë libër është qartësisht e dallueshme se Edi Rama ka studiuar çfarë bëri Tony Blair, duke marrë vlerat e politikës së tij. Unë jam i majtë, por jeni ju ata, të cilët duhet të vendosni për fatet e vendit tuaj, se kush duhet të jetë kryeministër. Nuk është sekret t’ju them se e pëlqej shumë Edi Ramën”,- thoshte Alastair  Campbell, (ish-drejtori mediatik i Tony Blair) për Edi Ramën në promovimin e librit të tij të botuar nga UET Press në Tiranë, para fushatës elektorale në vend.

Campbell në fakt bëri më shumë sesa thjesht të shprehte pëlqimin e tij për Kryeministrin e Shqipërisë. Ai ishte pjesë e fushatës së Partisë Socialiste dhe me siguri pati ndikim jo të vogël në mënyrën se si socialistët projektuan veten para shqiptarëve apo lëvizjet që ata bënë për të marrë shumicën e votave në vend. Lidhja e Ramës me Campbell duket të jetë edhe ura e lidhjes së tij me Tony Blair, i cili është këshilluesi kryesor i qeverisë, sa i përket politikave dhe prioriteteve që ajo përcakton. Deri tani, nuk ka ende, ose të paktën nuk dihet publikisht, nëse prioritetet që qeveria do të caktonte me këshillat e Blair janë përcaktuar apo nëse ka filluar puna për zbatimin e tyre. Ajo që dihet është se Rama mori mbështetje nga Blair para se të zgjidhej kryeministër dhe se ky i fundit, e vlerësoi jo pak faktin që politikat e socialistëve shqiptarë mbështeteshin në reformat që ai kishte bërë në Britaninë e Madhe.

Reforma në shëndetësi

Projekti i socialistëve për një kujdes shëndetësor universal dhe “falas” është ai që duket edhe më qartësisht i lidhur me Britaninë. Të djathtët, më shumë e kanë quajtur këtë sistem si një reminishencë marksiste, edhe pse në fakt, PS ka marrë si shembull sistemin britanik të kujdesit shëndetësor i bazuar në atë që njihet si NHS (National Health System). “Në veçanti, në kujdesin shëndetësor ka shumë mësime që mund të nxjerrim në mbarë botën. Mund të kesh një sistem të kujdesit shëndetësor komplet publik, siç e kemi ne, ose komplet privat siç është në Amerikë, ose një kombinim i të dyjave. Ajo që përpiqemi të bëjmë ne është që të mos i themi qeverisë që zgjidh këtë apo atë sistem, por t’i themi shiko, nëse zgjedh këtë sistem, këto janë shembujt më të mirë se ku funksionon më mirë ky sistem”,- thoshte Tony Blair gjatë intervistës për “Top Story” në vizitën e tij në Shqipëri, ku edhe u prezantua si këshillues i qeverisë. Në këtë rast, qeveria ka qenë e qartë që në fillim për sistemin e zgjedhur. Shërbimit Kombëtar Shëndetësor apo versioni shqiptar i NHS që do të paguajë për shëndetin dhe do të financohet edhe nga taksimi i përgjithshëm. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja tha vetëm tri ditë më parë se reforma do të zhvillohej në këtë drejtim, edhe pse theksoi se kjo nuk do të ndodhte shumë shpejt. “Që të shkojmë tek Shërbimi Kombëtar Shëndetësor na duhet rrugë e gjatë”, tha Beqja gjatë analizës së Fondit të Sigurimeve Shëndetësore pak ditë më parë.

Reforma në Arsim

Në reformën tjetër të madhe, të ndërmarrë nga qeveria duket se baza po ashtu do të jetë britanike. Ndoshta që nga vendimi për të zgjedhur në krye të Komisionit për Reformën në Arsimin e Lartë prof. Arjan Gjonçaj, me eksperiencë puro britanike. “Vizionin e kam të thjeshtë. Po ta marr London School of Economics (LSE), po ta instaloj këtu në Tiranë, jam njeriu më i lumtur në botë. Pra po të instaloj një sistem, në të cilin standardi qëndron në standardin ndërkombëtar, ku fut në sistem formula dhe kritere që kontrollojnë dhe rritin standardin si të studentit dhe të akademikut”, – tha Gjonçaj në një intervistë të disa ditëve më parë për “Mapo”. Gjonçaj që punon si lektor dhe kërkues shkencor pranë London School of Economics shpjegon po ashtu njëlloj prirjeje drejt një sistemi të arsimit të lartë të ngjashëm me atë britanik, edhe pse është ende shpejt për të përcaktuar nëse reforma do të ketë në fund pikërisht këto ngjyra. Kjo duket të jetë edhe nisma më ambicioze ndër reformat, edhe për shkak të nivelit të universiteteve britanike që renditen ndër më të mirat në botë.

Një pikë tjetër e reformimit ishte projekti për krijimin e një Byroje Kombëtare të Hetimit, e ngjashme me FBI amerikane apo pjesërisht edhe me Scotland Yard. Edhe pse Shqipëria funksionon me një sistem drejtësie të ndryshëm nga ai Britanik, kjo ishte fusha tjetër ku do të merrej ekspertiza e Blair, ashtu siç edhe ai vetë ka pranuar. “Ka dy grupe çështjesh që janë të lidhura me progresin tuaj drejt Europës, gjërat e lidhura sistemin e drejtësisë dhe pastaj gjërat e lidhura me problemet e jetës së përditshme të popullit, energjia elektrike, ujësjellësi, arsimi, shëndetësia, punësimi”, tha Blair gjatë intervistës së tij në Tiranë.

Kompanitë

Edhe kompanitë nga ishulli kanë qenë deri tani të “preferuarat” e qeverisë së re. Dy të parat që kanë marrë përsipër punë të rëndësishme në vend janë marka britanike. “Deloitte & Touche” e njohur për Shqipërinë që pas 1997; ishte ajo që mori përsipër verifikimin e financave publike dhe borxhit publik. Filiali shqiptar i kompanisë është në varësi të një grupi enkas për Evropën Qendrore, por kompania mëmë është me seli në Londër. Kompania e dytë, për të cilën pati edhe polemika më të gjata, ishte “Crown Agents”, e cila ka marrë përsipër reformimin e doganave në vend. Caktimi i kompanisë kaloi përmes shumë akuzash prej opozitës që pretendoi tenderim jo të ndershëm, deri edhe te dyshimet për lidhje të saj me Tony Blair. Por përtej akuzave, zgjidhjet e qeverisë dukshëm janë të orientuara drejt Britanisë së Madhe. ‘Crown Agents’ prej javësh ka tashmë nën kontroll doganat shqiptare dhe ka premtuar se rezultatet në këtë fushë do të jenë të shpejta. “Sa kemi filluar dhe kemi shumë për të thënë, sa u përket arritjeve, dhe shpresoj që prezantimi i ardhshëm të flasë për atë që kemi arritur në mënyrë të pjesshme”, tha drejtuesi i ekipit për Shqipërinë në momentin e prezantimit duke premtuar ulje të korrupsionit, më shumë integritet dhe përmirësim të dukshëm të të ardhurave nga doganat.

Sukses?!

Ndërkohë që reformat janë në hapat e para, është ende e paqartë nëse në fund kopja shqiptare do të jetë po aq e suksesshme sa ajo britanike, apo do të rezultojë e dështuar. Vendi deri tani ka funksionuar me një skemë të ngjashme të reformave të kopjuara nga vende të tjera, por që në fund janë zbatuar përgjysmë, janë braktisur apo kanë rezultuar të papërshtatshme. Avantazhi i qeverisë në rastin e fundit është shansi për të pasur konsultë nga vetë ideuesit fillestarë të reformave. Steka në të gjitha rastet mbetet e lartë, ndërsa mundësitë që Rama të ndërtojë një Shqipëri “britanike” janë ende të zbehta.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi