2014 – Viti ndërkombëtar i bujqësisë familjare

Nga Prof. Dr. Sokrat Jani, botuar në Shekulli, 16 shkurt 2014

Viti 2014 është shpallur nga Kombet e Bashkuara si Viti Ndërkombëtar i Bujqësisë Familjare. Ky vit do të jetë veçanërisht interesant, me sfidat kryesore në aspektin e drejtimit të politikave dhe proceseve ndërkombëtare.

Viti Ndërkombëtar i Bujqësisë Familjare ka për qëllim të rrisë profilin e bujqësisë familjare dhe fermave të vogla bujqësore duke  përqendruar vëmendjen e botës në rolin e saj të rëndësishëm për zhdukjen e urisë dhe varfërisë, për plotësimin e nevojave të ushqimit dhe sigurinë e të ushqyerit, përmirësimin e jetesës, menaxhimin e burimeve natyrore, mbrojtjen e mjedisit si dhe arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, në veçanti në zonat rurale. Viti Ndërkombëtar i Bujqësisë Familjare 2014 ka nisur të premten e kaluar në Nju Jork, në mjediset e Kombeve të Bashkuara.

Qëllimi i këtij organizimi është që të ripozicionojë bujqësinë familjare në qendër të politikave bujqësore, mjedisore dhe sociale në agjenda kombëtare duke identifikuar mangësitë dhe mundësitë për të promovuar një zhvendosje drejt një zhvillimi më të barabartë dhe të balancuar.

Ky vit synon të nxisë diskutime  të gjera dhe bashkëpunime në nivele kombëtare, rajonale dhe globale për të rritur ndërgjegjësimin dhe të kuptuarit e sfidave me të cilat përballen fermerët e vegjël nga njëra anë dhe për të ndihmuar identifikimin e rrugëve efikase për të mbështetur fermerët e bujqësisë familjare. Shumë kush mund të pyes se çfarë është bujqësia familjare?

Bujqësia familjare përfshin të gjithë aktivitetet bujqësore me bazë familjare dhe është e lidhur me disa fusha të zhvillimit rural. Bujqësia familjare është një mënyrë e organizimit të bujqësisë, pylltarisë, peshkimit,  prodhimit blegtoral dhe të kullotave, e cila menaxhohet dhe operohet nga një familje dhe kryesisht e varur nga puna e pjesëtarëve të familjes. Në vendet e BE-se ekziston një diversitet i lartë i fermave familjare, në aspektin e madhësisë së tyre, të aktiviteteve që angazhohen, disponueshmërisë së burimeve, shkallës së integrimit të tregut, konkurrencës, etj.

Ata veprojnë në kontekste të ndryshme ekonomike, agro-ekologjike dhe sociale, për sigurimin në vijimësi të ushqimit ndërkohë që përmbushen pritjet në rritje të shoqërisë për sigurinë ushqimore, cilësinë, vlerën, origjinën dhe shumëllojshmërinë e ushqimit, dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në rritjen e zgjuar, të qëndrueshme dhe përfshirëse.Si në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim, bujqësia familjare është forma mbizotëruese e bujqësisë në sektorin e prodhimit të ushqimit.

Në nivel kombëtar, ka një numër faktorësh që janë kyç për një zhvillim të suksesshëm të bujqësisë familjare, të tillë si kushtet agro – ekologjike dhe karakteristikat territoriale, mjedisi politik, akseset në tregje, qasjet  në tokë dhe burimet natyrore, qasjet në teknologji dhe shërbimet e ekstensionit; qasjet në financa, kushtet demografike, ekonomike dhe social-kulturore, e ndër të tjera disponueshmëria e arsimit të specializuar. Bujqësia familje ka një rol të rëndësishëm socio-ekonomike, mjedisor dhe kulturor. Po pse është e rëndësishme bujqësia familjare ? Në mes shumë argumentesh të tjera mund të shënojmë:

• Bujqësia familjare dhe ajo në shkallë të vogël janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me sigurinë ushqimore në mbarë botën.

• Bujqësia familjare është një mbrojtëse e mirë e produkteve bujqësore dhe  ushqimore tradicionale, duke kontribuar në mbrojtje të agro-biodiversitetit dhe në përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.

• Bujqësia familjare paraqet një mundësi për të rritur ekonomitë lokale, sidomos kur kombinohet me politika të veçanta që kanë për qëllim mbrojtjen sociale dhe mirëqenien e komuniteteve.

Po vendi ynë si po e përjeton këtë nismë botërore të Vitit Ndërkombëtar të Bujqësisë Familjare? Thuajse totalisht bujqësia shqiptare është e karakterit të bujqësisë familjare. Sot kemi rreth 348.7 mijë ferma bujqësore, me sipërfaqe mesatare 1,05 ha edhe kjo e copëtuar në  4-5 ngastra, me madhësi mesatare 0,27 ha,  ku punojnë e jetojnë rreth 388.7 mijë familje,  me mesatarisht 1.1 familje për fermë (MBUMK, 2011). Të pakta janë fermat tona bujqësore me sipërfaqe relativisht të madhe e të destinuara për prodhim për treg.

Konferenca “Bujqësia familjare: Një dialog drejt bujqësisë më të qëndrueshme dhe fleksible në Evropë dhe në botë”, organizuar nga Drejtoria e  Përgjithshme e  Zhvillimit Rural dhe Bujqësisë të Komisionit Evropian, në Bruksel, më 29 nëntor 2013,  tërhoqi vëmendjen për rolin e rëndësishëm të bujqësisë familjare, sfidat dhe prioritetet kyçe për të ardhmen, si dhe adresimin e mjeteve më të mira të mbështetjes së fermave familjare.

Për kushtet e vendit tonë lipset të ndërhyhet për të përgatitur nisma stimuluese të prodhimit bujqësor, mbështetje më të mirë për futjen e teknikave e teknologjive bashkëkohore, duke rritur efektivitetin e shpenzimeve, përmirësuar treguesit social-ekonomik dhe përkujdesjen për mbrojtjen dhe menaxhimin më të mirë e të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe mjedisit në tërësi.

Me rëndësi të dorës së parë mbetet kërkimi shkencor për problemet në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme  të prodhimit, marketingut, të sigurisë ushqimore, të mjedisit dhe ruajtjes e miradministrimit të biodiversitetit, por edhe për të ndihmuar politikë bërjen për problemet e prodhimit, mjedisit dhe tregueseve socio-ekonomik në zonat rurale e më gjerë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi