Që reforma territoriale të jetë e frytshme

Nga ORMIR RUSI, botuar në Shqip, 8 shkurt 2014

Mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës, e mbajtur në qytetin e Prizrenit në fillim të muajit janar, ishte një lajm i mirë, që zbehu edhe disa komente të skeptikëve, të cilët e cilësuan si takim formal, fasadë, pa rezultate konkrete etj. Në të vërtetë, rezultatet, aq më tepër “historike”, nuk pritet të arrihen që në takimin e parë. Por ky takim ishte një nismë e mbarë e bashkëpunimit rajonal, në kuadër të proceseve integruese për në Bashkimin Europian, ku aspirojnë tashmë të arrijnë të gjitha vendet e rajonit. Disa javë më parë, një takim i ngjashëm u zhvillua edhe mes qeverisë serbe dhe asaj maqedonase, ndërkohë që po përgatitet  mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Maqedonisë.

Si kryetar i Bashkisë Shkodër, gjatë viteve 2000-2003, u zgjodha  anëtar i Asamblesë së Këshillit të Europës për Qeverisjen Vendore në Strasburg. Asokohe, por edhe sot në Strasburg ishin në modë Rajonet (Europa dei Regioni) dhe shumë prej iniciatorëve të kësaj nisme kërkonin që Europa të shkonte drejt Rajonalizimit. Kjo vlente edhe për të ardhmen e vendeve të Ballkanit. Këto rajone, që quheshin “Rajone Virtuale”, mund të formoheshin duke përfshirë njësi territorialo- administrative ndërkufitare. Thithja e financimeve nga Brukseli për projekte të ndryshme, nëpërmjet fondeve strukturore, ishte shumë më e lehtë, fakt që na nxiti të marrim nismën për krijimin e “Rajonit Virtual të Shkodrës”. Në përbërjen e tij do të ishin Bashkia Shkodër, Komuna Ulqin dhe Komuna Velipojë. Por nisma u refuzua nga Strasburgu për faktin sepse e gjithë hapësira e Rajonit ishte shqipfolëse. Në variantin e dytë u përfshinë Bashkia Shkodër, Komuna Ulqin dhe Komuna Bar, në Mal të Zi. U nënshkrua marrëveshja me kryetarin e Komunës Ulqin, Fuat Nimani, dhe kryetarin e Komunës Bar, Laleviç. Ish-kryeministri Nano e priti mirë dhe e nxiti këtë iniciativë. Por zgjedhjet e reja vendore dhe ndryshimet që pësoi Bashkia Shkodër nuk lejuan vazhdimin e kësaj nisme, e cila mbase ishte e parakohshme.

Sot, pas 12 vitesh, realitetet ballkanike kanë ndryshuar, atmosfera është shumë më bashkëpunuese, ndërkohë që nuk ka barriera të hapësirave shqipfolëse. Qeveritë e Rajonit zhvillojnë mbledhje të përbashkëta dhe nxisin bashkëpunimin dhe integrimin për në Bashkimin Europian.

Në këtë realitet të ri, është më se e qartë se mund të riaktivizohet nisma  “Rajone Virtuale” apo diçka e ngjashme me të. Problematikat ndërkufitare dhe nevojat e përditshme të qytetarëve, përpara se të bëhen problem i qeverisjes qendrore, janë problem i qeverisjes vendore dhe anasjelltas. Në fund të fundit, e gjithë politika dhe vendimmarrja, në të gjitha nivelet, reduktohet në vendimmarrje dhe politika lokale.

Për këtë arsye, takimet e nivelit të lartë mund të paraprihen nga takime të nivelit lokal. Këto tryeza lokale janë pa dyshim vendi më i përshtatshëm për të identifikuar nevojat dhe problemet që kanë komunitetet qytetare ndërvepruese, në dyja anët e kufirit shtetëror. Takimet në nivel lokal mund të bëhen më të shpeshta se ato mes qeverive të rajonit, kjo për shkak të hapësirave që janë krijuar vitet e fundit në drejtim të lëvizjes së lirë të shtetasve, tregtisë ndërkufitare, por edhe mungesës së barrierave politike. Ato mund të zhvillohen ndërmjet  këshillave, këshilltarëve dhe, pse jo, edhe  ndërmjet vetë kryetarëve të bashkive, komunave apo rajoneve, duke arritur në vendime të përbashkëta, që lehtësisht kthehen në propozime për qeveritë respektive. Në këtë mënyrë, këto takime të përbashkëta lehtësojnë dhe thjeshtojnë edhe axhendën e punës së ministrive dhe qeverive të rajonit.

Një bashkëpunim i ngushtë ndërrajonal, ndërkomunar apo ndërbashkiak, i formalizuar në marrëveshje bashkëpunimi përgjatë gjithë vijës kufitare, nga veriu në jug, pavarësisht gjuhës dhe në interes të komuniteteve do ishte një hap shumë i rëndësishëm jo vetëm drejt decentralizimit, por edhe krijimit të “Rajoneve Virtuale”, që, me fjalë të tjera, mund të cilësohen “Rajone të interesave të përbashkëta”. Një projekt i tillë është lehtësisht i realizueshëm dhe nuk kërkon financime. Mjafton vullnet dhe organizim në nivelin lokal, si dhe mbështetje nga ministria përkatëse.

Në Shqipëri, ashtu edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit, njësitë vendore kanë hartuar strategjitë e tyre të zhvillimit. Ka ardhur koha që këto strategji të zhvillimit lokal të harmonizohen, jo vetëm në nivel shtetëror, por të gjenden pikat e përbashkëta të nevojave të zhvillimit, duke i harmonizuar edhe me vendet e tjera të rajonit, si me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Greqinë e më gjerë. Zhvillimet rajonale kërkojnë harmonizim të strategjive lokale dhe ndërshtetërore pasi vetëm kështu mund të zgjerohet tregu, të nxiten vendet e reja të punës, të përmirësohet jetesa e qytetarëve, si dhe të futen teknologjitë moderne në sektorin e prodhimit dhe atë të komunikimit. Nuk ka asnjë kuptim, madje duket absurde, që, pavarësisht diferencave të trashëguara nga e kaluara, në realitetin e sotëm të një Ballkani të hapur, që aspiron integrimin në Bashkimin Europian, të bëhet fjalë për strategji zhvillimi të izoluara, brenda kufijve të një shteti.

Shqipëria gjendet sot përpara shumë reformave të rëndësishme, reforma të cilat i kërkon koha, i kërkon Brukseli dhe, në fund të fundit, i kërkon jeta e përditshme, zhvillimi i vendit dhe mirëqenia e qytetarëve. Të gjitha kanë rëndësinë e tyre, por parësore është reforma territorialo-administrative. Kjo reformë  kërkohet që t’i rezistojë kohës, të ketë vizion dhe të ardhme, jashtë interesave të ngushta politiko-zgjedhore. Ajo nuk duhet parë jashtë kontekstit të zhvillimeve aktuale dhe atyre të pritshme të një Ballkani që ecën në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Përkundrazi, ajo duhet të jetë e studiuar dhe e përqasur me normat e Bashkimit Europian. Përndryshe, nuk do ishte i mundur zhvillimi harmonik ndërkufitar dhe takimet e përbashkëta të qeverive qendrore dhe atyre vendore nuk do kishin suksesin dhe pritshmëritë e duhura.

Reforma në territor ka impakt të jashtëzakonshëm edhe në legjislacionin në fuqi, duke filluar nga Kushtetuta e Republikës, ligjet me shumicë të cilësuar, ligjet me shumicë të thjeshtë, në VKM si dhe në një mori aktesh të tjera nënligjore. Të endësh një rrjetë kaq të dendur aktesh ligjore e nënligjore kërkon kohë. Aq më tepër, që kjo kërkohet të bëhet edhe në përqasje me vendet e rajonit dhe të BE. Këtë e vështirëson edhe më tepër fakti se, zgjedhjet e reja vendore po afrojnë në Shqipëri, gjë që nxit subjektet politike të shtyhen më shumë drejt interesave të tyre pragmatiste dhe joafatgjata. Jemi kështu para rrezikut që reforma territorialo-administrative të realizohet me ngut, e pjesshme dhe pa bazë të plotë ligjore funksionale, gjë që ka ndodhur edhe në të kaluarën, çka rrezikon edhe jetëgjatësinë e kësaj reforme të rëndësishme për zhvillimin e vendit dhe integrimin në BE.

Për të argumentuar nevojën e reformës territorialo-administrative jo rrallë bëhen krahasime me numrin e njësive territoriale të fqinjëve tanë, duke vënë në dukje faktin se Serbia ka 138 njësi territoriale, Maqedonia 84, Mali Zi 21, Kosova 38 ndërsa Shqipëria 388. Besoj se do riparohet ky çekuilibër i dukshëm dhe i ndjeshëm dhe numri i njësive vendore do reduktohet edhe në Shqipëri, duke shkuar drejt normalitetit. Por ndërkohë, jemi para rrezikut që ky reduktim të bëhet thjesht dhe vetëm si reduktim numrash, pra formalisht, si bashkime apo ndarje mekanike qytetesh, komunash dhe fshatrash. Ashtu siç bëhen krahasime numrash me vendet e rajonit, nuk kemi dëgjuar të bëhen krahasime të legjislacionit që ka të bëjë me këtë reformë. Ndaj, është i pranishëm shqetësimi se, pasi të kemi rregulluar numrat me vendet e rajonit, të mbetemi përsëri prapa për shkak të mos përafrimit të legjislacionit me këto vende, në mënyrë të veçantë me Kosovën. Nuk duhen 300 burra për të bërë hartën e rikompozimit të njësive vendore, por duhen 100 burra e gra që të fillojnë qysh tash përgatitjen e drafteve të projektligjeve që mbështesin efektivisht qeverisjen vendore dhe decentralizimin. Vetëm me një përafrim të tillë territor–legjislacion mund të ecet me siguri drejt bashkëpunimit ndërkufitar  mes njësive vendore, qeverive dhe reformave që i ofrojnë këto vende me Bashkimin Europian.

Një reformë e vonuar mbase frenon zhvillimin dhe integrimin (nuk është fundi i botës), por një reformë e cunguar është më e dëmshme, sepse pjell anarki dhe përpos që nuk çon përpara, mund të çojë shumë hapa prapa (pasi frenon ritmet e zhvillimit të një vendi). E rëndësishme është që reforma të bëhet e studiuar në çdo qelizë të saj, të bëhet pa ngut, por të mos shtyhet në kalendat greke dhe të shohë drejt perspektivës së rajonit dhe BE, pasi reforma territorialo-administrative është një nevojë kombëtare dhe rajonale dhe jo thjesht kursim i disa miliona eurove nga bashkimi mekanik dhe administrativ i disa njësive vendore.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi