B. Aliaj: Ndarja territoriale urgjente, duhet një komision apolitik

Intervistë e Besnik Aliaj në gazetën Shqip, (ketu me shkurtime) 6 shkurt 2014

Zoti Aliaj, qeveria po kërkon konsensusin e opozitës për realizimin e reformës së re administrativo-territoriale. Jeni njohur me draftin e qeverisë? Si e gjykoni këtë nismë?

Së pari, më duhet të them se pas mbi dy dekadash ndryshime drastike në vend, ku spikasin fenomene si urbanizimi masiv, decentralizimi i pushtetit dhe informalizimi i ekonomisë, është bërë e domosdoshme një reformë administrativo-territoriale. Por, nga ana tjetër, duhet nënvizuar se këto janë reforma tepër komplekse, sa tekniko-ekonomike, aq edhe politike, të cilat nuk mund të realizohen me një të rënë të lapsit. Ato kërkojnë një vullnet të madh politik të të gjithë spektrit politik dhe të faktorëve ekstrapolitikë, si: shoqëria civile, mediat, sipërmarrja private, liderët komunitarë, të zgjedhurit vendorë e rajonalë etj. Dhe që kjo të ndodhë, kërkohet me çdo kusht një atmosferë frymëzuese e konstruktive, kërkohet mirëkuptim dhe kompromis social-politik. Unë nuk njoh ndonjë draft konkret të qeverisë, por jam i informuar për nismat e mazhorancës dhe përpjekjet e saj për të nisur së pari, një proces konsolidimi të njësive vendore. Kjo, me sa kam kuptuar, supozohet të vijohet më tej me sqarimin e pikëpyetjeve rreth konceptit të “Qarkut”, rolin dhe kompetencat e tij reale në qeverisjen e vendit, kjo edhe në kuadër të një rajonalizimi të ri të vendit, si pjesë e eficiensës ekonomike më të mirë, qeverisjes më të mirë dhe, integrimit në BE dhe politikat e instrumentet e saj të zhvillimit.

A janë pjekur realisht kushtet për realizimin e një reforme të tillë?

Unë mendoj se koha për reformë ka ardhur, por për fat të keq kushtet duket se nuk janë pjekur ende plotësisht. Pasi, edhe pse opozita në parim është shprehur pozitivisht për këtë çështje, ajo ka ngritur pikërisht shqetësimin rreth faktit që klima në të cilën është hapur kjo temë, e cila do të reformojë tërësisht mënyrën e jetesës në vend, nuk është tepër inkurajuese për të ndërmarrë një hap të tillë kaq të madh. Shkurt, kjo do të thotë që mazhorancës tashmë i duhet të bëjë një kapërcim psikologjik të madh dhe kualitativ për të tejkaluar kompleksin dhe euforinë e “fitimtarit” me shifra absolute në Parlament. Kjo, për më tepër që vendi ka hyrë në një spirale të rrezikshme ekonomike dhe krimi të organizuar, i cili inkurajohet më tej nga politizimi i panevojshëm i jetës së përditshme dhe administratës, një zhvillim aspak pozitiv gjatë gjithë këtyre dy dekadave në vend. Kjo situatë imponon nevojën për uljen e tensioneve dhe hapjen e një procesi të sinqertë negocimi social dhe politik. Nuk ka luks më për kokëfortësi e arrogancë nga askush.

Sa e sinqertë ju duket kërkesa e mazhorancës për konsensus me opozitën, për të cilën të gjitha palët janë shprehur dakord?

Unë nuk do të desha të hyja në lojë fjalësh, në politikë ka akte prej xhentëlmenësh, sikurse ka edhe “lojëra” pa moral me parimin “mjeti justifikon qëllimin”. Pas gati dy dekadave ka një ndryshim në lidershipin e dy partive kryesore, por edhe një skemë reale qeverisëse tri-parti, e cila nuk e bën të pamundur arritjen e konsensusit. Sidoqoftë, unë besoj se kjo mund të ndodhë vetëm atëherë kur opozita të ndihet se kushtet për të cilat ajo flet, në një farë mënyre janë marrë realisht në konsideratë. Në të kundërt, me keqardhje do të konstatoja se kjo është një situatë e mbjellë 4 vite më parë, kur mazhoranca e sotme, atëherë në opozitë, bllokoi me të njëjtat mjete një proces reformues që kishte të bënte me marrjen e statusit kandidat të vendit në BE. Për të mos mbetur kështu në situatën “ç’të mbjellësh do të korrësh”, që nuk i shërben askujt, unë theksoj se mazhoranca duhet të kapërcejë “euforinë” dhe të ulet urgjent në tryezë me opozitën, me një plan masash konkrete dhe me afate konkrete urgjente, për të akomoduar realisht shqetësimet e opozitës dhe, për të bërë një hap të madh drejt një konsensusi historik social-ekonomik dhe politik.

Ju keni qenë një ndër anëtarët e grupit të punës që u ngrit për realizimin e kësaj reforme që në vitin 2003-2004. Pse nuk u realizua në atë kohë? Çfarë parashikonte drafti i atëhershëm? Dhe a janë implementuar problemet e korrigjuara të hasura në draftin e fundit të mazhorancës aktuale?

Për këtë temë është folur në mos gaboj në fillim të vitit 2003 nga dy drejtime: ministri i PS-së i kohës për qeverisjen vendore, z. Ben Blushi dhe stafi i tij, i cili ka një njohje të mirë të këtij problemi dhe duhet marrë në konsideratë seriozisht edhe tani, sepse është ndër të paktët politikanë që ka folur duke dashur ta trajtojë çështjen si problem eficiense ekonomike sesa si problem i pastër politik, në kuptimin e interesave të ngushtave të votave. Ndërsa, nga ana tjetër, PD-ja ka pasur dhe ka ekspertë njohës shumë të mirë që e njohin këtë temë ndër vite. Por ka pasur edhe një alternativë të tretë të pavarur tekniko-profesionale, e cila është trajtuar edhe nga organizata që unë kam drejtuar dikur për mbi 10 vite, Co-PLAN Instituti për Zhvillimin e Habitatit. Ata vijojnë të mbeten një bërthamë ekspertësh unikalë në këtë drejtim. Madje, pas angazhimit tim më tej në KOP dhe dorëheqjes nga Co-PLAN-i në 2005-n, kjo çështje është debatuar me z. Ben Blushi e z. Ferdinand Poni në disa tryeza deri në vitin 2005. Ju e dini më tej se unë kam qenë autor i një platforme për çështjet e territorit, përfshi këtë temë, të cilën PD-ja e adoptoi atë kohë. Tema e ndarjes administrative dhe rajonalizimi de fakto u shty, pikërisht për shkak të mungesës së klimës së bashkëpunimit politik mazhorancë-opozitë në atë kohë. Ndaj, tashmë duhet thyer njëherë e mirë ky rreth vicioz dhe, i takon gjithmonë mazhorancës të plotësojë kushte e të dëshmojë vullnet real, jo duke dhënë thjesht të drejtën e vetos, por duke krijuar mbi të gjitha një klimë reale mirëbesimi në tërësi. Shembuj për këtë është reforma e decentralizimit në fillim të viteve 2000. Kur një grup ekspertësh teknikë që gëzonin mirëbesimin e dy palëve u ulën në një tryezë teknike dhe sqaruan pa kompleks çështjet teknike e politike dhe, kështu ligji i decentralizimit jo vetëm u miratua si ligj organik, por mori mbështetje nga të gjithë. E njëjta strategji duhet aplikuar tani. Më shumë se një komision parlamentar politik, në këtë moment ne na duhet një komision ekspertësh e teknicienësh, i balancuar edhe politikisht po të jetë nevoja, në kuptimin e mbështetjes nga të dyja palët, që do të hartojnë një dokument-strategji ose ligj, që nuk është as i qeverisë, as i opozitës, por i të dyja palëve së bashku. Kjo tryezë dhe platformë tekniko-politike natyrisht duhet të atashohet për koordinim fillimisht të ministrisë së linjës, por duke ruajtur pavarësinë e saj. Produktet e saj finale duhet të shkojnë pastaj në Parlament për diskutim e miratim final. Por, në këtë rast konsensusi do të jetë më i mundshëm, pasi palët janë të mirinformuara që më parë në një proces bindës, pasi kanë negociuar realisht indirekt. Dhe, për më tepër, mbi bazën e argumenteve që furnizojnë politikën, jo me sebepe amatore, pa trafik influencash apo interesa votash, por që janë realisht argumente të mirëfillta teknike e shkencore. Sepse, edhe argumenti i bastioneve tashmë ka rënë shkencërisht, pasi është provuar që në zgjedhje, sot në Shqipëri ekziston një shtresë prej 30-40 për qind votuesish që nuk duan t’ia dinë më fare për partitë, por për programet bindëse dhe alternativat konkrete e të prekshme. Nuk ka më naivë, përveç rasteve korruptive e abuzive që meritojnë ndëshkim maksimal.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi