Reforma administrative territoriale, opozita e kushtëzon dhënien e konsensusit

Konferenca e Kryetarëve, 22 janar 2014

Konferenca e Kryetarëve u mblodh sot nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta në prani të kryetarëve të grupeve parlamentare, kryetarëve të komisioneve të përhershme, si dhe të Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin z. Ilirjan Celibashi, për të diskutuar lidhur me kërkesën e paraqitur nga mazhoranca për ngritjen e një komisioni bipartizan për reformën administrative.

Mbledhja e posaçme e Konferencës së Kryetarëve për këtë çështje u zhvillua me kërkesë të përfaqësuesve të opozitës për të pasur më shumë kohë për t’u njohur me projektvendimin e propozuar.

“Sikurse e vendosëm herën e kaluar në konferencën e kryetarëve do të mblidheshim përsëri sot në vijim të diskutimit që bëmë lidhur me kërkesën e propozuar nga shumica parlamentare për ngritjen e një komisioni për reformën administrative dhe territoriale në Republikën e Shqipërisë. Sikurse dihet përfaqësuesit e opozitës nuk ishin të njohur paraprakisht me këtë projektvendim prandaj ne vendosëm të bëjmë një mbledhje të posaçme sot në mënyrë që të kishin mundësi të njiheshit me përmbajtjen dhe të jepnin mendimet e tyre duke synuar gjithmonë që kjo reformë kaq e rëndësishme të realizohet përmes një konsensusi të gjerë dhe një komisioni bipartizan,” tha Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta në hapje të mbledhjes.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, z. Edi Paloka nënvizoi vullnetin e opozitës për të kontribuar në reformën administrative dhe në të gjithë reformat e tjera, që kanë lidhje me të. Por, z. Paloka deklaroi se opozita e kushtëzon dhënien e konsensusit me tërheqjen e mazhorancës nga akti normativ për nënpunësin civil, ndërprerjen e procedurave parlamentare ndaj kreut të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Parandalimit të Konfliktit të Interesave, si dhe me tërheqjen nga amendamenti në ligjin për AMA-n.

“Siç thashë edhe herën tjetër për ne është shumë e rëndësishme, është parimore arritja e konsensusit. Sigurisht mazhoranca këtë herë e ka shprehur, ka thënë që jemi gati për konsensus. Sot madje Kryeministrin e dëgjova të avancojë në premtimet e tij, por realiteti i derisotëm sigurisht nuk na bën entuziastë për konsensusin. Të mos harrojmë që, e përsëris megjithëse është thënë disa herë, kemi miratuar në fund të mandatit të kaluar ligjin “Për nënpunësin civil” me konsensus në atë kohë të të gjithë deputetëve, një konsensus që u hodh menjëherë poshtë me ardhjen në pushtet të mazhorancës suaj nëpërmjet një akti normativ që zhbëri ligjin e miratuar me konsensusin e të gjitha grupeve parlamentare.
Kështu që ne kërkojmë që mazhoranca të na tregojë vullnetin e saj se është për rikthimin e besimit dhe të konceptit të konsensusit jo vetëm me fjalë. Për të qenë më konkret, ne kërkojmë që, në fakt akti normativ tashmë është hedhur poshtë edhe nga drejtësia, ne kërkojmë anulimin e këtij akti si shenjë të mirëbesimit dhe të vendosmërisë së mazhorancës për të pasur konsensus me opozitën dhe kërkojmë gjithashtu që të ndërpritet sulmi ndaj ILDKP-së, pra të tërhiqet ai i ashtuquajtur komision anti-kushtetues që ka nisur në mënyrë ilegale procedurën për shkarkimin e kryetares së ILDKP-së dhe të tërhiqet amendamenti anti-kushtetues që synon largimin e kryetares së AMA-s nga ai institucion. Këto për ne do të ishin shenjat se mazhoranca e ka seriozisht këtë herë kur flet për konsensus dhe nuk do të na bëjë lojën e radhës ku ne të shkojmë mbrapa si qorra dhe të marrim të njëjtat pasoja,” tha z. Paloka.

Në përgjigje të pyetjes së Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta nëse opozita kishte qëndrim në lidhje me projektvendimin, z. Paloka deklaroi se opozita është e gatshme të flasë për çdo lloj reforme dhe për çdo lloj konsensusi kur të ketë besimin se konsensusi do të jetë real.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Gramoz Ruçi vuri në dukje se mazhoranca është tërësisht dakord me qëndrimin zyrtar të kryetarit të Partisë Demokratike në tryezën e partive opozitare të mbledhur për këtë çështje. “Kur them që jam tërësisht dakord me të kam parasysh që ne si mazhorancë në përpilimin e këtij projektvendimi që kemi përpiluar dhe paraqitur në Parlament kemi pasur parasysh tërësisht atë që përfaqësuesit e opozitës kolegjialisht kanë shprehur jo më larg se dje. Ne si mazhorancë nuk kemi menduar asnjëherë që kjo reformë kaq e rëndëishme të bëhet nga mazhoranca, por të bëhet nga opozita dhe mazhoranca. Kjo është filozofia që nga objekti, që është pika e parë dhe deri te përbërja dhe vetoja që kanë anëtarët e këtij komisioni të pozitës apo të opozitës te pika 10-të e këtij projektvendimi.

Së dyti asnjëherë nuk kemi menduar dhe nuk mendojmë që kjo të jetë një mundësi e artë që nëpërmjet kësaj reforme administrative të vëmë dorë apo të prekim me pikësynim apo me objektivin që të krijojmë salamandra elektorale. Absolutisht jo. Ne jemi seriozë në atë që paraqesim, që s’ka lidhje kjo reformë administrative me krijimin e salamandrave. Kjo është arsyeja që ne në projektvendimin tonë, në nismën tonë parashikojmë tre elementë tepër të rëndësishëm: përbërje të barabartë; mbledhje të ndershme të komisionit me shumicë dhe me domosdoshmëri me praninë e domosdoshme opozitës shumicë të cilësuar që do të thotë 50 plus 1, që do të thotë prania e opozitës dhe veto të opozitës nga dakordësia e dy bashkëkryetarëve. Kur janë këta elementë s’ka sesi të merret vendim, ndryshe vendimet quhen të paqena,” tha z. Ruçi, ndërsa theksoi se mazhoranca mbetet e hapur në çdo kohë dhe në çdo vend që opozita do ta gjykojë të arsyeshme të japë kontributin e saj.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizja Socialiste për Integrim, z. Petrit Vasili theksoi se mundësitë e konsensusit reciprok janë evidente në dokumentin e paraqitur dhe se pika e fundit garanton më së miri edhe atë që quhet mirëbesim politik.

“Është një çështje që ka bazë solide nga ana parimore dhe ai dokument që propozohet ezauron edhe atë që quhet ‘dakordësi e kontrolluar’,” tha z. Vasili, ndërsa shtoi se “nuk është me vend që të përzihen çështje të vogla dhe dytësore në kurriz të një çështje kaq të madhe”.
Në këtë kuadër, z. Vasili ftoi opozitën që të bashkëpunojë dhe të mos humbet kohë e çmuar. “Është një kohë e çmuar, një moment i papërsëritshëm. Duhet të ecim përpara dhe të mos shpenzojmë më kohë, që më mirë ta përdorim për të ecur dhe për debatuar fort për elementet e reformës në mënyrë konkrete,” tha kreu i grupit të LSI-së.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi