Një sektor në dilemën e ekzistencës
Nga Besnik Alku/Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së HEC-ve të Vegjël të Shqipërisë, botuar në Shekulli Online, 22 janar 2014
Burimet e shumta ujore në vendin tonë janë mundësia më e mirë për zhvillimin e sektorit të energjisë së pastër ujore, e cila pas viteve 1990 (pas krizës së centralit bërthamor në Ukrainë) është në qendër të vëmendjes dhe investimeve në mbarë Europën.
Sektori i HEC-ve të vegjël në Shqipëri mund të themi se është një treg i sapo formalizuar, ku po luajnë rolin e tyre të gjithë aktorët potencialë, si projektuesit, ndërtuesit, teknologët, investitorët etj. Në pak vite, në Shqipëri janë dhënë me koncesion rreth 400 hidrocentrale të vegjël, prej të cilëve janë përfunduar, ose janë në fazën e ndërtimit më shumë se 88.
Në zyrat e Ministrisë së Energjetikës janë një numër i konsiderueshëm kërkesash për koncesione, që kanë vënë në lëvizje tregun e gjerë të konsulencës dhe ekspertizës së projektimit e studimit në këtë sektor (më shumë se 3000 studime dhe 15 mijë ekspertiza).
Tregu i investimeve përfaqësohet si me investitorë vendas, edhe të huaj, të cilët janë nga vende prestigjioze, si Austria, Norvegjia, Italia, Turqia, Kanadaja, Franca, Izraeli etj.. Aktualisht, nga hidrocentralet e vegjël prodhohet rreth 7% e prodhimit të energjisë në shkallë kombëtare, shifër që ndryshon në vazhdimësi me përfshirjen në prodhim të hidrocentraleve të rinj.
Megjithatë, edhe pse i bukur dhe tërheqës, sektori i HEC-ve të vegjël, si shumëçka në Shqipëri, u bë shumë shpejt pre e spekulimeve dhe sulmeve politike, ekonomike e tregtare. Propaganda “Shqipëria, fuqi energjetike në rajon”, megjithë hapësirën që krijoi për zhvillimin e sektorit, shtoi oreksin e abuzuesve dhe të të korruptuarve në këtë sektor, të cilët endeshin dhe enden nëpër zyrat e pushtetit, në kërkim të “gjahut të majmë”.
Qeveritarët e sotëm dhe opozita e djeshme përgojuan dhe sulmuan koncesionarët, saqë u krijua ideja që pronarët e koncesioneve të hidrocentraleve të vegjël janë “djaj”që po shterojnë burimet ujore, po vjedhin popullin dhe janë të gjithë të korruptuar.
Përgojuan pa parë dhe menduar thelbin e produktit të hidrocentraleve të vegjël: energji e pastër, sasi më e madhe prodhimi energjie në vend për konsum, dhe koncesione që u jepen për 35 vjet investitorëve e pastaj kalojnë në pronësi të shtetit shqiptar.
Atmosfera e krijuar për shkak të politikave të paqëndrueshme, procedurave të ndërlikuara dhe shpesh korruptive, ndryshimeve në formulën e çmimit të shitjes, po ndikon negativisht në sigurinë e aksionarëve të HEC-ve të ndërtuar dhe të koncesioneve të miratuara në rrugë ligjore.
Pas disa deklaratave të drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar në lidhje me “çmimet e larta” të blerjes së energjisë, lihet të kuptohet se ky çmim në të ardhmen do të jetë shumë më i ulët, duke e përballur këtë sektor me dështimin e plotë të tij.
Tregu financiar gjithmonë ka qenë dorështrënguar, por pas krizës ekonomike ky treg po tkurret më shumë dhe institucionet financiare gjithnjë e më tepër janë më të tërhequr e të pasigurt. Bankat në Shqipëri kanë interesa të larta dhe qëndrojnë të tërhequra në kreditimin e investimeve në vendin tonë. Kësaj pasigurie të institucioneve financiare i shtohet edhe risku politik, pasiguria ligjore dhe institucionale.
Kështu, shumë prodhues të energjisë ende nuk kanë marrë detyrimet që shteti u ka atyre për shitjet e kryera ndër vite. Çmimi i blerjes së energjisë prej prodhuesve të vegjël nuk është përcaktuar, megjithëse ligji për energjinë e rinvoueshme u miratua në maj të viti të kaluar, duke ndikuar drejtpërdrejt në pasigurinë e rezultateve të plan-bizneseve që vegjetojnë në tavolinat e bankave dhe institucioneve financiare.
Nga ana tjetër, institucionet qeveritare që kanë si detyrë vendosjen e çmimit, pothuajse nuk janë konsultuar me grupine interesit dhe nuk ka referencë rajonale me vendet fqinje.
Tendenca e qeverisë duket se nuk është përkrahëse për të mbështetur me skema apo struktura financiare prodhuesit e energjisë së pastër nga hidrocentralet e vegjël, megjithëse Shqipëria importon rreth 30% të sasisë së energjisë elektrike që konsumon. Gjithashtu, tregu i energjisë në Shqipëri është i deformuar, i paliberalizuar dhe rolet e aktorëve kryesorë në këtë sektor janë shpeshherë të paqartë (KESH, OST, ERE, CEZ) duke vënë në rrezik serioz ecurinë e këtij sektori.
Mjedisi jo i favorshëm i investimeve në HEC-et e vegjël ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e investimeve, ndërtimeve dhe teknologjisë së përdorur, që në disa raste nuk është në nivelin e dëshiruar. Mungesa e fondeve detyron përdorimin e teknologjisë së vjetër, jo perëndimore, e cila ka rendiment më të lartë, cilësi operative shumë të mirë, por çmim më të lartë.
Meqë koncesionet duhet të jenë sa më të qëndrueshme dhe në fund të fundit HEC-et do të kalojnë në pronësi të shtetit shqiptar, kërkohet politikë dhe stimulim që investitorët e hidrocentraleve të tillë në Shqipëri, të orientohen drejt teknologjisë perëndimore dhe të rejave në këtë sektor.
Komuniteti i aktorëve të angazhuar me hidrocentralet e vegjël, si investitorët, planifikuesit dhe hartuesit, ndërtuesit, akademikët, teknologët, akoma janë të paorganizuar e të pastrukturuar. Mungon dialogu dhe bashkëpunimi mes tyre dhe ata ndjehen të përjashtuar nga të gjitha vendimet dhe politikat që merren për hidrocentralet e vegjël në nivelin e politikë bërjes, duke i përjashtuar nga diskutimi i çështjeve që lidhen drejtpërdrejt me biznesin e tyre.
Një dialog i institucionalizuar me politikë bërësit dhe vendimmarrësit do të ishte një hap efiçent për zhvillimin e mëtejshëm, mbarëvajtjen dhe mbrojtjen e interesave të aktorëve të përfshirë në këtë sektor kaq jetik për ekonominë shqiptare në tërësi. Sot, sektori i HEC-ve të vegjël ndodhet në dilemën e tij për të ardhmen: Do të vazhdojë të jetë “tokë e premtuar”, siç është propaganduar deri tani, apo do të hyjë në kolaps të plotë, falimentim e në rrugë pa kthim?
Një çmim i ulët shitjeje jashtë logjikës së tregut rajonal, mosrealizimi i ndërtimit të HEC-ve tashmë të dhënë me koncesion, pengesat administrative dhe procedurale për një sërë projektesh, moskreditimi nga bankat, aplikimi i teknologjive të vjetra, mungesa e liberalizimit të tregut të energjisë, mungesa e bashkëpunimit dhe e lobimit ndër aktorët kryesorë të këtij sektori, do të shënonin fundin e “tokës së premtuar”.
Të shpresojmë që aktorët e hidrocentraleve të vegjël të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit mes tyre, por edhe me politikë bërjen, për një të ardhme më të mirë për këtë sektor dhe zhvillimin e Shqipërisë në tërësi. Koha për veprim është tani, nesër do të jetë vonë.