Reforma administrative, përmbysja e nevojshme

Nga Skender Minxhozi, botuar në Shqip, 16 janar 2014

Në mes të sherrit të buxhetit që u konsumua në ditët e fundit të dhjetorit dhe mpirjes që kanë sjellë festat, politika shqiptare po i drejtohet ngadalë një takimi, i cili megjithëse nuk ka rënë shumë në sy, ka të gjitha elementet për të sjellë një zhvillim historik në Shqipëri. Këtë fundjavë, partitë parlamentare do të njihen me hapat e parë konkretë të inicimit të asaj që është quajtur gjerësisht reforma administrative.

Fjala është për një ndërmarrje, e cila parashikohet të tkurrë numrin e njësive vendore në Shqipëri, nga 385 që janë sot, në rreth 60. Pra, një pakësim drastik komunash e bashkish, të cilat do t’u lënë vendin strukturave më të mëdha të pushtetit vendor, që do të qeverisin territore dukshëm më të mëdha në të ardhmen.

Kjo reformë i shkon për shtat në mënyrë të përsosur stadit aktual të zhvillimit të vendit, duke kërkuar më së pari të zgjidhë një situatë pa krye, ku është futur qeverisja lokale në Shqipëri. Sot në këtë vend mund të zgjidhesh kryetar komune për pak qindra vota. Nga ana tjetër, edhe buxheti që shteti jep për këtë mandat vendor, edhe taksat që arrihet të vilen me mjetet në dispozicion, janë që të gjitha të përmasave qesharake. Megjithëse sot shpenzimet administrative të 385 komunave, bashkive e qarqeve, marrin rreth 37% të fondeve vendore, qeverisja e tyre, duke qenë e shpërndarë në qindra copa territoresh e në disa mijëra duar zyrtarësh lokalë, është e dobët, e korruptuar dhe e joeficente.

Pakësimi urgjent i pyllit të dendur të juntave vendore dhe rikonceptimi i ndarjes territoriale aktuale, do të sillte parimisht një qeverisje më të vogël në numër, e më efektive nga pikëpamja e kontrollit të territorit dhe sasia e të ardhurave të mbledhura. Studimet e fundit kanë treguar se njësitë vendore me mbi 10 mijë banorë, kanë gjeneruar rreth 2500 lekë të ardhura për frymë, ndërsa njësitë me më pak se 10 mijë banorë, vetëm 700 lekë për frymë. Dhe sot në Shqipëri ka rreth 300 njësi me më pak se 10 mijë banorë. Të njëjtat studime kanë treguar se kur njësitë kanë mbi 20 mijë banorë, të ardhurat për frymë janë edhe më të larta se 2500 lekë. Në bazë të këtyre kalkulimeve, edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili auditoi performancën e njësive vendore, ka rekomanduar që bashkitë të mos kenë më pak se 15 mijë banorë, kurse komunat jo më pak se 10 mijë banorë.

Reforma administrative në fjalë, është një ndërmarrje ambicioze për të gjithë klasën politike shqiptare. Ajo kërkon vullnet politik dhe vizion të qartë për të çuar përpara një proces që sot ka të bëjë me normalizimin urgjent të një situate që paraqitet në kufijtë e absurdit. Është e pamundur që të vijohet më tej me një barrë të tillë të qeverisjes vendore, e cila është fragmentarizuar përtej çdo kriteri territorial dhe demografik. Krijimi mbi interesa kryesisht politike e elektorale i bashkive e komunave, edhe aty ku kjo nuk justifikohej, ka qenë një metodë jo edhe aq e mençur e politikës së Tiranës, për të siguruar mbështetje dhe vota në momente nevoje. Kjo praktikë nuk mund të zgjasë më, pasi harta e pushtetit vendor në Shqipëri ka dalë tashmë jashtë çdo kontrolli e logjike financiare, ekonomike e demografike.

Nëse ka pasur një dramë kombëtare të përmasave të mëdha, që është luajtur mbi kurrizin e këtij vendi në dy dekadat e fundit, i tillë nuk ka qenë vetëm sherri politik i skajshëm, as analfabetizmi, as kriminaliteti apo emigrimi i qindra mijë njerëzve jashtë vendit. Masakra mbi territorin është padyshim një ndër fenomenet më tronditës që kanë sjellë urbanizimin e dhunshëm, shkatërrimin e pyjeve, kullotave e tokës bujqësore, deformimin e dhimbshëm të peizazhit në të gjitha skajet e këtij vendi. Janë shkretuar zona të mbrojtura, është ndërtuar mbi, rreth dhe ngjitur me monumentet arkeologjike e historike, janë dëmtuar rëndë parqet, flora dhe fauna. Në këtë batërdi, përveç dritëshkurtësisë dhe korruptimit të qeverisjes qendrore, këto njëzet vite, ka luajtur një rol sabotues e të papërgjegjshëm edhe qeverisja vendore, e cila ka ardhur duke u zgjeruar nga viti në vit, sipas një harte absurde ndarjesh e copëzimesh territoriale. Në fund të dy dekadave është krijuar një ushtri e vërtetë qeverisësish lokalë, me rreth 6500 këshilltarë bashkish, komunash e qarqesh dhe qindra krerë lokalë, të cilët, të gjithë së bashku, kanë dhënë pa fund leje ndërtimi e shfrytëzimi, duke e çuar situatën në absurd në shumë rajone të vendit. Sikur të mos mjaftonte kjo, në vitet e fundit pushteti lokal ka marrë edhe kompetencat e dhënies së lejeve për shfrytëzimin e pyjeve e kullotave. Një eksperiment që ka sjellë një shkatërrim edhe më të madh të këtyre pasurive kombëtare, që sot gjenden në një situatë të mjerueshme.

Do të mjaftonte impakti negativ që pushtetet vendore kanë pasur mbi ambientin, që kompetencat e tyre dhe ato vetë, të tkurreshin e rrudheshin. Por nuk është vetëm ky aspekti i dëmshëm i kësaj ushtrie të stërmadhe burokratësh të mëdhenj e të vegjël, që sot kanë shpallur de facto“principatat” e tyre në fshatra, qendra të mesme e të vogla banimi, e në krahina të tëra të këtij vendi, duke u kthyer në arbitrat abuzivë të një pasurie që është kombëtare. E që për pasojë, meriton të administrohet shumë më mirë sesa deri më sot.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi