Indeksi për Liritë Ekonomike: Shqipëria arritje pozitive

14 janar 2014

Gazeta prestigjioze “The Wall Street Journal” dhe Fondacioni Heritage kanë publikuar raportin mbi Indeksin për Liritë Ekonomike në botë dhe Shqipëria renditet e 25 mes 43 vendeve të rajonit të Evropës, ndërsa në klasifikimin global ajo është mbi mesataren botërore, në vendin e 54.  Sipas raportit një pikë e dobët për liritë ekonomike në vend vazhdon të mbetet lufta kundër korrupsionit dhe e drejta e pronës.

Shqipëria ka 66,9 pikë në klasifikimin me 100 pikë të Indeksit për Lirinë Ekonomike për vitin 2014 duke u radhitur e 54-ta në botë.  Shqipëria renditet e 25 në mesin e 43 vendeve të rajonit të Evropës ndërsa në klasifikimin global ajo është mbi mesataren botërore.

Në historinë 20-vjeçare të këtij Indeksi , Shqipëria ka përparuar në klasifikimin e lirive ekonomike me rreth 17 pikë, duke u renditur mes 20 vendeve me përmirësimet më të mëdha.

Me rritjet e shënuara në nëntë nga 10 kategoritë e lirive ekonomike, Shqipëria është ngjitur gradualisht në kategorinë “mesatarisht e lirë” duke çaluar ende në kategorinë e të drejtës së pronës.

Sipas raportit, reforma të rëndësishme strukturore kanë përfshirë liberalizimin e tregtisë, privatizimin , zbatimin e taksës së sheshtë konkurruese, si dhe modernizimin e mjedisit rregullator .

Megjithatë, në aspektin e zbatimit të ligjit, raporti thekson se gjyqësori mbetet subjekt i ndërhyrjeve politike  dhe se reforma më të thella institucionale për të çrrënjosur korrupsionin e vazhdueshëm dhe rritjen e pavarësisë së gjyqësorit janë kritike për të siguruar një liri më të madhe ekonomike në Shqipëri.

Mjedisi rregullator i dobët, me rregulla të zbehta të prokurimit, një kulturë e mosndëshkimit dhe ndërhyrjet politike, e bëjnë të vështirë për gjyqësorin të merret me korrupsionin në nivele të larta dhe që është rrënjosur thellë në Shqipëri, një vend që po ashtu shërben si tranzit për trafikimin e qenieve njerëzore dhe armëve të paligjshme dhe narkotikëve.

“Mbrojtja e të drejtave të intelektuale është e dobët dhe Shqipërisë, ende i mungon një sistem i qartë i të drejtave pronësore, veçanërisht për pronësinë e tokës. Së bashku me mbajtjen e inflacionit në nivele të ulta, është arritur gjithashtu një stabilitet më i madh monetar”, thotë raporti.

Rritja e defiçitit fiskal gjatë viteve të fundit, ka rritur borxhin publik përtej kufirit ligjor të vendosur në vitin 2008. Shpenzimet qeveritare, thotë raporti, qëndrojnë në nivelin e 28.5 për qind të PBB-së. Ngadalësimi i ekonomisë së vendit ka sjellë presione të brendshme për financat publike, duke e shtyrë borxhin publik në 61 për qind të PBB-së.

Niveli mesatar i tarifave në Shqipëri është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme,thotë raporti, nga 5.1 për qind në 1.3 për qind.Vendi zyrtarisht mirëpret investimet e huaja, por burokracia dhe mbrojtja e pamjaftueshme e të drejtës së pronës dekurajon investimet. Sistemi financiar mbetet relativisht i zhvilluar mirë dhe i qëndrueshëm megjithë mjedisin e jashtëm sfidues. Sektori bankar është i mbikëqyrur mirë, por përqindja e kredive problematike ka qenë në rritje.

Klasifikimi i përgjithshëm i Shqipërisë është rritur me 1.7 pikë nga një vit më parë, me përmirësime të dukshme në lirinë e investimeve dhe atë të tregëtisë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi