As BE-ja e as Ballkani nuk janë gati për kthesë historike në 2014

Nga Augustin Palokaj, botuar në Kohanet, 9 janar 2014

Para dhjetë vjetësh në qarqet më të larta politike evropiane ishte lansuar ideja që viti 2014, kur shënohet 100-vjetori i fillimit të Luftës së Parë Botërore, e cila nisi pikërisht në Ballkan dhe dogji tërë Evropën dhe më gjerë, të jetë kthesë historike për BE-në dhe Ballkanin. Atëherë parashihej që të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit ose të jenë anëtare të BE-së, ose të jenë shumë afër anëtarësimit. Realiteti është ndryshe, vendet e Ballkanit janë shumë larg BE-së, nuk janë as përafërsisht gati për t’u anëtarësuar, ndërsa edhe BE-ja në vitin 2014 do të merret më shumë me vetveten sesa me rajonin e Ballkanit.

Herën e fundit kur Greqia kishte pasur kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian, në pjesën e parë të vitit 2003, procesi i zgjerimit të BE-së ishte një prej politikave parësore, ndërkohë që ky proces gëzonte një mbështetje të madhe edhe në opinionin e shteteve të vjetra anëtare. Në pranverë të atij viti 10 shtete të cilat më parë kishin përmbyllur negociatat e anëtarësimit në Athinë nënshkruan Traktatin e anëtarësimit në BE. Po të njëjtën pranverë Kroacia i dorëzoi Presidencës greke  kërkesën formale për anëtarësim. Evropa i gëzohej pajtimit historik dhe hapit më të madh në bashkimin e kontinentit që u shënua në histori. Mjaftoi një vit që në të gjitha parlamentet e vendeve të vjetra anëtare dhe në ato që po i bashkoheshin BE-së të ratifikohet pranimi i 10 shteteve të reja, të cilat u bënë formalisht anëtare më 1 maj të vitit 2004. Që atëherë dihej se, ndonëse me dy a tre vjet vonesë, edhe Bullgaria dhe Rumania do t’i bashkoheshin BE-së, aspiratë kjo e cila u realizua më 1 janar të vitit 2007.Kur në pranverën e vitit 2003 15 shtetet e atëhershme anëtare, 12 që ishin në prag të anëtarësimit dhe institucionet e BE-së i gëzoheshin riunifikimit të lindjes dhe perëndimit evropian iu kujtua se në barkun e një BE-je të zgjeruar do të mbetet hapësira të cilën në vitin 2000, në Samitin e Zagrebit, e kishin pagëzuar si „Ballkani Perëndimor“, zonë që përfshinte shtetet e krijuara në territorin e ish Jugosllavisë, pa Slloveninë, e cila po bëhej anëtare e BE-së, por me Shqipërinë. Që atëherë u lansua ideja që edhe këtyre shteteve t’u garantohet perspektiva e anëtarësimit në BE në të ardhmen dhe që procesi i zgjerimit të vazhdojë përderisa i tërë territori i Ballkanit të mos përfshihet në BE. „Pa u anëtarësuar të gjitha shtetet e  Ballkanit Perëndimor në BE procesi i unifikimit të Evropës nuk do të mund të quhet i përmbyllur“, thoshte atëherë kryetari i Komisionit Evropian, Romano Prodi.

Nën kryesimin e Greqisë BE-ja, në Samitin e Selanikut, edhe zyrtarisht dha këtë premtim politik ndaj shteteve të rajonit që vazhdon të quhet „agjenda e Selanikut“. Për herë të parë pas Samitit të Zagrebit të gjithë liderët e vendeve anëtare të BE-së dhe ata të atyre të Ballkanit Perëndimor morën pjesë në samitin e përbashkët. Edhe pse nuk ishte ende shtet, edhe Kosova në një mënyrë joformale ishte e pranishme aty. Ish-shefi i administratës së atëhershme të OKB-së në Kosovë, Michael Steiner, i mori me vete në Selanik presidentin e atëhershëm të Kosovës Ibrahim Rugova dhe kryeministrin Bajram Rexhepi. Porosia ishte e qartë: çfarëdo të jetë në të ardhmen statusi i Kosovës, edhe ajo do të jetë një ditë në BE dhe se për Kosovën po ashtu vlen perspektiva evropiane. Natyrisht qysh atëherë draftuesit e BE-së u kujdesën, ashtu siç kujdesen edhe sot pas 11 vjetësh, që në asnjë mënyrë të mos fitohet përshtypja se Kosova po trajtohet si shtet.
Në vitin 2004, kur ribashkimi i bë realitet, kur në Parlamentin Evropian filluan të vijnë deputetët nga ish-vendet komuniste të bllokut sovjetik, kur zgjerimi krijoi një eufori të paparë në Evropë dhe një optimizëm të madh, u mendua se edhe Ballkani, që sapo i kishte përfunduar luftërat e fundit, do të përfshihet shumë shpejt në BE. Kështu para dhjetë vjetësh në qarqet më të larta politike evropiane ishte lansuar ideja që viti 2014, kur shënohet 100-vjetori i fillimit të Luftës së Parë Botërore, e cila nisi pikërisht në Ballkan dhe dogji tërë Evropën dhe më gjerë, të jetë kthesë historike për BE-në dhe Ballkanin. Atëherë parashihej që të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit ose të jenë anëtare të BE-së, ose të jenë shumë afër anëtarësimit. Realiteti është ndryshe, vendet e Ballkanit janë shumë larg BE-së, nuk janë as përafërsisht gati për t’u anëtarësuar, ndërsa edhe BE-ja në vitin 2014 do të merret më shumë me vetveten sesa me rajonin e Ballkanit.
Po t’i pyesni sot politikanët në Bruksel dhe kryeqytetet tjera evropiane, por edhe kryeqytetet e vendeve të rajonit, ata do të thonë se „është arritur sukses i madh“. Do t’u thonë se „të gjitha vendet e Ballkanit janë në rrugë të pakthim drejt BE-së“. Por këto janë më shumë deklarata politike të kohës, të cilat nuk marrin parasysh aspiratat e mëhershme.
Në 100-vjetorin e nisjes së Luftës së Parë Botërore vetëm Kroacia e gjen veten si anëtare të re të Bashkimit Evropian, të gjitha vendet tjera të rajonit, në rastin më të mirë, duhet të presin ndoshta 110-vjetorin, pra diku edhe rreth një dekade. As në BE e as në rajon gjërat në dhjetë vjetët e fundit nuk shkuan me shpejtësinë e duhur dhe në disa raste as në drejtimin e duhur sa i përket zgjerimit të BE-së. Menjëherë pas zgjerimit të BE-së filluan sfidat e brendshme në Bashkimin Evropian. Fjala „sfidë“ në fjalorin diplomatik përdoret në vend të fjalës „problem“ dhe së paku këtë e kanë mësuar mirë nga kolegët e tyre evropianë politikanët e Ballkanit. Në dy vendet themeluese të BE-së, Francë dhe Holandë, populli rrëzoi me referendum Kushtetutën evropiane. Zgjerimi dhe frika e vendeve perëndimore nga invazioni i fuqisë së lirë punëtore dhe të varfërve nga shtetet e reja anëtare të Lindjes pjesërisht u përmend si shkaktar i këtij rezultati. BE-ja filloj të merret me vetveten. Me ligjet dhe traktatet e krijuara për një BE më 12 deri 15 anëtarë nuk do të mund të funksiononte normalisht një BE me numër dyfish më të madh të shteteve anëtare. Duke kërkuar formula të tejkalimit të krizës, që kanosej të bëhej krizë institucionale, BE-ja la anash procesin e zgjerimit, edhe pse formalisht vazhdoi këtë proces pa e ndalur. Siç do të thoshte vitin e kaluar në një intervistë për gazetën kroate “Jutarnji list” kryetari i Komisionit Evropian deri në vitin 2004 Romano Prodi „Nga Evropa e shpresës erdhëm deri tek Evropa e frikës“ dhe këtë ai e sheh si arsye pse procesi i zgjerimit nuk ishte më prioriteti më i madh i BE-së.
Në anën tjetër edhe në vendet e rajonit të Ballkanit nuk kishte lëvizje të duhura. Politikisht udhëheqësit politikë të atyre vendeve ishin të gatshëm të zotohen se do të përmbushin vlerat evropiane, se duan të anëtarësohen në BE. Por në të njëjtën kohë vetë ata ishin të zhytur në korrupsion. Njëri prej zyrtarëve të latë të BE-së atëherë thoshte se „luftën kundër korrupsionit disa liderë të Ballkanit duhet ta kuptojnë si luftë kundër vetvetes“. Një tjetër, duke përshkruar takimet me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit, pati thënë: „Gjëja më qesharake është kur ata na thonë se janë duke bërë reforma dhe bëhen kinse po e luftojnë korruptonin, ndërsa ne bëhemi kinse po u besojmë“. As tash situata nuk është më ndryshe në vendet e Ballkanit.
Me përjashtim të Kroacisë të gjitha vendet tjera kanë probleme serioze me sundimin e ligjit ose, në rastin e Serbisë, nuk i kanë zgjidhur konfliktet me vendet fqinje dhe kanë ende pretendime territoriale (Serbia ndaj Kosovës, duke e konsideruar Kosovën si pjesë të Serbisë). Kroacia për të hyrë në BE ka bërë reforma impresionuese dhe ka dhënë rezultate të dukshme në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nëse dikush ka menduar se Kroacia e ka bërë këtë vetëm për shkak të anëtarësimit në BE le të shikojë sesa aktakuza janë ngritur prej 1 korrikut e deri më sot ndaj personave në nivelin më të lartë politik. Shembulli më i mirë është aktakuza kundër presidentit të Odës Ekonomike Kroate, Nadan Vidosheviq. Kjo Odë në Kroaci ishte një organizatë parapolitike, me ndikimin më të madh sesa vetë politikanët në pushtet. Shembuj tjerë ka plot dhe Kroacia ka dëshmuar se më 1 korrik nuk është ndalur lufta kundër korrupsionit dhe se shoqëria ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme dhe më askush nuk do të mund të jetë mbi ligjin dhe asnjë meritë, qoftë edhe ajo e luftës për liri apo titulli i heroit, nuk mund të jenë mbrojtje nga akuza nëse dikush i ka përlyer duart.
Sesa larg janë vendet e tjera për nga gatishmëria për të hyrë në BE mjafton të shikojmë shembujt e tyre. Pas Kroacisë më e avancuara në këtë rrugë është Mali i Zi. Atje janë bërë disa reforma, por gazetarët ende rrihen dhe vriten sikur në Rusi e Ukrainë, ndërsa shërbimet e zbulimit ende nuk janë pastruar. Maqedonia, e cila tash e disa vjet ka statusin e kandidatit dhe nuk mund të nisë negociatat për shkak të bllokadës së Greqisë, ka bërë disa hapa prapa në respektimin e lirisë së shprehjes. Bosnja e Hercegovina është bërë shtet jofunksional dhe nuk po arrin të tejkalojë bllokadën institucionale, falë edhe gabimeve të bashkësisë ndërkombëtare. Shqipëria vetëm në vitin 2013 arriti për herë të parë të bëjë zgjedhje të pakontestuara dhe kështu të marrë një propozim nga Komisioni Evropian për status kandidati, por edhe për këtë vendet anëtare të BE-së duan më shumë dëshmi nga qeveria e re.
Serbia ka lëvizur shumë në këta dy vjetët e fundit dhe tash do t’i fillojë edhe negociatat e anëtarësimit. Por insistimi i saj se „kurrë nuk do ta njohë Kosovën“ dëshmon se nuk janë zgjidhur të gjitha problemet në rajon. E Kosova ende nuk e përmbush as kushtin themelor të kritereve të Kopenhagës për të nisur procesin e integrimit në BE, atë që të jetë shtet. Sepse vetëm shtetet mund të aplikojnë për anëtarësim, ndërsa përderisa Kosova të mos njihet edhe nga 5 shtetet e BE-së që nuk e kanë bërë këtë, nuk do të mund të trajtohet nga BE-ja si shtet. Deri atëherë BE-ja do të bëjë eksperimente me Kosovën duke e mbajtur atë afër, duke e ndihmuar, por pa mundësi të përfshirjes së saj formale në procesin e zgjerimit.
Rasti i Kosovës dhe bllokada që Greqia i bën Maqedonisë dëshmojnë se as shtetet e BE-së nuk kanë qenë të sinqerta në mbështetjen që në mënyrë deklarative i japin procesit të zgjerimit. Edhe Sllovenia dikur bllokonte Kroacinë për shkak të kontesteve dypalëshe e në anën tjetër paraqitej si mike e madhe e procesit të zgjerimit. Edhe Greqia përderisa vazhdon të mbajë të bllokuar vendimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë duhet ta dijë se në këtë mënyrë po i bën dëm procesit të zgjerimit. Edhe pamundësia e BE-së për të folur me një zë në rastin e statusit të Kosovës, pra duke e njohur të gjitha si shtet, do ta mbajnë këtë proces në një rrugë të paparashikuar.
Ky vit do të shënojë disa rezultate në procesin e zgjerimit. Serbia do të nisë negociatat e anëtarësimit pas dhjetë ditësh. Negociatat do të vazhdojnë me Malin e Zi. Shqipëria, nëse e merr seriozisht ofertën dhe vërejtjen nga samiti i dhjetorit dhe jep dëshmi konkrete për luftë kundër korrupsionit në nivel të lartë politik, mund të marrë në qershor statusin e vendit kandidat. Edhe me Kosovën mund të përmbyllen negociatat për një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi deri në fund të këtij viti, apo, nëse realizohen pritjet optimiste të Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës, deri në fund të pranverës.
Por të gjitha këto janë vetëm disa hapa të rëndësishëm në një proces të gjatë dhe nuk do të mund të konsiderohen si „kthesë historike në raportet e Ballkanit me BE-në, “ të cilën para dhjetë vjetësh e parashikonin liderët evropianë që të arrihet në këtë vit të 100-vjetorit të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore.
Liderët e Ballkanit do të merren me sfidat e tyre parësore, si të mbeten në pushtet dhe si t’i ikin përgjegjësisë. Zyrtarët më të lartë të BE-së do të merren me zgjedhjet evropiane dhe me ndarjen e posteve në përbërjen e re të Komisionit Evropian. Shumë prej tyre që janë sot në postet kyç në BE, e që janë të angazhuar në Ballkan, në fund të vitit mund të mos jenë më aty. Por edhe pse nuk mund të llogarisin në një depërtim të madh në rrugën drejt BE-së, vendet e Ballkanit nuk guxojnë ta humbin rastin që të bëjnë së paku disa hapa në këtë drejtim në këtë vit të ri.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi