Sfidat politike 2014

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 7 janar 2014

Viti 2013 mbetet një nga vitet unike të tranzicionit. Nisi me paradën e arritjeve historike, vijoi me rotacionin plebishitar politik dhe u mbyll me të kundërtën e nisjes, në një krizë të thellë ekonomike. Jashtë retorikës politike të palëve trashëgimia është e dukshme: vendi ka nivel rekord korrupsioni politik, Shqipëria humbi shansin e katërt të ftesës për bisedimet e anëtarësimit në BE, FMN u rikthye për herë të tretë në rolin e policit shpëtimtar, pranohet publikisht niveli rekord i borxheve të jashtme dhe brendshme, pritshmëritë e mëdha të votës për rotacion vijojnë të jenë në limitet midis shpresës dhe zhgënjimit përballë një politike end eta pafuqishme për ta kthyer votën popullore në frymë reformash dhe ndryshimi. Rilindja e premtuar i ngjan kontureve të horizontit, qytetari nuk ishte dhe nuk është i pari, rotacioni vijon të jetë gjysmak për sa kohë që një e treta e pushtetit të djeshëm është dhe mbetet një e treta e pushtetit të sotëm; mazhoranca e re vijon të flasë, të ndjehet dhe të sillet si opozitë, si edhe opozita e re vijon të flasë, të ndjehet dhe të sillet si mazhorancë.

Në çdo analizë 2014 duhet të jetë një vit ndryshe, një ndryshimi. Nuk është zgjedhje, por nevojë, detyrim dhe premtim. Kështu ka ndodhur më 1992, 1997, 2005, pra sa herë ka pasur rotacion politik në pushtet. Mazhorancat e reja gjithnjë kanë dhënë më të mirën e tyre pikërisht në vitet e para të mandatit, atëherë kur bashkohet mbështetja popullore, pritshmëria e lartë, mbështetja e huaj, si dhe dominimi i saj publik ndaj palës tjetër në opozitë. E njëjta situatë është edhe tani. Mazhoranca ka një mandat të qartë ndryshimi, siç shpesh premtonte kryeministri aktual në fushatë, jo për të zëvendësuar ca emra në sistem, por për të ndryshuar sistemin korruptiv dhe abuziv të tranzicionit. Një sentencë themelore, e cila në 100 ditët e para të saj ende nuk ka gjetur zbatim.

Mazhoranca e re ka shënuar disa suksese në masat ligjore në kontrollin e territorit, në akte simbolike që gjejnë mbështetje publike kundër ndërtimeve pa leje, arrogancës së pushtetit të vjetër apo në kthimin e parlamentit dhe jetës institucionale në normalitet. Jashtë tyre, ajo vijon të shfaqë sëmundjet e vjetra të tranzicionit, ku më të dukshmet janë zëvendësimi militant në çdo nivel të administratës publike, ndarja apriori e pushtetit si tortë elektorale, rendja pas akteve populiste e mediatike pa ndonjë përmbajtje afatgjatë, tundimi për të njësuar shtetin me pushtetin, si dhe mungesa ende e një vizioni të qartë reformash strukturore, ligjore dhe kushtetuese. Mjafton një fakt ilustrues: në dallim nga 1992, 1997 dhe 2005 është hera e parë që një mazhorancë në më shumë se 100 ditë nuk ka arritur ende të miratojë asnjë ligj të rëndësishëm parlamentar në funksion të reformës së premtuar.

Sfida e saj kryesore më 2014 mbetet jetësimi i reformave të premtuara. Në lumin e pritshmërive shpesh utopiste mbeten 3-4 prioritete kryesore tek të cilat ndërhyrja bëhet emergjente dhe afatgjatë. Lufta ndaj korrupsionit pa dallim teserash dhe në front, duke nisur nga zyrtarët e djeshëm dhe të sotëm, përbën hapin më serioz dhe gurin e pronës për seriozitetin e premtimeve ndaj elektoratit dhe partnerëve ndërkombëtarë. Nuk është çështje simbolike si arrestimi të një ose dy politikanëve, as të ndonjë kryetari bashkie apo zyrtari të mesëm, – është çështje përmbajtjeje, çështje sistemi, koncepti dhe vullneti për të mundësuar që cilido që ka abuzuar dhe abuzon të përballet me drejtësinë. Një sprovë, të cilën asnjë mazhorancë e deritanishme nuk e ka përmbushur dhe që mazhoranca aktuale e ka sprovën e saj jetike për veten dhe vendin.

Sfidë tjetër thelbësore mbetet reforma ekonomike në katër plane: mirë-menaxhimi i sistemit të ri të taksave, nisja e punës për një ekonomi që prodhon jo vetëm konsumon, marrjen e masave konkrete kundër varfërisë dhe papunësisë së lartë, si dhe krijimin e një stabiliteti të qëndrueshëm ekonomik si mburojë për stabilitetin e nevojshëm politik. Buxheti i ri është modest, pritshmëritë nga politika e gjobave apo investimet e huaja janë modeste, ndërkohë që shpenzimet e konsumit për familjet dhe kostoja për vende të reja pune po rriten me shpejtësi. A do arrijë mazhoranca të frenojë rënien dhe të hapë dritën jeshile për një rritje të re ekonomike? Rënia ekonomike gjithnjë shoqërohet me kriminalitet, pasiguri, dobësim të demokracisë, mungesë stabiliteti dhe terren për aventurierët politikë e populistë. Të gjithë këta elementë janë të pranishëm, përballja me to kërkon përballje me burimin e tyre, një plan konkret ringritje ekonomike. Premtimet janë të mëdha, shanset janë dhe mbeten modeste.

Sfida e tretë mbeten reformat strukturore dhe kushtetuese. Ka një listë premtimesh që kërkon vullnet politik, konsensus, transparencë, kurajë për ndryshim. Disa prej këtyre cilësive ende mungojnë. Ndaj reforma kushtetuese, reforma në sistemin gjyqësor, reforma e premtuar territoriale, reforma e decentralizimit dhe reforma zgjedhore janë e mbeten krye-temë e politikës për 2014. Për shkak të lidhjes së tyre direkte ose indirekte me interesa politike të palëve në koalicion, ose edhe të palëve në opozitë, skepticizmi për realizimin e tyre mbetet dominues. Gjithsesi, një vullnet politik që vendosë në peshore interesin e vendit dhe interesin ditor, duke zgjedhur të parin, mund të imponojë rezultate mbresëlënëse. Modele të tilla kemi parë në Kroaci, Slloveni, Bullgari e Rumani, – Shqipëria ka rastin të mësojë prej tyre dhe 2014 mbetet koha e vetme për diçka të tillë.

Sfida e katërt mbetet nevoja për rikthimin e politikës në institucione. Ajo që sot vijojmë të shohim nuk është politikë, është parapolitikë. Politikë nuk janë aftësia për batuta në rrjete sociale, fjalimet patetike në parlament, lavdërimi pa kufij në një anë dhe mohimi en block në anën tjetër, personalizimi i vendimmarrjes, injorimi i kritikës apo kapja pas postit e mandatit si qëllim jetësor. Politika është tjetër, – është vizion, projekte konkrete, platformë reformash, aftësi për dialog e transparencë, respekti ndaj tjetrit dhe bindja pa kushte ndaj Kushtetutës dhe ligjit, – diçka që ende mungon, por që duhet të ndryshojë si parakusht për të ndryshuar më pas sistemin politik dhe Shqipërinë. Një sfidë jo vetëm për mazhorancën dypolëshe, por edhe për opozitën, për rënien e saj me këmbë në tokë për të reformuar veten dhe më kështu, për të përfaqësuar më me dinjitet e aftësi alternativën e atyre që janë ose do jenë kritikë ndaj akteve të qeverisë.

Sfida e fundit mbetet aspirate e papërmbushur integruese. Në maj do ketë zgjedhje evropiane, – një rrethanë indirekte negative për konsensus pozitiv ndaj Shqipërisë. Përcaktuese mbetet vullneti ynë për ndryshim, për akte konkrete ndaj korrupsionit dhe respektit ndaj parimeve të shtetit të së drejtës, për një sistem sjelljesh dhe veprimi që na ndan nga praktikat e orientit dhe na afrojnë me modelet perëndimore, pra për një shtet dhe shoqëri, politikë dhe institucione që ekzistojnë, kanë integritet, dëshmojnë përgjegjësi dhe kanë aftësinë të dalin tej fasadës së fjalëve për të fituar kohën dhe shansin e humbur.

A do arrijë politika që viti 2014 të mos jetë një vit tjetër mbijetese, humbje energjish pozitive dhe shansesh të humbura? A do arrijë politika të nisë ndryshimin e premtuar për një rilindje vlerash dhe projektesh reformatore? A do mund të na çlirojë 2014 nga mallkimi i politikës tradicionale që prodhon vetëm sharje e fyerje, që refuzon tjetrin dhe identifikon veten me popullin, që premton shumë dhe zhgënjen po aq shumë? Shanset janë, mundësitë janë, këshillat janë. 2014 ka nisur pa fishekzjarre, por ende të gjithë (duam të) shohim dritë në fund të tunelit!

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi