Miratohet buxheti 2014 dhe paketa fiskale

TCH, 28 dhjetor 2013

Maxhoranca miratoi buxhetin  dhe paketën fiskale për vitin e ardhshëm duke i dhënë fund sagës së diskutimeve dhe replikave me opozitën që e quan këtë buxhet si buxhet i krizës. 
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama fajësoi opozitën për gjendjen e borxhit publik dhe e akuzoi atë për keqqeverisje në 8 vite, duke abuzuar me legalizimet dhe me fondet për të pastrehët.
“Është e dhimbshme të shohësh sot Shqipërinë që të mos ketë alternativë një opozitë. Paraqitja juaj e zellshme e programit tonë ka një problem. Ju flisni sikur ne jemi në fund të mandatit dhe sikur ju 100 ditë më parë nuk ishit në pushtet, por për 8 vjet në opozitë. Ju flisni sikur borxhi nuk është i juaji. Ne nuk po rrisim borxhin, thjesht po legalizojmë atë borxh të marrë prej jush. Ne nuk do t’ua ngarkojmë bizneseve barrën e përballimit të një krize që e keni krijuar ju me politikat tuaja dhe ndërtimin e politikave të taksimit me frymëmarrje të shkurtër.  Ju në 8 vjet bëtë një katrahurë të madhe”, tha Rama.

Në seancën që zgjati rreth 7 orë, maxhoranca rrëzoi edhe amendimet e propozuara nga Partia Demokratike që thoshte se bazoheshin në programin elektoral të Partisë Socialiste. I pari amendim i rrëzuar ishte ai i ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode që kërkonte mosrritjen e taksave për biznesin e madh.
“Ky propozim bazohet, së pari në bindjen tonë të thellë që taksat e ulëta janë instrumenti i nxitjes dhe i zhvillimit të ekonomisë shqiptare dhe po ashtu vjen në përputhje edhe me angazhimet elektorale dhe programin elektoral të maxhorancës së sotme të Partisë Socialiste, e cila u ka deklaruar publikisht se në vitin e parë të qeverisjes nuk do të ketë rritje të taksës mbi biznesin”, tha Bode.
“Janë 166 mijë të vetëpunësuar, të cilët mbështesin gati 500 mijë shqiptarë. Ne e kemi hequr taksën e biznesit të vogël dhe kemi ulur tatim fitimin e thjeshtësuar, kështu që paketa jonë e mbështet biznesin. Këtu u përmend një shifër prej 70 milionë dollarësh. Vetëm në vitin 2014 Qeveria do t’i kthejë mbrapsht sipërmarrjes 350 milionë dollarë”, tha Ahmetaj.
Në paketën me 39 amendamente të opozitës, i dyti më i rëndësishëm ishte ai i propozuar nga ish-kryeministri Berisha, për të anuluar rritjen me 10 leke të taksës mbi qarkullimin.
“Taksa e qarkullimit është taksa e gijotinës, që ju vini mbi ekonominë shqiptare e shtytjes së saj me shpejtësi drejt recesionit. Vërtetë ju mund inkasoni 80 milionë dollarë, por ju garantoj se ju rrënoni së paku 800 milionë dollarë dhe në vitet në vazhdim edhe miliarda. Ku jeni o kumarxhinj, pse mbroni kumaret tuaja, pse nuk e rrisni atë çmim, pse nuk preknsi cmimin e mëkatit dhe prekni naftën?” tha Berisha.
“E para karburanti po kthehet në çmime relativisht të pranueshme me rajonin. Eshtë një masë e nevojshme për të ulur edhe qarkullimin rrugor. Ajo naftë që hidhej në treg dhe që shkatërronte mjetet shqiptare nuk do të jetë më. Në terma afatgjerë publiku fiton dhe nuk do të ketë asnjë ndikim direkt thjesht rritja e pak lekëve karburant, duke e shtrirë atë me gjithë përfitimet e tjera indirekte, sepse njeriu me vizion, shikon edhe përfitimet e gjera”, tha ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.
Ndërkohë, LSI u tërhoq nga amendimet dhe qëndrimi i saj për të mos rritur taksën për biznesin fason.
Paketa e re fiskale, rrit me rreth 20 miliardë lekë barrën fiskale për qytetarët dhe biznesin. Qeveria thotë se përmes saj ajo bën një shpërndarje më të drejtë të barrës së taksave, por opozita e ka kundërshtuar duke e quajtur si paketa që do zhysë ekonominë në recesion.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi