Optika për ndërhyrjet në Kushtetutë

Nga Ilir Dhima, botuar në Shqiptarja.com, 30 nëntor 2013

Tani që u mbushën 15 vjet nga koha kur hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (28 nëntor 1998), veçanërisht mediat kanë evidentuar faktin se, ky Ligj Themelor i shtetit është ndryshuar deri tani tri herë, ndërkohë që flitet për nevojën e ndryshimeve të tjera. Duke pasur ndërmend që kushtetutat në  përgjithësi hartohen dhe miratohen për të pasur jetëgjatësi sa më të madhe, pyetja që shtrohet më së shumti në rrethe shoqërore këto ditë është: A mund t’i bëhen ndërhyrje Kushtetutës sonë?
Në të vërtetë, kjo kategorizohet në kushtetutat e ngurta, në dallim nga ato elastike. Kategorizohet e tillë jo vetëm se është e shkruar, pra e kodifikuar, por edhe se është miratuar nga organi më i lartë i pushtetit shtetëror, në rastin tonë Kuvendi i Shqipërisë, madje edhe i aprovuar nëpërmjet një referendumi, me anë të cilit populli sovran e ka shprehur drejtpërsëdrejti vullnetin, pas dhe mbi atë të përfaqësuesve të zgjedhur prej tij, çka e identifikon këtë dokument të domosdoshëm historikisht me një pakt social të gjerë dhe me një supremaci absolute në tërësinë e normave juridike të brendshme.
Megjithatë, është vetë teksti i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, më e reja e vendeve të dala nga regjimi komunist, që parashikon në një pjesë të veçantë të saj mundësinë e rishikimit të pjesshëm, nëpërmjet një procesi jo të lehtë ndryshimesh eventuale. Domethënë, nëse nisma për amendamente mund të merret nga jo më pak se sa një e pesta e anëtarëve të Kuvendit, projekti i këtij rishikimi mund të miratohet me jo më pak se sa dy të tretat e të gjithë deputetëve. Gjithashtu, me këtë shumicë të cilësuar është vetë Kuvendi ai që mund të vendosë edhe për t’ia kaluar draftin e ndryshimeve votimit me referendum popullor, kur këtë e kërkon po ashtu një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Sidoqoftë, këtu nuk është fjala për mënyrën e shfuqizimit të krejt Kushtetutës dhe miratimit të një Dokumenti të ri, por vetëm për ndryshime të pjesshme, duke përjashtuar nga një proces i tillë tjetërsimin e parimeve të përgjithshme, mbi të cilat ngrihet rendi ynë juridik, si edhe të atyre të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si pjesë thelbësore e Kushtetutës.
Kjo optikë ndikohet edhe nga fakti, sipas të cilit, për ndonjë zgjidhje të shprehur në tekstin origjinal, apo edhe në ndryshimet e mëvonshme të tij, nga juristë që merren posaçërisht me të drejtën kushtetuese janë formuluar vërejtje në adresë të  disa dispozitave konkrete, të cilave koha u ka vënë pikëpyetje të arësyeshme. Tek e fundit, siç është shprehur Hanz Kelzen, një  themelues i drejtësisë kushtetuese, “…Demokracia nga vetë natyra e saj është relative, prandaj shumica ka të drejtë të bëjë ndryshime të çfarëdollojshme, për të cilat bie dakord”.
Në këtë kuptim, meqë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës Kushtetuta parashikonte një procedurë të zgjatur dhe të ndërlikuar ishte e domosdoshme që kjo të lehtësohej. Por, ndryshimi i miratuar bashkë me paketën amenduese natën e 21 prillit 2008, nuk ka bërë gjë tjetër veçse të krijohej mundësia që Presidenti, ndonëse konceptohet si “Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”, formalisht mund të votohet edhe vetëm nga një shumicë parlamentare e zakonshme, pa përfshirë së paku edhe votat e opozitës.
Tani është pjekur realisht mendimi, se zgjedhja e Presidentit kërkon domosdoshmërisht votat e një shumice të gjerë, duke mos lejuar ndërkohë vështirësi që mund të çojnë në shpërndarjen e Kuvendit, apo qoftë edhe tërthorazi në prekjen ndjeshëm të balancimit të pushteteve, si edhe raportin midis maxhorancës dhe opozitës në qeverisjen e vendit. Megjithatë, opinioni i shprehur disa herë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me referendum, pra nga populli, nuk duket plotësisht bindës. Nuk duket kështu, ngaqë mjafton të marrim parasysh që rezultatet përfundimtare të një referendumi për këtë qëllim mund të favorizonin kandidatin që do të fitonte jo më shumë se sa 51, 53, 55 për qind të votave. Dhe, atëherë, kjo zgjedhje nuk do t’i korespondonte frymës së Kushtetutës, përderisa kandidati fitues nuk do të ishte më i ligjshëm si përfaqësues i unitetit të popullit.
Për të mos u ndalur konkretisht te disa ndërhyrje të tjera të mundshme, që eventualisht do të përmirësonin raportet e balancimit dhe kontrollit midis pushteteve, duke ndryshuar edhe disa prej amendimeve që iu bënë Kushtetutës në prill të 2008 – s, mbase duhet të theksojmë paksa parashikimin kushtetues të strukturës së Kuvendit, për të cilën herë pas here, por edhe tani ka zëra që ajo duhet të jetë bikamerale. Jehona e këtyre zërave na përcjell ekzistencën e senatit, që krahas dhomës së deputetëve jo vetëm që do të zbuste klimën politike, por edhe do të ndikonte pozitivisht në rritjen e cilësisë së punës së Parlamentit.
Mirëpo, përpara se sa t’i referohemi faktit që shumë vende kanë një strukturë të tillë parlamentare ndoshta duhet të theksonim sidomos kushtet e Shqipërisë, ku duket e domosdoshme që trupa legjislative të ketë një karakter unitar; që të mos ndërlikohen më tej, por të përmirësohen marrëdhëniet politike midis parlamentit dhe qeverisë; që të mos ndërlikohet dhe ngadalësohet procesi legjislativ, kur në një të ardhme jo vetëm të afërt kërkohen reforma të shumta dhe të shpejta etj, etj.
Pavarësisht argumenteve ‘pro’ dhe ‘kundër’, që gëlojnë herë pas here në konferenca dhe në media, e rëndësishme është që për ndryshimet evidente që priten t’i bëhen Kushtetutës sonë, t’u jepet kohë dhe mundësi ekspertëve të kualifikuar të fushës të merren seriozisht me fomulimet e mundshme, në mënyrë që  përkufizimet ppfundimtare të marrin parasysh perspektivën e zhvillimeve të Shqipërisë nën dritën e anëtarësimit të saj në Europën e bashkuar.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi