Kriza ekonomike dhe kriza e mendimit ekonomik

Nga Selami Xhepa, botuar në Panorama Online, 27 nëntor 2013

Inovacioni dhe inxhinieria financiare, së bashku me forcat e progresit teknik e teknologjik, e kanë transformuar në mënyrë të paprecedentë mënyrën si punojnë sot tregjet, e bashkë me të, edhe dimensionet socialpolitike të natyrës njerëzore Kodet dhe ligjet, praktikat dhe institucionet, shijet e preferencat, problemet dhe zgjidhjet, janë sot më globale se asnjëherë tjetër në histori. Pikërisht për këtë arsye, analisti i mirënjohur i International Herald Tribune, Thomas Freedman, thoshte se tani “bota është e sheshtë”, pas gati katër shekujsh kur Giordano Bruno zbuloi se bota ishte e rrumbullakët.
Në këtë shkrim do të kufizohem (shkurtimisht) vetëm në evoluimin e rolit të parasë dhe të botës së financës, dhe të krizës aktuale financiare, si shprehje e kontradiktave të krijuara me sistemin tonë intelektual të mendimit.
* * *
Nëse kthejmë vështrimin pas në kohë, paraja ka evoluar që nga përfaqësimi i saj prej pllakave të gurit e metaleve të çmuara, e deri te forma e sotme prej letre (me portrete udhëheqësish të stampuara në to). E ardhmja duket se do të jetë zhdukja e saj si paraqitje fizike, duke mbetur vetëm si një fiction kompjuterik, një numër llogarie ku individi kryen transaksionet e veta pa parë kurrë pará me sy. Në këtë tranzicion monetar mijëvjeçarësh spikasin dukshëm periudha qetësie e stabiliteti (relativ) ekonomik e social, ku pa dyshim bota e djeshme, e bazuar tek ari (dhe, deri diku tek argjendi), ngjan si një oazë i patrazuar monetar dhe i çmimeve, kur krahasohet me “ciklonet” që ka përjetuar bota e pas standardit të arit. Pikërisht për këtë arsye, kongresisti republikan Paul Ryan prej kohësh ka qenë zëri më i artikuluar në publik për një rikthim të botës në atë sistem, të cilin mund ta kritikosh vetëm thjesht duke përdorur metaforën si sistem “arkaik”, por në thelb askush nuk mund të shkojë më tej në argument kundër një qasjeje të tillë në menaxhimin e çështjeve monetare. Kritika më thelbësore që i bëhet sistemit të arit është sasia e kufizuar e tij, gjë që mund të kufizojë rritjen e tregtisë dhe prodhimit. Një kritikë kjo naive, pasi ari shërben si standard matës, dhe këtë funksion nuk e përmbush si sasi fizike. Do të ishte njësoji si të thuash se nuk mund të matim me metër sepse shoqëria disponon vetëm centimetër; kështu dhe ari në shprehjen e çmimeve mund të ndahet në njësi edhe më të vogla matjeje. Shumë ekonomistë të shquar, midis të cilëve edhe Greenspan, dikur e kanë mbështetur një alternativë të tillë. Çmimi i arit sot në tregjet valutore ka pësuar rritjen më spektakolare: që nga viti 1970, vit kur merr fund standardi i (tërthortë) arit, çmimi i tij është rritur mbi 40 herë, i pakrahasuar më asnjë mall tjetër (nga 37$/onz në rreth 1450 $/onz). Arsyeja është e thjeshtë: investimi në ar është alternativa më e mirë për të ruajtur vlerën e kursimeve, prandaj dhe kërkesa për të blerë ar ka shënuar një rritje eksponenciale.
* * *
Megjithatë, ky opsion mbetet jashtë çdo konsiderimi, sepse në thelb bankat, tregjet financiare, spekulantët e tregjeve monetare, bankat qendrore, janë të painteresuar. Kanë qenë këta aktorë që e kanë formësuar rrugën e gjatë të tranzicionit monetar drejt parasë letër, si mundësia më e mirë për përfitime të grupeve të caktuara sociale, duke ndikuar që nëpërmjet krizave të parasë dhe çmimeve, të rishpërndahet pasuria e krijuar në një mënyrë jo të ndershme, kryesisht e kalimit të saj nga kreditorët drejt debitorëve. Por, problemi më i mprehtë në këtë tranzicion është se sot jemi të pafuqishëm të përdorim paranë dhe çmimin e saj për të ndikuar në ekonomi. Norma afatshkurtër e interesave që përcaktohet nga bankat qendrore, prej kohësh e humbi fuqinë e saj, e bashkë me të edhe lehtësitë sasiore të shpikura gjatë katër-pesë viteve të fundit, si një risi e politikave monetare jokonvencionale. Për këtë arsye, një opsion i artikuluar së fundmi (Larry Summers në një nga fjalimet e tij të ditëve të fundit në një aktivitet të FMN-së, dhe shumë të pëlqyer nga studiuesit më në zë të ekonomisë) është kalimi drejt parasë elektronike. Arsyeja është se paraja elektronike, duke i hequr plotësisht mundësinë individit të bëjë zgjedhjen e tij në menaxhimin e pasurisë së kursyer gjatë jetës, dhe e vendos pushtetin tërësisht te bankat qendrore dhe te sistemi bankar e financiar, duke rritur kështu fuqinë e politikës monetare në ekonomi. Në thelb, arsyetimi është ky: meqenëse kur konteksti ekonomik kërkon që banka qendrore të detyrohet të ulë normën e interesit në nivele negative, qytetarët mund të tërheqin kursimet e tyre nga bankat, atëherë pyetja e shtruar është “si ta bëjmë të pamundur që qytetari të kryejë një veprim të tillë?”. Dhe kjo mënyrë është lindja e parasë elektronike, e-dollar, e-euro, e-lek, duke zëvendësuar tërësisht paranë letër. Duke mos pasur denominim natyror, por vetëm para llogari, atëherë qytetari nuk ka asnjë mundësi zgjedhjeje, veçse të pranojë edhe norma negative interesi. Domethënë, nëse ke vendosur në bankë 100 euro dhe banka qendrore vendos normë interesi -5%, do të thotë se në fund të vitit do të marrësh 95 euro. Përkundrejt një politike të tillë, qytetari nuk ka alternativë, pasi paraja elektronike nuk mund të tërhiqet nga banka pasi nuk ka paraqitje fizike. Në planin makroekonomik duket se një opsion i tillë mund të funksionojë. Sot bota ndodhet në një fazë ku normat e interesit kanë shkuar drejt zeros (në terma realë) dhe megjithatë ato janë të paafta të nxitin investimet në ekonomi dhe të rikthejnë kurbën ekonomike drejt rritjes. Prandaj kjo mund të jetë një alternativë që mund të ketë një përfitim në kushte të caktuara ekonomike, të vështirësive ciklike me të cilat ndeshet ekonomia. Por ndoshta pyetja themelore mund të shtrohet në formën: “Çfarë duhet të ndryshojmë që ciklet ekonomike të mos jenë të natyrës kaq të ashpër sa ato që prodhuan ngjarjet e pas vitit 2007?”. Nëse pyetja shtrohet në këtë formë, jam i sigurt se do të arrinim në një tjetër format përgjigjesh për politikat që do të zbatoheshin. Për shembull, a duhet ta lëmë paranë të jetë neutrale në raport me ciklin ekonomik? A duhet që objektivi i politikës monetare të zhvendoset më shumë drejt stabilitetit financiar dhe manipulimi i ofertës monetare të kufizohet vetëm në stabilitetin e çmimeve? Dhe më në fund, alternativa e propozuar vuan nga një problem moral: A është e drejtë heqja e pushtetit të marrjes së vendimeve për kursimet individuale nga duart e qytetarit dhe vendosja e saj ekskluzive në duart e bankierëve qendror?
* * *
Paraja ka si strehë të vetën bankën. Bankat, që prej shekullit të katërmbëdhjetë në qytetet italiane të Firences (me familjen Medici) e Genova, e deri në ditët e sotme, kanë kryer një prej funksioneve më të rëndësishme, më transformuese në historinë e ekonomisë. Duke lehtësuar pagesat dhe duke e çuar paranë e kursyer në projektet më ekonomike, ato kanë revolucionalizuar tregtinë dhe prodhimin, kanë udhëhequr botën drejt modernitetit. Problemi fillon të shfaqet kur burimi i krijimit të pasurisë nuk është më paraja e kursyer dhe e akumuluar ndër vite (kujtoni protestantin vebersit), por nëpërmjet “parasë kredi” (rezervës fraksionale), një shpikje që daton që në shekullin e shtatëmbëdhjetë në Holandë, por që në tregjet e sotme aq komplekse, është shndërruar në një burim destabiliteti që mund të sjellë pasoja serioze, si ato të përjetuara në krizën aktuale. Për shembull, në sistemin më të hershëm bankar vërtet lejohej që bankat të rrisnin kapitalin nëpërmjet grumbullimit të depozitave, por raporti i kapitalit të investuar nga vetë aksionerët duhet të ishte deri në 40% të totalit. Pra, në një masë të madhe biznesi bankar ishte rrezikim i parave të vetë investitorëve, më tepër se të depozitorëve. Një gjendje tillë prodhon vetiu disiplinë tregu: çdo bankë do të kontrollohej më mirë nga aksionerët e tyre, dhe duke qenë ata të interesuar të ruajnë investimin e tyre, sigurisht që ruhen edhe paratë e depozituesve. Por, kur raporti i kapitalit të aksionerëve është vetëm 8-9% e totalit të kapitalit të bankave, ky nivel borxhi (që njihet në termin teknik si leverage), është shthurës nga pikëpamja e disiplinës së tregut dhe rrezikues nga forca destabilizuese që mbart. Kjo ka bërë që bankat sot të shfaqin probleme serioze të mënyrës së tyre të operimit dhe raporteve të saj me sektorin real të ekonomisë. Nevoja e ridimensionimit të veprimtarisë së tyre, e rritjes së përgjegjshmërisë në raport me depozituesit (dhe stabilitetin financiar) dhe me sektorin real të ekonomisë, janë sot në qendër të debatit global. Occupy Wall Street i ka dhënë jetë një lëvizjeje qytetare globale, forca reformuese e së cilës i kalon përvojat e mëparshme historike. Sërish kemi nevojë për një reflektim historik për të mos hequr dorë nga disa praktika të kaluara në termat e përgjegjshmërisë publike dhe individuale të bankave dhe bankierëve në raport me depozituesit, në raport me interesin publik dhe të komunitetit. Disa norma të vlerësimit të performancës së bankierëve duhet të jenë jo thjesht në raport me interesin e aksionerëve, por dhe me interesin publik. Dhe këto kritere mund të formulohen nga bankat qendrore në formën e direktivave për zbatim konkret. Po kështu, bankat nuk duhet të heqin dorë asnjëherë nga ndjekja e aktivitetit të kredimarrësit. Marrja e kredisë shënon fillimin e një marrëdhënieje që duhet institucionalizuar, që nga dorëzimi i pasqyrave financiare, kontrolli permanent për auditim llogarish, e drejta e bankës për të vendosur masa korrektuese kur e gjykon të arsyeshme për të garantuar rikthimin e kredisë etj. Oficeri i kredisë duhet të konsiderohet si një përfaqësues i përhershëm i bankës në strukturën drejtuese të kompanisë huamarrëse. Vetëm një sistem që kombinon një bankier konservativ dhe një sipërmarrës “aventurier” është në interpretimin shumpeterian, garantues i stabilitetit të sistemit ekonomik e shoqëror. Ndoshta te kjo kontradiktë, te fakti se edhe natyra e bankierëve do të bëhej po aq “aventuriere” sa dhe e sipërmarrësve, buronte pesimizmi i Schumpeterit për të ardhmen e shoqërisë sonë.
Bota sot është duke përjetuar një destabilitet ekonomik e social me një potencë të fortë transformuese drejt rivendosjes së një ekuilibri të ri. Historia, përveçse një kuriozitet i studiuesve (përgjithësisht) të moshuar, është një laborator nga ku mund të nxjerrim leksione që të na vlejnë për të rikalibruar modelet tona të ardhshme të zhvillimit. Nuk është anakronike një ide thjesht se i përket së shkuarës; anakronike është edhe një ide e kohës, por që dështon të përmbush misionin e vet të premtuar.
*Instituti Kanadez i Teknologjisë

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi