Kushtetuta mbush 15 vjet, krerët e shtetit: Ndryshimet kushtetuese kërkojnë gjithëpërfshirje

22 nëntor 2013

U zhvillua në Tiranë konferenca për 15-vjetorin e Kushtetutës së Shqipërisë, ku ndodheshin të pranishëm Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ambasadori i BE-së në vendin tonë Ettore Sequi, kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, gjyqtarë, juristë dhe shumë ekspertë të fushës.

Në 15-vjetorin e themelimit të Kushtetutës, presidenti i vendit, Kryeministri dhe kreu i Parlamentit ndan të njëjtin mendim për gjithëpërfshirje, maturi dhe transparencë.

“Mendoj se në kuadrin e aderimit në Bashkimin Europian do të duhet të përgatitemi për modifikime të reja kushtetuese, të cilat vijnë në përputhje me shpirtin të kthimit në anëtar me të drejta të plota të Shqipërisë në BE. Pikat të cilat mund të parashtroheshin për rishikim në Kushtetutën e Shqipërisë, siç ka ndodhur tashmë në të gjitha vendet anëtare të BE-së, do të konsistonin në një kufizim i sovranitetit kombëtar, me anë të njohjes se institucioneve të BE-së, për të adoptuar akte normative për shtetet anëtare. Pra Parlamenti shqiptar nuk do të jetë i vetmi institucion ligjbërës”, u shpreh Presidenti Bujar Nishani.

Ndërsa kryeministri Edi Rama theksoi se në çdo rast, çdo ndërhyrje në Kushtetutë imponon domosdoshmërisht që gjithëpërfshirja të jetë koncepti bazë dhe më fillestar i saj. “Nuk mundet kurrësesi që një proces i tillë të jetë një proces i tillë, të jetë një proces partiak dhe i njëanshëm. Padyshim edhe në qoftë një proces politikisht i gjithanshëm, kjo është e pamjaftueshme kur flasim për Kushtetutën e një vendi, në jetën e një vendi ku partitë politike përfaqësojnë shumëçka, por kurrsesi nuk përfaqësojnë gjithçka”, tha Rama.

Për kreun e Kuvendit, Ilir Meta, Kushtetuta nuk është tabu, por është një trup i gjallë i cili herë pas here duhet të përshtatet me mjedisin e ri politik, ekonomik, social dhe kulturor të vendit, një gjë e tillë duhet bërë, përmes një procesi të gjerë, të besueshëm, transparent e publik, me ekspertizën më të mirë vendase dhe të huaj. “Zgjedhja e Kryetarit të  Gjykatës Kushtetuese, u krye në frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit politik të të gjitha forcave politike dhe institucioneve kryesore të vendit.

Gjykata Kushtetuese, si një garantë e zbatimit të dokumentit themelor të shtetit, është e një rëndësie të posaçme. Duhet të reflektojë shkallën e pjekurisë së vetë shoqërisë shqiptare të sotme dhe të nesërme”, nënvizoi z. Meta.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, i cili ndodhej në këtë konferencë kërkoi miratimin e legjislacionit të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja shtoi se nevojitet një përmirësim i drejtësisë kushtetuese.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi