Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit

Diplomati dhe analisti diplomatik i mirënjohur, Shaban Murati, nxori në qarkullim librin e tij të ri “Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit”. Libri pasuron kolanën e librave të autorit kushtuar problematikës, fizionomisë, rrugëtimit dhe përballjeve konkrete të diplomacisë shqiptare në ditët e sotme me detyrat dhe misionin e saj. Në qendër të analizave diplomatike vendoset objektivi profesional, shkencor dhe diplomatik, i kërkimit të një identiteti shtetëror dhe kombëtar të diplomacisë shqiptare. Në vështrimin kritik të autorit, diplomacia shqiptare e periudhës së demokracisë ende nuk e ka gjetur dhe formuar identitetin e vet shtetëror dhe kombëtar dhe duhet t’i futet rrugës së kërkimit të këtij identiteti.
Libri ndalet në analizën e këtij fenomeni shqetësues dhe me rëndësi për diplomacinë dhe për shtetin shqiptar, duke e zbërthyer në qëndrimet dhe interpretimet konkrete të problemeve dhe të marrëdhënieve aktuale të Shqipërisë me shtetet e tjera, kryesisht ato fqinje, të politikës rajonale dhe ndërkombëtare të Shqipërisë. Në këtë optikë ai analizon dinamikën dhe veçoritë e reja të marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA, tronditjet dhe rreziqet e moskuptimeve diplomatike. Analizon marrëdhëniet aktuale me Turqinë si partner i ri strategjik, dhe me Greqinë, në dritën e zhvillimeve më të reja në marrëdhëniet e Shqipërisë me këto dy shtete. Libri u kushton rëndësi të veçantë aspekteve diplomatike dhe shtetërore të marrëdhënieve me Kosovën, ku autori fokuson dilemën e madhe të diplomacisë së Shqipërisë mes folklorizmit dhe forcimit institucional të marrëdhënieve specifike mes dy shteteve shqiptare. Një këndvështrim interesant paraqesin analizat e autorit për problemet kardinale të organizimit dhe të funksionimit të shërbimit diplomatik shqiptar, me pengesat dhe faktorët negativë për t’u kapërcyer.
Frut i një përvoje unike prej 45 vjetësh si analist i politikës së jashtme, nga të cilat 14 vjetët e fundit autori është analisti i politikës së jashtme në “Gazetën Shqiptare”, libri sjell një panoramë të re, origjinale dhe profesionale, të problemeve të sotme të diplomacisë shqiptare, gjë që e bën atë një manual me interes si për diplomacinë dhe institucionet e shtetit shqiptar, ashtu dhe për studiuesit dhe të apasionuarit e diplomacisë dhe të politikës së jashtme.
Libri i ri i diplomatit dhe analistit diplomatik Shaban Murati “Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit” vjen si një kontribut i ri i çmuar në drejtim të zhvillimit të mendimit diplomatik shqiptar, aq i domosdoshëm për formimin e identitetit shtetëror dhe kombëtar të diplomacisë shqiptare.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi