Kujt i shërben shteti?

Nga Shpëtim Çuçka, botuar në Java, nëntor 2013

Njëzet e ca vitet e fundit të historisë sonë (domethënë ajo pjesë e historisë, të cilën historianët tanë nuk janë në gjendje – qoftë edhe mbështetur në dokumentet zyrtare të botuara, në artikujt e shtypit dhe në vëzhgimet e tyre vetjake mbi veprimtarinë e përditshme publike të shtetit dhe të shoqërisë – ta marrin në shqyrtim dhe aq më pak ta paraqesin në mënyrë shkencore përpara kujtesës dhe vëmendjes së qytetarëve) nga pikëpamja politike dhe juridike mund të përmblidhen në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet atyre institucioneve a krijesave të shoqërisë, që quhen “demokraci”, “ligj” dhe “shtet”

Në fillimet e ngazëllimit demokratik demokracia ishte fjala magjike që zbërthente (dhe shkatërronte) çdo sistem jo vetëm veprimtarish konkrete shoqërore në të gjitha fushat, por edhe mënyrash të arsyetuari mbi jetën e mbi botën. Njerëzit sikur u zgjuan nga një gjendje e turpshme budallallosjeje (më vonë doli se të budallallosur na paskësh qenë vetëm një numër fare i vogël shqiptarësh; të gjithë të tjerët e paskëshin kuptuar kohën dhe kishin punuar kundër saj) dhe u sulën të etur fushave me lule shumëngjyrëshe të Lirisë, ku ishin të bindur se i priste edhe lumturia vetjake edhe çlirimi nga çdo mendim e pikëpamje fajtore. Sa për ndërgjegjen, ajo mund të vazhdonte të flinte, sikurse duket se ka fjetur te pjesa më e madhe e bashkatdhetarëve tanë në pjesën më të madhe të historisë.

Si fusha me lule u panë elektriciteti dhe sistemi i ujësjellësit, tokat e punueshme dhe pyjet e livadhet, bregdeti e malet, liqenet dhe lumenjtë, rrugët, këmbësoret, sheshet e parqet, të gjitha ndërtesat, shkollat e çerdhet, depot e ushqimeve dhe të ushtrisë, gjithçka. Nuk ma do mendja se zbuluesit e parë evropianë të Amerikës e kanë parë me një sy kaq të etur e të patrembur kontinentin e ri, sa ç’e panë Shqipërinë një pjesë jo e vogël e shqiptarëve. Gjithçka ishte e lejueshme, e mundshme, e arritshme, e përvetësueshme. Për t’ia lehtësuar punën kësaj demokracie të ngazëlluar e triumfuese u hoqën praktikisht të gjitha pengesat, jo vetëm ato morale. Deri edhe kushtetuta u hodh në kanal si një tabelë e panevojshme dhe trualli i saj për vite të tëra u la praktikisht ugar.

A ia vlen të sillen dëshmi? Mendoj se edhe shembujt më të bujshëm nuk do të mjaftonin për të dhënë sadopak larminë e trajtave, në të cilat u sendërtua triumfi i plotë e i pakushtëzuar i demokraci-lirisë. Në fund të fundit dëshminë e vërtetë e kemi përpara syve, të tërën e të bërën, ndonëse njeriu duke u parë përditë në pasqyrë e ka të pamundur të dallojë edhe vetë ndryshimet që pëson pamja e tij e jashtme. Por jam i bindur se, sikur gjithkush t’i bënte vetes pyetjen “Po tash, Shqipni, pa m’thuej si je?”, përgjigjja që ai do t’i jepte asaj në ndërgjegje të vet (me kusht që ta ketë atë) nuk do të ndryshonte shumë nga përgjigjja që i jepte poeti gati 200 vjet më parë.

Mund të thuhet pa frikë se iluzionet fillestare të një numri shumë të madh shqiptarësh për fuqinë magjike të demokracisë, të cilat niseshin nga një kuptim miturak për këtë institucion, si dhe neveria pothuaj biologjike (në mendje vjen këtu një përcaktor edhe më i saktë) për institucionet “ligj” e “shtet”, sot në një masë të ndjeshme janë zbehur e davaritur. Të shumta janë rrethanat e jetës sonë të përditshme, pas të cilave vjen e përforcohet përshtypja (në të vërtetë bindja) se qëndrimi i qytetarëve ka ndryshuar: iluzionet e trëndafilta rreth demokracisë të kuptuar si liri pa cak e pa kufi ia kanë lëshuar vendin gjithnjë e më dendur një druajtjeje, në dukje të vetvetishme, nga kjo lloj “ëmbëlsire qiellore”, ndërsa neveria për shtetin e ligjin ka kohë që përjetohet e përzier qoftë dhe turbull me një ndjesi faji. Edhe mjaft flamurtarë të së resë demokratike shprehen me keqardhje për shumëçka, kur shfaqen në mjetet televizive a shkruajnë në faqet e shtypit duke krahasuar fillimet me të sotmen.

Gjithë historia botërore e parë nga këndvështrimi politik mund të përmblidhet si histori e krijimit të shtetit. Kjo histori e krijimit e shtetit ka disa aspekte themelore: së pari, nuk është histori e një çasti dhe as e mbyllur. Ajo zgjat vazhdimisht, që do të thotë se shteti nuk krijohet në një ditë, por ngrihet me një akt politik dhe përsoset pareshtur në përputhje me nevojat e shoqërisë; së dyti, shteti lind si nevojë e vendosjes mbi baza ligjore të të gjitha marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve dhe e mbrojtjes së kësaj ligjshmërie; së treti, marrëdhëniet ndërshtetërore, domethënë marrëdhëniet ndërmjet shteteve, kanë arritur deri në konflikte të armatosura dhe për përballimin e këtyre konflikteve janë përdorur të gjitha mjetet, jo vetëm ato politike dhe jo vetëm ato ushtarake, por edhe kulturore, gjuhësore e fetare.

Historia botërore dëshmon në mënyrë të qartë edhe për shembjen e shteteve. Dhe shembjet kanë ardhur si rregull për shkak të pushtimit të huaj. Nga ana tjetër pushtimi i huaj i është mbishtresuar dobësisë ose dobësimit të brendshëm e të gjithanshëm të shtetit: ekonomik, politik dhe ideologjik. Po kështu vetë pushtimi nuk ka qenë një akt i thjeshtë ushtarak, por ka pasur gjithnjë e më tepër një karakter të shumëfishtë – politik, ekonomik e ideologjik – i cili është shpalosur jo vetëm pas pushtimit, por edhe përpara nisjes së sulmit ushtarak.

Dhe shembja e shtetit përbën kushtin më të fortë për shuarjen e një kombi. Sidomos në kushtet e një trysnie të fuqishme politike e ideologjike nga ana e pushtuesit. Sidomos në kushtet e një trysnie të fuqishme ekonomike. Dhe, për më tepër, në kushtet e shkatërrimit të vetëdijës kombëtare te pjesëtarët e një kombi.

Historia e shtetit shqiptar është dëshmi e qartë e këtyre të vërtetave historike. Në të shihen si përpjekjet e mundimshme për ta ngritur këtë shtet ashtu dhe përpjekjet e panumërta nga brenda – por edhe nga jashtë – për ta penguar një gjë të tillë. Përfundimi: a) vitet, kur kemi pasur shtet kanë qenë relativisht të pakta; b) pikëpamjet dhe vlerësimet në gjirin e shoqërisë sonë rreth periudhave, kur kemi pasur shtet, jo vetëm nuk janë të njësuara, por janë krejtësisht të kundërta e të papajtueshme mes tyre; c) dobësia e shtetit dhe prirjet e kundërta politike lidhur me të vijojnë edhe sot, madje tani për shkak të së ashtuquajturës demokraci (“e ashtuquajtur”, pasi vetëm në kohë kundërkulture dhe errësire ndodh që gënjeshtra të përhapet dhe të mbytë të vërtetën) kjo luftë të kundërtash është kthyer në modelin themelor të jetës shoqërore. Tragjikomikja në këtë mes është se mjetet e ideologjisë, shkencës dhe kulturës (për aq sa ka te ne edhe ideologji edhe shkencë edhe kulturë) ose na i fshehin këto të vërteta ose përpiqen të na i bëjnë sa më të shpërfillshme.

Pra, ne themi se kemi shtet, por ndërkohë ka shenja të shumta që tregojnë se në shoqëri ka ardhur duke u forcuar ndjesia, përshtypja madje bindja se shteti ynë është përgjithësisht gjojashtet, se në të vërtetë ai nuk i kryen shërbimet e tij kryesore.

A mund të flitet për rol, domethënë për prani të shtetit, në rast se do të mbajmë paraysh gjendjen e fondit të tokës; nëse do të krahasojmë shifrat e sipërfaqes së tokës së punueshme dhe të punuar në fillim të pranverës demokratike dhe sot; nëse do të krahasojmë shifrat e masës, në të cilën prodhimi vendës ka plotësuar dhe plotëson nevojat ushqimore të popullsisë, pra masën e sigurisë ushqimore të vendit; nëse do të krahasojmë të dhënat mbi sistemin e kanaleve të kullimit dhe të ujitjes etj.etj.? Këtu nuk po ndalem në problemin e prodhimeve gjenetikisht të ndryshuara dhe në pasojat që kjo ndërhyrje mund të ketë në të ardhmen mbi kodin gjenetik të qytetarëve.

A mund të flitet për rol, pra për prani të shtetit, në rast se do të mbajmë parasysh faktin që sot ndihmë mjekësore e përparuar mund të jepet vetëm në kryeqytet; nëse do të mbajmë parasysh gjendjen e shërbimit mjekësor, ndihmësmjekësor, farmaceutik dhe vaksinor qoftë nga pikëpamja e aftësive profesionale të personelit, qoftë nga pikëpamja e përgjegjësisë së tyre ligjore, shkurt nga pikëpamja se sa i nënshtrohet i gjithë ky proces një politike të caktuar shtetërore, domethënë kontrollit të shoqërisë nëpërmjet mekanizmit të shtetit?

A mund të flitet për rol, pra, për prani të shtetit, në rast se do të nisemi nga gjendja e sistemit arsimor, nga lëndët dhe tekstet shkollore, nga fryma e edukimit që mbizotëron në to si dhe nga ajo e ardhme që ky sistem, këto lëndë e këto tekste u premtojnë nxënësve? Mjafton të mbajmë parasysh faktin që më se një herë zyrtarët më të lartë të këtij sistemi dhe të vetë qeverisë kanë shpallur me krenari synimin për t’i bërë nxënësit shqiptarë të aftë për t’u punësuar jashtë kufijve të vendit. Këtu ndër të tjera qëndron arsyeja që në tekstin e edukatës qytetare të klasës së parë fillore (sa për të dhënë një shembull të hidhur) nuk gjen as edhe një rresht të vetëm, ku nxënësit i flitet për atdheun dhe atdhedashurinë, për popullin shqiptar, për flamurin dhe për gjuhën shqipe. A nuk tingëllojnë në këto rrethana si dyfytyrësi qarjet e qeveritarëve tanë për shqiptarët jashtë atdheut dhe për fëmijët e tyre, që po humbin ndjenjën e atdhedashurisë dhe njohjen e gjuhës shqipe?

A mund të flitet për rol, pra, për prani të shtetit në botën e kulturës, në rast se do të mbajmë parasysh atë që ndodh në fushën e librit, të arteve, të teatrit, për të mos folur për kinematografinë? Për ç’kulturë mund të flitet në kushtet kur çdo krijim matet vetëm me vlerën e tregut, me fitimin? A mund të ketë shtet pa edukimin e qytetarisë te çdo shqiptar dhe a mund të ketë edukim qytetar pa ndihmesën e kulturës, në radhë të parë të kulturës amtare? Si mund t’i lihen tregut këto funksione, jetësore për një vend?

Po shtypi kujt i përket në Shqipëri: shtetit, shoqërisë apo biznesit privat? Nëse një pronësi publike e shtypit e bëka këtë të fundit të varur, si mund të pohohet se pronësia private e bën shtypin të pavarur? Të pavarur nga kush, nga pronari i tij? Si mundet që kjo e dyta të ketë një veti që nuk e paskësh e para? Cila është garancia se kjo pronësi private, e sendërtuar te shtypi, i shërben të mirës shoqërore? Cila është garancia se kjo pronësi private një ditë të caktuar nuk do të ngrejë një stuhi kundër interesave të shumicës dërrmuese të shoqërisë, në të vërtetë kundër shoqërisë dhe të ardhmes së saj? Cili është roli i shtetit, pra prania e tij, për ta siguruar shoqërinë tonë se kjo nuk do të ndodhë?

(- A do ta krijojmë shtetin?

Pyetje e shtruar para disa vjetësh

nga njëra prej figurave më të larta të shtetit

në një dikaster të rëndësishëm.

– Këtu nuk punojnë më shumë se 15 veta.

Vërejtje e një drejtuesi dikasteri

në një mbledhje të rëndësishme të këtij dikasteri,

ku merrte rrogën një numër 12 herë më i madh nëpunësish.

– Administrata e sotme shqiptare është pamja më e neveritshme e shtetit shqiptar… Neve na duhet një administratë që punon për shtetin shqiptar,…një administratë që nuk e ka mendjen te rishpërndarja dhe ndarja e fitimeve.

Shqiptuar së fundmi në Kuvend

nga një deputet, dy herë ministër.

Disa pyetje rreth këtyre deklarimeve:

– A kemi vallë shtet, në rast se një zyrtar tejet i lartë ka shtruar pyetjen-thirrje për krijimin e shtetit pothuaj 100 vjet pas pavarësimit? Nuk po bëjmë këtu pyetjen se për ç’arsye vazhdonte ta merrte rrogën ky zyrtar tejet i lartë, nëse vinte në pikëpyetje ekzistencën e shtetit.

– Sa punon ky shtet, në rast se në një dikaster të rëndësishëm kryejnë punë, sipas drejtuesit të tij, vetëm 8 përqind e nëpunësve dhe punonjësve? Nuk po shtrojmë pyetjen se ç’masa mori ky drejtues për përmirësimin e gjendjes.

– Nga do të merren këta nëpunës administrate pa prirje për përfitime, në rast se fitimi është i vetmi kriter dhe masë vlerësimi për të gjitha veprimtaritë e shoqërisë dhe për të gjitha fushat e këtyre veprimtarive, në rast se jeta e çdo familjeje shqiptare dhe e çdo qytetari i është nënshtruar njëzet e ca vitet e fundit tërësisht dhe vetëm ligjit të fitimit?

– Nëse na duhet një administratë që punon për shtetin shqiptar, atëherë për cilin shtet punon administrata jonë sot? Dhe për kë duhet të punojë në të vërtetë kjo administratë: për shtetin (i cili vetë nuk është veçse një mekanizëm, pra mjet shërbimi) apo për shoqërinë?

– Nëse administrata është pamja më e neveritshme e shtetit (dhe, në thelb, administrata është vetë shteti), atëherë ç’përgjegjësi kanë për këtë gjendje dëshpëruese dhe poshtëruese drejtuesit politikë të kësaj administrate, në tërësi trupa e deputetëve, e zyrtarëve të lartë dhe e politikanëve të vendit?

– A do të kemi vërtet ndonjëherë një shtet ashtu si duhet? Apo zgjidhjen e kësaj detyre tejet të rëndë dhe tejet të rëndësishme duhet ta presim nga Brukseli, nga Perëndimi, nga ambasadorët e tyre te ne?)

Lexuesi mund të shtrojë me vete edhe shumë pyetje të ngjashme. Ai ka të drejtën, madje ka detyrën ta bëjë këtë gjë në ndërgjegjen e vet (aq më tepër që të tilla pyetje nuk shtrohen as nëpër mjetet e shtypit apo ato televizive dhe as në bisedat e të diturve dhe të urtëve tanë). Dhe në rast se ky lexues do të jetë qytetar, pra, në rast se ai nuk do ta ketë humbur ende vetinë e të arsyetuarit mbi realitetin dhe mbi shkaqet e probleme-plagëve të shoqërisë, mes të cilave jeton përditë, atëherë nuk mund të mos arrijë në kuptimin e saktë të marrëdhënies që duhet të ekzistojë ndërmjet demokracisë, ligjit dhe shtetit. Atëherë ai do të kuptojë se demokracia është fjalë boshe, kur nuk mbështetet te ligji ose, edhe më keq, kur e zhvlerëson ligjin. Sikurse do të kuptojë se ligji është gjithashtu një fjalë boshe pa fuqinë zbatuese të shtetit. Sikurse do të kuptojë gjithashtu se as demokracia, as ligji dhe as shteti nuk mund të kenë vlerë mbarëshoqërore, sa kohë që ata nuk burojnë nga e drejta dhe nuk i shërbejnë asaj. Dhe e drejta në një shoqëri është vetëm ajo që i shërben interesit të përgjithshëm dhe interesit të së ardhmes.

Çështja është: a janë mbështetur mbi të drejtën demokracia, ligji dhe shteti ynë i sotëm, domethënë a janë këto mekanizma në shërbim të interesit të përgjithshëm, në shërbim të të sotmes dhe të ardhmes së të gjithë shoqërisë, apo u shërbejnë vetëm interesave të një pakice?

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi