Zgjerohet protesta kundër asgjësimit të armëve kimike siriane në Shqipëri

14 nëntor 2013

Jo vetëm në Tiranë, por dhe në disa rrethe të tjera të vendit, protestohet kundër importit të armëve kimike nga Siria për t’u asgjesuar në territorin shqiptar. Pritet vendimi i qeverisë, nëse do ta pranojë këtë proces.

Përqëndrimi i protestuesve ditën e enjte ka nisur përballë selisë së parlamentit, në kohën kur deputetët po hynin në sallë për të zhvilluar seancën plenare. Njerëzit, që i ishin përgjigjur ftesës së një përfaqësie të organizatave joqeveritare, mbanin pankarta me slogane kundër vendimit për asgjesimin e armëve kimike siriane në Shqipëri, si dhe maska kundër gazit dhe lëndëve helmuese. Hyrja e deputetëve u shoqërua me thirrje “Jo. Jo. Jo!”. Kryetari i parlamentit Ilir Meta iu drejtua grupit të protestuesve për t’i qetësuar me premtimin se për çdo vendim do të merret në konsideratë zëri i qyetarëve. “Ju premtoj, që bashkë me përfaqësuesit më të shquar të shoqërisë civile, bashkë me të gjithë ata, që kujdesen për të ardhmen e vendit, ne do të jemi në krah tuaj dhe pro të ardhmes së vendit dhe absolutisht ju duhet të jeni të sigurtë, që Parlamenti dhe kjo qeveri nuk mund të vihet kundër vullnetit tuaj.”

Situatë e tensionuar në parlament

Fryma e protestës para selisë së parlamentit u përçua dhe brenda sallës, ku disa herë seanca plenare u ndërpre. Opozita shprehu shqetësim, se vendimi është marrë, por nga qeveria po luhet me fatin e qytetarëve. Ish kryeministri Sali Berisha kritikoi kryeministrin Edi Rama, që sipas tij, ka bërë megamashtrimin më të madh në histori.

“Partnerëve dhe komunitetit ndërkombëtarë ai u ka premtuar në Nju Jork vullnetarisht me pasion dhe entuziazëm në tre takime të veçanta se Shqipëria mund të marrë përsipër këtë akt, të cilin e refuzoi Rusia, vetë SHBA, Gjermania, Britania, Norvegjia dhe shumë shtete të tjera. I mbeti Shqipërisë, që krahasuar me këto shtete në hartë, ngjan me një kokërr kikiriku”.

Por eksponentë të maxhorancës i përshkruan si spekulime këto qëndrime të opizitës, që bëhën, sipas tyre, për të përhapur panik tek qyetatrët. “Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim, që cënon sadopak interesat e vendit tonë, që cënon interesat kombëtare dhe ato rajonale, që cënon interesat e BE-së dhe NATO-s, që cënon atë, për të cilën kjo maxhorancë është votuar”, tha kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi.

Nga rradhët e maxhorancës ka pasur dhe zëra, që kanë kërkuar tërheqjen nga negociatat. Deputeti socialist Ben Blushi tha se sot është vendi për të thënë, që qeveria duhet të tërhiqet nga ky negocim, pasi sipas tij, po krijohet panik, perceptim i keq për Shqipërinë.

“Pyetja është, Pse Shqipëria? NATO ka vende, që kanë kapacitete më shumë se ne, dhe e kanë kundërshtuar. Pse Shqipëria? Dhe besoj se është koha që duhet të dëgjohet populli dhe të tërhiqen nga këto negociata. Nuk është koha të dëmtojmë imazhin e Shqipërisë”, tha Blushi.

Protesta e përfaqësuesve të organizatave joqeveritare vijon para selisë së këshillit të ministrave, ku sipas organizatorëve do të qëndrohet derisa të merret një përgjigje përfundimtare nga qeveria për vendimin e sjelljes për asgjesim të armëve nga Siria. Kryeminitri Edi Rama ndodhet për vizitë në Malin e Zi dhe kthimi i tij pritet të qartësojë qëndrimin vendimtar, nëse armët kimike do të vijnë ose jo në Shqipëri për asgjesim. Gjithashtu protesta të ngjashme janë zhvilluar dhe në disa qytete të tjera, si në Durrës, Elbasan, Fier e Vlorë, ndërkohë që janë paralajmëruar tubime solidariteti edhe në zona të tjera të vendit.

Presidenti i Republikës pa informacion mbi këtë çështje

Një grup përfaqësuesish të organizatave joqeveritare, që janë përfshirë prej dy ditësh në protesta, u pritën në mesditë nga Presidenti Bujar Nishani. Sazan Guri, ekspert i mjedisit tha për DW pas takimit se kërkesa për kreun e shtetit ishte e shkurtër: të kundërshtohet shkatërrimi i armëve kimike nga Siria: “I bëmë presidentit një përmbledhje të arsyetimit tonë për këtë kundërshtim, që ka gjetur mbështetje në opinionin publik jashtë dhe brenda vendit. Duke nënvizuar faktin se nuk ka siguri dhe infrastrukturë, që të kryhet ky operacion në Shqipëri. Kjo dëmton imazhin e vendit dhe përbën precedent që një herë tjetër të vijnë materiale radioaktive për t’u asgjesuar. Fakti, që ka shqetësim dhe në vendet fqinje, në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, atëherë kjo tregon se rreziku është jo vetëm brenda territorit shqiptar por dhe në rajon”.

Nga ana e tij Presidenti i Republikës, pasi ka dhënë mbështetje për të drejtën e qytetarëve për këtë problem, që sipas tij “ka një ndjeshmëri maksimale nga opinioni publik”, ka shprehur pakënaqësi që nuk ka asnjë informacion mbi këtë çështje . “Deri në këto momente nuk ka asnjë kontakt, apo informacion nga Qeveria Shqiptare për këtë çështje. Kjo tingëllon krejt e pazakontë, por për fat të keq ky është realiteti në lidhje me njohuritë e Presidentit”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi