Na provoni që jemi partnerë, jo depozitë mbetjesh

Nga Skënder Minxhozi, botuar në Shqip, 12 nëntor 2013

Edi Rama e zgjidhi në mënyrë elegante dje përballjen e parë në shesh me opozitën. Një kordon policesh femra ishin përgjigjja elokuente që ai i dha në distancë Bashës, përkundër toneve luftarake e kërcënuese të këtij të fundit. Por kryeministri ka në këto kohë një tjetër problem, dukshëm më të koklavitur e kompleks, sesa ai i sigurimit të godinës së tij të punës. Ardhja e mundshme e stokut të armëve kimike të Sirisë së Asadit, për t’u asgjësuar në territorin tonë, ka zgjuar një valë reagimesh që duket se kanë kaluar shumë përtej skemave dhe kalkulimeve politike të Tiranës. Një reflektim i parë që ia vlen të bëhet për këtë që po ndodh, është se më në fund shoqëria shqiptare po fillon të lëvizë nga pasiviteti historik, ndaj temave me impakt të gjerë social. Ky vend me lumenj plot plehra, me qytete të pista dhe rrugë të pluhurosura, ndoshta po nis të shohë dhe të mendojë. Dhe tema e armëve kimike është një kauzë që i bashkon shqiptarët, me të gjithë popujt e qytetëruar të botës. Në Romë, Paris, Londër apo Berlin, do të kishte ndodhur njëlloj, madje në përmasa ku e ku më të gjera, përballë një lajmi si ky që po mbush gazetat tona këto ditë.

Së dyti, problemi konkret që shtrohet rreth mundësisë që armët kimike të Asadit të asgjësohen në territorin tonë, është pa dyshim delikat dhe me një spektër të gjerë interesash, pasojash e pse jo edhe përfitimesh. Balanca e drejtë mes këtyre elementëve do të çonte në gjetjen e një zgjidhjeje që do të respektonte imazhin e pozitën e Shqipërisë, pa cenuar as marrëdhëniet e detyrimet e saj në kuadrin e anëtarësisë në NATO, apo në respektimin e dëshirës së aleatëve strategjikë. Amerikës në plan të parë.

Por çfarë po ndodh? Në fakt nuk po ndodh asgjë publikisht. E kjo është rrethana e parë që shpjegon dhe nxit frikën e opinionit publik për aferën siriane. Mediat e huaja kanë njoftuar prej kohësh se SHBA po ushtrojnë presion mbi Tiranën zyrtare, për të pranuar që procesi i eliminimit të arsenalit kimik sirian të kryhet në territorin e Shqipërisë. Nga korridoret e politikës në Tiranë mëson gjithashtu se përfaqësues zyrtarë të SHBA kanë nisur të punojnë me të gjitha palët, për të zbutur reagimet e mundshme të qeverisë e opozitës shqiptare. Por kjo është vetëm thashethemnaja e asaj që është duke ndodhur. Sepse as amerikanët, që thuhet se ndodhen pas këtij projekti, as qeveria shqiptare, përveç mesazheve të kriptuara nëpër podiume ceremonish, nuk kanë dhënë asnjë detaj për një operacion kaq delikat dhe të paprecedent për vendin më të varfër të Europës.

Në një fjalim të tij të djeshëm, kryeministri përfshiu Sirinë, në listën e vendeve, në të cilat Shqipëria do të ofronte partneritetin e saj si anëtare e NATO-s. Pikërisht ky element, pra partneriteti, është ai që duket se po mungon në këtë histori deri tani të errët. Dy palët që po dialogojnë mes tyre, qeveria shqiptare dhe ajo amerikane, kanë të gjithë të drejtën të ruajnë diskrecionin dhe fshehtësinë e asaj që luhet me stokun kimik të regjimit sirian. Por çdo gjë e ka një masë. Sepse përndryshe, me skizofreninë e blogjeve, protestave dhe grumbullimeve, që po vërejmë këto orë, nuk është asfare qesharake dhe e pazakontë, që, kundër armëve kimike, të shohim të bërtasin në të njëjtën kohë edhe fshatarët e Mjekësit, edhe të rinjtë e Elbasanit apo NGO-të e Tiranës. Psikoza kolektive e frikës, e natyrshme apo edhe e stimuluar nga keqpërdorimi politik, luftohet vetëm me një ilaç: transparencën sa më të madhe për atë që na pret. Duhet të na bindin, si popull, që jemi një vend partner dhe anëtar i NATO-s, e jo një depozitë mbetjesh toksike, të diktaturave të Lindjes së Mesme.

Negociatat që përflitet se po mbahen këto orë nga politikanët në Tiranë dhe Uashington, për armët kimike të Sirisë, janë të një rëndësie të veçantë. Siç është lehtësisht e imagjinueshme, përtej aspektit delikat të vetë operacionit të demontimit, një dimension me peshë është ai i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Nuk ka asnjë dyshim që SHBA kanë qenë në dy dekadat e fundit, faktori kryesor ndërkombëtar në zhvillimet në vendin tonë. Pa to, ngjarjet e brendshme shqiptare, do të kishin qenë krejt të ndryshme. Pa to, as Kosova nuk do të ishte kjo që është sot. Problemi është se kjo e armëve siriane është një histori ku qeveria shqiptare e sheh veten në pozitë krejt të pafavorshme përballë opinionit publik. Edhe imazhi ndërkombëtar i vendit mund të jetë gjithashtu në pikëpyetje. Një vend i mbytur nga mbeturinat e plehrat, e ka të tepërt të mbajë mbi shpinë edhe reputacionin e një furre ku digjen materiale kimike tejet të rrezikshme. Pyetja madhore është një e vetme: pse këtu e jo gjetiu?! A mos ndoshta sepse ne jemi një demokraci e dobët, jostabël politikisht dhe e varfër ekonomikisht, me të cilën mund të bësh ç’të duash? Apo mos ndoshta sepse askush tjetër nuk i pranon në shtëpinë e tij sarinin dhe gazin mustard të Asadit?! Apo mos ndoshta sepse ne kemi një klasë politike që historikisht nuk ka ditur të thotë kurrë “jo”?!

Të gjitha duken të vërteta, por kjo nuk e zgjidh problemin e transparencës me vetë operacionin e demontimit të armëve. Ndërsa në Zvicër votohet me referendum edhe ndryshimi i mënyrës së ndriçimit të një qyteti, këtu te ne politika vendos vetë për gjithçka. Ndërkohë që mund dhe duhet të ndodhte e kundërta. Nuk ka arsye që për një temë kaq delikate, të mos konsultohet opozita dhe presidenti, të mos kërkohet më së paku një votë në Parlament, pa përjashtuar edhe mbajtjen e një referendumi. Kur u kërkua me të drejtë të votohej në referendum, për plehrat e Italisë e Greqisë, përse s’u dashka votuar për armët kimike të Sirisë?

Ndoshta një pjesë e kësaj transparence do të konsumohet në orët e ardhshme, por deri tani nuk po shihet asgjë e tillë. Ditët kalojnë dhe frika kolektive vazhdon t’i deformojë përmasat reale të kësaj historie. Djalli mund të mos jetë kaq i zi sa duket, por na tregoni që është vërtet kështu e jo ndryshe.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi