OSBE: Reformat në fokus, shpresohet që opozita t’i favorizojë

OSBE, Vienë, 30 tetor 2013

Ambasadori i prezencës së OSBE në Shqipëri Florian Raunig, ka prezantuar në Këshillin e Përhershëm të OSBE në Vjenë, raportin për gjendjen në Shqipëri dhe veprimtarinë e prezencës, për periudhën shtator 2012- tetor 2013. Duke vlerësuar gatishmërinë e shumicës për një axhendë ambicioze kundrejt integrimit të vendit, raporti i OSBE-së thekson se, shpresohet që opozita do të përgjigjet në një mënyrë të favorshme.
“Qeveria e re mori detyrën më 15 shtator, me një axhendë ambicioze. Megjithëkëtë, qeveria e re përballet me sfida të konsiderueshme, të cilat duhen trajtuar në një mënyrë të pjekur dhe gjithëpërfshirëse. Është pozitive që shumica e re ka shfaqur interesin e saj të fortë për të ecur përpara me reformat shumë të nevojshme dhe është zotuar të punojë bashkë me opozitën në këtë drejtim. Shpresohet që opozita do të përgjigjet në një mënyrë të favorshme për arritjen e përparimit në axhendën e reformave të vendit. Prezenca dhe bashkësia ndërkombëtare më gjerë kanë vijuar t’u theksojnë të gjitha palëve nevojën për t’u angazhuar plotësisht në institucionet demokratike të vendit. Klasa politike shqiptare ka rastin që të përqafojë një stil të freskët politik për të përballuar sfidat thelbësore dhe për të përmbushur aspiratat e qytetarëve të saj”.
Raporti ndalet në një sërë çështjesh, duke theksuar mes të tjerash se zgjedhjet e fundit shënuan progres në vend.
“Në një vit të mbizotëruar nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, zhvillimi paqësor i tyre, si dhe kalimi relativisht i qetë i pushtetit shënuan një përparim domethënës në Shqipëri, me gjithë mjedisin e vështirë politik dhe ekonomik”, është ky konkluzioni i raportit të OSBE mbi situatën në Shqipëri për periudhën Shtator 2012, Tetor 2013.
Por, ndër të tjera, në raportin e prezantuar në Këshillin e Përhershëm të OSBE në Vjenë, nga ambasadori Florian Raunig, vlerësohet se zgjedhjet “ishin konkurruese”.  Kjo ndodhi edhe pse sipas raportit u vu re “atmosferë mosbesimi midis dy forcave politike kryesore që njollosi mjedisin zgjedhor.
Duke vështruar zhvillimet përgjatë një viti, vihet re që përparimi në axhendën e reformave ngeci, ndërsa armiqësia dhe polarizimi politik u rritën vazhdimisht me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.
Miratimi, në maj 2013, i 3 ligjeve me shumicë të cilësuar, konkretisht i ligjit për Gjykatën e Lartë dhe atij për Nëpunësin Civil, si dhe i rregullores së Kuvendit, përmes bashkimit të votave të shumicës qeverisëse dhe opozitës, ishte një përjashtim për t’u shënuar, vlerëson OSBE.

Proceset e bujshme gjyqesore
Raporti i OSBE ka bere nje panorama te dy proceseve gjyqesore me te bujshme ne vend, Gerdeci dhe 21 Janari.
“Dy procese gjyqësore të bujshme, të cilat Prezenca i ndoqi nga afër, mbetën në qendër të vëmendjes së publikut. Në çështjen e Gërdecit, lidhur me shpërthimin në një punishte çmontimi municionesh, që vrau 26 njerëz në 2008-n, Gjykata e Apelit e Tiranës, në shkurt 2013, mbajti në fuqi shumicën e dënimeve të dhëna nga gjykata e shkallës së parë. Apelet e paraqitura nga prokuroria dhe nga disa prej të pandehurve u hodhën poshtë nga Gjykata e Lartë, në korrik 2013. Në një gjyq tjetër për të njëjtën ngjarje, megjithëse Gjykata Kushtetuese e udhëzoi Gjykatën e Lartë të rishikonte paditë penale private të ngritura nga familjet e viktimave, gjyqi nuk u zhvillua, për shkak të amnistisë së dhënë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në proceset penale pas ngjarjeve të dhunshme të 21 Janarit 2011 mes protestuesve dhe policisë, të cilat sollën katër të vdekur dhe disa të plagosur, Gjykata e Rrethit Tiranë, pas 41 seancash, në shkurt 2013, shpalli të pafajshëm dy pjesëtarët e Gardës Kombëtare, të akuzuar për vrasjen e tre protestuesve. Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës vendosi se akuza e ngritura nga prokuroria për vrasje me dashje nuk mund të vërtetoheshin dhe se gjykata nuk ishte në gjendje të bënte një cilësim të ndryshëm juridik të fakteve. Gjykata e Apelit e Tiranës e ndryshoi vendimin për shpalljen të pafajshëm të dy të pandehurve dhe, në shtator 2013, dha për ta masa relativisht të shkurtra me burgim për vrasje pa dashje, duke argumentuar se, megjithëse vrasja me dashje nuk mund të vërtetohej, gjykata e shkallës së parë duhej të kishte ndryshuar cilësimin juridik të fakteve. Prokuroria, e cila kishte kërkuar dënime me 21 dhe 23 vjet për të pandehurit, e apeloi vendimin në Gjykatën e Lartë”.

Nepunesi Civil
“Një hap pozitiv dhe i rëndësishëm lidhur me reformën e administratës publike u hodh përmes miratimit nga ana e Kuvendit, në maj 2013, pas një kohe të gjatë, të ligjit “Për nëpunësin civil”. Ligji i ri pritet të formojë bazën për një administratë publike meritokratike dhe transparente, ndër të tjera përmes parashikimit të procedurave konkurruese të punësimit, të bazuara te meritat, për të frenuar punësimet dhe pushimet nga puna për motive politike e personale. Më 30 shtator, pas konsultimeve me bashkësinë ndërkombëtare, Këshilli i Ministrave vendosi ta shtyjë me gjashtë muaj fillimin e efekteve të ligjit, nga hyrja në fuqi e ligjit më 1 tetor, deri më 1 prill 2014. Qeveria e paraqiti shtyrjen si opsionin më të mirë për të shmangur një boshllëk ligjor, që do të ishte krijuar nëse efektet e ligjit do të fillonin në mungesë të akteve të nevojshme nënligjore për zbatimin e tij. Këshilli i Ministrave përdori një “akt normativ që ka fuqinë e ligjit”, sipas nenit 101 të Kushtetutës, i cili lejon marrjen e masave të përkohshme në rast nevoje dhe urgjence. Ky akt normativ, siç e kërkon Kushtetuta, u miratua më pas nga Kuvendi. Partia kryesore e opozitës bëri publik shqetësimin e saj për shtyrjen, duke shprehur frikën e spastrimeve të mundshme në administratën publike. Institucioni do të vijojë të mbikëqyrë zbatimin e legjislacionit për shërbimin civil nga institucionet shtetërore të përfshira në sistemin e shërbimit civil”.

Prona
“Reforma e pronës mbetet për Shqipërinë një çështje thelbësore, nga e cila kushtëzohet zhvillimi në fusha të tjera. Mungesa e një kuadri të qëndrueshëm politikash ka sjellë një pasiguri ligjore sa u përket të drejtave të pronarëve, shtimit të ndërtimeve të paligjshme dhe zhvillimit të parregulluar të tregut të pronave të paluajtshme, me pasoja negative për gëzimin e papenguar të së drejtës së pronës dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Konsensusi kombëtar dhe qëndrueshmëria e kuadrit institucional dhe ligjor janë të domosdoshëm për suksesin e kësaj reforme”.

Ish-te perndjekurit politike
Riintegrimi i plotë në shoqëri i ish-të përndjekurve politikë mbetet shqetësim. Në kuadër të qëllimit të përgjithshëm të edukimit për të drejtat e njeriut, Prezenca organizoi takime mes studentëve dhe ish-të përndjekurve politikë, në katër universitete. Takimet u përqendruan në rritjen e ndërgjegjësimit të studentëve lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

Korrupsioni
“Në luftën kundër korrupsionit, me gjithë angazhimin e qeverive të njëpasnjëshme dhe reformën ligjore përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, perceptimi i korrupsionit në terren është rritur, sipas Transparency International. Gjatë vitit të shkuar u vërejt përgjithësisht një përparim i kufizuar në çështjet kundër korrupsionit. Në një hap për t’u përshëndetur, Kuvendi miratoi, në shtator 2012, një paketë ndryshimesh kushtetuese që kufizon imunitetin e përgjithshëm nga ndjekja penale të deputetëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Megjithëse ndryshimet e miratuara nga Kuvendi hoqën një pengesë madhore për hetimin e rasteve të supozuara të korrupsionit, procedurat hetimore ende kërkojnë qartësim. Sfida mbetet për t’i shndërruar angazhimet në zbatim efektiv, me nivelin e duhur të transparencës dhe llogaridhënies dhe një bilanc bindës, përfshirë procedime të nivelit të lartë”.

Sfidat
“Sfidat që mbeten për konsolidimin e demokracisë dhe integrimin e mëtejshëm ndërkombëtar janë të brendshme, në mendësi dhe në funksionim: trajta e ardhshme e vendit, shpejtësia, efikasiteti dhe qëndrueshmëria e reformave varen shumë nga vullneti dhe përkushtimi i të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri. Sikurse tregon vizioni dhe strategjia e saj, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u ofron institucioneve dhe qytetarëve të vendit partneritetin e saj të sinqertë – jo ndërhyrje, por një përkushtim të çiltër e të drejtuar nga rezultatet, në fusha të përzgjedhura ku ajo ofron kontribut të spikatur që plotëson atë të partnerëve – për t’i ndihmuar në përmbushjen e aspiratave të tyre të vyera”, thekson raporti i OSBE.

Me gjeresisht lexoni raportin e OSBE duke klikuar ketu: RAPORTI

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi