BSH: Këshilli Mbikëqyrës mban të pandryshuar normën bazë të interesit 3.5%

Konferencë shtypi e Governatorit Fullani, 30 tetor 2013

Ekonomia shqiptare po rritet me ritme të dobëta, por vitin e ardhshëm pritet një rigjallërim i saj. Stabiliteti makro-ekonomik në vend është ruajtur, ndërsa norma bazë e interesit do të mbetet 3. 5 %. Këto janë vlerësimet e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, të prezantuara dje nga Guvernatori Ardian Fullani. Sipas tij, rritja e ekonomisë vazhdon të jetë e ngadaltë dhe inflacioni reflekton presione të ulëta, ndërsa stabiliteti makro-ekonomik i vendit ka ruajtur parashikimet e BSHsë. Sipas tij, sistemi bankar mbetet i shëndetshëm dhe likuid, megjithë problemet që lidhen me cilësinë e kredisë. Konsumi reflekton kërkesë të ulët në ekonomi, ndërsa ka pasur tkurrje të defiçitit tregtar të shkaktuar nga rritja e lartë vjetore e eksporteve. “BSH në një spektrum 360 gradë, duke e vlerësuar situatën si të pavarur dhe me largpamësi, vendos që sot për kushtet që janë, bazuar mbi kërkesën e brendshme, mendojmë se stimuli më i mirë është tëqëndrojmë në këtë nivel. Jemi shumë afër bankës zero, dmth stimuli është dhënë dhe me shumicë, duke dhënë politikën e së ardhmes, që do qëndrojmë në nivele të ulëta dhe kjo është më mirë për vendin”, shpjegoi Fullani duhe shtuar se parashikimet kushtëzojnë ruajtjen e natyrës stimuluese të politikës monetare. Banka do vazhdojë të furnizojë sistemin bankar me gjithë likuiditetin e nevojshëm. “Stimuli i Bankës ka qenë global, jo vetëm monetar, por në makro-prudencë dhe presim që ky stimul të realizohet”, u shpreh guvernatori.

Fullani lavdëroi gjithashtu bankat e nivelit të dytë për një proces që ato kanë ndërmarrë së fundmi, pastrimi i bilanceve nga kreditë e konsideruara të humbura dhe të parikuperueshme. “Është një proces i domosdoshëm dhe i vlefshëm për të çliruar potencialin kreditues të bankave në ekonomi”, tha Fullani.

Modelet statistikore të Bankës së Shqipërisë parashikojnë që inflacioni në vend të mbetet gjatë 12 muajve të fundit mes 0.4 dhe 3 për qind, një nivel që në kushtet e Shqipërisë konsiderohet praktikisht deflacion, dhe që krijohet nga kërkesa shumë e dobët në ekonomi.

Pastrimi i bilanceve

Të dhënat e publikuara nga Shoqata e Bankave tregojnë se në fund të gushtit, sistemi bankar shqiptar kaloi në bilanc me humbje, ndërsa kreditë e këqija vijuan të rriten. Shkaku kryesor i humbjeve janë deklarimi si të pashpresa për t’u mbledhur një pjesë e kredive të këqija. Bankat kanë aktualisht mbi 1 miliard dollarë kapital themeltar për të mbuluar humbjet nga kreditë e këqija, por përmasat e humbjeve që do të duhet të pranohen nga bankat, nuk dihen. Situata është edhe një test për funksionimin e Shqipërisë si shtet. 

Depozitat në minimum

Interesat e depozitave në lekë që ofrohen nga bankat në Shqipëri shënuan një nivel minimal historik gjatë muajit shtator, duke ndjekur rënien e shpejtë të interesave të bonove të thesarit të qeverisë dhe rënien e interesave bazë të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë.

Të dhënat statistikore të publikuara dje nga Banka e Shqipërisë tregojnë se për depozitat me afat njëvjeçar, interesi mesatar i ofruar ishte vetëm 3.4 për qind. Një vit më parë, interesat për këtë produkt qenë 5.2 për qind. Të njëjtin fat kanë pasur edhe interesat në euro. Bankat japin tashmë vetëm 1.8 për qind për depozitat njëvjeçare në këtë monedhë, ndërsa një vit më parë jepnin 3 për qind.

Interesat e depozitave njëvjeçare në dollarë kanë rënë në 1.4 për qind nga 2.3 për qind që ishin një vit më parë. 

Kreditë jo

Ndërsa interesat e depozitave kanë shënuar rënie të ndjeshme, interesat e kredive shpesh kanë shënuar rritje ose rënie shumë të paktë. Kreditë njëvjeçare në lekë pësuan një rënie nga 11 për qind interes në shtator 2012 në 10.1 për qind në shtator 2013. Kreditë në euro janë shtrenjtuar duke u kuotuar mesatarisht 7.7 për qind këtë vit, nga 7 për qind që ishin një vit më parë. Edhe interesat e kredive në dollarë janë shtrenjtuar, por këto nuk janë shumë të rëndësishme për shkak se volumi i kredisë në dollarë në Shqipëri është shumë i vogël. 

Volumi minimal kredish

Këtë vit, për herë të parë që kur Shqipëria filloi të ketë treg krediti, volumi i kredisë së re të dhënë është më i vogël se sa volumi i kredisë së shlyer, pra kemi një rënie neto të portofolit të kredisë. Në fund të shtatorit, portofoli ishte 547 miliardë lekë, me rënie 1.8 për qind në krahasim me një vit më parë. Lajmi pozitiv është se një pjesë e bankave janë rikthyer në tregun e kreditit duke bërë reklama me oferta për kredi për shtëpi. Interesat e ofruara nëpër reklama janë me të vërtetë “të ulëta” në krahasim me ato që shqiptarët janë mësuar të paguajnë. Por ata që dëshirojnë të marrin një kredi këshillohen të shohin me kujdes interesat pasi reklamat jo gjithmonë janë të vërteta.

Depozitat ndërkohë kanë vijuar të rriten, pavarësisht se gjatë muajve të zgjedhjeve dukej sikur kishte pasiguri mes qytetarëve për t’i lënë lekët në bankë. Familjet dhe bizneset shqiptare patën nëpër banka në fund të shtatorit 956 miliardë lekë depozita.

Politika monetare

Banka e Shqipërisë i ka ulur me shpejtësi interesat bazë në ekonominë shqiptare. Këto janë interesat me të cilat BSH pranon depozita apo jep kredi për bankat e nivelit të dytë. Si të tilla, këto interesa teorikisht përcaktojnë interesat e kredive e depozitave në lekë për kompanitë e familjet, si dhe interesat e borxheve të qeverisë.

Por kjo politikë ka qenë superefektive sa i përket kostos së borxhit. Qeveria shqiptare pritet të shpenzojë këtë vit afro 60 milionë dollarë më pak për interesa se sa shpenzoi vitin e kaluar, pavarësisht se borxhi është rritur. Bonot e thesarit njëvjeçare janë ulur në deri 4 për qind, një nivel i padëgjuar më parë në Shqipëri. Bankat nga ana e tyre thjesht sa kanë transferuar humbjet nga interesat e ulëta të bonove tek interesat e depozitave të qytetarëve.

Por ndërsa nga ana e financuesve, interesat janë ulur, nga ana e kredimarrësve, interesat nuk janë ulur. Në tregun e kredisë, interesat nuk janë kostoja e vetme për bankat. Rreziku i humbjeve nga kreditë e këqija është kostoja më e madhe. Dhe në rast se kolateralet e kredive të këqija nuk ekzekutohen me lehtësi, atëherë kjo është një kosto edhe më e madhe.

Rezultati final është që ulja e interesave të lekut nga ana e Bankës së Shqipërisë nuk sjell rritje të investimeve, pasi problemi që kanë bankat është gjetkë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi