Doganat shqiptare do të menaxhohen nga “Crown Agents”: 8.5 milionë euro për shërbimin dyvjeçar të asistencës

Vendim i Këshillit të Ministrave, 28 tetor 2013

Doganat shqiptare do të kalojnë “në menaxhimin” e Crown Agents, një agjenci e specializuar në konsulenca të ndryshme, mes të tjerash edhe për financat publike me qendër në Britani. Me një vendim të veçantë, i cili mori dje miratimin e Këshillit të Ministrave, Crown Agents do të ketë një kontratë me qeverinë për dhënien e asistencës në shërbimin doganor. Tri janë drejtimet ku do të punohet në Dogana dhe ku do të ofrohet asistenca. E para lidhet me përmirësimin e performancës, e dyta me rritjen e të ardhurave, dhe e treta me zvogëlimin e korrupsionit në administratën doganore.
Crown Agency
Kompania “Crown Agents” operon sot në rreth 100 vende, duke ofruar shërbimet e saj në fusha të tilla si shërbimet financiare, konsulencë, rritje ekonomike, forcim i sistemit shëndetësor dhe menaxhim i financave publike. Kryesisht janë vendet me probleme të thella ekonomike dhe politike ato që kanë kontraktuar në vitet e fundit shërbimet e kësaj kompanie, ose më saktë vendet e botës së tretë. Shqipëria është e fundit pas Zimbabvesë, Ganës, Pakistanit, Sudanit apo Nigerisë që ka kërkuar ndihmë në lidhje me menaxhimin e të ardhurave.
Pagesa
Kontrata që qeveria shqiptare do të nënshkruajë me Crown Agents ka në bazë pagesën me “tarifë suksesi”, (success fee), e cila është një praktikë që ka filluar të ndiqet rëndom nga kompanitë që ofrojnë konsulenca. Por si përcaktohet pagesa me këtë mënyrë? Ka disa mënyra aplikimi, por ende nuk dihet se kë ka zgjedhur qeveria shqiptare në bashkëpunim me kompaninë. Rëndom në botë aplikimi i parë i tarifës së suksesit lidhet me përqindjen e një shifre që paracaktohet, pra është fikse. E dyta është një tarifë e përshkallëzuar, pra që në bazë të masës së suksesit të arritur bëhet edhe pagesa, por kjo ndryshon nëse nuk përmbush gjithë parashikimet e planit. Kurse e treta është sipas vlerësimit me kolona të ndara, pra në bazë të realizmit të secilit shërbim të marrë përsipër, bëhet një vlerësim i veçantë dhe caktohet pagesa.
Si punon “Crown Agents”
Rasti më tipik që i afrohet rastit të Shqipërisë është ai që Crown Agents ka aplikuar në Sudan. Projekti në Sudanin Jugor u zbatua në vitin 2011. Asistenca e Crown Agents ishte në disa drejtime. E para, rishikimi i politikave ekzistuese dhe procedurave duke prodhuar manuale në ndihmë të uljes së burokracisë dhe rritjes së transparencës. E dyta, në trajnimin e stafit për të zhvilluar aftësitë e tyre teknike. E treta, hapja e një zyre koordinimi për pagesën e taksave specifike. Dhe më e rëndësishmja ishte e katërta, që lidhej me asistencën në caktimin e taksave. Crown Agents në atë kohë do t’i propozonte Sudanit që të ndryshonte mënyrën e taksimit të mallrave duke i sugjeruar rritjen e tarifës doganore për mallrat e luksit dhe uljen për ato të përdorimit të përditshëm.
Berisha: “Crown Agents”, në listën e zezë të BB
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ditën e djeshme lidhur me vendimin e qeverisë shqiptare për të marrë asistencën e kompanisë “Crown Agents” pranë Doganave shqiptare. Në një reagim në Facebook, Berisha thekson se kjo kompani është në listën e zezë të Bankës Botërore. “Sot qeveria ‘Rama-Meta’ vendosi dorëzimin e Doganave të vendit Crown Agents, e cila është një agjenci private e futur në listë të zezë nga Banka Botërore dhe thuhet e përzënë nga Bullgaria”, shprehet Berisha. Sipas tij, ky vendim është i dyti në dëm të financave pas votimit të aktit normativ, që ul të ardhurat. “Me këtë dekret, qeveria, në vend që katër muajt e fundit të vitit të ruante më së paku nivelin mesatar mujor të mosrealizimit të të ardhurave në Tatime dhe Dogana, të njëjtë me nivelin e muajve të fushatës elektorale dhe atyre pas zgjedhjeve, rriti me katër herë mosrealizimin e tyre”, shprehet Berisha.

Në fakt, kompania britanike ka qenë e përfshirë në listën e zezë të Bankës Botërore në vitin 2011 për një periudhë prej gjashtë muajsh. Çështja kishte të bënte me një projekt të vitit 2006, ku pas hetimeve rezultoi se “Crown Agents” kishte keqparaqitur vlerësimin për një nga konsulentët më të rëndësishëm të projektit.
Emri i projektit dhe ai i konsulentit nuk u zbuluan asnjëherë. Por në atë kohë Banka Botërore e vendosi kompaninë në listën e zezë, duke e ndaluar atë që për një afat gjashtëmujor të merrte pjesë në tenderat e saj.
Ky dënim ka përfunduar dhe “Crown Agents” i është rikthyer biznesit me Bankën Botërore dhe jo vetëm këtë institucion. Sot kompania këshillon qeveritë e vendeve më të fuqishme të botës.
Mes klientëve të saj është aktualisht edhe qeveria amerikane, përkatësisht Departamenti i Shtetit, ai i Mbrojtjes, i Tregtisë, por edhe USAID dhe Koorporata e Mijëvjeçarit. Paralelisht kompania këshillon Bashkimin Europian dhe shumë organizma të tjerë ndërkombëtarë të njohur.

Qeveria shqiptare do i paguajë kompanisë britanike “Crown Agents”, 8.5 milionë euro për shërbimin dyvjeçar te asistencës që ajo do u ofrojë doganave. 

Top Channel zbardh të plotë kontratën, e cila së fundmi është shndërruar dhe në një çështje e nxehtë të debatit politik mes maxhorancës dhe opozitës. Sipas kontratës, shuma, do të lëvrohet në dy vjet, nga 4 milionë e 250 mijë euro në vit. Por në draft është parashikuar se kjo pagesë mund të ulet deri në 25 për qind, nëse kompania britanike nuk sjell rezultatet në rritjen e të ardhurave, për të cilat palët kanë rënë dakord. Qeveria ka vendosur gjithashtu që pagesa për “Crown Agents” të jenë neto, duke e përjashtuar kompaninë britanike nga cdo detyrim tatimor, përfshirë tatimin mbi fitimin, atë mbi dividentit, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, por edhe sigurimet shoqërore dhe tatimin mbi të ardhurat për ekspertët e huaj që do vijnë në Tiranë.
Në kontratë janë përcaktuar gjithashtu edhe të drejtat dhe detyrimet e palëve. Sipas saj, “Crown Agents” do të asistojë personelin e administratës doganore në analizën e informacioneve doganore. Po kështu kompani britanike do të asistojë edhe personelin e administratës doganore që kryen funksione hetimi, kontroll dhe verifikimi. Veç kësaj kjo kompani do i raportojë Ministrisë së Financave për çdo rast abuzimi, korrupsioni apo fenomeneve të ngjashme me to, duke përfshirë edhe ato në të cilat janë të implikuar edhe punonjësit e doganave. Marrëveshja do të ketë një afat prej dy vitesh, me opsion rinovimi për vitin e tretë. Kontraktimi i “Crown Agents” nga Qeveria shqiptare është sulmuar ditët e fundit nga opozita, që e ka quajtur atë si një marrëveshje të dyshimtë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi