Zbulohet lista e borxheve të shtetit sipas FMN dhe vetdeklarimit

Nga Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave, 21 tetor 2013

Zbulohen detyrimet që shteti shqiptar u ka firmave private apo institucioneve shtetërore. Shifra totale e borxhit, e përllogaritur deri më tani, është 55.1 miliardë lekë, ose 500 milionë euro. Kjo shumë është paraqitur në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë së bashku me nismën e qeverisë për rishikimin e shifrave të buxhetit të shtetit për vitin 2013. Lista e pagesave të papaguara i është depozituar deputetëve të këtij komisioni për t’u njohur me detyrimet që shteti ka ndaj punimeve të kryera në infrastrukturë, apo nga mospagesat e faturave në energji elektrike, ujësjellës. Nga 55.1 miliardë lekë, vetëm 20.6 miliardë lekë janë për punët publike, të cilat janë papaguar deri më sot. Në tabelën e depozituar rezulton se për sa i përket infrastrukturës rrugore, fatura llogaritet në 11.6 miliardë lekë. Ndërsa është përllogaritur se fatura e papaguar për punët e kryera, por që rezulton e pafaturuar shkon në 9 miliardë lekë. Detyrimi tjetër i lartë lidhet me mospagimin e taksave. Kështu rimbursimi i TVSH-së kap shifrën 5.9 miliardë lekë. Ndërsa stoku i pretendimeve të TVSH-së, i rivlerësuar, shkon në 7 miliardë lekë. Si detyrime janë dhe mospagesat për tatimin mbi fitimin që përllogariten në 9.9 miliardë lekë. Faturat e papaguara të shtetit prekin dhe energjinë elektrike dhe ujësjellës. Ndaj CEZ-it, vetëm principali, si detyrim, llogaritet shifra prej 4.5 miliardë lekësh. Për Ujësjellës dhe Kanalizime detyrimi shkon në 2 miliardë lekë. Për shërbimet e tjera sociale, si në arsim dhe shëndetësi detyrimi shkon në total në 5.3 miliardë lekë. Të gjitha këto detyrimeve, sipas tabelës shoqëruese, kanë si burim të dhënat e ofruara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Auditi i huaj

Detyrimet e fshehura deri më tani nga qeveria paraardhëse “Berisha” pritet të ndikojnë ndjeshëm në ekonominë shqiptare. Kjo do të rrisë ndjeshëm borxhin e shtetit shqiptar, ku parashikohet që të shkojë mbi 70 për qind. Gjithsesi për të pasur një pasqyrë më të saktë për borxhet, detyrimet e prapambetura, qeveria ka kontraktuar kompaninë Deloitte & Touch për futur në lupë financat shqiptare. “Borxhi, pa përfshirë detyrimet e papaguara të qeverisë ndaj biznesit, të cilat vetëm këto vlerësohen në rreth 4% të PBB, niveli i borxhit publik në fund të këtij viti pritet të arrijë mbi 68% (69%). Pra, realisht borxhi publik qëndron rreth nivelit 72% të PBB”, tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë. Stoku total i borxhit publik në fund të vitit 2013, i shprehur si raport ndaj vlerësimit të rishikuar të PBB për këtë vit, pritet të shkojë deri në 68.6%, nga rreth 63.8% e PBB që ishte parashikuar fillimisht. Kjo rritje prej 4.8 pikë përqindje e stokut total të borxhit është rezultante e një rritje prej 2.4 pikë përqindje vetëm si rrjedhojë e ndryshimit të akumuluar të PBB nominal për vitin 2013, përkundrejt parashikimit fillestar (e ndarë në 0.7 pikë përqindje prej ndryshimit të PBB nominal për vitin 2011; 0.7 pikë përqindje për atë të vitit 2012 dhe 1 pikë përqindje për ndryshimin e PBB nominal të vitit 2013) dhe 2.4 pikë përqindje të tjera janë rrjedhojë e rritjes së stokut total nominal të borxhit publik.

Përmbledhja e detyrimeve të qeverisë

Punët Publike

Transport (infrastruktura rrugore) 11.6 miliardë lekë

Punë e kryer, por jo e faturuar, 9 miliardë lekë

Ujësjellës-kanalizime 2 miliardë lekë

Shëndetësi 3 miliardë lekë

Arsim 2.3 miliardë lekë

Detyrim i Taksave

Rimbursimi i TVSH 5.9 miliardë lekë

Stoku i pretendimeve të TVSH i parivlerësuar 7 miliardë lekë

Tatim mbi fitimin 9.9 miliardë lekë

Totali 55.1 miliardë lekë

CEZ- institucionet buxhetore, vetëm principali, 4.5 miliardë lekë

Burimi: Fondi Monetar Ndërkombëtar

Mbyllet vetëdeklarimi, 150 kompani private u deklaruan për borxhin

Procesi i vetëdeklarimit të sipërmarrësve që shteti ju ka borxhe të pakthyera për punët e kryera publike të dhëna me koncension, është mbyllur. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se janë 150 kompani që kanë vetëdeklaruar të dhënat e tyre. Nga këto të dhëna të mbledhura nga ky dikaster saktësohet se pjesa më e madhe i përkasin kompanive të ndërtimit, por nuk zbardhet se cilat janë këto kompani për shkak të ruajtjes së kofidencialitetit dhe vajtjes më tej në një proces verifikimi të dokumentacionit. Por një pjesë e mirë e kompanive që janë vetëdeklaruar i përkasin gjithashtu sektorit të shërbimeve.

Shoqata e Ndërtuesve pak kohë më parë pati deklaruar se janë më shumë se 60 kompani që i përkasin këtij sektori që shteti ju detyrohet për punët publike të kryera. Emrat e kompanive mbeten të pazbardhura, pasi sipas Ministrisë së Financave tashmë nis procesi i verifikimit të tyre, porces që do të bëhet paralelisht me kompaninë e kontraktuar “Deloitte”. Kjo e fundit do e mbyllë procesin e saj deri në fund të nëntorit, të paktën këto janë kushtet e kontratës që ka nënshkruar me Ministrinë e Financave, për të cilin do të marrë dhe shumën e 85 mijë eurove .

“Deloitte” sipas kontratës me qeverinë shqiptare do të kontrollojë tabelat financiare të ministrive, të cilat kanë pasur kontrata me kompanitë private. Sipas kontratës me qeverinë, audituesi do të listojë 150 obligimet më të mëdha. “Deloitte”,  pasi të marrë tabelat nga ministritë për punët e papaguara sipas firmave, do t’u dërgojë shkresë këtyre firmave për të marrë edhe variantin e tyre për çdo punim dhe pagesë. Pra do të shikojë se sa detyrime kanë të shënuar ministritë në zyrat e tyre të financave dhe sa janë pretendimet e punëve të papaguara nga biznesi.

Më pas “Deloitte” do të kontrollojë pagesat e Thesarit në Ministrinë e Financave, për të bërë balancën e punëve të paguara nga buxheti dhe atyre të papaguara. Detyrimet që qeveria ju ka sipërmarrësve sipas përllogaritjeve të deritanishme të bëra nga qeveria e re, por dhe nga shoqatat e biznesit shkon deri në 600 milionë dollarë. Shlyerja e detyrimeve, qoftë edhe nëpërmjet një liste apo grafiku pagesash, do të conte në njohjen e plotë të tyre dhe të nivelit real të defiçitit dhe borxhit publik, duke i bërë transparentë këta tregues të rëndësishëm për stabilitetin e financave publike. Mosnjohja dhe mospagimi i detyrimeve të prapambetura pengon saktësimin e situatës kritike dhe vështirëson përllogaritjen e saktë të shkallës së ndërhyrjeve.

Mospagesat qeveritare, qoftë edhe të përkohshme, kanë rritur efektin zinxhir të borxheve të biznesit privat ndaj bankave, bizneseve të tjera dhe ndaj punonjësve për pagat, përfitimet dhe sigurimet. Zgjidhja e këtij zinxhiri sjell efekte pozitive në pagimin e pagave dhe sigurimeve shoqërore, ul nivelin e kredive të këqija, ul përmasat dhe koston e financimit nga tregu informal, çka lehtëson financimin e ekonomisë. Dhe pse con në rritjen e borxhit publik, shlyerja e këtyre detyrimeve do t’i jepte frymëmarrje ekonomisë shqiptare.

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi