Administrata, nën nivelin e kohës së monarkisë

Nga Luan Rama, deputet, fjala ne seancën e djeshme në Kuvend, 18 tetor 2013

Absurdi i një debati absurd e të pakuptimtë, e të padobi, gjithashtu, lidhur me ligjin për ‘Nëpunësin Civil’ dhe pamundësia e aplikimit të tij, çka do të thotë pamundësi e përmbushjes së misionit, si dhe akti normativ i qeverisë që shqyrtojmë sot e që synon të japë kohë të domosdoshme për ta bërë të vlefshëm e të zbatueshëm ligjin që ai të mos ketë fatin e keq të mbetjes në letër, siç ka ndodhur më parë me shumë ligje dhe akte të tjera ligjore që prej dy javësh, po na shoqëron gjithkah e gjithkund.
Përmasa e këtij absurdi që mbërrin deri në kufijtë e parodisë është domethënëse në këtë sallë me vendet bosh prej ikjes së opozitës kinse se është vrarë konsensusi, se është pushkatuar apo është grabitur konsensusi e të tjera si këto. Por le të kthehemi pak pas në kohë për të shkuar në vigjiljen e zgjedhjeve të 23 qershorit, kur u arrit një konsensus, që u madhështua aq shumë, sa të krijohej përshtypja se Shqipëria vetëm kaq ishte dashur për t’u bërë si Europa. Në fakt, qe një konsensus i çuditshëm, që përfshinte jo vetëm ligjin, por edhe afatin e validitetit të tij juridik, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Pra, konsensus me kusht, miratojmë ligjin, por duke siguruar që hyrja e tij në fuqi do të jetë ndryshe prej ligjeve të tjera. As 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, as menjëherë dhe as pas dekretimit të Presidentit të Republikës, por më 1 tetor 2013.
Në Shqipëri konsensusi quhet një gjë e madhe, sepse mes palëve politike nuk arrihet lehtë marrëveshja, por konsensusi nuk është gjuha dhe mjeti juridik i zgjidhjes së problemeve që duhet të përballojë një parlament. Në fakt, referuar historisë ose praktikës jo shumë për t’u mburrur të marrëveshjeve konsensuale, nuk ka qoftë edhe një të vetme që të mos jetë ndërtuar në dëm të dikujt ose të diçkaje tjetër. Konsensusi për ligjin e ‘Nëpunësit Civil’ në Shqipëri u realizua më shumë si një demonstrim vullneti, bashkëpunimi në sytë e Europës, shenjë se palët mund të tërhiqen nga skajet ku ishin lidhur, sesa si një produkt i partneritetit real dhe vullnetit të mirë për të përmbushur një detyrim dhe për të garantuar një standard. Pra, ligji u miratua për të thënë se u arrit konsensusi dhe askush nuk pyeti më se çfarë do të ndodhte me administratën e shtetit shqiptar tani e tutje.
Sa do ta shpëlajë fytyrën e njollosur të nëpunësit ky ligj dhe veprimi i tij? Në fakt, edhe gjatë dy javëve të fundit, që kur u hap debati për pamundësinë e zbatimit të ligjit “Për Nëpunësin Civil”, ende ankimet shkojnë nga propaganda: u prish konsensusi, u prish marrëveshja, sikur marrëveshja të kishte qenë vetvetiu shpëtimtare për gjendjen. E kujt i duhet konsensusi nëse ai konsensus është arritur si një mesatare interesash të palëve dhe nuk ofron asgjë për ndryshimin e imazhit dhe ç’është më e rëndësishmja, për rolin dhe cilësinë e shërbimit të administratës publike? Me sa duket, është më e lehtë të diskutosh për çështje propagandistike sesa për thelbin e çështjeve. Këtu nuk është puna për të treguar se shqiptarët, po të duan, dinë të merren vesh, nëse ajo për të cilën bien dakord nuk ka ndonjë vlerë. Atëherë pse vlen konsensusi dhe mirëkuptimi? Kështu ka ndodhur edhe me konsensusin për ligjin e ‘Nëpunësit Civil’.
Për të hyrë drejtpërdrejt në problem, pyetja që shtrohet është: Çfarë administrate dhe çfarë nëpunësi duhet të mbrojë ky ligj? Nuk po them ndonjë gjë të pathënë më parë se administrata e sotme publike në Shqipëri është nën nivelin e asaj administrate që pati ngritur Shqipëria monarkike dhe ndoshta edhe nën nivelin e Shqipërisë ideokratike. Kur ndesh në shumë zyra të shtetit nëpunësin e sotëm, të duket më i virtytshëm dhe më i kulturuar, po e po, edhe vetë Demka i Zylos së Dritëroit. Ku ka në Shqipëri nëpunës si Mitrush Kuteli, që ishin gati të hanin plumbin në ballë nga ata që u kishin shërbyer, kur erdhi puna për të zhvlerësuar monedhën shqiptare që mbahej si një prej valutave më të forta në Ballkan dhe në Europë? Ku ka nëpunës të tillë si Petro Marko, që u përgjigjej krerëve të lartë të shtetit komunist se “Zëri i Popullit” nuk ishte “Borba” dhe nuk mund të shkruante për Kosovën si “Borba”? Do të kishte një kuptim të madh insistimi për të mos e miratuar aktin normativ të qeverisë nëse realisht do të kishim një administratë të virtytshme, siç na e dëshmojnë shembujt e së shkuarës nga Mirash Ivanaj e deri te Manol Konomi. Por administrata e sotme shqiptare është pamja më e neveritshme e shtetit shqiptar.
Asaj i mungon kultura e zyrës, kultura e protokollit, kultura e shkrimit zyrtar, kultura e karrierës, i mungon kultura e veshjes, kultura e etikës, kultura e guximit qytetar, i mungon kultura e shërbimit. Prandaj problemi ynë themelor nuk është të fetishizojmë konsensusin, por të ngremë në këmbë atë që duhet të jetë fetish. Të sigurohemi se jemi në gjendje të ndërtojmë një administratë shtetërore, së pari, të aftë e për të kryer detyrat e veta, pastaj të çliruar prej urdhrave padrinalë, një administratë që di ta mbajë shtetin në lëvizje edhe kur pakica ose shumica provokojnë krizë. Një administratë që ka hijen dhe tagrin e detyruar të bëjë detyrën me betim. Neve na duhet një administratë që punon për shtetin shqiptar, një administratë e formuar, por edhe pak idealiste, një administratë që nuk e ka mendjen te rishpërndarja dhe ndarja e fitimeve, por te lartësimi i figurës së shtetit dhe nëpunësit të tij, në shërbim të qytetarit. Ne të gjithë e dimë se sa shëmtim paraqiti shteti shqiptar në 100-vjetorin e ditëlindjes së vet. Edhe në protokollin e Zululandit, që thotë i ndjeri Konica, nuk mund të bëhej më keq. Duhen 100 vjet të tjerë për ta shlyer atë turp, prandaj në djall një konsensus që u arrit për t’i bërë qejfin Brukselit, kur nuk ndryshon asgjë, që administrata jonë të jetë si ajo e Brukselit dhe si e vendeve të BE-së.
Le ta bëjmë ligjin që të na japë mundësinë të ngremë një administratë publike të virtytshme, konkurrente dhe të kulturuar, pastaj t’i vëmë edhe garancitë mbrojtëse të saj! Akti normativ që miratojmë sot është vetëm preludi i një procesi, që është sfida jonë më e madhe ndaj së cilës ka vetëm një zgjidhje: ta fitojmë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi