Publikohet progres raporti për Shqipërinë

Pergatiti Ernest Bunguri & Arta Tozaj, 11 tetor 2013

Top Channel siguroi raportin e progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë, që publikohet më 16 tetor.

Në pjesën e Kriterit Politik vlerësohen me nota pozitive zgjedhjet, situata politike, miratimi i disa ligjeve kyçe, si dhe plotësimi i detyrimeve të nevojshme për përfitimin e statusit kandidat.

“Në përgjithësi, zgjedhjet shënuan progres të prekshëm në krahasim me praktikat e mëparshme, duke plotësuar kështu prioritetin kyç për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Funksionimi i Parlamentit u përmirësua. Shqipëria duhet të përqëndrojë përpjekjet e saj në një proces më gjithpërfshirës konsultimesh dhe në forcimin e rolit mbikqyrës të Parlamentit. Është e rëndësishme që bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës të mirëfunksionojë për të ofruar një bazë të fortë për reforma të mëtejshme”, thuhet në raport.

Reformat politike dhe ato të integrimit kanë vijuar, sipas raportit, nga Qeveria e vjetër në periudhën para dhe pas zgjedhjeve, si dhe nga Qeveria e re pas marrjes së detyrës në shtator.

“Zbatimi i planit të rishikuar të veprimit për trajtimin e prioriteteve kyçe të opinionit vijoi, megjithëse me një ritëm të ngadaltë. Qeveria e re duhet të përqëndrohet menjëherë në forcimin e buxhetimit dhe planifikimit strategjik dhe në përmirësimin e koordinimit në nivelin qendror dhe lokal”, thuhet më tej.

Pasi vëren miratimin e Aktit Normativ të qeverisë Rama, për shmangien e vakumit ligjor me hyrjen në fuqi të Ligjit për Shërbimin Civil, raporti vlerëson edhe progresin në fushën e administratës publike, një nga 12 prioritetet kyçe të Opinionit të Komisionit të vitit 2010.

“Në përgjithësi është shënuar progres në reformën për administratën publike dhe një hap madhor i ndërmarrë në këtë prioritet kyç ishte miratimi i Ligjit për Shërbimin Civil.Përpjekje të mëtejshme nevojiten për të depolitizuar administratën publike, për të garantuar vazhdimësinë, për të luftuar korrupsionin, për të forcuar meritokracinë në emërime, ngritje në detyre apo shkarkime, dhe për të rritur efikasitetin dhe qendrueshmërinë financiare të saj”, vijohet në raport.

Sipas raportit edhe Strategjia për reformën në drejtësi, një tjetër prioritet kyç i Opinionit, është duke u zbatuar, ndërsa vlerësohet miratimi i Ligjit për Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, trajtimi i të ndaluarve në qendrat e paraburgimit është një tjetër detyrim që merr nota pozitive.

“Ndjekja e rekomandimeve të bëra nga Avokati i Popullit u përmirësua. Përshembull, shumica e rekomandimeve mbi keqtrajtimin në qendrat e paraburgimit, një prej çështjeve të prioriteteve kyçe, u trajtua nga burgjet dhe nga Policia e Shtetit”, thuhet më tej.

Në raportin e një viti më parë Komisioni dilte në përfundimin se Shqipëria kishte plotësuar 4 nga 12 prioritetet kyçe të Opinionit: funksionimi i Parlamentit; miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar; ndryshimi i Kodit Zgjedhor; emërimi i Avokatit të Popullit dhe procesi i dëgjimit dhe votimit të kandidaturave në institucionet kyçe. Ndërsa dy prioritete të tjera vlerësoheshin atëkohë drejt përmbushjes: reforma e administratës publike dhe përmirësimi i trajtimit të të ndaluarve.

Një vit më vonë, me përfundimet e mësipërme dhe ato në disa fusha të tjera të rëndësishme, Komisioni duket se konfirmon progresin e mjaftueshëm të vendit për rekomandimin pa kushte të dhënies së statusit kandidat.

Me arritjet e Shqipërisë në disa prioritete të rëndësishme dhe megjithë notat, në dukje, pozitive të Komisionit, raporti i progresit përfshin në mënyrë objektive edhe shqetësimet e njohura për vendin: korrupsioni, krimi, trafiqet apo problemet në sistemin gjyqësor.

Sistemi gjyqësor

“Statusi i Gjykatës së Lartë dhe procesi i emërimit të gjyqtarëve të saj mbeten çështje shqetësuese në kuptimin e politizimit të mundshëm, për sa kohë që dispozitat përkatëse kushtetuese nuk janë ndryshuar. Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës së Lartë nuk garantohen plotësisht.

Pushteti për të hapur e për të mbyllur një procedurë disiplinore është ende një kompetencë ekskluzive e Ministrit të Drejtësisë, çfarë është kundër standarteve të BE-së.

Mbetet ende për t’u garantuar zbatimi i reformës kushtetuese të 2012 duke kufizuar imunitetin e gjyqtarëve. Nuk janë miratuar ende ndryshimet në Kodin Penal për të bërë të mundur arrestimin e gjyqtarëve dhe kontrollin personal e atë të banesave.

Mungesa e përgjegjshmërisë së zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme është shqetësuese. Procedura për emërimin dhe shkarkimin e personelit në këtë zyrë duhet të jetë transparente dhe e paanshme dhe roli i Këshillit të Prokurorëve duhet forcuar.

Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore, veçanërisht ato që përfshijnë institucionet shtetërore, mbetet një problem serioz.

Edhe pse vërehet progres në luftën kundër korrupsionit me disa gjurmë fillestare provash në sektorë të ndryshëm, korrupsioni mbetet veçanërisht një problem serioz dhe mbizotërues në shumë fusha, si shëndetësia, drejtësia, tatimet e doganat.

Korrupsioni

“Në përgjithësi, numri i hetimeve dhe dënimeve mbetet i ulët. Nevojitet përmirësim i kapacitetit kontrollues të ILDKP-së. Koordinimi mes institucioneve dhe hetimi i mëtejshëm i rasteve të tilla duhet të rritet. Përgjithësisht, hetimet vazhdojnë të jenë një natyre reaktive, në vend të natyrës proaktive, dhe vlerësimet e rrezikut për korrupsion nuk kryhen sistematikisht.

Institucionet shtetërore që merren me luftën ndaj korrupsionit mbeten të cënueshme nga ndikimi dhe presioni politik. Është veçanërisht e rëndësishme të garantohen kritere transparente dhe në bazë meritash për emërimet dhe shkarkimet.

Përdorimi i hetimeve proaktive dhe vlerësimi i rrezikut në shërbimin tatimor duhet forcuar. Korrupsioni në shërbimin tatimor mbetet një çështje shqetësuese.

Një dëshmi provash për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve ka nisur të ndërtohet. Gjithësesi, nuk ka një sistem efektiv për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë. Rreziqet për korrupsion dhe ndikimin e papërshtatshëm mbi transferimet e gjyqtarëve dhe ngritjet e tyre në detyrë nuk janë trajtuar mjaftueshëm. Korrupsioni në gjyqsor mbetet një problem veçanërisht serioz.”

Në dokument vlerësohet se pavarësisht ndryshimeve ligjore të Majit, ndihma juridike falas për viktimat e trafiqeve dëmtohet nga tarifat e larta gjyqësore dhe numri i madh i dokumenteve që viktimat duhet të marrin nëpër institucione të ndryshme shtetërore.

Krimi dhe trafiqet

«Krimi i organizuar mbetet një shqetësim serioz dhe do të nevojiten përpjekje të mëtejshme thelbësore për të përmirësuar gjurmët e provave nga Shqipëria. Mbeten pezull ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Numri i konfiskimeve të pasurive kriminale dhe dënimeve për pastrim parash mbetet i ulët. Shqipëria mbetet një vendburim për trafikun e të rriturve dhe të miturve, përfshirë lypjen e detyruar nga fëmijët. Kjo çështje kërkon koordinim më të mirë mes agjensive të zbatimit të ligjit dhe shërbimeve sociale. Kultivimi dhe trafikimi i canabis mbetet një shqetësim serioz.»

Në pjesën e raportit për fushën e gjyqësorit, pasqyrohen edhe detajet e procesit për katër të vrarët e 21 janarit, ku dy të akuzuarit u dënuan me 1 dhe 3 vjetë nga 21 dhe 23 vjetë burg respektivisht që kishte kërkuar Prokuroria. Njësoj për çështjen e Gërdecit, ku përmendet edhe rënia e akuzave ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes, falë amnistisë së dhënë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Në po të njëjtin kapitull është pasqyruar edhe ngjarja e grevës së urisë të ish-të burgosurve politikë dhe arsyet që i çuan në këtë grevë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi