Paniku ekonomik që s’i duhet Shqipërisë

Nga Besart Kadia*, botuar në MapoOnline, 11 shtator 2013

Kush është duke ndjekur debatin e hapur rishtazi nga qeveria e re mbi financat publike, me siguri është duke u frikësuarpër të ardhmen e vendit. Sipas kryeministrit të ri anija nuk fundoset vetëm për disa, por fundoset për të tërë njësoj. Në këtë pikë kryeministri i ri paralajmëron qytetarët shqiptarë se “arka e shtetit është bosh” dhe se është më keq nga se e kishin menduar. Në një periudhë kur auditimi nga kompania “Deloitte Touche” do të kushtojë 80 mijë euro dhe akoma nuk dihen rezultatet e tij, mësohet se veç të tjerash qeveria e re ka ndryshuar dhe shpenzimet për vitin 2013. Pa u hedhur akoma në shumë detaje ekonomike, qytetarët besoj se janë shumë të çorientuar se kush nga palët ka të drejtë. Me gjithë mosbesimet e forta të pabazuara në lexime teknike të qytetarëve për financat publike, sjelljet e qeverisë mundet të lexohen dhe interpretohen lehtësisht.

Në rast se kryeministri Rama ka më shumë të dhëna se ne qytetarët për krizën e thellë në të cilën e gjen vendin, pyetja shtrohet se përse ka vendosur që të rrisë shpenzimet deri në fund të vitit 2013. Ndërkohë që akuzat janë për një sjellje të papërgjegjshme të Ministrisë së Financave të mëparshme mësohet, sipas të dhënave nga Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, se qeveria e re ka vendosur të rrisë shpenzimet për Këshillin e Ministrave me 56 milionë lekë dhe në total të rrisë shpenzimet për institucionet me mbi 3,5 miliardë lekë ose 35 milionë dollarë. Pra fjalët e kryeministrit të ri bien ndesh me sjelljen e tij. Po të mbetemi te simbolika e kohës së krizës, më e madhe se ajo e vitit 1997, qeveria nuk duhet të rrisë numrin e ministrive, pasi dihet se kjo do të sjellë rritje të menjëhershme të shpenzimeve. Gjithashtu në rast se kriza është e madhe, përse duhet të rritet numri i deputetëve në parlament e kështu me radhë. Akoma pa hyrë në teknikalitete ekonomike, shumë e dinë dhe mendojnë se është racionale se kur një familje është në vështirësi ekonomike do të shmangte në maksimum pushimet, rregullimet e shtëpisë dhe lyerjet e mureve apo rregullimin e gardheve.

Por, po ta bëjmë më teknik diskutimin, shqetësimi bëhet edhe më i madh për mënyrën sesi po interpretohen shifrat ekonomike. Komentin e tij se arka e shtetit është bosh, ekonomistët e dinë mirë se nuk ka asnjë kuptim. Zoti Rama në fakt ka në dorë 3.5 miliardë dollarë për të shpenzuar në vitin 2014. Me këto para zoti Rama mund të vendosë të mos bëjë më investime në rrugë si qeveria e mëparshme, mos të subvencionojë më fermerët në nevojë por të bëjë shëndetësi falas, të heqë koston e legalizimeve etj. Kjo është zgjedhja e tij, por fakti është se qeveria Rama do të ketë në vitin e ardhshëm një buxhet disa herë më të lartë se qeveria në vitin 2005 apo 2009. Në një kohë kur ministri i ri i Ekonomisë shprehet se vetëm pas dy vitesh do të kemi rritje të ekonomisë shqiptare, duhet t’i kthehemi shifrave të FMN-së se rritja për këtë vit do të jetë 1.7% dhe për vitin e ardhshëm do të jetë 2%. Pra, pa marrë asnjë vendim qeveria e re, sipas FMN-së Shqipëria do të ketë një rritje ekonomike më të lartë sesa ky vit.

Sipas qeverisë së re, ekonomia ndodhet në greminë për shkak të paaftësisë së qeverisë së mëparshme. E marrim si të mirëqenë këtë: deri në fund të gushtit kur ishte akoma në pushtet qeveria e mëparshme arriti të mblidhte 210.5 miliardë lekë nga 226.8 miliardë lekë të parashikuara për këtë periudhë. Pra, në fakt kanë arritur vetëm 93% të objektivit që i patën vënë vetes. Nga ana tjetër qeveria e re, deri në fund të vitit parashikon që të mbledhë 321.9 miliardë lekë në total nga 360.6 miliardë lekë të parashikuara nga qeveria e mëparshme. Pra, në përqindje parashikon të mbledhë 89.2% të zotimit që qeveria i kishte vënë vetes. Që do të thotë një parashikim për një mbledhje më të ulët të të ardhurave dhe se çfarë ishte në gjendje të mblidhte qeveria e mëparshme në kohë fushate. Periudha shtator-dhjetor do të shohë një rënie të menjëhershme të të ardhurave në tatime dhe shenjat e para po tregohen.

Në katër vitet më të vështira të ekonomisë rajonale dhe botërore, borxhi publik në Shqipëri u rrit me vetëm 6%, kur në rajon u rrit mesatarisht me 17%. Nga ana tjetër këtë vit vendet e rajonit, megjithëse në një rritje ekonomike me nivele të njëjta me të Shqipërisë, kanë rritur borxhin me vetëm 2%, qeveria e re mendon që ta rrisë këtë borxh me minimalisht 6%, trefishin e rajonit. Në mendimin e qeverisë së re mundet të duket e lehtë të marrësh hua me bono thesari 12-mujore me normë kthimi 4%, por duhet të jemi të kujdesshëm në muajt në vazhdim se kjo normë ka gjasa të rritet, çfarë do të thotë se dhe shërbimi ndaj borxhit, pra fondet për pagesën e interesit, do të rriten. Në ekonomi gjërat nuk mundet të mbeten siç janë sot. Rreziku me të cilin përballemi ka nevojë për politika konservatore dhe diskutim transparent dhe jo panikpërhapës për publikun shqiptar që shumë pak lexon financë, por kupton dhe reagon kur i thuhet se gjërat do të bëhen më keq.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi