Harta e re lokale, një çështje jo vetëm lokale

Nga Ylli Asllani, botuar në Balkanweb, 8 tetor 2013

Në fillim ndajmë si na intereson dhe pastaj vendosim kriteret.” M’u kujtua kjo praktikë mesjetare tek po dëgjoja fragmente nga debati i sotëm rreth ndarjes administrative.
Shqipëria e vitit 2013 është një realitet krejt i ri. Reformat e njëkohshme kanë krijuar një monografi të re zhvillimi në krejt territorin e Republikës. Gjithçka ka ndryshuar me shpejtësi.
Dixhitalizimi dhe infrastruktura ia kanë zvogëluar përmasat kohore vendit. Zhvendosjet masive të popullatës po shkojnë drejt shuarjes. Ndërkohë, censusi i vitit që lamë pas njoftoi për të parën herë një balancë të përmbysur në favor të popullsisë urbane ndaj asaj rurale…
Dhe…, sikurse ndodh pas një rendjeje galop, vjen një moment i nevojshëm reflektimi, për të bërë një bilanc, por edhe për të caktuar piketat e reja për të ardhmen.
Kështu, në këtë dinamikë të re dallohet pa vështirësi se perspektiva rajonale ndihet e ngushtuar nga rrjeta marramendëse e numrit të njësive vendore.
Harta e vjetër administrative po bëhet një pengesë reale për zhvillimin rajonal, vetadministrimin vendor dhe çlirimin e energjive të komuniteteve lokale.
Ideja për një hartë të re administrative me një numër shumë më të vogël njësish po mbizotëron sërish debatin e ditës rreth mirëqeverisjes vendore.
Jemi, dashur pa dashur, para vendimmarrjes së një reforme thelbësore dhe natyrshëm shtrohen një seri pikëpyetjesh.
Së pari, duhet verifikuar se çfarë ka ndodhur në këto vite që e ka bërë imediate rivlerësimin e numrit të njësive vendore! Cilat janë problemet të cilat do të duhet të zgjidhë kjo reformë?
A është ky, momenti i përshtatshëm për një hartë të re dhe cilat janë hapat që do të duhet të ndiqen në këtë reformë?
Si do të kryhet kjo reformë, cilat do të jenë objektivat, pjesëmarrësit dhe mbartësit e saj?
A është kjo reformë thjesht një reduktim numrash, apo një hap i ri në strategjinë e zhvillimit periferik? Cilat do të jenë nivelet e qeverisjes vendore, a do të unifikohen të gjitha njësitë nën emrin Bashki dhe çfarë marrëdhënieje do të kenë me Qarkun etj.
Si do të jenë modelet e pritshme të njësisë vendore, konturet e tyre dhe aftësia e tyre për vetadministrim?
Do të duhet kujdes pas kësaj të mos humbasim përmbajtjen, duke rendur skematikisht për të ruajtur forma të paracaktuara.
Pra duhet të ruhet me skrupulozitet pa cenuar parimin e subsidiaritetit, ajo që përbën edhe thelbin e pushtetit vendor… Që të mos ndodhë që, rritja e distancës së qytetarit prej qendrave të komunave të mundësojë krijimin e komuniteteve të braktisura.
Janë edhe një seri e gjerë hamendësish, të cilat patjetër që do të duhet të krijojnë një debat dobiprurës me përfaqësues të rajoneve përkatëse…
Gjithsesi, diskutimi në njësitë vendore ka vite që ka filluar, madje pothuajse çdo njësi ka dhe planin apo vizionin për zhvillimin e saj strategjik.
Ngelet që fokusi qendror të kontaktojë partnerët e këtij projekti dhe të vlerësojë kushtet e rrethanat në të cilat ai do të kryhet. Marrëdhënia hapësirë–kohë në këto raste merr shumë përparësi.
Në sensin organizativ, periudha që kemi para ofron një oportunitet i cili duhet vlerësuar si një shans që s’duhet humbur…
Koincidenca e fillimit të këtij mandati të ri qeverisës me perspektivën e afërme të zgjedhjeve vendore, është mjaft e favorshme për nisjen e reformës… Pasi është çasti kur garuesit e ardhshëm të lokaleve të vitit 2015, sikurse edhe qeveria aktuale apo opozita, nuk kanë asnjë “obligim” ndaj kufijve të dikurshëm.
Shtyrja e datës për një moment tjetër do të krijonte paragjykime dhe komplekse, të cilat do ta vështirësonin konsensusin dhe partneritetin e nevojshëm.
Politikisht, përkundrejt hartës së re lokale, të dy krahët e politikës shqiptare kanë deklaruar domosdoshmërinë e një ndarjeje të re administrative.
Kjo është mjaft inkurajuese, prandaj transparenca dhe formulimi i një ftese nga mazhoranca për bashkëpunim do të ishte një sinjal pozitiv për mbarëvajtjen e procesit. Mungesa e dialogut gjithsesi krijon konfuzion të panevojshëm. Aq më tepër që individë të pasinkronizuar flasin për skema centriste e koncepte, që bien ndesh me parimet europiane të vetë qeverisjes dhe demokracisë lokale.
Padyshim, në kushtet e një klime zhgënjimesh, besimi ndaj një konsensusi të mundshëm do të jetë meritë dhe shenjë e emancipimit të opozitës, sikurse ndodh zakonisht në kushtet e një klime mosbesimi.
Gjithsesi, 2 vjet janë më se të mjaftueshëm për të realizuar një akord dhe për të përafruar projektet-idetë reciproke.
Kjo reformë, sikurse e parashikon edhe ligji, kërkon mirëkuptimin e njësive vendore. Një mirëkuptim i tillë nënkupton propozime nga të zgjedhurit lokalë në këshillat përkatës të qarqeve, që është institucioni ku mund të realizohet edhe partneriteti midis dy pushteteve, qendror e lokal.
Ndërkohë, një forum ndërdikasterial e gjithëpërfshirës duhet të ketë hartuar paraprakisht kriteret konsensuale për formën e madhësinë e njësive të ardhshme, numrin minimal dhe atë maksimal të popullsisë së tyre etj.
Për të caktuar kriteret, natyrshëm kërkohet një mendim ekspertësh të fushës së pushtetit vendor në një komitet ekspertësh të ekuilibruar politikisht, me pjesëmarrje nga qeverisja vendore dhe shoqëria civile, e cila ka qenë mjaft aktive në këtë temë.
Sigurisht, këto kritere do të miratohen zyrtarisht për të shërbyer si temë e një debati politik në miratimin e ligjit përkatës, i cili, krahas rindarjes së njësive vendore, do të trajtojë dhe përcaktimin e kufijve dhe rolit të ri të qarqeve (që kërkon një trajtim të veçantë).
Rikonfiguracioni i territoreve të njësive vendore kërkon 2/3 e votës së deputetëve, por ajo që është më e rëndësishmja, kërkon angazhimin dhe mirëkuptimin e gjithë spektrit politik. Vetëm kështu reforma territoriale do të mund të jetë afatgjatë dhe e dobishme.
Sikurse shihet, përcaktimi i kufijve të hartës së re lokale është produkt i një kooperimi shumëdimensional, që i kalon caqet e një administrate qendrore apo lokale. Në fakt, ai është një lakmues që do të reflektojë shkallën e pjekurisë së klasës politike.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi