Një mesazh shumë i qartë i Komisionit Evropian për Shqipërinë

Nga Ardian Haçkaj, ShtetiWeb, 24 shtator 2013

Në 24 korrik 2013, Komisioni Evropian (KE) publikoi vlerësimin e tij mbi Programin Ekonomik dhe Fiskal (PEF) të përgatitur nga Qeveria Shqiptare për periudhën 2013 – 2015. [Tekstin e plotë të këtij Raporti e gjeni duke klikuar këtu]. Nëpërmjet kësaj analize, të lënë në heshtje nga mediat shqiptare, KE informon qeverinë mbi cilësinë e programit të saj ekonomik. Vëmëndja e KE fokusohet në analizat dhe parashikimet e Qeverisë shqiptare mbi gjëndjen e financave publike dhe reformat strukturore që duhet të ndërmerren për t’ju afruar Evropës.

Ajo që bën unik këtë vlerësim dhe që na detyron ta komentojmë, nuk është vështrimi i qartë dhe preciz i KE mbi gjëndjen e vështirë të ekonomisë shqiptare, se sa gjuha e përdorur nga KE për të denoncuar një raportim me cilësi më se të dobët nga qeveria shqiptare. Më poshtë do përmendim disa nga shprehjet me interesante si nga përmbajtja, ashtu dhe nga forma.

Që në paragrafin e parë të vlerësimit të bie në sy përdorimi i epitetit “i eksituar” për të cilësuar parashikimet mbi rritjen ekonomike të paraqitura nga pala shqiptare. Ky është një term i pazakontë në analizat e thata dhe faktuale që prodhohen nga instanca si KE. Tre paragrafe më poshtë “parashikueshmëria fiskale” e vendit cilësohet si e goditur rëndë pas vendimit për të rritur kufirin e borxhit publik mbi 60%.

Në kapitullin e Gjëndjes së Ekonomisë dhe Rreziqeve, KE përdor dy herë në pesë rreshta termin “disi me optimizëm” për projektimet makro-ekonomike të qeverisë. Menjëhere më pas, KE përdor foljen “pretendon” e jo deklaron / shpreh / etj për të cilësuar jo-seriozitetin e deklaratave mbi të ardhmen e rritjes së konkurrueshmërisë dhe të konsumit të brendshëm. Parashkimet për tërheqjen e investimeve të huaja vlerësohen me “rrezik mos-realizimi të lartë”.

Rritja e parashikuar e të hyrave karakterizohet një “mbivlerësim serioz” si pasojë e “pamundësisë” së rritjes së pretenduar të PBB. Ekonomistët e KE përfitojnë nga rasti për ti ri-kujtuar palës shqiptare rregullat bazë të teorive ekonomike që ndërlidhin rritjen e PBB dhe të hyrave në buxhet, me shkallën e mbledhjes së taksave.

Kontradiktat e brëndshme të dokumentit të dorëzuar nga qeveria shqiptare, vihen në pah dhe në paragrafin e shpenzimeve. Nuk është logjike – thonë ekonomistët e KE – të pritet një rritje prej 3.5% e PBB ndërkohë që ulen shpenzimet publike kapitale (të cilat ofrohen nga Qeveria shqiptare si leva kryesore, në mos e vetmja, për të ulur deficitin e madh buxhetor).

Në Kapitullin e Reformave Strukturore, KE i cilëson politikat e propozuara si të “shperndara” dhe “arkaike”, dhe që “nuk janë të afta t’u ofrojnë një zgjidhje të gjithëkuptimshme sfidave me të cilat përballet vendi”. Po ashtu kritikohet rritja e pritur e investimeve të huaja për të kompensuar deficitin e madh publik, pa sqaruar se si do të arrihet. Vihet re gjithashtu që rritja e punësimit dhe përmirësimi i cilësisë së fuqisë punëtore nuk trajtohet fare.

Në përfundim, ekonomistët e KE shprehen që: a) kuadri i propozuar makro-ekonomik vuan nga mungesa e qartësisë, mungesa e ndërlidhjeve të qarta mes parashikimeve makroekonomike dhe reformave strukturore, si dhe nga mungesa e skenarëve alternativë; b) kuadri fiskal nuk përputhet me skenarët ekonomike të propozuar – besueshmeria e parashikimeve mbi të hyrat dhe shpenzimet vuan nga mungesa e informacionit të detajuar dhe të shpjegimeve mbi arsyetimin e përdorur nga pala shqiptare; c) kuadrit të reformave strukturore i mungon kuptueshmëria, koherenca, shpjegimet e detajuara, afatet kohore dhe impakti buxhetor.

Kjo analizë është shumë shqetësuese për faktin që çmonton tërësisht në përmbajtje dhe në formë, një raport zyrtar të pergatitur nga administrata shqiptare dhe të paraqitur nga qeveria në janar 2013 në Bruksel. Ky fakt justifikon dhe vendimin e Qeverisë Rama për të ri-shkruar Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2014 – 2020.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi